Letërsi

KATALOGU I UET PRESS/  Globalizmi... intra portas, sa real është sot rreziku i analizuar nga Adrian Civici 15 vite më parë

Shkruar nga Liberale

KATALOGU I UET PRESS/  Globalizmi... intra portas, sa real është

Ish-presidenti i UET, eksonomisti dhe eksperti i politikave të zhvillimit, Adrian Civici botoi në vitin 2009 në shtëpinë botuese UET Press librin “Globalizmi... ante portas”, duke synuar t’u përgjigjet mjaft pyetjeve që lidhen me fenomenin e globalizimit, si dhe të shpjegojë efektin dhe pasojat e tij në ekonomitë kombëtare dhe në nivelin e jetesës së popullsisë së çdo vendi.

Edhe pse termi globalizëm ka lindur në vitet ‘60 dhe është përdorur gjerësisht në vitet ‘90, për Shqipërinë mbeti për shumë kohë një ngjarje e re që duhej zbërthyer, kuptuar dhe më tej përthithur në mënyrë sa më adekuate, për t’iu përgjigjur njëlloj edhe sfidave të sjella nga ky realitet i ri.

I pari që ka folur për globalizmin ka qenë sociologu kanadez M.Mc. Luhan, i cili në 1962 përdori togfjalëshin mjaft të goditur “fshat global” në veprën e tij “La Galaxie Gutenberg”, për të treguar se tashmë bota nuk ishte aspak e izoluar, e panjohur. Ishin pikërisht mjetet e masmedias që e kthyen botën në një fshat, ku ajo që ndodhte në një skaj impaktonte në skajin tjetër, duke lëshuar efektet pozitive, por edhe duke krijuar sfida të reja, që dikur vetëm mund të imagjinoheshin, por tashmë më shumë se kurrë po ndeshemi me efektet e këtij globalizmi.

Siç shkruan edhe Mimoza Ahmeti në recencën e saj, libri i Civicit është një trajtim shumëplanësh, por më tepër pikëpamjesh kontroverse të fenomenit në fjalë, i cili është i vështirë jo vetëm për t´u kuptuar, por edhe për t´u rrokur nga shkenca sociale, pasi është në lëvizje dhe në ndryshim, përvçse mjaft kompleks, me variabla që konvertojnë pozicione apo kuptime në varësi të determinimeve që marrin.

Këto ndryshime ndihen edhe pse ka kaluar një dekadë e gjysmë nga botimi i librit, ndërsa po jetojmë në atë që cilësohet si revolucioni digjital, e ku tashmë rreziku te dera nuk është më nga globalizmi por nga inteligjenca artificiale. Por sigurisht që ky globalizëm ka bërë që ne të jemi të gjithë në të njëjtën varkë, të ekspozuar në të njëjtën masë dhe të bashkuar përballë “përbindëshit” të ri, të krijuar nga njeriu.

Shqetësimi që ngrinte në 2009 Civici në librin e tij kishte të bënte kryesisht me lindjen e konflikteve nga përplasja e kulturave dhe identiteteve të ndryshme, por edhe krijimin e një lloj frike se do të shkohej drejt uniformizmit në botë. “Sa më shumë që avancon globalizimi si dukuri, aq më tepër po shtohen krijuesit dhe grupet e ndryshme sociale si dhe popujt që kanë frikë nga humbja e diversitetit dhe nga triumfi i uniformitetit kulturor botëror. Frika më e madhe në këtë aspekt fokusohet te potencialet e pafundme të revolucionit digjital si dhe te procesi i industrializimit dhe komercializimit të kulturës”, shkruante Civici.

RECENCA e Mimoza Ahmetit: Globalizimi dhe diversiteti kulturor

Ideja e globalizmit është diçka për të cilën pothuajse gjithkush mendon si për një mjedis rrethues, pra që nuk mendon gjë fare, por e përdor atë mjedis dhe përdoret prej tij. Dhe ndoshta vetëm kur e gjen veten të përdorur prej të tjerësh subjektit i bie ndërmend se jeton në një botë të përbashkët, ku secili vrapon në drejtimin e vet deri sa të përplaset! Kaq e vërtetë është kjo, saqë në librin e tij me titullin “Globalizimi”, autori i mirënjohur prof. Ardian Civici, shtron pyetjen: Globalizimi: Mit apo realitet? Dhe aty për aty i përgjigjet lexuesit nëpërmjet arsyetimesh shumëplanëshe:

“Që nga shfaqja e parë e tij, në vitin 1962, termi “globalizim” ose “mondializim” po t’i referohemi shprehjes analoge në frëngjisht, ka kaluar nga statusi i përdorimit të përditshëm si zhargon në statusin e një klisheje. Revista e njohur The Economist e ka quajtur “… si fjalën më të konsumuar dhe të shpërdoruar të shekullit XX dhe XXI”. Edhe Johannes Varwick, profesor i shkencave politike në Universitetin e Kiel-it në Gjermani, thekson se globalizimi“…. është shndërruar tashmë në një fjalë të rëndësishme, e cila prej disa kohësh po përdoret në mënyrë inflacioniste në debatet politike, publicistike dhe shkencore duke u konsideruar këtu nga njëra anë si kërcënim‘ dhe nga ana tjetër si‚ shans… Është e qartë për të gjithë se në historinë e njerëzimit, asnjë fjalë e vetme nuk ka sintetizuar më shumë fenomene, njerëz e territore sesa kjo fjalë magjike.

Kur Princesha e Uellsit Ledy Diana, humbi jetën në mënyrë tragjike në aksidentin e Parisit në 31 gusht 1997, u gjet përsëri një mënyrë për ta implikuar globalizimin si sintezë në pasqyrimin e kësaj ngjarjeje. Ja si e ilustron globalizimin në editorialin e saj revista “Alternatives Economiques”, “…. globalizimi është një princeshë angleze dhe miku i saj egjiptian që humbën jetën në një tunel francez ndërsa po udhëtonin me një veturë gjermane me motor holandez që kishte një shofer belg, ndërkohë që po ndiqej këmba këmbës nga paparacë italianë të hipur në motorë japonezë”.

Me gjithë perceptimet e ndryshme, globalizimi dukshëm është një proces ndërveprimi e ndërvarjeje, i cili lidh distanca dhe mjete dhe informacion për aksion.

Për këtë Prof. Civici thotë: Sipas Pierre Calame, autor i disa librave mbi globalizimin dhe qeverisjen globale, “… shkalla e ndërvarësisë që lidh njerëzit, diferencat kulturore dhe gjithë biosfera ka ndryshuar rrënjësisht gjatë dy shekujve të fundit. Ajo që ndodh në një cep të planetit ka ndikim në gjithë pjesët e tjera të botës, sepse informacioni, njerëzit, stilet e jetës dhe grupe të ndryshme popullsie qarkullojnë dhe lidhen ndërmjet tyre si kurrë ndonjëherë më parë. Në fund të shekullit XX, kombet, shtetet, kultura, biznesi dhe ndërrmarrjet, tregjet dhe demokracia përfaqësuese janë bërë praktikisht koncepte universale”.

Po cili është roli dhe gjendja e kulturave në këtë ndërlidhje? A vijojnë ato diferencën e tyre pa atakime? A kanë më ato të njëjtën sinjifikancë që kishin përpara, në nivel sistemi dhe individualiteti njerëzor? Duket se përgjigjja në këtë pikë është mjaft komplekse. Jo thjesht për krizën që paraqet kultura në horizontin global, por se ajo, kultura, si mental grupi dhe individi, nuk është vetëm e anashkalueshme apo e injorueshme, por mund të jetë edhe e manipulueshme në lidhje me besimin e saj, për qëllime praktike e politike.

Këtu Prof. Civici thotë: Fenomenet kulturore nuk mund t’i shpëtojnë globalizimit. Në shumicën dërrmuese të rasteve, sidomos në kohët moderne, raportet ndërmjet globalizimit dhe kulturave të ndryshme kanë prirje të trajtohen e analizohen nën optikën e “përplasjes së civilizimeve” duke vënë përballë njëra-tjetrës zona gjeografike, popuj e besime fetare të ndryshme. Në mënyrë të veçantë, sipas teorisë së Samuel Huntington, duket sikur në këtë fillim të shekullit XXI, rivalitetet e vjetra politike e ekonomike ndërmjet Fuqive të Mëdha janë zëvendësuar nga antagonizmat ndërmjet identiteteve kulturore.

Por debati bashkëkohor i marrëdhënieve globalizim-kulturë shihet në dy këndvështrime. Nga ana e etnologëve, kultura është një tërësi e integruar normash, paraqitjesh e sjelljesh të përshtatura nga njeriu si anëtar i shoqërisë. Duke qenë një faktor identifikimi, në kuadrin e një grupi dhe faktor diferencimi në kuadrin e grupeve të ndryshme, kultura transmetohet nëpërmjet traditave pa qenë shumë e ndikuar dhe tërësisht në funksion të kontekstit historik të momentit. Karakterizimi i dytë i kulturës mbrohet nga sociologët, të cilët e lidhin ngushtë atë me krijimin artistik dhe me simbolikën e çdo grupi ose individi, me trashëgiminë dhe objektet kulturore të tilla si filmat, librat, muzikën, vallet, pikturën, legjendat dhe mitet, etj., këto dy këndvështrime provokojnë debate e qëndrime të ndryshme në raport me fenomenin e “globalizimit kulturor”. I pari përqendrohet kryesisht në ndeshjen e “identiteteve kulturore”, ndërsa i dyti përqendrohet tek “efekti i industrisë kulturore” dhe i revolucionit digjital.

Globalizimi kulturor po shfaq gjithnjë e më tepër konfliktet e tij, qofshin këto të karakterit lokal ose ndërkombëtar. “Armët” kryesore të tij janë tensionet me karakter fetar, etnik ose gjuhësor. Në botë ka shumë “vija ndarëse” që mund t’i shpjegojnë këto lloj konfliktesh specifike. Tensione të tilla janë p.sh., ato “Veri-Jug” që favorizojnë gjuhët dhe kulturën Perëndimore në kurriz të atyre tradicionale, ato ndërmjet Perëndimit dhe botës Arabe që shoqërohen me reaksione të forta kundër “imperializmit kulturor” ose “modelit perëndimor të jetesës”, ato ndërmjet besimtarëve fetarë të feve të ndryshme dhe të laikëve, ato ndërmjet mbrojtësve të kulturave lokale ose nacionale ndaj përkrahësve të “kulturës ndërkombëtare” të bazuar në dijen dhe në vlerat më të mira të njerëzimit, etj. Megjithatë, këto lloj konfliktesh nuk janë thjesht kulturore, pavarësisht nga dukja ose nga diversiteti i tyre. Në shumicën dërrmuese të rasteve, janë interesat politike e ekonomike të shteteve e të qeverive të ndryshme, janë interesat e grupeve të fuqishme të biznesit ose të atyre politike dhe ushtarake që i stimulojnë ose i amplifikojnë ato.

Por, përtej potencialit për konflikt që fshihet pas formave kulturore, ndryshe thelbet e tyre janë edhe latencient, domethënë vonesat, herë të nevojshme për ruajtjen e sistemeve, e herë si të shijshme për absorbimin e segmenteve etnike apo edhe kulturore, -një shkurtim për interesa praktike komunikimi në termin utilitar të kësaj fjale; përtej kësaj, a jemi të ndjeshëm për humbjen e diversitetit kulturor? A është ai një formë e mungesës shpirtërore, apo jo?

Profesori Civici vijon: Sa më shumë që avancon globalizimi si dukuri, aq më tepër po shtohen krijuesit dhe grupet e ndryshme sociale si dhe popujt që kanë frikë nga humbja e diversitetit dhe nga triumfi i uniformitetit kulturor botëror. Frika më e madhe në këtë aspekt fokusohet te potencialet e pafundme të revolucionit dixhital si dhe te procesi i industrializimit dhe komercializimit të kulturës. Televizioni, radio, CD, fotografia, kinemaja, interneti, etj., kanë njohur një zhvillim teknologjik të jashtëzakonshëm në këto dy tri dekadat e fundit duke e lehtësuar shumë transmetimin e çdo lloj imazhi ose informacioni.

Për shumë popuj e vende të botës, në sfond të rrezikut që të dominohen e të asimilohen nga kultura të tjera qëndron gjithmonë “demoni”i trupëzuar në fuqinë e papërballueshme të industrisë dhe të operatorëve amerikanë të kulturës. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për vende ose kultura “të vogla”, por edhe për vende e kultura të tilla si p.sh., ajo franceze, italiane, spanjolle, ruse, etj. Megjithatë, mbrojtësit e efekteve pozitive të globalizimit kulturor insistojnë në idenë e tyre se zhvillimi i teknologjive moderne të përhapjes së kulturës dhe të informacionit janë një mjet shumë i mirë për të përhapur gjithashtu edhe kulturat “e vogla e lokale” në gjithë botën duke promovuar kështu vlerat e tyre dhe duke i bërë ato pjesë të kulturës botërore.

Libri “Globalizimi” është një trajtim shumëplanësh, por më tepër pikëpamjesh kontroverse të fenomenit në fjalë, i cili është i vështirë jo vetëm për t´u kuptuar, por edhe për t´u rrokur nga shkenca sociale, pasi është në lëvizje dhe në ndryshim, përvçse mjaft kompleks, me variabla që konvertojnë pozicione apo kuptime në varësi të determinimeve që marrin.

Ky libër u ribotua nga UET Press dhe kjo tregon rëndësinë e tij si dhe vëmendjen që ka tërhequr. Duke përshëndetur autorin për kapacitetin e tij lëvrues, po përdor fjalët e tij, që i thotë në përkushtimin në fillim të librit: “Babait tim, që nuk përtoi kurrë të më fliste e të më shpjegonte papushim për zhvillimet e botës dhe ngjarjet e saj, që më hapi dritaren e parë të globalizmit…!”, për të thënë se erërat e epokave të reja fillojnë gjithmonë kohë, kohë më parë…se sa ato të figurohen!

Nëse sot në botë ka një debat për të cilin opinionet dhe qëndrimet janë të shumta e mjaft të ndryshme, ky është padyshim «efekti i fenomenit të globalizimit në ekonomitë kombëtare dhe në nivelin e jetesës së popullsisë së çdo vendi». Gama e opinioneve fillon me vlerësimin se globalizimi përbën «një oportunitet historik për zhvillim» dhe përfundon me konkluzionin se ai po prodhon «shkatërrimin e kulturave dhe të produkteve në shumicën dërrmuese të vendeve të botës si pasojë e konkurrencës ndërkombëtare dhe dominimit të disa vendeve mbi të tjerat». Opinione të drejta apo të gabuara? Vështirë se mund të jepet një përgjigje a priori për këtë fenomen kaq kompleks. Vetë fakti se në të gjithë botën, çdo ditë e çdo muaj, “çështja globalizim” vazhdon të debatohet, të vlerësohet e të rivlerësohet, të anatemohet ose të glorifikohet, të injorohet ose të vihet në piedestal, dëshmon sesa komplekse e gjithëpërfshirëse është kjo dukuri.

Në konceptet dhe në përkufizimet e sotme, termi «Globalizim», i parë në tërësinë e tij nënkupton zhvillimin e lidhjeve dhe të marrëdhënieve të ndërsjellta ndërmjet njerëzve, ideve dhe informacionit, aktiviteteve ekonomiko-financiare e tregtare, atyre politike e kulturore në shkallë planetare. Si pasojë e përhapjes dhe e pranisë gjithnjë e më të gjerë të këtij fenomeni në çdo aspekt të jetës së secilit, toka po konsiderohet gjithnjë e më tepër si një “fshat planetar” ku ndërthuren e bashkëveprojnë ide, ekonomi, kultura e mjedise të ndryshme. Por megjithatë, një pikëpyetje e madhe qëndron mbi mendjet e të gjithëve : globalizimi është një fenomen real apo thjesht një mit i krijuar nga njeriu?

Për disa globalizimi shikohet si një lloj nirvane ose iluminimi, një gjendje e përgjithshme ku mbretëron paqja dhe prosperiteti universal, një vend i shenjtë ku të gjithë duhet të falen e të luten për një ardhme sa më të mirë; për disa të tjerë, globalizimi është një ferr i vërtetë, një skëterrë, një kaos shkatërrimtar që duhet dënuar dhe zhdukur menjëherë në qoftë se duam që njerëzimi të vazhdojë të ekzistojë. Ja si shprehet njëri prej tyre: “…planeti tokë i ngjan sot një avioni Boing 747 që është duke fluturuar në një zonë të fortë turbulence të shkaktuar si pasojë e efektit të përbashkët të globalizimit dhe të ndryshimeve teknologjike. Ne të gjithë jemi pasagjerë në këtë avion: globalistë e antiglobalistë, ekologjistë e natyralistë, integristë e nacionalistë, etj. Situata është e menaxhueshme dhe avioni mund ta kalojë këtë zonë të rrezikshme dhe ta shmangë katastrofën por me kusht që të merren masa speciale. Por fatkeqësisht, avioni nuk ka pilot. Ai shtyhet sa majtas djathtas nga korrente të forta ajri dhe rreziku që të bjerë në tokë është shumë i madh”[1].

Megjithatë, ka dhe një grup a një rrymë të ndërmjetme që e shikon më me realizëm dhe pa emocione globalizmin duke e konceptuar dhe përkufizuar atë si një “udhërrëfyes logjik” që e ka shoqëruar njerëzimin gjatë gjithë historisë së tij, si një prirje që është intensifikuar dhe përshpejtuar veçanërisht gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, për t’u shfaqur tashmë lakuriq me avantazhet dhe dizavantazhet e saj. Ashtu si edhe klima që ka ndikuar e formatuar mjedisin e tokës gjatë gjithë periudhave të historisë, ashtu edhe ndërveprimi ndërmjet kulturave e llojeve të ndryshme të civilizimeve e të shoqërive njerëzore, gjatë dhjetëra shekujve, ka rezultuar me një integrim në rritje të vazhdueshme duke “prodhuar” atë që sot quhet “komuniteti njerëzor botëror”.

Shumë ekspertë dhe studiues të fenomenit të globalizimit dhe të shtrirjes së tij kanë dhënë e vazhdojnë të japin përkufizime domethënëse në lidhje me gjerësinë dhe kompleksitetin e kësaj dukurie. Në librin “Globalizimi virtual” autorët e shikojnë “… globalizimin kudo … për t’u bindur për këtë mjafton të ndezësh një televizor ose një kompjuter, të hysh në një McDonald’s ose të vishesh te GAP-i. Nga programet informatike Windoës te seritë televizive, nga hamburgeri te xhinset, globalizimi shfaqet në të gjitha format, materiale dhe virtuale. Ai shpërndan ide, koncepte, inovacione dhe simbole që statistikat e kanë vështirë t’i pasqyrojnë”[2].

TË DHËNA MBI LIBRIN

Titulli: Globalizimi, Ante Portas

Autori: Adrian Civici

Shtëpia botuese: UET Press

Viti: 2009

Fq. 280

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH