Letërsi

Jetë të vërteta dhe jetë të vërtetuara - Nga Pëllumb Kulla

Shkruar nga Liberale

Jetë të vërteta dhe jetë të vërtetuara - Nga

Rrëfenja e shtatëmbëdhjetë

Nuk u gjejnë pushim vulat në Shqipëri! Bjerë e kërcit, mbi dokumente fallco që paguhen kripur: bamp, mbi çertifikata, bump mbi diploma e mbi vërtetime përndjekjesh!
Të vjen keq, bre, për tërë ata njerëz, që kanë shtrydhur trutë mbi provime. Të këputet shpirti, për tërë ata, që kanë vojtur prapa hekurave të burgut. Bile, ca e ca, me oreks më të madh, kanë dhe dipllomë universiteti dhe vërtetime që kanë qenë tridhjetë vjet në burg! E nuk e kanë llogaritur hiç që nuk u dalin vjetët.
Sëkur e kanë bërë fakultetnë pa shkëputje nga burgu, o qifjaj tëmën e s’ëmës!
Amerkanët këtu, tashi e kanë mendjen top, se vendi ynë i bekuarë, banorët mbi tridhjetë vjeç, i ka me universitet, kurse ç’ka mbi dyzet vjet e përpjetë, dalin që janë të tërë të kalbur nëpër burgjet e komunizmit!

Që kur erdhi këtu, Zikja, erdhi i gënjeshtërt! Kish akoma në vesh këngët e dasmës me Milkën, kur i qe bashkuarë grupit të një këngëtari, që po gatitej të hidhej në Amerikë. Ay këtu do të këndonte, kurse Zikja me dy të tjerë, prapa tij, do bënin la-la-la, vënde-vënde, në mes të këngës. E tërë kënga ish e bërë mbi shirit dhe do buçiste për bukuri, daç të ishnë prapa këngëtarit orkestra me ata të la-la-lasë, daç të mos ishnë! Të tërë orkestrantët bënin sëkur frynin po, ama, i shëkonin për herë të parë veglat që kishnë nëpër duar e bile në fillim mezi e gjetnë se nga t’u frynin.
Nuk i dilnin paratë, pa edhe Milkën, do ta kish marrë Zikja në atë grup. Edhe ata dy të tjerët, që bënin la-la-la, si Zikja, për të zënë një vend në këtë listë muzikantësh që nisej për Nju Jork, kishnë paguarë goxha para. Ay që bënte la-la-la, më të djathtë të Zikes, vinte të kërkonte gjurmët e gjyshit. Ay tjatri, nga Veriu, kish hyrë në treshen e la-la-lave, meqë e ndiqte policia. Do bënin la-la-la, sa të mbaronin shfaqjet e pastaj do të çalltisnin të gjenin anën për të bërë dokumentet e qëndrimit në Amerikë.

Ndryshe nga të tjerët, Zikja, e kish mëndjen e fjetur, ce kish Nikollaqnë, kushurinë e parë, që mbante një restorant në Bruklin.
Nikollaqi gruanë e kish italankë. Silvia ish pesë vjet më e moshuarë pe Nikollaqit. Ish zonjë grua, pak harraqe, po me zemrën flori. Ajo rrinte shtrirë tërë ditën, dyke lexuarë libra dhe bënte pushim vetëm kur kish për të lexuarë donjë gazetë. Nuku kishnë patur fëmijë për faj të Silvias, por Nikollaqi e pat marrë mbi vete përgjegjësinë dhe kjo ia kish shtuarë italankës dashurinë.

Nikollaqi numëronte një batalon me kushurinj, por ky shoku im, Zikja, kish meritën, që zbarkovi i pari në restorantin Aroma. I dha Zikes një zgëq për të fjetur, aty në restorant dhe e vuri të lajë pjata.
Këtu fillon zinxhiri i përpjekjeve për të lidhur me ligj kapistrën e Zikes në hallkat e Amerikës. Pajtuanë avokatët, vërtit andej, vërtit këtej, aha! Njëri pe avokatëve e këshillovi kushon e vjetër të thosh, që i duhej një kuzhinjer gjellësh etnike, nga viset arbërore, fjala vjen, një usta i piperkave të mbushura, apo i kungulleshkave me kos.
Ashtu e bënë kërkesën. Për këtë, vuuu, Zikes nga Shqipëria, i erdhnë dhjetëra dekorime, diplloma e çertifikata të fituara në panaire kombëtare. Të tëra me vula pe vërteti! I sollën avokatit edhe një gazetë, me një alamet kritike kundër ministrisë të turizmit, që paskësh lejuarë largimnë jashtë kufijve të Zikes, një kuzhinjeri, që ish një nga vlerat e ralla të mbetura atij kombi, pas përmbysjeve të mëdha…
Nuk ia pranuanë, se restoranti më parë, duhej ta kish afishuarë kërkesën dëpër gazeta. E kundërshtovi vendimnë avokati, por autoritetet e emigracionit nuku hanin pykë. Si duket, ata ia kishnë vënë kryqnë pronarit të Aromës, se ky, fakiri, pat harruarë, që Ziken, burrin me vlera të rralla kombëtare, ua pat kërkuarë njëherë zyrtarisht edhe për pjatalarës!

Edhe Silvia pati një shkrep drite në mendjen e saj të shashërdisur dhe tha, se meqë nuku kishnë fëmijë, nuku qe keq ta bënin Ziken bir për shpirt. Miqtë i çkëshilluanë menjëherë, ngaqë ata që birësoheshin, duhet të ishnë ose bebe, ose të posangritur më këmbë. Zikja qe i ngritur më këmbë, por kjo kish ndodhur dyzet vjet të shkuara.
“Ç’thua ti, Nikollaq?” e pleqësovi një mëngjes Zikja, që çdo ditë mendonte nga një plan të ri. “Sikur ta provojmë, të martohem unë me tëtë shoqe, zonjën Silvia?”
“Çfar-o?!”
“Të martohem-o, me gruan tënde!”
Ky plan e gjeti kushon e vjetër të ngrohur. Nikollaqi e kish marrë sakaqë për zemër këtë dhelpëri të re dhe thirri Silvian.
“Përse duhet ta bëjmë këtë?” kish pyetur zonja dyke thyerë fletën e librit që po lexonte.
“Për Ziken, moj e ëmbla ime! Ti do ndahesh me mua e pas ca kohësh do martohesh me të. Ay kështu fiton dokumentet amerikanë!”
Silvia kish rënë në mendime, saç mund të bjerë në to, një e rrjedhur. Veprimet do të ishnë veç formale dhe martesa me Ziken do të qe vetëm në letër.
Silvia në fillim, kish pyetur kush qe ky, Zikja, pastaj i kishnë ndritur sytë pe dhelpre plakës dhe kish rënë dakord menjëherë për martesë.
“Po ti, Nik, ia ke bërë të qartë Zikes, që unë nuku bëj fëmijë?” kish pyetur tërë merak zonja.
“Do të jetë martesë në letër, shpirt!”
“As në letër nuku bëj fëmijë, unë!” paskësh thënë ajo.
Nikollaqi kish ngritur sytë nga qielli e ia shpegovi edhenjë herë.
Kështu u bë. U divorcuanë. Në krye të gjashtë muajve, pastaj, gruaja kish njoftuarë, se do martohej me një mik të sajin, tridhjetetetë vjet më të ri.
Martesa me Ziken u bë ca më me zor, por edhe kjo u arrit. Punë goxha e fisme! Pleqtë vazhdonin e flinin tok në krevatnë e tyre me dru qershie, teksa Zikja, burri zyrtar i plakës, mblidhej në atë zgëqin, në cep të restorantit, duke lumturuarë, ngaqë pjesa e parë e planit kish vajtur vaj.
“Tashi, kusho i dashur, bëj mundimnë dhe shko në Berat të më marrësh edhe Milkën!” iu lut Nikollaqit Zikja.
E të bën Nikollaqi, bir o bir, një udhëtim goxha prekës!

Përveç shpluhurosjes së kujtimeve, Nikollaqi thosh lart e poshtë, se pat ardhur në mëmëdhe, të gjente një nuse. E ndjente veten akoma të ri, gjashtëdhjetë e gjashtë vjet, lule e pjekurisë dhe desh një grua nga vendi i tij i dashur. Nuk do të qe e domosdoshme, që ajo që kërkonte të ish fare e pamartuarë, ngaqë ay vetë, përshembull, e pat provuarë martesën me një italane, por nuk e pat arritur dot lumturinë.
Më pas, ay rrëfevi, që e kish gjetur njerinë, që kërkonte: një femër nga Berati, me një emër si prej qumështi, Milkë. Ajo sapo qe divorcuarë nga një maskara, që e paskësh lënë, akoma pa larë çarçafët e parë të dasmës dhe kish ikur të bënte lalala, me një orkestër!
Po edhe kur po nxirte nëpër Shqipëri dokumentet për martesën, Nikollaqit vazhduan t’ia merrnin frymën kandidatkat. E mbytën! Hoteli nuk gjente rehat pe femrave. Të reja, të vjetra, të holla, të trasha. Bile, të trasha kish më shumë, se thoshnin që kishnë tipare më amerikane. Burri i botës njëherë zgjohej në krevat me njërën njëherë me tjatrën dhe të tërave ndershmërisht u rrëfente se për dreq e kish gjetur nusen dhe fatkeqësisht fjala qe dhënë.

Amerikani Nik derdhte lotë që asnjëra pe atyre perive nuku kish erdhur qoftë edhe një ditë përpara se ay të jepte fjalën. E dihej pastaj, se me sa shënjtërim e mban fjalën shqiptari i vërtetë.
Hoteli kundërmonte nga tërë kremrat e tezgave të Evropës.
Jo, jo! Nikollaqi mbeti te ajo, që kish njohur në Berat, te Milka.
Erdhi sëra e vulave. Këto zgjatnë ca: më pak nga Shqipëria e më shumë nga Amerika, por, vulat e bënë punën dhe atje dhe këtu! Kushoja i vjetër zbriti edhe një herë të dytë në Shqipëri për të marrë me vete Milkën, që t’ia sillte Zikes, që po e priste me drithërimë.

Atë ditë që Nikollaqi do zbriste Milkën në aroport të Nju Jorkut, unë e Zikja shkuamë me limuzinë, që të merrmim për në aeroport edhe zonjën Silvia.
Ajo nuk e njohu prapë Ziken dhe ky e shfajësovi, ngaqë nuku qenë parë, që kur kishnë vënë kurorë. E muarmë zonjën e nxituamë, se mos na dilnin më parë pasagjerët. Plaka kërcevi e gëzuarë, kur u njoftua se aropllani kish zënë dhè. Fytyra i ndrinte.
“Me cilin nga juve jam martuarë, se ju ngatërroj?” na pyeti e gjora.
“Me Ziken,” u hoqa mënjanë unë.
“Me mua,” ia bëri Zikja.
“Hajde, të të uroj,” shfryvi me kënaqësi gruaja dhe e përqafovi të shoqnë me letra. Pastaj ngriti gishtnë e madh kas përpjetë, ia shkeli synë Zikes dhe i tha:
“Bingo! Ia hodhmë Presidentit të Shteteve të Bashkuara!”
Atëças dolli Nikollaqi me Milkën dyke shtyrë karrocënme plaçka. Përqafime, të puthura, lotë. Pleqtë ishnë më të mallosur, oreee!
Ashtu, grup, unë u bëra ca fotografi dhe prapa aparatit qeshnja me vete, ngaqë nuk po e përmblidhnja dot, se çfarë binin tashi njëri me tjatrin, ata katër njerëz, që unë u hidhnja përsipër me aparat plluska drite. Qeshnja edhe se pas pak ata do flinin me njëritjatrin siç duhej dhe jo siç thoshnë vulat.

Kjo histori mbarovi mirë e bukur kështu, kur, pas ca javësh, më vjen Zike gomari, e ma plas, si hiçmosgjë:
“Peço, vuajtkat e dymbëdhjetë vjetëve nuku paskan qenë gjë hiç! Ay kushëriri tem, po lëpin buzët për time shoqe. Do t’ia gjej anën e do ta vras!”
Kundërmonte alkol! T’ëmën! Ke parë ti?! E kish nga malli, a nga ndarja e gjatë, një Zot e dinte! E zura nga supet dhe e shkunda.
“Mblidhe veten, hajvan!” i thashë. “Mos bëj marrëzira, se të vraç një njeri, të venë në karrige, këta amerikanët! Kur mos kem babanë, të venë!”
“Le të më venë! Nuku pyes për karrige!” ia bëri ay, dyke fshirë qurret me kurriz të dorës.
“Është elektrike, oreeee! Pa për karrigen sade, nuku pyet asnjëri pe neve! Edhe këtu, nuku pritet korrenti kurrë, de!”
Pastaj m’u kujtua dhe i ulëriva:
“Po si do ta vraç, mor t’u mbylltë e mëndjes?! Edhe sëkur të mos ishte dyshim pe budallai ky i yti, ti nuku ke të drejtë! Tët shoqe, Nikollaqi, e ka grua me kurrorë!”
Me këtë sikur ia preva vrullë dhe mëndjeshkrepjet pe kukumjaçke. Po ay u hodh i egërsuarë më shumë:
“Ashtu?! E po atëhere mbarovi ajo punë! E vrava! E kam më kollaj ta ze në krevat me Silvian! Dhe Silvian, me kurrorë tashi e kam unë!”
Tërë këto kohë ia kam patur frikën, hajvanit. Mezi e binda, që me marifet të largohej pe restorantit e të vinte me banim këtejza, afër meje, gjersa të vijë koha të divorcohen e të marrë prapë secili gruan e tij!
Kohëra të ngatëruara, oree!..

(Kopertina e romanit bërë nga mjeshtri Like Rehova)

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH