Të rinj, studentë, lëvrues të hershëm të poezisë, njohës të këtij zhanri dhe krijimtarisë së Preç Zogajt do të bëhen pjesë e bashkëbisedimit me poetin për rrugëtimin e tij me këtë shoqëruese të pandarë të jetës, krahas angazhimeve të tjera publike e krijuese.
Poezitë nuk janë fjalë por zjarre për të ftohtin, litarë të lëshuar për të humburit, diçka aq e nevojshme sa buka në xhepat e të uriturve. Forca që ushqen jetën e cilësonte më tej poetja amerikane Mary Oliver, fituese e Pulitzzer dhe Çmimit Kombëtar të Librit në SHBA. Poezia nuk është luks, është oksigjen për shpirtin, shërim i plagëve të shkaktuara nga arsyeja.
Pavarësisht përkufizimeve të pafundme për poezinë, në thelb të gjitha evokojnë rëndësinë dhe domosdoshmërinë e saj për individin dhe shoqëritë e çdo kohe dhe epoke. Bota nuk është më e njëjë pasi i shtohet një poezi e mirë deklaronte poeti uellsian Dylan Thomas. Por, për të realizuar misionin e plotë, sipas Borges, kjo poezi e mirë duhet të shqiptohet, të lexohet me zë dhe jo në heshtje.
Jo pa qëllim poeti Preç Zogaj ka ndërmarrë një tur promovimesh të përmbledhjes së tij poetike “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, duke shkuar pikërisht në ambientet, në rrethet, te njerëzit ku qëndron poezia, libri dhe krijimtaria.
Pas promovimit të parë në Universitetin Europian të Tiranës, më shtator të 2024, fill pasi ky libër pa dritën e botimit, Zogaj, në bashkëpunim me shtëpinë botuese UET Press dhe Institutin Liberal Pashko, do të rrugëtojë bashkë me poezinë e tij në këtë fillim viti në disa qytete, universitete e biblioteka.
Ndalesa e parë do të jetë në Gjirokastër më 9 janar në Universitetin “Eqrem Çabej”. Më 10 janar do të ketë dy promovime: i pari në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë dhe i dyti në bibliotekën publike “Dritëro Agolli” në Fier.
Vendlindja e fton sërish poetin e saj më 13 janar, ku me mbështetjen e bashkisë, klubit letrar “Ndoc Gjetja” dhe gjimnazit “Hydajet Lezha” libri do të promovohet në Pallatin e Kulturës së qytetit të Lezhës.
Përmes këtij turi, të rinjtë, studentët, lëvruesit e hershëm të poezisë, njohësit e këtij zhanri dhe krijimtarisë së Preç Zogajt do të bëhen pjesë e bashkëbisedimit me poetin për rrugëtimin e tij me këtë shoqëruese të pandarë të jetës, krahas angazhimeve të tjera publike e krijuese.
I njohur si publicist, si politikan, mbajtës i detyrave dhe posteve publike, Zogaj, siç edhe ai shprehet vetë, ka pasur fatin të shoqërohet gjithmonë nga poezia, duke nisur me të që fazat e para të adoleshencës e për të vijuar me vite e dekada.
Pikërisht kjo krijimtari 40-vjeçare, e startuar në 1984 dhe e hedhur në 12 botime ndër vite, erdhi e përmbledhur në një vëllim të vetëm voluminoz, nën përzgjedhjen skrupuloze të studiuesit dhe pedagogut Gëzim Basha.
“Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” ishte vëllimi i parë që nisi kolanën e botimeve poetike “Plejad” të iniciuar nga shtëpia botuese UET Press, duke sjellë në realitetin tonë një zakon të botuesve në mbarë botën, si një mënyrë për të mbartur në një vëllim të vetëm poezitë më të mira të viteve e dekadave të poetëve të njohur shqiptar.
Tashmë këto poezi të përzgjedhura të Zogajt do të vijnë përmes këtij turi më pranë dhe më afër lexuesit dhe publikut.
Kalendari i promovimeve
- E enjte, 9 janar, ora 11:00 në sallën Mediateka- Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër
- E premte, 10 janar, ora 13:00, në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë
- E premte, 10 janar, ora 17:00 në bibliotekën publike “Dritëro Agolli”, Fier
- E hënë, 13 janar, ora 13:00 në Pallatin e Kulturës, salla e katit III, Lezhë