Turin e promovimit të krijimtarisë poetike të jetës së tij poeti Preç Zogaj e ka vijuar në dy qytete të tjera.
Poeti është kthyer në vendlindje, në një takim në ambientet e bibliotekës “Gjergj Fishta” në Lezhë, që mblodhi figura të njohura të politikës, krijimtarisë, letërsisë, studiues por edhe miq, lexues e nxënës të qytetit të Lezhës. Ata folën për njohjen me poetin dhe poezinë e tij, analizuan dhe identifikuan elementë që e bëjnë Zogajn një autoritet të letërsisë shqipe.
Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, vlerësoi poetin Zogaj për vlerat letrare që i ka dhënë vendlinjes dhe Shqipërisë.
"Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të jemi të vëmendshlm, të jemi krenarë, të jemi mbështetës dhe ta shijojmë poezinë tuaj, letërsinë tuaj, prezencën tuaj, me krijime të reja", theksoi Ndreu.
Studiuesi Gëzim Basha, njohës i thellë i krijimtarisë së Zogajt, i cili ka përzgjedhur poezitë e shkruara gjatë 40 viteve për t’i përfshirë në “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, e cilësoi një nga poetët më finë të gjuhës shqipe.
“E përdor gjuhën për të krijuar sublimitet poetik, me një sponatanitet fluidë. Ka krijuar një idiomë të re në gjuhën shqipe, për të treguar së gjuha shqipe ka kapacitete të brendshme për të qenë një gjuhë e madhe e letërsisë”, u shpreh Basha.
Shkrimtari Ndue Dedaj tha se Zogaj është një nga poetët më të mirë që ka gjuha shqipe. “Edhe ne që jemi rritur me poezinë e Preç Zogajt, që e kemi shijuar atë që në hershmërinë, që në fillesat e veta, na ka befasuar gjithmonë. Dhe ja ku jemi sot: po flasim për një nga poetët më të mirë që ka Shqipëria dhe bota shqiptare.”
Vetë Zogaj theksoi se në këtë libër janë përmbledhur poezitë më të mira të të gjitha botimeve të tij ndër vite.
“Nga koha në kohë libri zbehet, humbet. Në kurorëzimin e karrierës botohet një libër i tillë dhe lexuesit që nuk e kanë njohur poezinë time njihen përmes këtij vëllimi.”
Poezia e poetit Zogaj erdhi edhe më e bukur nga interpretimi i nxënësve të gjimnazit “Hydajet Lezha”.
Promovimi i radhës ishte në qytetin e Kavajës, në hollin e kinemasë "Aleksandër Moisiu", ku nuk mungoi leximi i poezive dhe diskutimet mbi karakteristikat që identifikojnë poetin.
Pas promovimit në Universitetin Europian të Tiranës, në shtator të 2024-ës, si i pari libër që hapi kolanën “Plejadë” të shtëpisë botuese UET Press, poeti Preç Zogaj nisi një tur promovimi të krijimtarisë së një jete. "Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” ëka rrugëtuar tashmë në disa qytete: Shkodër, Gjirokastër, Vlorë, Fier, e së fundi në Lezhë dhe Kavajë.