Në foto: Skifter Këlliçi, (nga e djathta) me Anton Mazrekun (1962)
Nga Aranit Muraçi
Një paradite, nga mesi i gushtit të vitit 1954 një djalë me pantallona të shkurtra u drejtua në hyrjen e Ministrisë se Shëndetësisë që ndodhej pas ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes dhe la te portieri një shkrim për gazetën "Sporti Popullor", organ i KKSFS, që atëherë varej nga kjo ministri. Pas disa ditësh në faqet e brendshme të kësaj gazete u botua një korrespondencë për kampionatin vendor të tenisit dhe poshtë saj emri i autorit, Skifter Këlliçi. Kjo ndodhte, pra 70 vjet me parë. Kështu nisi biografia gazetareske sportive e Skifter Këlliçit, pasuar që nga ai vit dhe deri sot me shkrime të thjeshta, pastaj reportazhe, portrete, tregime në këtë gazetë, pastaj në gazetën "Zëri i Rinisë", revistën "Ylli", për të vazhduar vite më pas me vëllime me tregime, novela, romane, filma dokumentarë dhe artistikë më temë sportive, dhe, mbi të gjitha, veprimtaria prej 40 vitesh me disa ndërprerje, (1959-99), si komentator radiofonik dhe televiziv sportiv, të cilat ai flet në intervistën dhënë për gazetën “Liberale”. Skifter Këlliçi nga viti 1999 jeton me familjen në Boston, por pa u shkëputur asnjë çast nga krijimtaria edhe si gazetar sportiv.
Z. Këlliçi, si të lindi dëshira që në moshë kaq të re, fëmijë 16-vjeçar, të shkruash për sportin?
Sepse që në vitin 1945 ,kur isha 7 vjeç nisa të lexoja gazetën "Sporti", që më pas u titullua "Sporti popullor", madje edhe numra të gazetës "Sporti Shqiptar" të viteve 1935-39, të drejtuar nga Anton Mazreku, babai i gazetarisë sportive shqiptare, shkrimet e të cilit më lanë përshtypje të thellë dhe më shtynë të ëndërroja që një ditë edhe unë të bëhesha gazetar sportiv.
Mësove ndërkohë gjuhë të huaja, edhe pse e vështirë në kohën tuaj, për të zgjeruar horizontin në gazetarinë sportive?
Duke dëgjuar së pari në Radio RAi Nikolo Karozion dhe pastaj Nado Martelinin dhe Enriko Amerin, radiokronistë të shquar italianë, më lindi dëshira që krahas rusishtes që bënim në shkollë, të mësoja edhe italishten. Kjo ndodhi në pranverë të vitit 1956, atëherë 18-vjeçar, kur gjeta një metodë dhe një fjalor italisht-shqip. Po atë vit nisa të lexoja edhe gazetën "Sovjetskij Sport", që e bleja në tregtizën "Libri Sovjetik" dhe gazeta dhe revista të tjera sovjetike me temë sportive.
Besoj se emërimi gazetar sportiv në Radio Tirana në vitin 1959 ishte një mundësi e madhe për t'u bërë gazetar i mirëfilltë sportiv, sepse që në vitin 1958 ti krijove "Rubrikën e parë sportive" në Radio Tirana...
Së pari, duhet të them se nuk kam qenë kurrë gazetar i mirëfilltë sportiv. Kam punuar në redaksinë e kulturës së Radios dhe më vonë të Televizionit. Sporti ka qenë pasioni i dytë imi pas letërsisë, pasion, ndaj në nëntor të vitit 1958, ende student për gjuhë-letërsi në UT u propozova drejtuesve të redaksisë së informacionit në Radio të nisnim për herë të parë "Rubrikën sportive", sepse deri atëherë, jo rregullisht Radio Tirana transmetonte një kronikë të varfër për sportet. Por pas disa javësh kjo rubrike që jepej të dielave, u ndërpre, sepse kishte shumë vështirësi në marrjen e rezultateve sportive nga PTT-ja. Në prill të vitit 1960, përgatitur nga unë, "Rubrika..." nisi të transmetohej rregullisht të martave në orën 21.00 dhe në fund të vitit 1961, përfundimisht çdo të diel në orën 21.00.
A ndikoi shkolla e Anton Mazrekut, babait të gazetarisë sportive, për t'u bërë komentator sportiv?
Sigurisht që ndikoi jo vetëm tek unë, por tek të gjithë gazetarët që vërtet kishin pasion gazetarinë sportive.
(Skifter Këlliçi me fotoreporterin sportiv Kadri Mani, 1988)
Vëllimi yt i parë me tregime sportive me titull "Një ndodhi në stadium",(1968) ishte synimi yti i kahershëm për t'u bërë edhe shkrimtar, dhe me këtë libër u bëre edhe lëvruesi i parë i kësaj teme në letërsinë shqiptare?
Po, tregimin e parë me temë sportive e botova në gazetën "Sporti Popullor", por kur e kam lexuar vite më vonë në koleksionin e kësaj gazete, jam llahtarisur... Kaq i dobët më është dukur!.. Por në vitin 1968, pra 10 vjet më vonë, kur tashmë isha 30 vjeç, duke pasur përvojë më të madhe jetësore dhe artistike, ky libër u prit mirë nga lexuesit dhe nga kritika.
Ti e vazhdove këtë dukuri të re në letërsinë shqiptare dhe me vepra të tjera?
Po, por duhet të them se vëllimi i dytë 'Shkallët e murrme", botuar një vit më vonë, nuk shënoi ngritje artistike dhe nuk duhej ta kisha botuar. Ndryshe ndodhi me novelat "Kujtimet e mëhallë së vjetër" për fëmijë" dhe në "Tokë të huaj", ( të dy të botuara në vitin 1969), kjo e fundit, kushtuar vajzave tona të reja që fituan Krosin Ballkanik në vitin 1966, me trajner komentatorin e njohur sportiv Ismet Bellova. Më vjen keq që emri i tij dhe i vajzave të cilave u kisha bërë në hyrje të librit një përkushtim, u hoqën, sepse libri ishte vepër artistike dhe jo dokumentare (!?). I tërhequr gjithnjë nga futbolli, në vitin 1985 së bashku me regjisorin e njohur Gëzim Erebara, shkruam skenarin "Fushë e blertë, fushë e kuqe", sipas romanit tim me të me sportive nga Lufta Nacional Çlirimtare me titull "Shpërthimi".
Është i pari dhe i vetmi film artistik me metrazh të gjatë me temë sportive. Dhe së fundi në vitin 1998 botove edhe romanin "Tirana dy orë para dënimit"...
Po, që i kushtohet përjashtimit mizor të "17 Nëntorit" nga kampionati i vitit 1996-97, kur fitonte këtë kampionat kundër "Partizanit", që ishte edhe skuadra e udhëheqjes komuniste.
Kur ke nisur të komentosh ndeshje futbolli në Radio dhe pastaj në TVSH?
Ëndrra ka qenë e hershme. Kur isha 10-vjeçar hipja mbi kabinën e një kamioni të prishur në rrugën e mëhallës sonë dhe "komentoja" ndeshje futbolli që shokët e mi zhvillonin midis tyre. Në vjeshtë të vitit 1950, 12- vjeçar, në fushën e Shallvares, u njoha për herë të parë me Anton Mazrekun dhe improvizova para tij një komentim. Më përgëzoi. Më tetor të vitit 1959, pra 9 vjet më vonë dhe tashmë gazetar në Radio Tirana bëra një provë të regjistruar në magnetofon gjatë një ndeshjeje futbolli në Stadiumin "Dinamo", të cilën Anton Mazreku dhe shokë të tij në KKFS e miratuan dhe kështu një javë më pas së bashku me Ismet Bellovën komentova ndeshjen finale të Spartakiadës së Parë Kombëtare, "Dinamo" - "Besa" e Kavajës. Ndeshjen e parë në TV e kam komentuar më 6 prill të vitit 1966, "Partizani" - "Dinamo", por vetëm pjesën parë, sepse kamera televizive pësoi defekt.
Pasurimi i gjuhës sportive televizive edhe me figura letrare ishte gjithashtu synim yti i vetëdijshëm?
Ashtu si Anton Mazreku i cili komentimin e parë të një ndeshjeje futbolli në Radio e bëri më 1shtator të vitit 1938 ("Tirana" - "Kavalla" e Greqisë), dhe që atëherë dhe më pas krijoi gjuhën radiofonike sportive, edhe unë jam përpjekur ta pasuroj gjuhën e komenteve sportive na Radio dhe sidomos në Televizion me fjalë të reja dhe shprehje figurative, sepse futbolli, si çdo shfaqje tjetër sportive, është "spektakël".
Cila është ngjarja me madhe sportive që ke komentuar në Radio dhe TVSH?
Në Radio, ajo midis "Partizanit" dhe "Dinamos" në korrik të vitit 1961.Të dyja skuadrat e përfunduan kampionatin me pikë të barabarta, golavarazhi nuk merrej parasysh dhe kështu u zhvillua një ndeshje finale. Me gjithë shtesën ajo u mbyll në barazim, 1-1 dhe kështu u zhvillua një ndeshje tjetër finale, që u përfundoi në minutën e...132-të me një gol të shkëlqyer të Panos. Pra pas 272 minutash...(Domethënë loja do të përfundonte pas shënimit të një goli gjatë shtesës). Në TVSH kam komentuar për dy javë resht, (shtator 1972), Olimpiadën që zhvillohej në Mynih. Së pari më shokë që dinin më mirë se unë italishten, por më pas vetëm, sepse ata u larguan ngaqë nuk njihnin terminologjinë sportive, ngaqë nuk ndiqnin sportet..
Botimi i librit tuaj "Historia e futbollit" pati një histori më vete?
Meqë ishte libri i parë në këtë fushe dhe informacionet për historinë, sidomos të futbollit shqiptar, para Luftës së Dytë Botërore ishin shumë të pakta, po ashtu si dhe informacionet për futbollin botëror, ende pa dalë libri në shitje u zhdukën në shtypshkronjë rreth 1000. Punëtorët e shtypshkronjës u detyruan të mbulonin shumën e parave të 1000 kopjeve. Për fat të keq pas botimit të parë në 10.000 nuk pati botim tjetër dhe libri mbeti shumë i kërkuar.
Përse udhëheqja partiake edhe të vlerësonte për komentet sportive, por edhe nuk mungonin kritikat e saj deri sa një ditë ti u zhduke nga drejtimi i "Rubrikës sportive" në TVSH, të cilën e kishe krijuar në vitin 1970?
Kjo ndodhi për shkak të kahjes sime për të pasuruar gjuhën sportive. Po jap një shembull: Në një koment përdora shprehjen: "Y. me këtë arratisje nga krahu i majtë...". Fjala "arratisje" 'u vrau veshin disave nga udhëheqja e lartë dhe pas disa javësh, meqë vazhdova të përdorja shprehje të tilla edhe kur drejtoja "Rubrikën sportive", me lejuan që komentoja vetëm ndeshje të kampionateve tonë, dhemëhoqën nga drejtimi i saj, sepse u ngjaja komentatorëve italianë.
Kur u largove përgjithjë në Amerikë, a mendove se do të vazhdoje të merreshe me krijimtari në fushën e gazetarisë sportive?
Jo, madje mendova se nuk do të merresha as me krijimtari letrare. Por nuk ndodhi kështu: Thuajse në të gjitha gazetat kryesore shkrova jo vetëm romane, jo vetëm artikuj, analiza me karakter letrar, gjuhësor dhe historik, por edhe cikle për historinë e botërorëve dh evropianëve të futbollit me më shumë se 100m faqe secila, veç fotove.
Si lindi ideja të shkruash librin "Topi nën këmbët e tyre", (Kujtime, analiza dhe tregime sportive), që deri më sot është pa dyshim libri më i mirë me karakter sportiv, sidomos për skicat dhe tregimet me nivel të lartë artistik, disa prej të cilave humoristike, mund të bëjnë pjesë edhe në një antologji të tregimit të sotëm shqiptar?
I kisha kaluar të 80-dhjetat dhe m'u duk e arsyeshme që përvojën time rreth 70-vjeçare si gazetar, komentator, shkrimtar dhe historian i futbollit, ta hidhja në një libër të tillë.
Kjo me siguri është një veprimtari e larmët sportivo-historiko-letrare, që, me sa di, nuk e kanë pasur dhe nuk e kanë komentatorë të huaj, i denjë për librin e rekordeve botërore "Guines"?
Uroj të jetë kështu.
Pas librit "Historia e futbollit" ke botuar dhe dy libra të tjerë?
Po, librin shkencor "Nga 2-3-5,në 4-4-2", (mbi evoluimin e sistemeve taktike të futbollit shqiptar, (1930-1987), dhe "Yjet e futbollit botëror", 1998). Më vjen keq që këtë libër disa nga specialistët e katedrës së futbollit në IKF "Vojo Kushi", bënë ç'është e mundur që të mos botohej dhe në vitin 1995, tre prej tyre në komisionin për dhënien e gradës "doktor", për fat të keq të kryesuar nga Bahri Ishka, të cilin e kam vlerësuar aq shumë në komentimet e mia radio-televizive, kur ishte futbollist i "17 Nëntorit", e hodhën poshtë me ligësi të neveritshme.
Ishka për këtë qëllim futi në përbërje të komisionit të atestimit për të vlerësuar librin tim, dy pedagogë, Agron Kasën dhe Artur Shytin që nuk ishin specialistë të futbollit, në një kohë që në Institutin e Kulturës Fizike 'Vojo Kushi' dhe në FSHF kishte shumë specialistë të mirëfilltë të futbollit. Kështu, dy të mësipërmit me porosi të Ishkës e quajtën librin... të pavlefshëm, duke e mbuluar veten me turp).
Lamë pa përmendur disa nga veprat e tua më të mira në fushën e letërsisë sonë, ndër të cilat romani "Atentat në Paris", për të arritur te romane edhe me temë amerikano-shqiptare "Shtatori i gjëmës së madhe", kushtuar tragjedisë së 11 shtatorit 2001, "C 35 US rënë në tokën shqiptare", që trajton të papriturat që i dolën përpara ekuipazhit të këtij avioni avioni amerikan, që u detyrua në nëntor të vitit 1943 të ulej në Belsh dhe me ndihmën e banorëve edhe në krahina të tjera, t'u shmangej ndjekjeve të pushtuesve gjermanë...
Veç tyre romani im i fundit botuar këtë vit nga Media Printi në Tiranë është "Një grua midis dy burrave', por me temë bashkëkohore amerikano-shqiptare, që është botuar edhe në Amerikwë me titullin "A Woman Between Two Men".
I takon kritikës letrare të merret me shqyrtimin e tyre, në rast se do të vlerësohet prej saj.