Letërsi

RECENSË nga Laureta Konomi: Reflektimet poetike të Preç Zogajt: Një udhëtim nëpër vargje dhe kohë

Shkruar nga Liberale

RECENSË nga Laureta Konomi: Reflektimet poetike të Preç Zogajt:

Nga Laureta Konomi*

"Në çdo pasqyrë na sheh mëkati", i autorit Preç Zogaj, është një rrugëtim nëpër vargje dhe kohë, i cili shpalos reflektime të thella, mbi jetën, natyrën njerëzore, dashurinë, kujtesën, harrimin, dhimbjen dhe mëkatin njerëzor.

Në këtë përmbledhje poetike “mëkati” nuk trajtohet si një koncept religjioz, por si një pasqyrim i thellë i botës së brendshme, një shprehje e brishtësisë njerëzore dhe e forcës së dëshirave që na shtyjnë drejt veprimit dhe reflektimit.

Përmes një ndjeshmërie të veçantë, poeti prek realitetet shoqërore dhe sfidat e kohës, duke i veshur ato me një tis poetik që herë i zbut, e here i nxjerr në pah me forcë dhe qartësi. "Në çdo pasqyrë na sheh mëkati" bëhet kështu një udhëtim i cili nuk kufizohet vetëm në përjetimet individuale, por shndërrohet në një pasqyrë të shpirtit kolektiv.

***

Preç Zogaj si një ndër poetët më të spikatur të letërsisë bashkëkohore shqipe, i njohur për stilin e tij lirik dhe introspektiv, si dhe për përqafimin e një qasjeje moderne në poezi, vjen me përmbledhjen poetike më të re, "Në çdo pasqyrë na sheh mëkati", një udhëtim përmes vargjeve që përthithin frymën e katër dekadave krijimtarie.

Por që prej fillimeve të tij siç e thotë dhe vetë poeti, “kam shkruar edhe prozë, herë duke i alternuar e herë paralelisht”. Përmendim librin me novela: “Shëtitorja”, botuar në vitin (1990) , një roman të shkurtër italisht me titullin “Gruaja e të gjithëve”, botuar në vitin (1987) , disa romane, botuar pas vitit (1990) si: “Kufiri”, “Gjyshi i tmerrshëm”, “Anjeza nuk u zgjua”, “Bija e vjetër e nënës së re”, dhe romani “Nata”. Gjithashtu ka dhe një sërë shkrimesh publicistike me temë nga ngjarjet e tranzicionit, gjithsej nëntë tituj madje sic pohon edhe vetë autori dy prej tyre si: “Vera e përjetshme”,( 1996) dhe “Lufta jocivile”, (1997) i quan romane me personazhe realë, ndërsa “Në kërkim të zgjedhjeve të humbura”, (2012) ai i cilëson si një përmbledhje me novela.
“Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, vijnë të mbledhura bashkë poezitë e zgjedhura të poetit, të cilat janë botuar më herët në vëllime, si: “E pakryer”, (1986), ( “A thua do të vish duke qeshur), (1988), (“Qielli i gjithkujt”), (1990), (“Këmbësor në qiell”), (1994), “Kalimi”, (1999), “Pas erës së re”,( 2004), “Gjallë unë pashë”, (2008), “Nuk ndodh asgjë veç dashurisë”,( 2010), ”Fundi, një fëmijëri tjetër”, (2013), “Një e tretë dashuria”,( 2021) dhe “Ushtrimet e melankolisë”, (2016).

1. Konteksti historik, socio-kulturor dhe dëshira për letërsinë

Kontakti me letërsinë botërore, veçanërisht asaj të shekullit XX dhe klasikëve më të hershëm, ka luajtur një rol thelbësor në formësimin e tij krijues. Ky proces ka ndjekur një trajektore sfiduese dhe joformale, e karakterizuar nga qasja me tekstet e ndaluara dhe përkthimet jozyrtare,duke shënuar një udhëtim letrar të guximshëm. Ai e koncepton këtë përvojë si një model autentik formësimi, ku veprat e autorëve të mëdhenj, bëhen pjesë përbërëse e universit të tij shpirtëror dhe intelektual, duke ndikuar thellësisht në zhvillimin e identitetit të tij letrar, madje edhe vet autori pohon: “U bënë pjesë e vetëdijes sonë estetike më mirë sesa t’i kishim studiuar nëpër katedra”.

Që prej vitit 1984, Preç Zogaj ka rrëfyer pa droje këtë përvojë letrare, që nisi me etjen për fjalën, për të shijuar “letërsinë e mire” e cila më vonë do ta shndërronte vetë atë, në zërin poetik, një zë që do të gdhendte në rreshta ndjenjat, ëndrrat dhe peshën e kohës. Letërsia nuk ishte thjesht një zgjedhje për të, por një fat i pashmangshëm, një thirrje e brendshme që e lidhi përgjithmonë edhe me poezinë. Në vargjet e tij ndihet një përzierje e delikatesës shpirtërore dhe peshës së realitetit, një bashkëbisedim i vazhdueshëm mes ëndrrës dhe së vërtetës. Përmes poezisë, ai arriti të krijojë një univers të pasur ndjesish dhe reflektimesh, duke e shndërruar fjalën në një pasqyrë të shpirtit të tij dhe të kohës në të cilën jetoi.

Vitet 1980, përbëjnë një periudhë të veçantë në historinë e letërsisë shqipe. Kjo lidhet me faktin se letërsia shpallet ashtu sikur të gjitha llojet e veprimtarive materiale shpirtërore në shqipëri, pjesë e pandarë e zhvillimeve kulturore socialiste, e cila do të ishte në shërbim të ndërtimit të shoqërisë së re socialiste. “Në historiografinë e letërsisë shqipe të kësaj periudhe, por edhe në diskursin shkencor të kohës së sotme, kjo lloj letërsie, praktika dhe prodhimi i saj letrar përmenden apo emërtohen me termin: letërsia e realizmit socialist ose letërsia socrealiste”. (R.Zisi, “ Letërsi bashkëkohore shqipe”, Poezia, Tiranë, 2008, fq. 34)

Një pjesë e poezisë së tij, e ndërtuar mbi një gjuhë që ndjek dhe pasqyron ritmet e kohës, edhe pse e lindur në këtë realitet kompleks, arrin të ruajë freskinë, nervin poetik dhe dinamizmin modern. Përtej kufizimeve ideologjike të kohës, krijimtaria e tij shfaq një forcë të brendshme dhe një thellësi artistike që vazhdon të rezonojë me lexuesin bashkëkohor, duke dëshmuar kështu jo vetëm vlerën estetike të poezisë së tij, por edhe aftësinë për të tejkaluar kufijtë kohorë e ideologjikë.

Poezi të tilla si: “Të dielën herët”, “Mban mend”, “Ndalem diku”, “Vërej mëngjesin”, ”Akuarele”, etj, dëshmojnë freskinë, forcën artistike, aftësinë poetike por edhe vlerën e qëndrueshme estetike, duke i pozicionuar ato në një kontekst më të gjerë kulturor dhe letrar.

Të dielën herët

Të dielën herët ika në male
I paëndërrueshëm më prej teje
Papritur ksha ndryshuar pamje
Si lulëzojat poshtë një reje.
“Të thashë mirëshkofsh dhe arsye s’kërkova
E thjeshtë qe: një tjetër deshe.
Në pragun e ëndrës tënde ndalova
Unë dilja, ai ikte
Unë qaja, ai qeshte.
Të dielën herët ika në male”

2. Forca shprehëse dhe dinamizmi estetik

Poezia e Preç Zogajt karakterizohet nga shprehja e thellë dhe intensifikimi i ndjenjave të brendshme, falë mënyrës unike që ai përdor: fjalën, ritmin dhe strukturën, duke krijuar një rrjedhë të pandërprerë emocionale.
"Në çdo pasqyrë na sheh mëkati" paraqet një dëshmi të qëndrueshmërisë poetike, duke treguar aftësinë për të reflektuar dhe komunikuar përmes fjalës dhe estetizmit të saj, tipare thelbësore për natyrën e poetit. Vargjet e tij janë të mbushura me emocione të forta dhe pasion, ku çdo fjalë dhe figurë shprehëse ka një ngarkesë të thellë të brendshme. Poeti përdor një gjuhë të thjeshtë, por fuqiplotë, që i lejon atij të transmetojë ndjenjat dhe reflektimet me një intensitet që prek thellësisht lexuesin. Ritmi dhe struktura e poezisë, nuk mbeten statike, por lëvizin me një energji të vazhdueshme.

Përmes këtij ritmi të brendshëm, Zogaj arrin të krijojë një atmosferë ku emocionet e brendshme bëhen të prekshme, ndërsa tematika e thellë e jetës, dashurisë, mëkatit dhe vdekjes fiton një peshë dhe një kuptim të ri. Mes balances së kompleksitetit dhe thjeshtësisë por edhe delikatesës së jashtëzakonshme, ai arrin të krijojë një poezi që është sa e qartë në mesazhin e saj por edhe e mbushur me ndjenja të thella dhe pasazhe që ngjallin reflektime dhe hapin mundësi për interpretime të shumta.

Përmendim: “Në ëndër duke u lëkundur”, “Përpara se të ndodhë diçka e keqe”, “Malli shkruan historinë” etj.
Sipas këndvështrimit të Agim Isakut: “Preç Zogaj e shikon botën, jetën përreth tij, pra objektin estetik pa xham në mes (madje duke u përzierë shumë herë me të) dhe pikërisht kjo jetë, është për të burim motivesh, deduksionesh, dhe zgjidhjesh artistike. (A. Isaku, “Dy poetë”, Nëntori, 1998, nr 3, fq 17,Tiranë,1989)

3. Forca e artit poetik dhe subjekti lirik

Poezia e Zogajt e karakterizuar nga një qasje shumëdimensionale dhe që eksploron aspekte të ndryshme të ekzistencës njerëzore, shërben si një mjet analitik dhe reflektiv për të kuptuar dhe përballuar sfidat e jetës, përmes një qasje të thellë emocionale dhe intelektuale, përmes simbolikës dhe figurave që i japin mundësi lexuesit të shohë dhe kuptojë realitetin në një dritë të re.

Ajo luan rolin e një “arkivi” në ruajtjen dhe transmetimin e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të një kombi, duke reflektuar vlerat, identitetin dhe përvojën historike të tij. Për të, arti nuk është veç një reflektim i brendshëm, por një pasqyrë e botës që pulson përtej vetes, një urë që lidh ndjenjat dhe mendimet në një univers të përbashkët. Kjo qasje reflektohet në përshkrimet e peizazheve, në përjetimin e vetmisë dhe në ndjesinë e një mungese të vazhdueshme. Gjendja meditative e subjektit lirik është një moment i tërheqjes në vetvete, ku mendimet dhe emocionet shqyrtohen dhe analizohen në një hapësirë të brendshme.

Meditimi është një proces që lejon subjektin lirik të shikojë thellë në shpirtin e tij dhe të kuptojë përvojat dhe ndjenjat që ka kaluar, duke i dhënë mundësi të bëjë paqe me vetveten dhe botën. Në të njëjtën kohë, subjekti lirik është gjithashtu reflektues, duke vlerësuar dhe analizuar përvojat e jetës, ngjarjet e kaluara dhe ndikimin e tyre në aktualitetin e tij emocional. Reflektimi nxit një ndërgjegjësim të thellë dhe një përpjekje për të kuptuar botën dhe jetën në të gjitha aspektet e saj. Ai mund të reflektojë mbi tema universale, si dashuria, mëkati, jeta dhe vdekja, duke e bërë poezinë një proces kërkimi dhe të kuptuarit të thellë.

Në poezitë, ”Vetmia helmohet”, “Vetmia e saj”, ”Zgjimet Marsiane” etj., në vargjet e tij, poeti e shpall fuqinë e artit për të kapërcyer kohën dhe hapësirën, për të bashkuar shpirtra në një përjetësi të padukshme, ndërsa në sfond ndjehet herë herë një fije skepticizmi, një nuancë e heshtur mosbesimi që shoqëria shpesh ka ndaj artistëve.

Shokët e mi poetë

Një ditë u pamë. Si rrinim të heshtur!
Secili për heshtjen e tjetrit shkak.
Fjala e parë – shaka e dhembshur
Kur i thamë shoku shokut: të dija më plak!

4. Aspekti tematik dhe lirirzmi poetik

Fryma dhe ngrohtësia lirike përbën një vazdimësi të përhershme të poetikës së tij, e cila me kohën do të shfaqet më e pjekur dhe më e fuqishme, brenda rrethanave dhe konteksteve të reja poetike dhe jetësore.Ai poetizon të gjitha anët e jetës njerëzore: atdheun, vendlindjen, marrëdhëniet familjare, dashurinë dhe urrejtjen, lumturinë, dhimbjen dhe trishtimin, miqtë, shokët poetë, gruan, dhe shumë tematika të tjera.

Temat e pasigurisë dhe vuajtjes janë të pranishme si elemente të domosdoshme që përshkojnë jetën njerëzore. Poeti angazhohet në një proces filozofik ku ai përpiqet të kuptojë dhe të përballojë dhimbjen ekzistenciale. Poezia shndërrohet kështu në një mjet për eksplorimin dhe përshkrimin e përvojave të thella shpirtërore dhe mendore, ku çdo motiv i përdorur është një reflektim i pasqyrës së brendshme të individit.
Në këtë kuadër, dhimbja shndërrohet në një mundësi për shprehje të fuqishme artistike, e cila krijon një lloj lidhjeje mes poetit dhe lexuesit, duke e bërë atë një udhëtim të përjetshëm reflektues.

Poezia “I mjeri unë për ty, dhimbja ime”, është dëshmia ku autori njëkohësisht përjeton edhe një ndalim të thellë shpirtëror dhe krijues, zhgënjimin e tij ndaj botës dhe artit, duke pranuar se ka humbur dritën dhe mjeshtërinë e krijimit, që dikur ishin burim shpëtimi dhe kuptimi. Përmes këtyre reflektimeve, poezia e tij behet një kritikë e thellë e mundësive për te shprehur veten dhe për të kapërcyer kufizimiet e jetës dhe natyrës njerëzore.

I mjeri unë për ty, dhimbja ime

S’më keni dëgjuar!
S’erdhi njeri.
Dhimbja ime mbaroi pa dëshmitarë.
Tani ktheje kokën, mike moj!
S’kam shpirt për tu prekur,
S’kam zemër për tu vrarë.

Në poezinë e Preç Zogajt, dashuria paraqitet si një ndjenjë komplekse dhe shumëdimensionale, e cila tejkalon thjesht marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe shpërndahet në lidhjet e thella edhe me vendlindjen, origjinën dhe historinë personale, duke u bërë një element themelor në formësimin e identitetit dhe përvojës shpirtërore të individit.
“Pashkë në Lezhë” është simboli i rrënjëve, identitetit dhe vazhdimësisë së jetës, ku natyra, historia dhe kujtimet ndërthuren për të krijuar një dimension universal.

Pashkë në Lezhë

Bie një shi që nuk zbret në tokë.
Kajsia e vjetër cel lule të reja lart, lart në kaltërsi!
Lulëzojnë muret e kësaj shtëpie,
Lulëzojnë shikimet e këtyre fëmijëve,
Lulëzoj dhe unë tek mbushem me frymë.

Nëna, si figurë qëndrore, shfaqet si një arketip i sakrificës dhe dashurisë së pakushtëzuar. Poeti e paraqet nënën si heroinën e çdo dite, duke e shfaqur si një përzierje të dritës dhe hijes, duke i atribuar asaj një kompleksitet emërtimesh që është në të njëjtën kohë e ëmbël, kryelartë por edhe e mbështjellë me melankoli. Transformimi i kujtimit për të në një realitet të përjetshëm, merr edhe një dimension tjetër: shpresën për një ekzistencë pas vdekjes, duke theksuar se humbja nuk përfaqëson një fund absolut, por një formë të re të ekzistencës.


Nëna
Nuk ndodh asgjë, veç rron nëna ime,
në viset e erës dhe diellit në Lezhë.
Shoqe e saj të vjetra po vdesin.
S’po mbetet kush për të treguar:
Na ishte njëherë Gjela…
Një grua së cilës I shndriste floku
Në mendimin e mirë
Për gjithë të gjallët.

Poezitë e dashurisë, janë janë një manifest i pasionit, dhe thellësisë emocionale. Vetë poeti shprehet: “Poezitë e dashurisë janë në vetvete letra dashurie që mund të kenë ose jo një adresim konkret, por u drejtohen të gjitha grave që mishërojnë të bukurën si kategori estetike”. Ato shprehin jo vetëm dashurinë si një ndjenjë të pastër dhe të sinqertë, por edhe aspektet më të hidhura të saj, si mungesën, zhgënjimin dhe humbjen. “Ne na njohu një e tretë dashuria”, “Nuk ndodh asgjë veç dashurisë, “Kufizimet e dashurisë” dhe shumë poezi të tjera.
Dashuria në poezinë e Zogajt është një dashuri e vërtetë, që nuk kërkon fjalë të thëna, sepse përvoja dhe ndjenja që ajo mbart flasin vetë përmes gjesteve, shikimeve dhe prezencës. Besimi i tij në sakrificën dhe përjetësinë e saj është po aq i patundur sa besimi në Zot, një ndjenjë që nuk venitet me kalimin e kohës, por gjen mënyra të reja për të jetuar brenda njeriut, për tu ringjallur sërish. “Kur kujtoj sa të kam dashur ty”, “Moj bashkëshortja ime besnike” dhe shumë poezi të tjera.

5. Çështje të stilistikës poetike

Poezia e Zogajt është një simfoni e rafinuar, ku eleganca dhe thjeshtësia bashkëjetojnë në harmoni të përsosur. Me një gjuhë të pasur dhe të larmishme, ai arrin të ruajë një qartësi që e afron ngushtë me lexuesin, duke e ftuar atë të ndjejë dhe të kuptojë çdo varg me një ndjeshmëri të natyrshme. Ai është poeti i njohur për stilin unik, i cili reflekton origjinalitetin dhe thellësinë e ndjenjave, ndërsa përdorimi i imazheve të pasura dhe të zgjedhura me kujdes e bën poezinë e tij një mjet të fuqishëm për të shprehur emocionet dhe mendimet në mënyrë të veçantë dhe tërheqëse. Figurat stilistike më të pëlqyera dhe më të përdorura si: metaforat, simbolet, personifikimet, janë një aspekt i rëndësishëm i poetikës së tij që kontribuon në pasurimin e thellësisë poetike dhe simbolikës së vargjeve të tij.
Ato luajnë një rol të rëndësishëm në thellimin e kuptimit dhe pasurimin e përvojës estetike të lexuesit dhe mjete të fuqishme për të shprehur ndjenja, ide dhe realitete që ndonjëherë janë të pamundura të përshkruhen me fjalë të thjeshta.

Ato nuk janë thjesht shtesa stilistike, por janë mënyra për të pasuruar dimensionet e poezisë së tij, duke e bërë më të ndjeshëm mesazhin që kërkon të transmetojë por edhe duke e ftuar lexuesin të shikojë botën përmes syve të tij, të përjetojë dhe të kuptojë më thellë sfidat dhe bukuritë e jetës. Përgjithësisht, Zogaj punon me lloje të ndryshme vargjesh dhe strofash, duke dëshmuar se është një njohës shumë i mirë i rregullave të vjershërimit.

6. Rëndësia dhe vendi që zë në në letërsinë bashkëkohore shqipe

Poezia e Zogajt, nuk është thjesht një “mjet për ndijim emocional”, por një mundësi, për lexuesin, një ” instrument” për të reflektuar, shqyrtuar natyrën e ekzistencës njerëzore duke kaluar përtej estetikes, duke i ofruar atij një përvojë të paharrueshme. Përmes vargjeve të tij,ai na fton të shohim përtej pasqyrës dhe imazhit të jashtëm, për të zbuluar thelbin e asaj që jemi, duke na sfiduar të përballimi por edhe të pajtohemi jo vetëm me emocionet e bukura, por edhe me plagët, dhimbjen dhe gabimet që na përcjell. “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, ofron fleksibilitet, novatorizëm, përsosje krijuese, modernitet, ndërgjegjësim të vazhdueshëm qytetar dhe letrar, mohim dhe afirmin vlerash.

Gjithashtu, ajo ka potencialin për të zënë një vend të rëndësishëm në pasurimin e traditës letrare shqiptare por edhe do të shërbejë si një referencë për studiuesit, pedagogët dhe studentët, për të kuptuar më thellë rrjedhën e zhvillimit të letërsisë bashkëkohore shqipe.

Referenca:

- Roland Zisi, “Letërsi bashkëkohore shqipe”, Tiranë 2008.

- Preç Zogaj, “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, Tiranë, 2024.

- Agim Isaku: Dy poetë-Shënime për vëllimet poetike, “ E pakryer”, të P. Zogajt dhe “Fytyrë burri” të B. Mustafajt. Nëntori, 1998, nr, 3, Tiranë,1989.

* Fjala e pedagoges së Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Universitetin “Eqrem Çabej”, Laureta Konomi, gjatë promovimit të përmbledhjes poetike të Preç Zogajt “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”.

 

 

 

 

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH