Letërsi

LIBRI I DITËS: Romani “Dashuria, fantasia”, një paradë historike dhe 'zhytje' mbin natyrën e identitetit algjerian

Shkruar nga Liberale

LIBRI I DITËS: Romani “Dashuria, fantasia”, një

Romani “Dashuria, fantasia” e autores Assia Djebar(lojëra të ndryshme tradicionale luftarake, kalërimi algjerian) është një paradë historike, një dialektikë midis të shkruarit (në frëngjisht) dhe të folurit (në arabisht), një hetim mbi natyrën e identitetit algjerian, por edhe një “arkeologji e brendshme”. Kjo paradë historike fillon me pushtimin e Algjerit më 1830, deri në Luftën e Pavarësisë (1954-1962).

Djebar-i bazohet në arkivat dhe rrëfimet e dëshmitarëve okularë, shkruar në atë kohë nga artistë, oficerë, publicistë dhe ushtarë të ndryshëm të panjohur. Këto episode përshkruajnë akte barbarie të kryera nga francezët, të cilët shfarosën fise të tëra, si dhe përvoja individuale, që nënvizojnë krenarinë dhe guximin e pashoq të algjerianëve përballë pushtuesit. Ky roman sjell me imtësi atmosferën, ngjyrat, zhurmat e këtyre ngjarjeve historike, por edhe praninë dhe psikologjinë e personazheve historike.

Rrëfimet e grave janë pasqyruar imtësisht në roman. Fjalët, modestia, shprehjet lakonike dhe mënyra e tyre popullore e të shprehurit: dialogu mes të kaluarës së afërt dhe asaj më të largët; mes përvojës personale dhe asaj kombëtare; mes shkrimit dhe të folurit; mes gjuhës së babait dhe të nënës.

Shkrimtarja, e dashuruar me muzikalitetin e frëngjishtes, përdor një fjalor mahnitës e të larmishëm. Stili i saj mund të pengojë lexuesin e pa mësuar me një ekstravagancë të tillë verbale. Por rezultati është një vëmendje e jashtëzakonshme te detajet, thirrje e të gjitha shqisave. Në këtë kërkim autobiografik, gjithçka bashkohet më në fund në një lëvizje të dyfishtë: në rizbulimin e kulturës dhe natyrës së saj, dhe zbulimin e anës femërore dhe përkatësisë me gratë arabe dhe nënën e saj. Romani fillon me figurën babait – një përkatësi me frëngjishten; fundi i romanit është një përkatësi femërore me kulturën algjeriane, e bazuar tek emocionet.

Pak nga jeta e autorit:

Assia Djebar ishte një romanciere, përkthyese dhe regjisore algjeriane. Shumica e veprave të saj trajtojnë pengesat me të cilat përballen gratë, dhe ajo shquhet për qëndrimin e saj feminist . Ajo ishte "shpesh e lidhur me lëvizjet e shkrimit të grave, romanet e saj fokusohen qartë në krijimin e një gjenealogjie të grave algjeriane dhe qëndrimi i saj politik është jashtëzakonisht anti-patriarkal aq sa është antikolonial".

Djebar konsiderohet të jetë një nga shkrimtarët më të shquar dhe më me ndikim të Afrikës së Veriut. Ajo u zgjodh në Académie française më 16 qershor 2005, shkrimtarja e parë nga Magrebi që arriti një njohje të tillë. Për të gjithë veprën e saj ajo u nderua me Çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë Neustadt në vitin 1996.

Titulli: "Dashuria, fantasia” 

Autor: Assia Djebar

Shtëpia Botuese: Albas

Përktheu: Amantia Kapo

Zhanri: Roman

Faqe: 274

Çmimi: 900 Lekë

Përgatiti: A.Mënalla, Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH