Viti 1968 nuk ishte vetëm viti i ndryshimeve të mëdha, i “kryengritjes rinore”, por edhe i anekdotave të guximshme e të çuditshme në Shqipëri. Gjatë promovimit të librit “Antikultura e 68-s në Shqipëri” me autor studiuesin Albert Nikolla, kryetarja e Akademisë së Studimeve Shqiptare, historiania Nevila Nika, tregoi disa prej atyre anekdotave që qarkullonin mes të rinjve dhe që ishin vërtet domethënëse për kohën.
“Nga ’68 në ’75 Tirana ishte nja kazan që vlonte, herë në heshtje e herë me pak zhurmë. Bulevardi aso kohe ishte prona jonë, i vajzave dhe djemve që shëtisnim në një varg të shëmtuar. Rrëfenim të gjithë me zë të ulët anekdota, ndodhi për të qeshur dhe për të qarë. Një periudhë e nxehtë e një humori krejt të çuditshëm, kur e gjykon më vonë, pas Pleniumeve të famshme që ndodhën”, u shpreh Nika.
Ajo do të kujtonte disa prej tyre, siç ishte ajo me britanikët për Shqipërinë: “Lëreni një muze në qiell të hapur që t’i tregojmë popullit tonë se çfarë është komunizmi”. Një tjetër anekdotë ishte ajo e një djali të ri nga Shkodra që i thoshin të bëhej anëtar partie dhe i vendosnin ndalimet, mes të cilave: të mos luante kumar, të mos ishte tifoz, të mos pinte raki, mos ngacmonte vajzat. Dhe kur i thanë “a je i gatshëm të japësh jetën”, ai u përgjigj: “Ta mbajnë edhe atë ça po më vyen jeta".
Historiania solli për të pranishmit në promovimin e librit një ngjarje prekëse nga ajo kohë, kur Tisha Daija dorëzoi në Arkivë të Shtetit disa partitura të Festivalit XI.
“E organizuar Arkiva, në sallë ishin të pranishëm të gjithë pjesëmarrësit e këtij festivali, përjashtuar këngëtarët. Ishte edhe bashkëshortja e Enver Hoxhës. Ajo që më ka bërë përshtypje është se përveç Sadik Bejkos askush nuk e mori fjalën për të folur, për t’i drejtuar qoftë një pyetje znj. Hoxha për atë se çfarë ndodhi pas atij festivali normal.”
Periudhën e komunizmit Nika e quajti një pandemi: pandemi në veshje, në dije, në ushqim, duke theskuar se puna në Arkivë e bëri që të kuptojë shumë nga zhvillimet e asaj kohe. Ajo falenderoi autorin Nikolla që sjell në kujtesë ato ditë.
“Disa mund të thonë se ishin ditë të bukur se ishim të rinj, por jo: ishin të bukura se ishte një gjë e ndaluar që provonim ta bënim. Pas Pleniumeve mbrëmjet i kemi bërë fshehurazi. Mblidheshim fshehurazi në shtëpinë e profesorit Kristo Frashërit dhe kërcenim. Të gjitha këto, urinë tonë e pamundësinë tonë, i kemi reflektuar pas ’91-it”, u shpreh Nika.
Drejtuesja e ASSH-së e quajti botimin më të ri të UET Press një ndihmesë për të parë se në çfarë rruge u kalua, për të gëzuar dhe për të pasur një lloj mirënjohjeje.