
Nga Odise Kote*
Ndonëse krijimtari dykohëshe, prej afër gjysmë shekulli (para viteve 1990 dhe pas saj, deri sot), përmbledhja “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” është unike, një vepër poetike që na rrëfen se Preç Zogaj ka mbetur liriku i njëjtë, i patjetërsueshëm, që vetëm sa i ka theksuar dhe më tej tonet, imtësitë gjuhësore dhe ngjyrat metaforike të poezisë së tij. Në të gjithë krijimtarinë e tij, verbi lirik mbetet i pashkëputur, si kordoni umbilikal.
Me vëllimet që i janë paraqitur lexuesit në vite, Preç Zogaj na provon më së miri qëndrueshmëri të verbit, faktin se ai nuk hyn në grupin e atyre që pas viteve 1990 nisën të provojnë njëra pas tjetrës manierat, maskat poetike në kërkim të modernitetit si artific e jo si organicitet kulturor, për evolucionin e instrumentarit poetik, duke e ndërruar linjën e imazheve dhe linjën gjuhësore, që endin pëlhurën e poezisë. Me përvojën e intelektualit konsistent, ai e kuptoi menjëherë se kjo nuk do të ishte e papërshtatshme për "lëkurën" e tij, do të kishte rezultate tragjike për poezinë e poetin, duke rrëshqitur në një histori të së shëmtuarës... Gjurma e fëmijërisë dhe adoleshencës, kujtimet, këngët e moçme shqiptare, poezia e tretur, më e mira bashkëkohore, ashtu siç pohon Umberto Eco ravijëzuan pa kthim profilin poetik të Zogaj, profetizuan ardhmërinë - dhe paskëshin qenë farë BIO.
Prej librit të parë, “Emrat tuaj”, që pasohet nga “E pakryer” dhe “A thua do të vish duke qeshur”, ndihet qartë orientimi i poetit drejt një realizmi lirik, që zgjeron me shpejtësi rrethin tematik, përmes pasurimit progresiv të vetëdijshëm të repertorit të mjeteve shprehëse. “Qielli i gjithkujt”, botuar në vitin 1990, libri i tij i katërt, vetëm sa e thelloi prirjen duke shënuar një kuotë të re në udhëtimin e tij poetik.
Që në nisje, në fillim të viteve ’80-të, poezia e Zogajt nuk kërkoi heroin, shpesh protagonistin butaforik, sikundër kishin vepruar bashkudhëtarë të tij, por Njeriun, Njeriun e vërtetë, në të gjithë regjistrin spektral të tij, në të gjitha rrafshet e mprehta ekzistenciale. Ajo u bë poezia e rrethanave, ndaj mbeti konsistente deri në ditët tona, veç duke u zhvilluar, pasuruar, maturuar e përsosur. Ky akt, ky vizion profetik për poezinë, e çoi atë shpejt në kapërcimin e harkut kulturor lokal e kombëtar, duke i dhënë poezisë peshë dhe vlerë universale. Ky akt e çoi poezinë e Zogajt drejt lirisë!
Po të ndodhte e kundërta, do të ishte tragjike, si përvojë e raporteve të individualitetit artistik me maskaradën e pashmangshme të dogmës. Kjo është arsyeja pse Zogaj, kur rishfaqet kohë pas kohe me vëllimet e reja, siç e kemi njohur, na kujton Preçin e viteve të dikurshme, pasi ai gjithë kohës (për shumë e shumë vite) ka punuar e shkruar në këtë regjistër dhe sipas modeleve poetike që njeh e zotëron - si uji, ajri e dielli i viseve të vendlindjes. Duke shkruar këtë poezi, (pas viteve 1990 aspak të censuruar), ai ka sjellë risi dhe mahnitje estetike të nivelit sipëror për dy nga elementët më të rëndësishëm të poezisë, Zëri dhe Motivi, të cilat e shpjegojnë lëndën galvanike ku shtjellet poezia e tij.
Do të veçoja poezitë e dashurisë, pasi analizën estetike të krejt përmbledhjes e kreu në mënyrë shteruese prof. Gëzim Basha. Në të gjithë vëllimet e poetit lirik Preç Zogaj (më pëlqen ta quaj kësisoj) kemi përpjekjen unike të ndërtimit, shpërfaqjen e një gramatike antropologjike të dashurisë.
Poezitë kanë në qendër motivin e përjetshëm - dashurinë. Dashurinë të këndvështruar si në një prizëm, nga çdo pikë e mundshme, për të shpalosur pamje që si kemi ndeshur më parë.
Në këto poezi ka vargje tronditëse, që të shqetësojnë, vargje që krijojnë parabola, asosacione e metafora të pahasura kund, vargje antologjike, herë - herë me një bukuri gati kristalore. Ndonjëherë, paradoksalisht vargjet të japin imazhe filmike dhe lexuesi ekzaltohet nga njëra sekuencë në tjetrën. Dallon qartazi në këto poezi: jehona të miteve ballkanike, zvetënime - histori të përzitura - trysni të ritualit, shpirtra të mbetur pezull - after life, kujtime të ndërthurura kaotikisht në rend të përmbysur si në një ëndërr me makth, dashuri që përndizen dhe në kohëzgjatje konsumohen, atmosferë ankthi e tensioni ku gjithçka duket e dyzuar, e turbullt, kohë që ecën mbrapsht, rrëfime epilektike, dromca ëndrrash, fragmente kujtimesh, kërkime rraskapitëse dhe kutiza bosh. Të gjitha këto poezi janë të mbushura me erëza erotike, sepse Preç Zogaj është në kërkim të pareshtur të zbulimit të segmenteve jetësore të pa qartësuara, kërkim për të rrokur raportin e erosit me njeriun dhe qytetërimin e sotëm.
Në përpjekje për të ndriçuar enigmën gjejmë shenjat e një kërkimi metafizik, frojdist, ekzistencialist, modernist, shenja që na çojnë tek pyetja: A mos vallë dashuria është gjendje iluzive e mendjes? Një vetëmashtrim? Përse dashuria të ngre lart në kreshtat e lumturisë dhe më pas të rrokullis në honet e dëshpërimit? Cili është kufiri mes kohës së lumturisë që sjell dashuria me kohët e tjera, të dëshpërimit, të nostalgjisë, faljes, kujtimeve të shkaktuara po prej saj? Kjo lloj poezie e Zogajt pasuron traditën më të mirë të poezisë shqipe me De Radën, Lasgushin, Asdrenin, Rreshpjen si dhe qëndron denjësisht përkrah poezisë më të mirë europiane. Për të depërtuar në përbrendësi të lirizmit të autorit, dëshiroj të paraqes teknikën që lexuesi i kualifikuar duhet të perceptojë gjatë leximit të saj. Autori ka përvetësuar mjeshtërisht atë që në teorinë e shkrimit kreativ të poezisë cilësohet efekti fugë. Po ndalem tek poezia:
Po flija poshtë lisit hijerëndë
Kur erdhën e më zgjuan, “ngrehu të do Ana,
Muzikë më të bukur s’më kishin ndier veshët.
U hap mbi kodrat e verdha një deriçkë,
Kraharori im kërciti si dërrasë
Mes lulesh e gajtanash hapi sytë
Ajo që nuk u bë më shumë se vajzë
Shpjegova më lart se autori pas viteve 1990-të i dha një fuqi krejt tjetër dy elementëve Zërit dhe Motivit. Nga zëri, ose me saktë zërat, ngjizet efekti poetik "fugë", ndërsa nga motivi, krejt personal e metafizik, përftohet efekti tjeter - rondó. Fuga: në kuptimin klasik përbëhet nga disa zëra, ku secili sysh përsëritet (imiton) një temë të dhënë. Në poezinë e Zogajt këto zëra liriko-elegjiakë kryqëzohen në vrapim e sipër (përsa fugë do të thotë vrap, rendje). Këto zëra çlirohen, zgjidhen, shkëputen nga kontrapunkti (koekzistencë e njëkohshme linjash tematike), duke provokuar akorde të disonancës me ndjesinë e një harmonie të përsosur.
Përcaktimi zhanor "Fugë" është i lidhur me muzikën. Fuga është një vepër muzikore e karakterit imitativo-polifonik. Në fugë po e njëjta temë mishërohet në zëra (dhe regjistra) të ndryshëm. Ky princip - është baza e kompozimit të vargut dhe materies poetike të Zogajt. Poezia, ashtu si dhe vepra muzikore në zhanrin e fugës, duhet para së gjithash të shkaktojë trazim emocional. Për këtë qëllim poeti krijon imazhe, që ndërtohen mbi asociacione të lira, përsëritje, dhe mbërrin tek një efekt tabloje dhe muzikaliteti njëherësh. Dëgjoni trivargëshin:
O ti që flet e s’dukesh, a vërtet,
Më do ajo tani apo jam n’ëndërr?
Përse më fshihesh o zë kaq i sinqertë.
Vargu i ndërtuar në këtë mënyrë të përcjell një gjendje ankthi dhe shokimi për gjërat e humbura, nostalgjike, pa kthim. Të nginjura më përsëritje metaforash, krahasimesh, përshkrimesh, gjendjesh fqinjëruese, elementësh kyçë të alkimisë poetike, poezia i zbulon dhe i përcjell lexuesit një pikëllim e dhembje, pothuajse fizike.
Për nga ndërtimi i saj fuga përbëhet prej tre ndarjesh kryesore. Në të parën tema përcillet prej të gjithë zërave. Pjesa e dytë ndërtohet më lirshëm: tema shtjellohet me radhë, në zëra të ndryshëm. Në pjesën përmbyllëse të fugës pohohet tonaliteti kryesor i veprës, rëndom me lajtmotivin e vargut të parë, si në këtë shembull: O ti që flet e s’dukesh, a vërtet...
Specifika e sintaksës së poezisë nënvizon "organizimin muzikor" të saj: i privuar nga shenjat ndarëse, teksti rrjedh vetvetiu, pa farë sforcimi, duke krijuar një melodi të pikëlluar, në të cilin, krahas zërit të poetit shkrihen edhe zërat ndihmës të natyrës për të forcuar motivin qendror.
Rondo është një formë e ngurtë në poezinë e kohës së re, që në një mënyrë a në një tjetër mbështetet në modelet mesjetare, sidomos ne poetikat provansale te shek. XIII-XIV. Rondo (nga frëngj. "e rrumbullt") lindi si një variant edhe më delikat se rondel-i: refreni shkurtohet deri në një minimum aludimi; në mes dhe në fund të poezisë përsëritet jo e gjithë strofa e parë. Ja se si:
O ti që flet e s’dukesh, a vërtet,
Më do ajo tani apo jam n’ëndërr?
Përse më fshihesh o zë kaq i sinqertë.
E strukturuar kësisoj, poezia që sipër cituam ka efektin e një poeme të organizuar në shumë kantata, që ngjajnë me njëra-tjetrën, qoftë si përsëritshmëri motivesh (rondo), qoftë si përsëritshmëri zërash, intonacionesh, muzikaliteti (fuga).Poeti shtegton në kërkim të shpirtit të poezisë të njëmendtë, reale, absolute. Ai e di mirë që sa më poetike poezia, aq më e vërtetë. Përralla është ndonjëherë e ngjashme me kanonin e poezisë. Çdo gjë poetike që shkruan poeti duhet të jetë përrallore. Ndaj poeti i përkulet rastit, rrethanës. Të gjithë ne ëndërrojmë për shtegtimet tona nëpër gjithësi; po a nuk është brenda nesh gjithësia? Thellësinë e shpirtit tonë ne as që e marrim me mend. Përbrenda nesh kalon rruga misterioze. Tek ne ose askund është amshimi me botërat e tjera, E kaluara dhe e Ardhmja.
Poezitë e zgjedhura të Preç Zogaj janë ngjarje e shënuar letrare, për mbarë hapësirën shqiptare ku shkruhet e lexohet shqip. Kjo përmbledhje e kohëshkrimit 1980 – 2024, qëmtuar me kujdes klinik, është padyshim një fenomen poetik me rrezatim mbarëkombëtar. Ajo na rrëfen progresionin e poezisë së Zogajt, me kthjelltësinë e imazheve, metaforave, vizioneve dhe përfytyrimeve profetike të sjella përmes strukturave delikate e të mirë organizuara sipas kombinimit të ligjësisë poetike me eksperimentin e vazhdueshëm për qartësi, forma e shfaqje mahnitjeje për lexuesin e tij.
Në thelb, optika e poezive të Zogajt është aty ku shpërthejnë shtysat konfliktuale dhe tensionet e raportit. Tharm i bukurisë së tyre është jo veç tek gjuha e përpunuar por dhe te veshja e vargut me nëntekst. Sipas meje, gjithkund në fondament qëndron mistika gramatike, e cila shumë lehtë mund të cysë habinë e parë në lidhje me gjuhën dhe shkrimin (letrën). Dikur popujt e vjetër i quanin shkrimet/letrat - magji. Pasi Gjuha - është Delf. Poeti e falltari dikur kanë qenë një. Por poeti i vërtetë gjithherë ka qenë falltar, falltari i vërtetë - poet. Ndre Mjeda, Gjergj Fishta Noli etj., a nuk janë provë e kësaj ideje?
Ardhmëria a s’duhet t’i rikthejë? Jo në kuptimin fizik por të thelbit, fuqisë, të misionit. Preç Zogaj, si për formimin e tij poetik dhe për shprehjen gjuhësore, qëndron më vete në literaturën shqiptare. Ai ka të vetën diçka demoniake, e cila mbase është vetia e parë e njeriut krijues, cilësia e mirëfilltë e furor poeticus, e marrëzisë së poetit të vërtetë.
I pari Goethe (Gëte), si rebel romantik, nuk i përfilli rregullat e gjinive me arsyetimin se kombinimi i tyre mund të prodhojë variante pakufi të gjinive letrare. As Aristoteli nuk ishte ithtar i pastërtisë së gjinive. I prirur drejt kësaj rruge, vëllimet poetike të Preç Zogaj, si Tekste, i kanë ikur ngjashmërisë me Tekstet e traditës, por pa e humbur magjinë e perceptimeve unike të tyre. Pa e humbur as magjinë estetike që shkaktojnë. Secili ecën në rrugën që shtron vetë, jo në atë të tjetrit.
Kur pohoj: fenomen poetik me rrezatim mbarëkombëtar - kam parasysh faktin se poezia e Zogajt është mirëpritur, mirë pranuar prej elitave kulturore, mjedisit poetik në hapësirën shqipfolëse, lexuesve të thjeshtë dhe kritikës letrare. Në ditët e sotme, në mungesë të një rendi të vërtetë hierarkik të vlerave, janë të shumtë pretendonjësit e piedestaleve me krenari e autokonsideratë perandorake për krijimtarinë e tyre. Por fenomen poetik nuk bëhesh kur vetëmburresh apo vetëshpallesh. Në këtë rast ideja e Ray Bradhury do të duhej të kishte formën: Nuk keni nevojë të digjni librat për të zhdukur një kulturë mediokre, mjafton të promovoni ato që nuk vlejnë!
Ka tri dimensione që e përcaktojnë nivelin e një vepre letrare, të një elite kulturore e intelektuale dhe rrëfen pranimin ose mospranimin e saj: Entuziazmi intelektual, Solidariteti intelektual dhe Domensioni krahasimor mbi ligjësitë estetike të analizës së veprës krahasuar me veprat më të mira të letërsisë kombëtare dhe atë botërore. Preç Zogaj e ka kaluar me sukses testin. Është përshëndetur ngrohtësisht në çdo botim, janë botuar kritika e opinione, është komentuar gjerësisht në rrethet poetike, analizuar në dhjetëra shkrime, analiza, është sprovuar në raportet estetike me nivelet europiane e botërore.
Botimi i çdo vëllimi me poezi është pritur entuziazëm, kundërshtime të ashpra dhe keqkuptime të forta. Ky fakt rrëfen se çdo herë, ai ka thyer rregullin, ka braktisur normën, ka udhëhequr eksperimentin themelor, ka pastruar më tej qartësinë, pa bërë asnjë lëshim në kurriz të gjinisë fantastike, poezisë. Kjo, e bën të vetëmjaftueshme poezinë e tij, duke e vendosur në radhën e parë, të epërme të rendit. Poezia e tij e magjeps lexuesin, sikur bën magji. Dhe sekreti qëndron tek struktura. Që të bësh zbulim të tillë duhet të kesh zotësi, pasi aty fshihet kuptimi i gjithçkaje që shfaqet i qartë që prej fillimit.
Është e kuptueshme që struktura e poezive të tij paraqitet në një formë të veçantë që hyn menjëherë në marrëdhënie me lexuesin: metaforike, kthjelltësisht e pastër, pa asnjë të metë - shumë e brishtë, elegante, me gjuhë të fisme, por pa errësuar kuptimin që do të transmetojë - me të cilën mund të ndiqet, pa vështirësi, udhëtimi poetik. Megjithatë, në perceptimin e saj, si në një zbulim mahnitës të pa ndodhur me parë, duket se është fshehur e gjithë mrekullia; me fjalë të tjera, atmosfera, fryma, gëzimi që të imponon një gjendje meditative gati dehëse. Do të thosha madje: është fuqia demoniake e gjuhës në perceptimin e botës së rrëfyer, ajo që prodhon efektin e fantastikes. Ajo kryqëzon pa ndërprerje variante të ndryshme të fantastikes, duke na sjellë fiksione magjike të asaj që përftohet nga leximi i poezive në kohë, mjedise, situata e vende të ndryshme. Pas çdo poezie, lexuesit i ngjan se ka hapur një derë për të kaluar në një botë tjetër.
* Fjala e shkrimtarit Odise Kote në takimin promovues të përmbledhjes poetike të Preç Zogajt “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” në Universitetin “Eqerem Çabej”, Gjirokastër.