Letërsi

Preç Zogaj, autor i UET Press, shpallet fitues i Çmimit “At Zef Pllumi” në prozë

Shkruar nga Liberale

 

Preç Zogaj, autor i UET Press, shpallet fitues i Çmimit “At

Shkrimtari dhe publicisti Preç Zogaj është shpallur fitues i Çmimit mbarëkombëtar “At Zef Pllumi” në prozë për vitin 2024. Romani “Nata”, botuar nga UET Press në muajin nëntor të vitit të kaluar, spikati në krijimtarinë e autorit dhe u vlerësua nga kritika letrare, si një roman tragjik që ndërgjegjëson shoqërinë për fatin e gruas në Shqipëri.

E ngecur mes rregullave të vjetëra patriarkale, e vendosura në një realitet të ri gjeografik e politik, përballë pamundësive ekonomike, familja Malaj është pasqyra e familjes së tranzicionit shqiptar, e cila kalon përmes procesve të dhimbshme dhe në fund nuk i shpëton dot fatit tragjik të vrasjes. Vetë autori është shprehur se e godasin fatet e vajzave dhe grave në vendin tonë, por kjo goditje bëhet edhe më e madhe kur këto gra e vajza privohen nga lira e në fund nga jeta, ndërsa fenomeni mbetet një plagë e hapur e shoqërisë dhe një turp për meshkujt shqiptarë.

Zogaj ka një kontribut të gjatë në letrat shqipe dhe njihet si shkrimtar lirik, poet, eseist, romancier, por edhe tregimtar. Në disa dekada krijimtari, ai ka pasur plot botime të suksesshme në poezi si “Ngjarje në Tokë” (2011), “Fundi, një fëmijëri tjetër” (2013), “Ushtrimet e melankolisë” (2016), “In Love” (2017), apo “Një e tretë, dashuria” (2021). Paralelisht suksesi e ka ndjekur edhe në zhanrin e novelave dhe romaneve duke spikatur me botime si “Anjeza nuk u zgjua” (2019), “Bija e vjetër e nënës së re” (2022) dhe së fundi “Nata” (2023), të gjitha nën logon e UET Press.

Përveç Zogajt, juria e përbërë nga studiuesi Behar Gjoka (kryetar jurie), gazetari Agim Xhafka dhe poeti Marash Mirashi, shpallën fitues në prozë edhe autorin e përkthyesin Bashkim Shehu me romanin “Kryevepra të pakryera”. Studiuesi Shaban Murati u shpall fitues në publicistikë, i njërit prej çmimeve më domethënëse që rizgjon vlerën dhe kontributin e paçmuar të martirit dhe mendimtarit At Zef Pllumbi.

Në këtë edicion të tetë të çmimit, që zhvillohet nën kujdesin e bashkisë së Lezhës, morën pjesë pjesë 28 shkrimtarë nga e gjithë Shqipëria. Mes tyre, juria dha tri çmime karriere për Frano Kullin, Thanas Medin dhe Pashk Përvathin, si dhe dy çmime nderi për shkrimtarët Namik Dokle dhe Ahmet Premçi.

Kryetari i jurisë Behar Gjoka tha se kjo traditë ka ngjallur jetën kulturore dhe mban gjallë emrin e At Zef Pllumit. “Përgëzoj bashkinë që e mban gjallë këtë emër të madh të mendimit, të përvuajtjes, të besimit, të filozofisë, të mbijetesës së qenies shqiptare”, u shpreh Gjoka.

Autorë të tjerë të UET Press kanë qenë ndër vite fitues të çmimit “At Zef Pllumi”, të tillë si: Blendi Fevziu, Eugjen Merlika, Rudolf Marku, Belina Budini etj.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH