Letërsi

KATALOGU I UET PRESS/ Një biografi që tejkalon historinë, refleksionet plot erudicion të Spartak Ngjelës

Shkruar nga Liberale

KATALOGU I UET PRESS/ Një biografi që tejkalon historinë,

“Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010” është libri i parë i triologjisë me kujtime të avokatit Spartak Ngjela, botuar nga shtëpia botuese UET Press në vitin 2011. Më i shituri i kohës, ky libër sjell ngjarjet e një epoke bashkë me përjetimet e autorit, i cili do ta provojë komunizmin në disa dimensione. Ngjarjet e kohës përtej sjelljes me fakte, vijnë nën analizën e Ngjelës me qasjen e tij si shkrimtar dhe filozof.

Recensë nga Gilman Bakalli: Rrëfenja si ato të Ngjelës

Po të kesh lexuar kujtimet e “botës së djeshme” të Stefan Zëeig, e ndien menjëherë se refleksionet “për një kohë” të Spartak Ngjelës shënojnë më në fund daljen e një autori shqiptar në viset e rrëfenjës historike moderne si zhanër dhe si metodë komunikimi. “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010” është një nga librat e shumtë me kujtime që botohen në Shqipëri, por ndoshta i pari që pas kujtimeve të Eqrem Bej Vlorës, që arrin të sjellë një epokë të tërë historike si refleksion bashkë me përjetimet personale të vetë autorit, pa bërë as thjesht dhe vetëm histori, as thjesht dhe vetëm autobiografi. Spartak Ngjela ia ka dalë mbanë t’i shkëmbejë nën frymëzimin fenomenologjik si të ishin e njëjta gjë.

Historia dhe metoda e autorit bazohet vetëm te përvoja dhe interpretimi vetjak. Asgjë jashtë subjektit. Analiza historike e Ngjelës nuk kërkon një objekt studimi te regjimi diktatorial ose tiranik, siç e quan ai, por buron nga vetja-subjekt, sipas pohimit se historia është e bazuar tek “arketipi i përgjithshëm biografik” me fjalët e tij tek introdukta e librit. Mirëpo, edhe pse nga një shfletim i librit kupton se struktura e historisë së rrëfyer nga Ngjela është vetëm përvoja e tij, interpretimi i tij, subjektiviteti koshient dhe jo objektiviteti i aspiruar, duke e lexuar atë fletë pas flete bindesh se kjo metodë nuk e ka reduktuar por e ka pasuruar librin.

Qasja e tij prej shkrimtari dhe filozofi e kompenson për bukuri mungesën e distancës prej historiani dhe shkencëtari. E bën edhe më të këndshëm e të çlirët rrëfimin e tij. Dhe nuk di pse dikush në media e quan leximin e këtij libri “impenjues”, pasi, megjithëse shkon mbi 600 faqe, vëllimi i këtij libri nuk ka lidhje me të lexuarin e rrjedhshëm, pa pengesa, që mundëson gjuha mjaft e qartë dhe e kultivuar e autorit, pa pretenduar përpikërinë shkencore dhe historike.

Mirëpo, lirshmëria me të cilën është shkruar ky libër në stil dhe në metodë, nuk ia heq atij fuqinë historike dhe analizuese që e përshkon nga fillimi deri në fund. Edhe pse në formë episodesh, faktet dhe dëshmitë historike në libër janë të panumërta. Pokështu edhe tezat që hedh, të argumentuara dhe të informuara me erudicion. Në të vërtetë, po të lexosh librin e kupton se një rrëfimi si atij të Ngjelës nuk i duhen citimet dhe referencat e hollësishme apo një bibliografi shkencore, për të dëshmuar se është një rrëfim erudit. Madje, përbërësi kryesor i librit “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare” është erudicioni.

Interpretim psikanalitik, filozofik, kritikë arti dhe letërsi, janë vetëm disa nga hapësirat e erudicionit që plazmon rrëfenjën e Ngjelës që shijohet si përrallë gjithë duke qenë histori. Nëse do ta referojnë ose jo historianët shqiptarë tekstin e Ngjelës, kësaj nuk i dihet. Mirëpo historia është aty me gjithë fuqinë e vet, pikërisht te personalja dhe subjektivja e autorit. Nuk ka nevojë të quhet historik, që të jetë i tillë, ashtu siç nuk është nevoja, për shembull, të quhet histori letërsia e Kadaresë, e mbushur plot e përplot me histori. Le ta quajmë letërsi po të duam!

Të lexosh historinë e Ngjelës është si të lexosh Ngjelën. Njëlloj si me shkrimtarët. Nuk është aspak si të lexosh një historian. Të lexosh “refleksionet për një kohë” të Ngjelës është si të lexosh “botën e djeshme” të Zweig. Me librin “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare” lind kështu një rrëfimtar i shkëlqyer bashkëkohor shqiptar. Jo një historian, por një rrëfimtar modern i historisë. “Përkulja…” nuk tingëllon as si libër politikani. Fatmirësisht! Të paktën jo si libri i ndonjë politikani aktiv… 638 faqet e shkruara të volumit të parë me refleksione historike dhe autobiografike të Spartak Ngjelës tingëllojnë më tepër si ngritja dhe lartësimi i një komunikuesi të sprovuar të politikës shqiptare në sferën e mendimit politik bashkëkohor.

Fragmente nga libri

"...koshienca njerëzore kishte krijuar qytete të lira, tregtinë e lirë, shtetin institucionale me anë të parlamentit. Ky proces kishte nisur dhe në dy shekuj e kishte përfunduar Revolucionin Industrial, në një kohë kur arti dhe letërsia kishin krijuar një moment të ri shpirtëror në jetën njerëzore.

Përfundimisht, ishte krijuar njeriu i lirë, personaliteti i tij, njeriu autonom në një kohë postindustriale e postmoderne; kishte shpërthyer pluralizmi dhe dija ishte organizuar qartësisht me anën e sistemeve logjike. Intelekti po bënte jetën e vet postrelativiste.

Kurse ne kishim mbetur të izoluar në një jetë të errët që mendonte për bukën e përditshme e aspak për dije dhe që bëntë jetën nën hijen e një perandorie, e cila nuk i kishte sjellë njerëzimit asgjë veç shkatërrimit të vlerave."

"Modernizmi dihet se ka këto pika kardinale në natyrën e tij: zhvillimin ekonomik industrial, ndryshim kulturor dhe ndryshim politik. Të tre këta ingredientë janë të lidhur me njëri - tjetrin, sepse nëpërmjet këtij raporti të brendshëm krijohet ndryshimi permanent i ndërgjegjies njerëzore.

Zhvillimi ekonomik në Perëndim kishte qenë industrial, ndryshimi kulturor kishte qenë urban dhe ndryshimi politik thellësisht demokratik. Një treg i lirë dhe një demokraci liberale e kishin ndryshuar Europën në 20 vjet dhe, ndërkohë, po ndodhte ndryshimi i koshiencës së individualizmit drejt njeriut autonom, i cili i ka të garantuara të gjitha mundësitë që të triumfojë me idetë e krijuara prej tij në një shoqëri liberale.

Kjo në fakt ishte tronditje që ndihej kudo. Kjo kishte sjellë tronditje në Pragë, në Budapest, në Varshavë, por kishte sjellë tronditje edhe në Pekin dhe në Tiranë. Ky ishte fakt tashmë, por ndryshe nga kryeqytetet e tjera, në Pekin e në Tiranë, vullnetet e sëmura kishin armiqësi patologjike me modernitetin, në një kohë kur zhvillimi i brendshëm modernitetin e kishte domosdoshmëri.

Shqiptarët koha i ndëshkoi sepse, në fakt, dominoi vullneti hoxhian i izolimit." "Jo çdo ngjarje është fakt historik, kurse vetë fakti historik ka nevojë për interpretim. Duhet ta kuptojmë botën - ka thënë Albert Anjshtajni - jo mbi bazën e gjërave që ndodhin, por mbi bazën e marrëdhënieve.

Ky është relativizmi dhe sigurisht që ne jemi postrelativistë e prandaj na shqetësojnë marrëdhëniet. Por, duke u qëndruar këtyre marrëdhënieve, "A ka një logjikë të historisë?" pyet Osvald Shpengleri, e mandej shton: "Përtej gjihtë elementeve shkakësore dhe të pakalkulueshme, a ka diçka të cilën ne mund ta quajmë strukturë metafizike të humantitetit historik?...shkurt, e gjithë historia, ka një metafizikë të humantitetit historik dhe, po ashtu, e gjithë historia është e bazuar mbi arketipat e përgjithshëm biografikë."

"Kultura, nëse nuk e çliron njeriun nga skllavëria, nuk ka asnjë lloj funksioni qytetërues. Kultura perëndimore europiane e individualitetit dhe e personalitetit e mundi kulturën europiane lindore të kolektivitetit."

DETAJET E LIBRIT

Titulli: Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare 1957-2010

Gjinia: Publicistikë, kujtime

Autori: Spartak Ngjela

Shtëpia botuese: UET Press

Viti: 2011

Fq. 640

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH