Letërsi

RECENCË për librin e Ilir Ikonomit - Nga Veri Talushllari: Tani e dua Nolin edhe më shumë…

Shkruar nga Liberale

RECENCË për librin e Ilir Ikonomit - Nga Veri Talushllari: Tani e dua

Veri Talushllari

Mbresa nga leximi i librit të Ilir Ikonomit “Fan Noli Apostulli”, Vëll. 1

Disa vite më parë, një armatë e tërë “kalorësish” të Skënderbeut e grinë dhe sa nuk e vranë në rrjetet sociale një historian austriak, Oliver Shmidt dhe studiuesin e shquar shqiptar, të ndjerin Ardian Klosi, pasi ata folën e shkruan për çmitizimin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Për të paditurit e Fejsbukut dhe Tuitërit çmitizimi tingëllonte si një mëkat, madje tradhëti, thikë pas shpine për Gjergjin tonë të Madh, që në përfytyrimin e tyre kish lindur mbi kalë dhe me shpatën e tij që nuk e ngrinin dot dy burra të fortë, por që ai e përdorte si plaka shtizat, pa u lodhur, duke prerë e grirë koka turqish, madje çante dhe shkëmbenj e male. E si mund të çmitizohej, si mund të përfytyrohej ai Burrë, psh., një ditë të bukur, duke folur me Gjeneralët e tij, papritur e ndërpret bisedën dhe u thotë: “Më falni o miq po më duhet të shkoj deri aty pak tej se kam pak dhimbje barku.” Mund të përfytyrohet i Madhi Skënderbej në një skenë të tillë?! Në asnjë mënyrë! Ai ishte…ai ishte… ai nuk ishte si të vdekshmit e tjerë!

Dhe ja ku vjen Ilir Ikonomi dhe bën të njëjtin “mëkat” ndaj një legjende tjetër: Theofan Stilian Nolit! Atë që bota shqiptare dhe më tej e njeh si Fan Noli. E e njeh si poet, si përkthyes, si politikan, si diplomat, si historian, si muzikant, si poliglot, și…thoni një fushë të dijes dhe aksionit njerëzor ku Noli nuk ka lënë gjurmë. Por me të drejtë e mbi të gjitha e njeh si Themeluesin e Kishës Orthodokse Shqipe. Edhe ai vetë këtë vlerë i jep vetes. Krijimi i Kishës Shqipe shpëtoi Jugun e Shqipërisë nga pushtimi, aneksimi dhe asimilimi grek. Noli rrëzoi mitin dhe pretendimin e Kishës Greke se çdo orthodoks është grek, dhe në këtë mënyrë u zhvillua dhe u forcua ndjenja dhe identiteti kombëtar shqiptar. Koha i ka dhënë të drejtë. E me gjithë këto vlera e këtë kryevlerë, është e natyrshme ta quash e s’ke si të mos e përfytyrosh Nolin veçse si Legjendë. Ta përfytyrosh një djalosh 24-25 vjeçar që pasi u nis nga Ibrik-Tepeja, (një ngulim luftëtarësh shqiptarë kolonjarë në shërbim të Sulltanit që sipas traditës mernin dhe familjet pas vetes), bëri ca shkolla e ca punë në Athinë, Stamboll a Egjipt, një ditë u gjet në Amerikë, fillimisht në Bafëllou (Bufallo, NY,) dhe pastaj në Boston, e duke parë gjendjen e mjeruar të shqiptarëve veshi rason e priftit dhe menjëherë shqiptarët e ndoqën si Mesian. Ai fliste, nga goja i dilnin vetëm fjalë të mënçura, turma e dëgjonte gojëhapur dhe… gjithçka shkonte si s’ka më mirë.

Ashtu?

Jo tamam! Se legjendat janë një gjë dhe jeta, realiteti, zhvillimi i ngjarjeve janë krejt tjetër gjë. Ja, pikërisht këtë na tregon Ilir ikonomi. Ky është “mëkati” i tij. Se na tregon me kulturë dhe me një shqipe të bukur, të rrjedhshme, por më e rëndësishmja me vërtetësi të mbështetur mbi dokumenta autentikë Nolin tonë,të diturin tonë,të mençurin tonë ashtu si ka qënë, ashtu si ka lindur dhe është rritur, ashtu si është shkolluar e dituruar, ashtu si ka punuar si prift, si krijues letrar, si politikan, si diplomat etj. Falë Ikonomit ne mund ta përfytyrojmë Nolin si djalosh dhe burrë të ri, (Vëllimi i parë flet për të deri në korrik 1920, kur ishte rreth 38 vjeçar), duke lëvizur rrugëve të Bostonit apo auditoreve të Harvardit, duke meshuar apo shkruar, por edhe duke debatuar e shpesh edhe duke u grindur, sharë e mallkuar kundërshtarët apo armiqtë. Në përfytyrimin tonë, por edhe siç e dokumenton bukur edhe ky libër, Noli është një atdhetar I madh, që ka bërë si rrallëkush për Shqipërinë. Por jo më pak atdhetar dhe që ka bëre aq shumë për Atdheun tonë është edhe Plaku i Pavarësisë, Ismail Qemal Vlora. Por e dini ju që endé nuk e keni lexuarar librin “Fan Noli Apostulli” të Ilir Ikonomit se kur u takuan në vitin 1913, Ismail Qemali nuk e pëlqeu aspak Fan Nolin dhe në 6 vitet që pasuan, deri në vdekjen e tij, Noli e luftoi me çdo mjet Plakun e Vlorës? Ja pra, ky është “mëkati”i këtij libri, i tregon ngjarjet siç kanë ndodhur, pa dorashka. Deri para se të lexoja këtë libër, kam pasur një mendim krejt tjetër për motrat Qirjazi, Sevastinë dhe Parashqevinë, gati gati më dukeshin si Roza Anagnosti tek ai filmi i famshëm “Mësonjtorja”. Por Ikonomi na tregon se pa vënë aspak në dyshim kontributin e tyre për kulturën, shkollën the alfabetin shqip, gjatë viteve kur edhën në ShBA ato dhe Kristo Dako ishin jo thjesht kundërshtare dhe penguese të punës së Nolit si prift dhe në Federatën ”Vatra” e gazetën “Dielli”, por ato edhe shpifën dhe e spiunuan te FBI, me akuza të paqëna si spiun i austriakëve etj. Këto janë të vërteta që dhembin, por janë të vërteta amá. Sepse autori çdo hap të Nolit dhe të bashkëpunëtorëve, bashkëluftëtarëve apo kundërshtarëve të tij e ka vërtetuar me dokumenta. Aty ku nuk është i sigurtë apo nuk ka arritur të gjejë dokumenta, Ikonomi nuk spekullon, nuk paragjykon, nuk hamendëson.

Faik Konica. Një tjetër shqiptar i madh, që për rreth 30 vjet në fushën e kulturës, gazetarisë, letrave dhe politikës e diplomacisë ka qënë bashkëudhëtar i Nolit. Kur u takuan dhe u njohën në vitin 1909 ata u bënë miq e shokë të mirë, por duke qënë dy karaktere të ndryshme, me formim e ambicje të ndryshme, shpejt filluan përplasjet. Frut i bashkëpunimit të tyre janë dy veprat madhështore që u mbijetuan kohrave dhe janë aktive edhe sot e kësaj dite, duke bërë aq shumë për çështjen shqiptare, “Vatra” dhe “Dielli”. Por këta dy gurë diamanti të trashëgimisë sonë atdhetare e kulturore, që në fillimet e tyre e kanë kryer misionin e tyre mes vështirësish e përpjekjesh heroike të këtyre dy burrave e krahas tyre edhe të Kristo Floqit, Sotir Pecit,Kostë Çekrezit, Kolë Tromarës, Qerim Panaritit e të të tjerëve, por edhe mesh debatesh, zënkash, sharjesh e mallkimesh të hatashme. E megjithatë vështrimi i tyre ka qënë dhe mbeti nga e mira e Shqipërisë. Dhe fakti që Shqipëria mbijetoi, fakti që edhe Kosova u shkëput nga kthetrat e Serbisë, fakti tjetër që- edhe pse me probleme- ato janë futur në rrjedhën e proceseve të integrimit europian, tregon se vizioni i atyre burrave ka qënë drejt zhvillimit e përparimit të trojeve shqiptare.

Por pikërisht se rrjedha e ngjarjeve e shenjoi fatin e Shqipërisë kah e mira, me gjithë ato ngjarje shpesh kulmore si Kongresi i Manastirit, botimi “Diellit” the krijimi i “Vatrës”, Shpallja e Pavarësisë e deri tek Kongresi i Lushnjës dhe Lufta e Vlorës, e midis tyre Konferenca e Ambasadorëve, lëvizja haxhiqamiliste, ardhja dhe ikja e Princ Vidit, kthimi i Shqipërisë në shesh lufte i ushtrive të shteteve fqinjë dhe fuqive të mëdha të kohës, Traktati i Fshehtë i Londrës, Konference e Paqes the roli shpëtimtar i Presidentit Uillson etj., për të gjitha këto libri i Ilir Ikonomit ”Fan Noli Apostulli” V1, është aq i vlefshëm the interesant. Lexuesi tashmë ka një pamje krejt afër të vërtetës se si është luajtur loja the si kanë luajtur lojtarët. Ku padyshim Noli ynë shkëlqen mbi të tjerët. Ikonomi na e ka bërë këtë të mirë: ta njohim e shohim Nolin ashtu siç ishte. Dhe edhe pse i zbulon pothuajse çdo cep të personalitetit, të hapave në jetë e krijimtari, autori na e bën më njerëzor, më të afërt, më të ngrohtë.
E pra prandaj dhe tani vërtet e admiroj, e nderoj, i përulem, madje e dua dhe më shumë Fan Nolin.

Marrë nga Gazeta Dielli

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH