Pas gjashtë vitesh jetesë në Beograd si ambasador i Shqipërisë, dhe pas shumë takimesh dhe intervistimesh me personazhe të gjithanshme serbe, shkrimtari dhe përkthyesi Virgjil Muçi arriti në konluzionin se problemi mes shqiptarëve dhe serbëve është dëshira për mosnjohjen e tjetrit.
Gjatë promovimit të librit “Intervistë me armikun”, botimi më i ri i UET Press, i cili sjell tetë intervista me personazhe shumë aktivë në Serbi, Muçi u shpreh se serbët na njohin më pak sesa i njohim ne ata.
“Në këto 30 vjet ne kemi evoluar, kemi qenë më mendjehapur, ndërkohë që një pjesë e mirë e shoqërisë së tyre, për fat jo këta personazhe që kam intervistuar, jetojnë në një botë trashëgimie, jetojnë me mite, mitologji reale. Besojnë në gjëra që me siguri kanë besuar stërgjyshërit e tyre dhe kanë mbetur të ngecur në këtë botë, në këtë optikë. Kjo më bëri të kuptoj që është më e vështirë të çmësosh të vjetrën, sesa të mësosh të renë”, do të shprehej autori.
Virgjil Muçi sjell në libër biseda me shkrimtarë, gazetare, përfaqësues të shoqërisë civile, të tillë si: Filip David, Dragan Velikiç, Boksho Jaksiç, Zorah Hamoviç, Aleksandar Pavloviç, Jelica Miniç, Ivan Çoloviç e Sonja Biserko. Ata rrëfejnë jo vetëm jetën ditë pas dite të Beogradit, shqetësimet qytetare për bjerrjen demografike, mungesën e shpresës te të rinjtë, por tregojnë një qasje të re për shqiptarët, ndryshe nga ajo që na serviret në përditshmëri nga politika.
Autori rrëfeu se personazhet që ka intervistuar i kanë lënë mbresa, për kurajon e tyre qytetare, guximin politik për të thënë atë që mendojnë, duke dalë nga të qenit politikisht korrekt. “Të mos harrojmë se është një shoqëri e njohur për krimet politike, pra t’i duhet ta peshosh mirë atë që do të bësh, por kjo nuk i ka penguar që ata të thonë mendimin e tyre”, theksoi Muçi.
“Nuk është se janë shqiptardashës, jo ata e duan vendin e tyre, por besojnë te një Serbi demokratike, europiane, larg gjithçkaje që e ka fundosur në atë qerthull që ndodhet sot”, shtoi autori.