Letërsi

“Love as a Glass of Water”, UET mbështet artisten Iva Lulashi në Bienalen e Venecias

Shkruar nga Liberale

“Love as a Glass of Water”, UET mbështet artisten Iva Lulashi

Artistja shkodrane Iva Lulashi po përfaqëson Shqipërinë në edicionin e 60-të të Bienales së Venecias, ngjarja më e madhe artistike në arenën ndërkombëtare, e cila startoi më datë 20 prill dhe do të qëndrojë e hapur deri më 24 nëntor.

Pjesëmarrja e saj është mundësuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në bashkëpunim me partnerë të tjerë, një prej të cilëve dhe Universiteti Europian i Tiranës.

Projekti i Lulashit titullohet “Love as a Glass of Water”, frymëzuar nga teoria e gotës së ujit që lidhet me mendimtaren e feministen radikale Alexandra Kollontai (1872- 1952), emri i së cilës i pranëvihet idesë së revolucionit seksual, ku impulset shihen si një nevojë e thjeshtë njerëzore që duhet përmbushur me lehtësinë e pirjes së një gote uji.

Dashuria, dëshira - veçanërisht e natyrës femërore - impulsi dhe seksualiteti janë në thelb të punës së Iva Lulashit; subjekte universale të afta të kapërcejnë dallimet dhe kufijtë. Imazhet në pikturat e saj janë marrë kryesisht nga filma dhe video erotike zakonisht pak të njohura.

Veprat janë të populluara nga trupa femrash dhe sugjerojnë skenarë ku akti erotik është i përfshirë potencialisht. Iva i fton njerëzit në lirinë e trupit, të lidhjeve, për t'iu qasur njerëzve në një mënyrë shumë të natyrshme dhe për të jetuar dashurinë lirisht.  

“Love as a Glass of Water”, UET mbështet artisten Iva Lulashi

Stili i artistes së lindur në Shkodër dhe më pas zhvendosur në Milano në moshën 10-vjeçare, së bashku me familjen e saj, ndërthur traditën piktoreske shqiptare me atë italiane dhe veneciane. Pikërisht në Venecia ndoqi Akademinë e Arteve të Bukura, e cila në njëzet vitet e fundit është kthyer në një vendtakim të të rinjve nga e gjithë bota dhe një nga laboratorët më interesantë për pikturën e re në Itali.

Pjesëmarrja e Ivës në këtë ekspozitë duket se përshtatet me makrotemën “Të huaj kudo” (Foreigners Everywhere) që zhvillohet nën drejtimin artistik të kuratorit brazilian Adriano Pedrosa, ndërsa kuratori i ekspozitës së shqiptares është Antonio Grulli.

Në një intervistë të fundit, Iva ka treguar se ka shkuar në Itali në vitin 1997 dhe për shumë kohë është ndjerë e huaj, pasi sipas saj vendi fqinj nuk ishte akoma gati për të pranuar gjithë atë fluks shqiptarësh”. “Ndihem akoma e huaj, jo se më mungon ndonjë gjë”, ka rrëfyer ajo më tej.

Lidhur me pasionin e saj për pikturën, vizatonte me bojëra si të gjithë fëmijët. Nuk ka marrë mësime për pikturë, madje edhe shkollën e mesme e ka bërë për ekonomi. “U bëja portrete profesorëve, teksa bëja sikur mbaja shënime. Një nga këta profesorë e vuri re dhe ai ishte i pasionuar ndaj artit dhe filloi të më sillte disa libra arti. Ai më këshilloi të ndiqja Akademinë në Venecia. Mendova se ishte një ide shumë e mirë dhe aty fillova të pikturoja”, ka treguar artistja, e cila sot përfaqësohet denjësisht në ngjarjet më të rëndësishme të artit.

Ekspozita "Dashuria si një gotë uji" do të shoqërohet me një katalog të botuar nga Bruno, një shtëpi botuese me qendër në Venecia. Brenda katalogut, përveç imazheve të veprave të ekspozuara, do të ketë tekste kritike nga Antonio Grulli, Edi Muka, Tea Paci, Jennifer Higgie, një poezi nga Luna Miguel dhe një bisedë me artistin kurator nga Carlo Sala.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH