Letërsi

KATALOGU I UET PRESS/ 33-shja "profetike" e Sokol Ballës, kur gazetaria cilësore i shërben kujtesës kolektive

Shkruar nga Liberale

KATALOGU I UET PRESS/ 33-shja "profetike" e Sokol Ballës, kur

Ka një diferencë të madhe në të vërtetën që mbetet në kujtesë dhe asaj që mbetet e dokumentuar. Nëse një ngjarje të caktuar, që e kemi fotografuar memorikishisht si dhe e kemi dokumentuar në të njëjtën kohë me shkrim apo vizualisht i rikthehmi pas disa vitesh, do të shohim se ato nuk tregojnë më të njëjtën ndodhi. Kujtesa ka presdizpozicionin të na tradhtojë duke mos na shërbyer me besnikëri, me apo pa dashje, me apo vullnetin tonë.

Nën logjikën e shkruara mbetet shtëpia botuese UET Press ka nxitur mjaft prej gazetarëve të kohës që intervistat e tyre televizive ti dokumentojnë, ti kthejnë në libra, duke siguruar kështu jo vetëm jetëgjatësinë e tyre, por edhe duke i dhënë mundësi audiencës ta kuptojë, analizojë dhe përvetësojë më mirë një intervistë, një material, një kauz apo çështje të caktuar.

Në këtë kuadër u botua në 2010 libri i parë me UET Press i gazetarit Sokol Balla, i cili prej vitesh ka drejtuar emisione të rëndësishme politike në vend e ka realizuar intervista me personalitete të fushave të ndryshme, shqiptare e botërore. Libri i tij që mban një titull që tingëllon profetik 33 përmban 33 intervista. Nga Ramiz Alia, te Sali Berisha, Kosta Trebicka, Edi Rama, Menduh Thaçi, Ramush Haradinaj, Jorgo Papanderu e deri te George Soros, një larmi figurash, entitetesh e përkatësish shumëdimensionale, që shpalosen nën pyetjet e drejtpërdrejta e të guximshme të gazetarit Sokol Balla.

Siç shkruan edhe Piro Misha në parathënien e librit, nuk është thjesht një përmbledhje intervistash, por sjellja e gjallë e kronikës dramatike të gjithë asaj që ka ndodhur gjatë kësaj periudhe të trazuar të historisë sonë, të cilën ne vazhdojmë të këmbëngulim ta quajmë "tranzicion".
Sipas tij, libri është edhe një mënyrë për të kujtuar ato që kanë ndodhur, nëpërmjet deklaratave e qëndrimeve, në mënyrë që ngjarjet të mos përsëriten. Nuk kam dyshime thotë Misha, se kur përfundon së lexuari këtë libër, kupton se, sado kritikë që kemi qenë me gazetarinë shqiptare të këtyre viteve, shpesh me të drejtë, duke e fajësuar atë për shumëçka, në të vërtetë, ajo ka një vlerë të padiskutueshme: ajo është kujtesa jonë, sigurisht, kur është një gazetari e mirë dhe e ndershme

Parathënie nga PIRO MISHA: Një libër që na ndihmon të kujtojmë

Janë gjithsej tridhjetë e tri intervistat e përfshira në këtë libër, çka shpjegon dhe përsenë e numrit 33 në titull. Bëhen njëzet e pesë, personazhet që Sokol Balla ka vendosur të përzgjedhë mes intervistave të shumta që ka bërë ndër vite. Pjesa më e madhe e të intervistuarve janë figura qendrore të politikës shqiptare të dy dekadave të fundit, të cilët rrëfehen, japin versionin e tyre të fakteve, sulmojnë, mbrohen, polemizojnë, shajnë, kërcënojnë, bëjnë apologjinë e vetvetes, por dhe sigurisht gënjejnë... Pastaj vijnë një sërë personazhesh të tjerë të rëndësishëm, shqiptarë ose jo, të kësaj periudhe, që, me dëshmitë e tyre, shërbejnë për të plotësuar panoramën e një kohe. Dhe së fundi, disa të tjerë, si Izet Haxhia apo dhe i ndjeri Kosta Trebicka, personazhe rastësorë, që një kombinim i rrethanave i solli rastësisht një çast në qendër të vëmendjes, duke i bërë protagonistë apo dëshmitarë të disa prej ngjarjeve apo episodeve më të errët e dramatikë të historisë sonë të re.
Por le ta themi që në fillim se, do të ishte e gabuar ta shihje këtë libër thjesht si një përmbledhje me intervista që Sokol Balla i ka mbledhur me kujdes për të dëshmuar punën që ka bërë në vite. Sepse, të marra së bashku, të tridhjetë e tri intervistat e përfshira në libër formojnë një tërësi koherente, që na sjell të gjallë kronikën dramatike të gjithë asaj që ka ndodhur gjatë kësaj periudhe të trazuar të historisë sonë, të cilën ne vazhdojmë të këmbëngulim ta quajmë "tranzicion". Në fakt, mes intervistës së parë, e qershorit të '97-ës, me të cilën hapet libri, dhe është ajo me ish-kryeministrin e vendit, Aleksandër Meksi, të larguar nga pushteti vetëm para pak muajsh, dhe intervistës së fundit (së paku, kronologjikisht, në s'gabohem), me kryetaren e sotme të Parlamentit Shqiptar, zonjën Jozefina Topalli, kalojnë thuajse trembëdhjetë vjet, që libri i Sokol Ballës na ndihmon jo vetëm të mos i harrojmë, por, para së gjithash, të arrijmë të kuptojmë më mirë se ç'ka ndodhur në të vërtetë.

Në fakt, teksa po e lexoja këtë libër, më erdhën ndër mend fjalët e studiuesit e publicistit të njohur britanik, Timothy Garton Ash, i cili thotë se, është pikërisht gazetaria e mirë dhe, sigurisht, e ndershme, ajo që shkruan bocetin e parë të historisë. Dhe për mua s'ka asnjë dyshim se një libër si 33, me dëshmitë e rëndësishme që sjell, kontribuon jo pak për të skicuar bocetin e parë të një historie, fatkeqësisht ende të pambaruar dhe që, sigurisht, pret ende të shkruhet. Dikur, pjesa më e madhe e komunikimit politik kryhej nëpërmjet letërkëmbimit, qoftë ky ai i shkresave zyrtare apo letrave personale. Ishte pikërisht korrespondenca ajo që përbënte materialin kryesor, mbi të cilën, mbështeteshin më pas historianët për të rindërtuar historinë e një kohe, apo të personazheve të saj.
Ndërsa sot, kur një pjesë e madhe e komunikimit kryhet nëpërmjet telefonit, sms-ve, apo mesazheve elektronike, që vështirësisht mund të përdoren nesër si dokumentacion i besueshëm, intervista, si një dëshmi e drejtpërdrejtë, ka marrë një vlerë të pazëvendësueshme, e cila shkon përtej së të tashmes, duke qenë një ndër burimet më të rëndësishme, për këdo tjetër që është i interesuar të kuptojë të vërtetën për një kohë të caktuar, për faktet, episodet, qëndrimet, bëmat dhe zhbëmat e personazheve të saj, që përndryshe koha rrezikon t'i zbehë, t'i manipulojë apo dhe t'i transformojë.

Në këtë shikim, gazetarin intervistues mund ta krahasosh me kronikanët e dikurshëm, të cilët regjistronin me përpikëri e besnikëri ngjarjet, për t'ua lënë ato pasardhësve dhe historisë. Sigurisht, si çdo krahasim dhe ky çalon, sepse, ndryshe nga kronikani i dikurshëm, të cilit i duhej të mbetej (në rastin më të mirë) veç një regjistrues pasiv i ngjarjeve, fjalëve dhe bënave të njerëzve të fuqishëm e të pushtetshëm të kohës, sot, një gazetar i mirë që interviston, supozohet të jetë një zëdhënës i opinionit publik, i shqetësimeve dhe ndjeshmërive të tij.

Si i tillë, ai s'mund të mjaftohet duke regjistruar pasivisht faktet, apo ç'thonë politikanët apo protagonistët e tjerë të jetës publike. Përkundrazi, sot, një gazetari që merr përsipër të intervistojë një figurë publike, për t'iu afruar sa më shumë së vërtetës, i duhet të hetojë, të ngacmojë, apo herë-herë edhe të komentojë. Sigurisht, në të dyja rastet, si në atë të kronikanit dje, ashtu dhe të gazetarit sot, vlera e dëshmisë varet në një masë të madhe nga aftësia për të bërë pyetjet e duhura, por, pa dyshim dhe nga ndershmëria. Sepse, ndër ata mijëra kronikanët që kanë shkruar për ne, sot kanë vlerë vetëm ata që, me punën e tyre, na kanë lënë pas dëshmi, pa të cilët do të ishte e vështirë të përfytyrohej ajo që ka ndodhur. Dhe fatkeqësisht, këta s'janë shumë, krahasuar me ata mijëra shkrues, që të vërtetën ose s'ditën ta kuptojnë, ose e flijuan për hir të ca interesave apo të dobësisë njerëzore.

Megjithatë, dhe vepra e tyre e ka një vlerë, ajo na shërben për të kuptuar klimën morale e politike që ekzistonte në një periudhë të caktuar të historisë. Të gjitha këto sa thashë, s'ka dyshim se vlejnë dhe për sot. Edhe sot, vlera e një gazetarie të mirë varet sa nga aftësia, aq dhe nga ndershmëria profesionale. Kjo vlen për gazetarinë si një mjet informacioni, por aq më shumë nëse e shohim vlerën e produktit gazetaresk në një perspektivë historike. Duke lexuar librin "33", bindesh se Sokol Balla ia ka dalë mbanë të na sjellë një shembull gazetarie të mirë, vlera e së cilës shkon përtej shërbimit primar të informacionit, duke u shndërruar në një dokumentacion unikal, për këdo që do të kuptojë e të rindërtojë të vërtetën për kohën që po jetojmë e sidomos për protagonistët e saj.

Ç'është e vërteta, një ndër gjërat që më bëri më shumë përshtypje teksa po lexoja dorëshkrimin e librit të S. Ballës, qe fakti se sa shumë gjëra të kësaj periudhe i kisha harruar, ose i mbaja mend ndryshe nga ç'kishin qenë në të vërtetë. Jam i sigurt se të njëjtën ndjesi kanë për ta provuar dhe shumë lexues të tjerë të këtij libri. Që të jem i sinqertë, në fillim, kur e mora në duar librin, mendova se do më mjaftonte t'i hidhja një vështrim të shpejtë, sepse pjesën dërrmuese të intervistave të përmbledhura në të i kisha lexuar a dëgjuar. Por, s'u desh shumë që të kuptoja se s'qe ashtu.

Që të bindeni, lexoni, për shembull, intervistën me të cilin nis libri, atë të qershorit 1997, me Aleksandër Meksin. Lexoni intervistën e parë me Sali Berishën, që pason atë të Meksit, e kështu me radhë, dhe keni për të parë se sa shumë gjëra, që i keni jetuar, kujtesa juaj i ka fshirë apo ndryshuar, duke provuar atë të vërtetë për brishtësinë e kujtesës njerëzore që të lashtët e dinin dhe që psikologjia moderne tashmë e ka vërtetuar. Një e vërtetë që vlen më tepër se kurrë për një kohë kur, ashtu, të bombarduar nga ajo masë e stërmadhe informacioni e imazhesh, kujtimi i çdo fakti, ngjarjeje a përjetimi mbulohet shpejt nga shtresëzime të mëpasme të kujtesës, duke ndërruar, madje shpesh edhe duke u shpërfytyruar, fakt ky, mbi të cilin, jo pak politikanë sot kanë ngritur strategji të vërteta manipulimi.
A e mban ende mend vallë kush se, para trembëdhjetë vjetësh ish-kryeministri i vendit dilte me propozimin që shqiptarët duhet të lejoheshin me ligj që të mbanin armë nëpër shtëpi?! Por, sidoqoftë, le të mos zgjatemi më, ndonëse unë, së paku për një gjë jam i sigurt: jo pak prej të intervistuarve në këtë libër, kur të përballen me të vërtetën e pandryshueshme të atyre që kanë thënë dikur, ka shumë të ngjarë ta ndiejnë veten ngushtë.

Nëse ndodh kjo, atëherë ky libër ia ka arritur njërit prej qëllimeve të tij. Libri "33", në një farë mënyre është një udhëtim në tranzicionin shqiptar apo, që të jemi më të saktë, në një pjesë të rëndësishme të tij, ku secili prej nesh do ketë rastin të shohë pjesë të historisë së vet personale e të së shkuarës sonë të përbashkët të këtyre viteve kaq të vështira. Dhe ka shumë gjasa që shumëkush, ashtu si unë, të arrijë në përfundimin se shumëçka mund të kishte qenë më pak traumatike, më pak e dhimbshme, sikur të qenë bërë aq shumë gabime, sikur rastësia të mos kishte sjellë në krye të punëve njerëz pa shumë skrupuj e me një natyrë aq konfliktuale, por sidomos se, për shumëçka që ka ndodhur, kanë një përgjegjësi të madhe njerëz konkretë, të cilët kanë një emër e një mbiemër. Por, fatkeqësisht, historia, siç e dimë, s'bëhet me "sikure"...

Atëherë, le të na shërbejë, së paku, ky libër për të na mësuar që të mos përsërisim sërish gabimet e dy dekadave që shkuan. Le të shpresojmë, ndonëse as kjo s'është e lehtë... Por, sidoqoftë, për një gjë unë s'kam dyshim: kur përfundon së lexuari këtë libër, kupton se, sado kritikë që kemi qenë me gazetarinë shqiptare të këtyre viteve, shpesh me të drejtë, duke e fajësuar atë për shumëçka, në të vërtetë, ajo ka një vlerë të padiskutueshme: ajo është kujtesa jonë, sigurisht, kur është një gazetari e mirë dhe e ndershme, siç është rasti i gazetarisë që mishërojnë intervistat e Sokol Ballës, të përmbledhura në këtë libër.

INTERVISTAT

Meksi: Ju tregoj armët e mia
Izeti: Unë "Zani" i PD-së
Berisha: Nëntë Marsi? Nuk jam penduar
Berisha: Gati për pushtet
Sali Berisha: Europa, duhet një pakt i gjerë
Sali Berisha: Tranzicioni mbaroi
Eduard Selami: Si më kërcënoi Berisha në 1995-n
Zemërimi i qetë i Pjetër Arbnorit
Alfred Moisiu: Rikandidimi? S'jam kundër.
Fatos Nano: Ushtria ime e paqes
Që të mos kemi një Sali të ri
Unë Ramiz Alia, dëshmoj historinë time
Topi: Krenar se si u zgjodha president
Ndryshimet kushtetuese: me Top kundër të gjithëve!
"Me Berishën, vetëm raport institucional"
Topi: Lidhja ime me Gërdecin
Intervista me Jozefina Topallin - dhjetor 2009
"Unë s'jam kopje e Sali Berishës"
Rama: Platforma e qeverisjes sime ndryshe
Ëithers: Presim hetimet, Bechtel të respektojë ligjet
Ina Rama: Gërdeci, Mediu dhe Kosta Trebicka
Kosta Trebicka: Ju rrëfej aferën e Afganistanit
TRANZICIONI BALLKANIK
Ramush Haradinaj: Historia e Kosovës, sipas meje
Menduh Thaçi: Qarqet islamike që kontrollojnë shqiptarët
Cervenkovski: Maqedonia në pikëpyetje
Jorgo Papandreu: E majta, do të nxjerrë Ballkanin nga kriza
Mesic: Si u shkatërrua Jugosllavia
Ëesley K. Clark: Si e çlirova Kosovën dhe bombardova Beogradin
Suzana, vajza nga Oz
"Sondazhi Zogby, një revolucion"
Gage: Berisha më premtoi shumë gjëra kur të vijë në pushtet
George Soros: "Si arrita të fitoj 1 milion USD në ditë"
EX CATEDRA
Enrico Mentana: Gazetari vdes kur nuk thotë më të vërtetën

DETAJE TË LIBRIT
Titulli: 33
Gjinia: Scripta manent / Publicistikë
Autori: Sokol Balla
Shtëpia botuese: UET Press
Fq. 506

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH