Letërsi

“Muri i Heshtjes”, UET Press/ Studiuesi Ermir Nika: Gani Mehmetaj po shkruan një sagë të madhe që ndërton të ardhmen

Shkruar nga Liberale

“Muri i Heshtjes”, UET Press/ Studiuesi Ermir Nika: Gani Mehmetaj po

Nga Ermir Nika

Duhet të jemi krenarë dhe këtë duhet ta themi pa pikë modestie, që botës shqiptare letrare, sidomos prozës, i kemi zbuluar dhe i kemi paraqitur një autor dinjitoz.

Jemi në fazën kur eksperimentohet, kur autorët marrin modele të ezauruara në letërsinë europiane e botërore dhe i sjellin si risi në letërsinë shqipe, ndërkohë që letërsia shqipe i ka kaluar ato etapa bashkë me të njëjtat stade që i ka kaluar edhe letërsia europiane. Sot letërsia shqipe ka nevojë për një frymë origjinale, për një këndvështrim autentik, dhe për një stil që në njëfarë mënyre të ketë identitetin e autorit.

Është një autor që për fat të mirë zbulohet nga Universiteti Europian i Tiranës, përurohet prej tij, që do të thotë se edhe mendimi kritik, edhe katedra këtu brenda universitetit e kanë luajtur rolin e tyre për të nxjerrë dhe për të bërë njëfarë analize mbi prurjet më identifikuese dhe më përfaqësuese të letërsisë bashkëkohore shqipe. Është autori i parë sipas meje, që mendoj se e njoh letërsinë shqipe për shkak edhe të pozicioneve që kam pasur, që nuk vjen dhe nuk promovohet si drejtues institucionesh.

Zakonisht autorët që na vijnë nga Kosova apo Maqedonia e Veriut, por sidomos nga Kosova, vijnë o nga parlamenti, o nga lidhjet, o nga akademia, janë të gjithë drejtorë. Ky është një autor krejtësisht i lirë, një artist i lirë, një kineast, një shkrimtar dhe një intelektual që i afrohet botës letrare me fuqinë e tij, me hapin e tij. Realisht, unë jam ndjerë keq kur kam lexuar “Zogjtë e qyqes” për faktin që këtë autor nuk e kisha dëgjuar më parë si emër. Gjeta një autor shumë të konsoliduar në stil, në pikëpamje dhe që ishte i bindur që e kishte vendin e tij në letërsinë shqipe.

Atëherë juria, ku bëja pjesë edhe unë, i kemi dhënë Çmimin Kadare me një unanimitet sepse ishte vepra më e mirë e atij edicioni. Kam lexuar edhe një libër tjetër, kam lexuar disa vepra që i përkasin filmit dhe dua të them një gjë: Në qoftë se flasim sot për kinematografinë në Kosovë e cila ka prurje, ka një zhvillim të mirë, aty ka një problem jo pak serioz.
Një kinematografi ecën në momentin që njeh letërsinë, që e ngre skenarin mbi subjektet. Pikërisht atë gjë nuk po bën. Në kinematografinë shqiptare mungon sot le të themi gjurmimi i subjekteve dhe veprave të njohura, ndërkohë që në Amerikë ndodh e kundërta. Agjenturat artistike gjejnë veprën dhe atë e propozojnë për të ndërtuar filmin.

Po të shikoni vepra e Gani Mehmetaj, në to të konfigurohet një film, e ka intiutive, e ka të brendshme. Sigurisht që nuk ka gjuhë filmike, është një gjuhë letrare e kualifikuar, e stilizuar, e përpunuar mjaft mirë. Është një autor që nuk ka ndikime nga sllavishtja, sepse duhet të kemi parasysh edhe kushtet kur janë formuar autorët, brezat, që sllavishtja ka qenë një gjuhë e detyruar. Kjo ndihet edhe në shkrim edhe në përkthim. Sidomos në përkthim. Shkollë përkthimi Kosova nuk ka, sepse pikërisht ka ndikuar injektimi i gjuhës sllave në të gjithë strukturën e veprës.

Ky autor e ka shpëtuar veprën e tij nga ky ndikim. E ka shpëtuar Ali Podrimja, e ka shpëtuar Din Mehmeti, e ka shpëtuar Azem Shkreli, e shumë autorë të tjerë që kanë dhënë një letërsi të pastër. Ajo trashëgimi kulturore që ne pretendojmë, sigurisht ngrihet mbi kufijtë gjuhësorë. Aty janë pretendimet, ajo sulmohet më shumë. Letërsia është ajo që e zhvillon gjuhën, nuk e lë të vdesë. Aty është vëmendja më e madhe për të promovuar atë letërsi që nuk është dhe s’do të na përfaqësojë kurrë. Prandaj unë i jap shumë rëndësi dhe më vjen mirë që sot është plot kjo sallë, pasi ne sot kemi një ngjarje, letërsisë shqipe i paraqesim një vepër dinjitoze.

Po të marrim Petro Markon apo Kin Dushin, që është një autor i harruar por shumë i mirë për kohën, që kanë atë letërsinë e kohës së luftës, veprat e Gani Mehmetaj janë drama, drama, drama, që pastaj të konfigurohet një tragjedi e madhe. Pas asaj tragjedie ne kemi njëlloj si me arkën e Noes, një fillim të jetës.

Është shumë e rëndësishme reflektimi, mënyra se çfarë krijoi ajo tragjedi e madhe, ai nënshtrim shekullor. Sot është koha që arti të japë reflektimin e tij. Petor Marko këtë bëri pas Luftës së Dytë Botërore, nxori një seri romanësh: “Hasta la vista”, “Nata e Ustikës”, “Një emër në katër rrugë”, “Qyteti i fundit”, ku ai konfiguroi tërësisht tragjedinë e madhe të popujve, ku Shqipërinë nuk e veçonte kurrsesi nga zhvillimet europiane dhe botërore. Trajektorja e jetës së tij ishte Spanjë- Itali- Greqi dhe në të gjitha këto vendet ku kishte një trajektore të zhvillimeve sociale, politike dhe artistike.

Unë mendoj se ai është një proces që ndërpritet te Petro Marko dhe Kin Dushi dhe rivjen me Gani Mehmetaj sepse populli shqiptar vijoi përsëri të futej në një proces asimilimi, mbijetese dhe daljeje, ku arti pastaj flet, sidomos letërsia, me gjuhën e lindjes. Aty mendojmë se e ka fituar atë betejë. Se mund të fitojë me anë të një traktati, por ku ne nuk prodhojmë as një vepër, ne jemi të humbur. Kur shumë nga rilindësit tanë e Abdyl Frashëri shkuan te Bismarku, ai ju tha: “Dakord ju kërkoni pavarësi, por ju s’keni gjuhë”. “Kemi gjuhë sepse ne flasim”, iu përgjigjën ata. “Por nuk është gjuhë kulture”, ishte përgjigja e tij.

Prandaj të gjithë rilindësit filluan të botonin poezi, libra. E bënë për t’i treguar botës se ne jemi popull i kulturuar dhe ne kemi gjuhë kulture ku mund të ndërtojmë vepra. Vepra e Ganiut është një dëshmi shumë e qartë dhe ka një peshë shumë të madhe për këtë proces që duket se e kemi fituar tashmë sepse kemi dalë mbi tragjedinë dhe po reflektojmë, po lëmë dëshmi për gjenerata. Primo Levi ka shprehjen e mrekullueshme: “Shkruaj për Auschwitz, tashmë pas 42 vitesh, sepse ata që nuk e njohën, ta rindërtojnë.” Pikërisht këtë paralele heq unë më veprën e këtij autori shumë, shumë të dashur.

Kur ta lexoni do të bindeni që kemi të bëjmë më një autor të vërtetë. Të mbushur nga mediat si autor i mirë dhe kur e lexoni të thoni: “Po ça ishte kjo, nuk kemi letërsi shqipe.” Jo pra, kemi letërsi shqipe.
Letërsia shqipe është ajo që nuk promovohet sa duhet. Kemi autorë vërtet të rëndësishëm që po bëjnë një epokë, që nuk po e ndjeni, por ajo është: Është ë përditshmërinë tonë, shënjon epokën tonë dhe në një farë mënyre na identifikon dhe në të ardhmen do të rezonojë shumë në psikologjinë dhe ecurinë tonë si komb.

Me këtë vepër dhe me vepra të tjera, autori ka krijuar dhe po vijon të shkruajë një sagë të madhe, e cila nuk është vetëm dëshmi e kohës, por ndërton edhe një të ardhme. Ndërton një të ardhme ku njerëzit do të jenë të vetëdijshëm dhe do të mbartin në subkoshiencën e tyre tërësisht ato fjalë, ato personazhe, atë psikologji, ku do të pajtohen me disa personazhe dhe do të ndahen me disa të tjerë. Ndoshta do të ndahen përjetësisht dhe kështu ne do të vazhdojmë kohë pas kohe që të krijojmë atë zinxhirin tonë, traditën tonë dhe ato risitë që ne do t’i shprehim absolutisht të ardhmes sonë vijimësinë.

Një vepër do të thotë vijimësi dhe ne sot jemi për të shprehur vijimësinë e traditës e traditës letrare shqiptare, ajo e cila nuk do të reshtë së prodhuari emra dhe vepra që do t’i bashkëngjiten kulturës europiane.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH