Letërsi

Promovimi i librit të UET Press/ Nevila Nika: Kujtesa është një armë që duhet përdorur, ndryshe kthehemi në barbarë

Shkruar nga Liberale

Promovimi i librit të UET Press/ Nevila Nika: Kujtesa është

Me fjalë të ndjera, mes kujtimesh të largëta që shpërfaqnin një realitet gati të panjohur për brezat e rinj, por të paharrueshëm për ata që jetuan, profesore Nevila Nila, ish- drejtuese e Arkivit Qendror të Shtetit kishte shumë për të thënë për mënyrën se si njohu shumë familje të internuara gjatë periudhës së komunizmit.

Disa pasazhe të tilla i risolli gjatë promovimit në UET të librit të fundit të publicistit e intelektualit Eugjen Merlika, “Shqipëria në botën e mijëvjeçarit të tretë”, pasi ai dhe familja e tij përjetuan 45 vjet burgje e internime, punë të rënda fizike, duke pasur fajin pa faj të mbajtjes së një mbiemri dhe një trashëgimie të vyer familjare.

Nika rrëfu se u njoh nëpërmjet shkresurinave, dokumenteve, bisedave, me fatin e shumë familjeve: Merlika, Toçi, Nosi, Frashëri, duke u bërë ngadalë pjesë e tyre e duke ndjerë çdo vuajtje që ato kaluan.

Ajo përgëzoi autorin që risjell në shkrimet e tij çështje që po lihen, qëllimisht ose jo, në harresë duke thënë se kujtesa është një armë që duhet përdorur jo për t’u hakmarrë, por për të ndaluar përsëritjen e të njëjtit fat.

Fjala e plotë në promovim

Kur mbaja funksionin e drejtores së Arkivit Qendror, një insitucion brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, më thonë se kanë kanë ardhur dy gra të të takojnë. Shikoj nga larg dy zonja të veshura jo mirë. Të dyja kishin ndonjë varëse kryq, ishte koha që të gjithë po mbanin shenjat e besimit të tyre fetar. Nëna jua, me sy të çelët bojëqielli, ishte më e hqur e më e heshtur. Tjetra, Klara, ishte me energjike. U prezantuan si nuset e djemve të familjes Merlika. Natyrisht, befasia ishte shumë e madhe. Më vonë do t’ju njihja juve. Po aq e madhe ishte edhe kënaqësia që t’iu shërbeja, sa mund t’ua lehtësoja një vuajtje 45-vjeçare ishte asgjë përpara buzëqeshjes, shtëngimit të dorës, apo përuljes, për moshën që kishin dhe sidomos për vuajtjen e tyre, të cilën unë e dija nga familja.

Nënën tuaj nuk e takova më, por kam kuptuar nga shkrimet dhe bisedat që kemi bërë, lidhjen tuaj të fortë me zonjën Elena Gjika, e cila mbante peshë edhe një emër të madh, e bija e Sotir Gjikës, përsëri një emër i madh i gazetërisë shqiptare, i elitës intelektuale të Shqipërisë, të cilën ne për fat të keq e humbëm, jo për shkak të moshës, apo sëmundjeve, por për shkak të një pushteti gjakatar. Elita, ajka e kombit, u asgjësua fizikisht dhe kjo ka qenë një dhimbje që ne e ndjenim në heshtje duke lexuar çfarë ata kanë lënë.

Lidhja nënë-bir është shumë e fortë, por në rastin e vuajtjes suaj, ka qenë edhe më e fortë, për shkak të rrethanave të jetës. Mbyllja hermetike krijoi një zbrazëtirë, jo vetëm në shpirt por edhe në mendje.

Unë jam lindur dhe rritur në Tiranë, nuk kam asnjë në qytete të tjera të Shqipërisë. Udhëtimi i parë jashtë Tiranës ishte kur na çoi shkolla dhe në kthim pas dy javësh, gjëja e parë që bëra iu drejtova nënës sime: përse ata njerëz jetojnë ashtu, si unë i pashë? Shkuam në veri të Shqipërisë dhe nuk arrinim t’iu besonim syve që kishte një mjedis të tillë, në Shqipërinë që ne na thuhej se ishte një mrekulli gjithandej. Të shkoje në Lurë, në Valbonë, një vend i mrekullueshëm, por njerëzit hanin bukë misri të shypur në havan.

Kur u bë ai promovimi i famshëm i kampit të Tepelenës, të gjithë të internuarit kanë dalë të buzëqeshur dhe kam përshtypjen se të gjithë fëmijët e gratë ishin me të njëjtën triko. Kritika imë si historiane ishte: “Keni bërë gabim, duam diçiturë poshtë fotos”.

Dëshmia vjen vetëm nga goja dhe nga dora. Prandaj të jemi mirënjohës Eugjen për ato që ke shkruar, edhe për gjyshin tënd, të cilin gjatë periudhës 45-vjeçare vetëm e kanë anetemuar. Askush nuk kishte marrë në analizë përse një firmëtar i aktit të pavarësisë, në një moment të tillë bën një akt të tillë, sepse veprimi i një politikani duhet analizuar për kushtet që kishte vendi në atë kohë. Përse ai sakrifikoi veten, dhe nuk ishte i vetmi? Nuk duhet të mburremi e të themi që nuk duhet ta kishte bërë. Ne nuk futemi dot në lëkurën e tyre të viteve ’40, sepse ishin realisht vite të vështira, vite që urojmë që Europa të mos i shikojë më, por e kemi shumë afër.

Prandaj mësohet e kaluara, për të mos e përsëritur. Kanë aktualitet artikujt tuaj të botuar në 2015. Por unë po ju them se edhe një artikull i shkruar në 1925 është ende aktual. Jemi në vend- numëro. Natyrisht kemi ndërruar modelin e flokëve, vishemi më mirë, hamë më mirë, kemi disa benefite që na i sjell përparimi, shkenca, të gjithë kemi telefonë në dorë. Tirana e viteve ’60 kishte vetëm 200 telefonë, sot nuk numërohen dot.

Falënderimi është një fjalë shumë e vogël për atë që ne duhet të themi, sepse kur merr në analizë fenomene, ngjarje të politikës botërore dhe ato të mjedisit tonë, ke një gjykim të ftohtë. Në perceptimin e dikujt që ka jetuar në një liri të kushtëzuar, por gjithsesi nuk ishim në kapanone, apo shtëpi të thurura me baltë e kashtë, ti je jo vetëm gjakftohtë, por qytetar nga gërma e parë e madhe deri në fund, zotni nga e para në fund, që është një gjë e rrallë në ditët e sotme.

Dikush tha se kujtesa është një armë. Po kujtesa është një armë shumë e fortë, por nuk duhet përdorur për t’u hakmarrë. Ju e keni dëshmuar këtë nga fillimi deri në fund të këtyre viteve. Ama është një armë që duhet përdorur, sepse ndryshe kthehemi në barbarë. Nëse harrojmë gjithçka, i vëmë një kufi dhe nuk e kujtojmë atë të kaluar.

Kujtesa familjare ka qenë vyer për mua. Kisha bërë një shkollë ku nuk kisha mësuar asgjë dhe vajta në një institucion ku mësoje gjithçka, por nuk mund të flisje për gjithçka. Në momentin që kam takuar ato zonja të paharruara, bashkë me to ishte edhe një djalë që kishte lindur në internim. Ishte i rritur tashmë, nipi i gjeneral Prenk Pervizit. Nuk hynte në oborrin e institucionit. Kishte frikë, kishte turp. E fuste një këmbë dhe dilte prapë nga dera. Të vinte edhe për të qarë, nuk dije çfarë fjale t’i thoje, si ta zbusje atë djalë të mrekullueshëm.

Natyrisht kushtet nuk i gjetën ato që mund të kishin menduar. Ne që kishim qenë në atë lirinë tonë të kushtëzuar, jo të gjithë iu shtrimë dorën. Shumë u larguan dhe unë e kam kutuar pse. Edhe pse u larguan, përsëri kokën e kanë mbrapa. Shembull u kemi juve, sepse atdheu nuk harrohet. Por pati nga ata që nuk kishin pasur asnjë të keqe në regjim dhe duke u larguar në Rinas thanë: “Mos ia pafshim më fytyrën këtij vendi”.

Njerëzit në 45 vjet pandemi shpirtërore, mendore, materiale, morale, në gjithçka ishte pandemi, natyrisht edhe u shpërfytyruan. Prandaj kemi nevojë për njerëz që të na japin në dorë një libër, edhe pse sot është bërë diçka paksa si luks. Kemi më shumë dëshirë të kemi në telefon, të shohim një portal apo televizor. Asokohe nuk i kishim këto. Të gjitha kanë vendin e vet, por një libër mbetet një libër. Libri është një pasuri. Leximi i një libri, i fjalës së një burri të mençur, i rritur nga një nënë e jashtëzakonshme, nga një prejardhje e jashtëzakonshme, janë të rrallë.

Menduam se nuk do të kishte më familje të mëdha. Këtu duhet të jemi të gjithë të një mendje: familjet e mëdha, për mirë apo për keq (pasi ka pasur pinjollë që nuk bënë ndonjë gjë për vendin tonë), nuk arritën t’i zhduknin të gjitha. Për dëshirë do ta kishin bërë, t’i kishin shkatërruar, siç bënë me kishë e xhami, teqe e tyrbe. Je apo nuk je besimtar është një zgjedhje personale, por atëherë çdokush duhet t’i kishte sytë te partia.

Eugjenit i urojmë përveç jetë të gjatë, shëndet, që të ketë mundësi të shkruajë prapë. UET është shtëpia jote e dytë. Është kënaqësi sepse në një mjedis universitar, ku ka rini, fjala e një personazhi si ju, është mëse e kërkuar dhe jashtëzakonisht e vyer.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH