Poezia nuk ka orar, nuk është punë, nuk ka kohë. Siç shprehej poeti i madh argjentinas, Jorge Luis Borges, “askush nuk është poet nga tetë në dymbëdhjetë dhe nga dy në gjashtë. Kushdo që është poet, ai është gjithmonë i sulmuar nga poezia”.
Poeti Preç Zogaj e provoi shumë herët shijen e poezisë, por vetëm në moshën 19-vjeçare guxoi për ta ndarë me lexuesin. I pari vëllim poetik që pa dritën e botimit në 1985 ishte “Emrat tuaj”, nga shtëpia botuese Naim Frashëri. Nuk ka qenë poezia anagzhimi kryesor, por figura e Zogajt nuk mund të ishte e plotë pa të. Mosangazhimi me letërsinë do ta bëntë të paplotë, të papërmbushur, të palumtur dhe të pamjaftueshëm. Me vitet ka shkruar shumë poezi, prozë, romane, publicistikë, duke siguruar një fond të gjerë krijimtarie.
Në muajin shtator 2024 botoi përmbledhjen poetike “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” (poezi të zgjedhura, 1984-2024). Një libër voluminoz, përmbledhja më e gjerë me poezi të autorit, të shkruara gjatë një periudhe 40-vjeçare, që më shumë se pesha e bën të rëndë fjala, gjuha, kuptimi, nënteksti, fantazia, përfytyrimet dhe emocionet intensive që mbeten nga leximi qoftë edhe i një vargu të vetëm.
“Libri i librave të mi poetikë”, do ta cilësonte poeti këtë vëllim të ri, që i shtohet trashëgimisë së letërsisë e gjuhës shqipe, gjatë marrjes së Çmimit Special Kadare në 10 vjetorin e Çmimit Kadare.
“Nuk mund të kishte një nderim më të madh, pas parathënies shteruese të studiuesit Gëzim Bashës, pedagog në Universitetin e Wiskonsin në SHBA, të cilit i shpreh admirimin dhe mirënjohjen time të thellë”, do të shtonte më tej Zogaj në ngjarjen speciale që mblodhi lexuesit më të afërt të krijimtarisë së tij.
Iu desh një periudhë e gjatë kohore për të rishikuar, evidentuar e përzgjedhur mes 11 vëllimeve të mëhershme poetike të botuara nga viti 1985 e deri në vitin 2021. E mes këtij zhbirilimi e kësaj retrospektive emocionale e nostalgjike, autori përzgjodhi një varg nga poezia “Ajri mblidhet lëmsh në zemrën time” të shkruar në 1996, për të “pagëzuar” këtë vëllim prej 550 faqesh.
“Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” rikthen poezitë më domethënëse për gruan, miqtë, për poetët e preferuar, për Lezhën, për vdekjen, për nënën e tematika të tjera të pakohë, duke provokuar përmes fjalës një kolorit emocionesh, përfytyrimesh e mendimesh.
Një ndër lexesit e hershëm dhe më vonë miku më i mirë i poetit, Rudolf Marku, njohës i vëmendshëm i të gjithë opusit letrar, zhvillimit, pjekurisë, e cilëson këtë përmbledhje poetike si njëri ndër librat më të mirë të poezisë shqipe.
Në përkufizmim të një tipari më dallues të poezisë së Zogajt, Marku shprehet se “e gjithë struktura e poezisë së tij përkufizohet nga intensiteti emocional, sinqeriteti dhe natyrshmëria e admirueshme, kërkimi i vazhdueshëm i shprehjeve dhe intonacioneve të reja poetike, eleganca e verbit poetik, që vjen drejpërdrejt nga sensibiliteti i ndjenjës”.
Në këtë udhëtim ndër vite me poezinë Preç Zogaj ka deklaruar se akoma nuk e ka shkruar atë më të bukurën. “Dhe ndoshta nuk do të arrij ta shkruaj. Por ngushëllohem tek e ndjej të flatrojë nga një ditë në tjetrën në përfytyrimet e mia”, shprehej poeti në një intervistë të para disa viteve.
“Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” ishte libri i ri që Zogaj i erdhi Panairit të Librit 2024. Lexuesit e tij ndër vite nuk mund të mungonin për autorin në stendën e UET Press gjatë pesë ditëve në Pallatin e Kongreseve. Ithtarë të krijimtarisë së shumtë të Zogajt, por edhe dashamirës e ndjekës të rrugëtimit profesional e angazhimit politik, u ndalën për autorin dhe librat e tij.
Poezia nuk është një ushqim që përtypet lehtë, që lexohet mes zhurmës, që lexohet me vete. Poezia e vërtetë, siç thoshte Borghes, duhet të lexohet me zë.
“Një poezi e mirë nuk e lejon veten të lexohet me zë të ulët apo në heshtje. Nëse mund ta lexojmë në heshtje, nuk është një poezi e vlefshme: një poezi kërkon shqiptim. Poezia kujton gjithmonë se ishte një art gojor përpara se të ishte një art i shkruar.”
TË IKËSH E TË VISH
Të ikësh e të vish – kjo është çështja.
Të mungosh dhe askush të mos vuajë për ty,
të prekësh botën tjetër dhe të kthehesh.
Këtu ti ke harruar të luash,
Të vjen keq të hash,
të dhëmb të flasësh.
Ti ke qenë atje dhe je kthyer
para pak çastesh.
Shpejt, shpejt se drita e mbrëmjes
po shuhet në muzgun banal!
Mendimet hyjnore të botës
vriten në tokën e sotme.
Tani jemi prapë të barabartë!