Shkrimtari Virgjil Muçi në librin e tij më të fundit “Intervistë me armikun”, një botim i shtëpisë botuese më prestigjioze në vend UET-PRESS, risjellë për lexuesin shqiptar një qasje nga brenda të Serbisë dhe Serbëve.
Ky libër me intervista, i nisur në kohën kur Muçi ishte diplomat në Beograd, si humus të tij, ka personazhe që përbëjnë elemente kyçe në shoqëri, duke përjashtuar politikanët që, sipas tij, priren të fshehin më shumë se të thonë.
Ata janë shkrimtarë, botues, gazetarë, publicistë, të cilët, dëshmojnë Serbinë e tyre, me problemet që i dhembin, nga propaganda te korrupsioni, duke kuptuar më në fund se ngjashmëritë mes dy vendeve janë të panumërta.
____________________________
Sonja Biserko
Presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi
TRANZICIONI NË BALLKANIN PERËNDIMOR NJË PROCES I DHIMBSHËM
Portreti virtual që ke krijuar paraprakisht në mendje për Sonja Biserkon, duke e njohur nga larg, përmes shkrimeve, analizave e veprimtarisë si aktiviste e shoqërisë civile, brenda e jashtë Serbisë, thënë troç, nuk ka asgjë të përbashkët me atë real, mbasi je takuar e ke folur kokë më kokë. I pari, virtuali, është i një zonje të sertë, autoritare, teksa i dyti, reali, është i një gruaje të brishtë që flet me një zë të ngrohtë, disi të kadifenjtë, e cila, pas dy-tre batutash, të ngjan si ndonjë e njohur e hershme me të cilën mund të bisedosh lirshëm.
Takohemi në qendër të Beogradit, mbasi kemi folur më parë në telefon, dhe hyjmë në një kafene-librari. Sapo është kthyer nga një udhëtim i largët ndërkontinental dhe më flet për efektin e jet lag-ut të krijuar prej ndryshueshmërisë së zonave kohore. Mbasi shkëmbejmë mendime për valën e refugjatëve nga Lindja e Mesme e përtej (Serbia është ndër vendet tranzit më të prekur prej kësaj krize), përpjekjen e pafrytshme të Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO, si dhe situatën politike e ekonomike në Serbi e në Ballkan, i shpreh dëshirën për ta intervistuar, çka, për kënaqësinë time, ajo e pranon aty për aty.
Virgjil Muçi - Aktualisht duket sikur në të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor mbizotëron një periudhë paqeje dhe stabiliteti, edhe pse këto vende vijojnë të jenë të varfra dhe numri i njerëzve që rreken të largohen në kërkim të një ëndrre që nuk e përjetojnë dot në vendet e tyre mbetet ende i lartë. Si e shpjegoni ju? Mos vallë liderët aktualë kanë një mendësi më të hapur, e cila gjeneron një frymë të re bashkëpunimi nisur edhe nga presioni ose mbështetja e ndërkombëtarëve, BE-së në radhë të parë, apo instinktitet luftënxitëse dhe ato të urrejtjes janë përgjumur përkohësisht për t’u rizgjuar në mënyrë më virulente?
Sonja Biserko - Tranzicioni në Ballkanin Perëndimor është një proces i dhimbshëm, i cili ecën përpara me hapin e kërmillit, duke qenë se ndesh në një rezistencë të fuqishme si te qytetarët ashtu edhe tek elitat politike të këtyre vendeve. Përkundër të gjitha pritshmërive – të cilat do t’i quaja aspak realiste – që vendet e Ballkanit do të shndërroheshin në demokraci të suksesshme pas dy ose tre raunde zgjedhjesh, këto vende janë ende në vështirësi.
Është fakt se, pothuajse, të gjitha këto vende kanë kërkuar të anëtarësohen në BE dhe në NATO. Nisur nga këndvështrimi im, kjo gjë është jetike, ngase e vendos krejt rajonin nën një ombrellë të vetme sigurie dhe hap para tyre rrugët e progresit.
Por, nga ana tjetër, këto vende janë ende larg mëkëmbjes ekonomike: mbi shpinën e tyre rëndojnë privatizimet e kryera nën rrogoz, ndërkohë që qeverisen nga elita të paafta dhe egoiste. Askush prej tyre nuk ka përpunuar një strategji të menduar mirë të zhvillimit ekonomik. Institucionet janë të dobëta, ndërsa klima politike krejt e papërshtatshme për rritjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Të njëjtën gjë mund të themi edhe përsa u përket investimeve të huaja.
Transformimi shoqëror është i ngadaltë, ndërkohë që shoqëritë ballkanike në realitet iu kundërvihen fuqishëm vlerave mbi të cilat ngrihet Bashkimi Europian: ekonomisë së tregut, shtetit ligjor, të drejtave të njeriut, pluralizmit dhe tolerancës. Elitat politike kanë përvetësuar me ngut se si e qysh të manipulojnë median: ato e përdorin median për të krijuar një atmosferë si e si për ta mbytur debatin publik për çfarëdolloj çështjeje. Ndërkohë, në të gjitha vendet e rajonit janë shfaqur tendenca autoritariste. Të gjitha këto dëshmojnë për karakterin e shoqërive ku jetojmë. Duke folur për vendet që u shfaqën pas rënies së ish-Jugosllavisë mund të them se ato janë të mbingarkuara me trashëgiminë e luftrave, çka i zë udhën dhe pengon normalizimin e jetës në rajon.
Po t’i hedhim një sy skenës së madhe do të vëmë re që vendet e Ballkanit Perëndimor përftojnë një farë peshe vetëm po qe se ia dalin të zhvillojnë një bashkëpunim rajonal në të gjitha fushat: ekonomike, kulturore, infrastrukturore etj. Rajoni mund të shndërrohet në një faktor të rëndësishëm në skenën komplekse ndërkombëtare vetëm përmes projekteve të përbashkëta dhe promovimit të politikave rajonale.
V.M. - Gjatë fushatës së Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO dhe antifushatës së Serbisë, ju bëtë një gjest krejt të pazakontë. I shkruat një letër Irina Bokovës ku i kërkonit të mos u vinte veshin personaliteteve politike të vendit tuaj, por të rreshtohej pro anëtarësimit të Kosovës. Pse?
S.B. - Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi ka për t’u arritur vetëm atëherë kur Serbia ta njohë dhe pranojë Kosovën si partner të barabartë. Me fjalë të tjera, vetëm atëherë kur Serbia ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe OKB-në. Fushata e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO ishte e patakt dhe e pakuptimtë, po të kemi parasysh faktin se, herët ose vonë, Kosova ka për t’u anëtarësuar në këtë organizatë. Kjo ishte një fitore si e Piros nga ana e Serbisë, sidomos po t’u hedhim një sy argumenteve të përdorura prej saj gjatë kësaj fushate. Thjesht Serbia po shpenzon energji e kohë. Dhe e gjithë kjo energji e kohë po shkon dëm, duke qenë se lidershipi i saj po dëshmon se është i paaftë për t’u marrë me problemet komplekse në vend.
Sipas pikëpamjes sime, Kosova duhet të anëtarësohet një orë e më parë në të gjitha organizatat ndërkombëtare, ndaj dhe unë kam për ta përkrahur kurdoherë këtë gjë. Për mendimin tim, bashkësia ndërkombëtare është treguar e padrejtë në shumë situata lidhur me Kosovën, vetëm e vetëm për t’i bërë qejfin Beogradit dhe kërkesave të tij aspak realiste. Qytetarët e Serbisë janë mëse të vetëdijshëm se Kosova nuk është më pjesë e Serbisë. E megjithatë, makina propagandistike ka luajtur vazhdimisht me ndjenjat e tyre.
V.M. - Për hir të së vërtetës pati edhe zëra të tjerë kundër, siç qe ai i kryetarit të Akademisë së Shkencave të Serbisë, z. Kostiç që e quajti fakt të kryer pavarësinë e Kosovës. Mendoni se ka një frakturë mes klasës politike serbe, e cila, maxhorancë dhe opozitë, shprehet në unison kundër njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe një pjese të shoqërisë, shkrimtarë, profesorë dhe aktivistë të shoqërisë civile që e shohin si një kapitull të mbyllur çështjen kosovare dhe aq më tepër kthimin e saj brenda kufijve të Serbisë së sotme?
S.B. - Elita serbe e ka kuptuar fare mirë se Kosova është e humbur me kohë. Serbia hyri në luftë me mendimin për t’i zhvendosur kufijtë në drejtim të veriperëndimit – në të vërtetë për të hequr dorë nga Kosova, por, në vend të saj, për të marrë Bosnjën. Dhe fryma e këtij plani mbahet ende e gjallë. Një pjesë e elitës ka kohë që u bie këmbanave për këtë gjë. Nga ana tjetër, ka njerëz që ushqejnë iluzione se kompensimi është ende diçka e mundur. Ndërkohë që kështu nuk bëjnë gjë tjetër veçse shpenzojnë kohën historike të Serbisë.
V.M. - Cilët janë makthet që e mbajnë peng Serbinë e sotme?
S.B. - Duke u nisur nga rrethanat ndërkombëtare shpesh fluide, një pjesë e elitës serbe ka iluzionin se rirregullimet në Ballkan janë të mundshme dhe të realizueshme. Dhe Rusia ua ushqen këtë iluzion. Madje ka analistë rusë që shprehen hapur se çështja ballkanike mund të zgjidhet vetëm përmes angazhimit të Rusisë.
V.M. - Çfarë duhet bërë për t’i demistifikuar shoqëritë ballkanike nga mitet e vjetra dhe të reja?
S.B. - Për hir të një kuptimi më të mirë të proceseve që po kalojnë shoqëritë tona është e domosdoshme që historia të objektivizohet. Pjesa dërrmuese e historianëve në rajon ka nocione romantike për historinë, kështu që fabrikojnë dhe idealizojnë historitë kombëtare. Fakti është se, për shekuj të tërë, vendet e rajonit kanë qenë pjesë e dy perandorive të mëdha – dhe ky është realiteti ynë.
V.M. - Në një analizë tuajën mjaft interesante për ngjarjet në rajon ju flisni për depërtimin e “soft poëer”-it rus në Serbi, por edhe më gjerë. A mund të na thoni, ku dhe si po ndodh ky depërtim? Dhe cilat mund të jenë pasojat për vendet e rajonit?
S.B. - Duke folur për soft poëer-in në përgjithësi duhet thënë se, në vitin 2014, Rusia bëri një kthesë të jashtëzakonshme dhe e vendosi median në krye të listës së prioriteteve të veta. Tri prej kompanive mediatike tradicionale – Russia Today, agjencia e lajmeve RIA dhe Voice of Russia – u morën dhe u vendosën nën të njëjtën ombrellë, konglomeratin Russia Today /RT/.
Nga pikëpamja e doktrinës së soft poëer-it ndjenjat pro-ruse të pjesës më të madhe të qytetarëve të Serbisë janë ndoshta gjëja më e rëndësishme. Serbia ende luhatet lidhur me përcaktimet e veta gjeostrategjike, edhe pse është e orientuar kah BE-ja, formalisht dhe ekzistencialisht. Për shkak të një blloku konservator pro-rus me mjaft influencë – duke nisur nga Kisha Ortodokse Serbe, Serbia e Tretë, Partia e Popullit Serb, DSS etj., për të mbërritur te rrethet shkencore, kulturore dhe mediatike – janë të shumtë ata analistë që flasin për “rusizimin e kombit serb”.
Si një pikë madhore strategjike e politikës së Kremlinit në Europë, Serbia ngjan të jetë stacioni më i pëlqyer eksperimental i fuqisë në rritje të Rusisë, aq më tepër që Rusia është pozicionuar tanimë në të. Nga ky këndvështrim, Rusia po e përdor Serbinë në konfrontimin e vet me Perëndimin. Për fat të keq, elitat tona e perceptojnë këtë gjë si rol strategjik të Serbisë.
V.M. - A mendoni se ka një populizëm në rritje tek udhëheqësit politikë në rajon e më gjerë dhe çfarë mund të sjellë kjo në jetën e shoqërive ballkanike?
S.B. - Deficitet në demokraci, pluralizëm, si dhe në mendimin kritik zakonisht i hapin dyert populizmit. Serbia ka tridhjetë vjet që jeton në këtë atmosferë. Duke qenë se shoqëritë tona nuk e kanë të zhvilluar kulturën e dialogut, ka qenë përherë e lehtë për t’ua hedhur fajin armiqve, në vend ose jashtë, sa herë që ka pasur kriza. Pikërisht këta janë mekanizmat mbi të cilët mbështetet populizmi – mekanizmat e ngjalljes së frikës dhe të ndjesisë së rrezikut.
V.M. - Kush mendoni se është armiku numër një i shqiptarëve dhe i serbëve në kohën që po jetojmë?
S.B. - As serbët, as shqiptarët nuk kanë armiq për vdekje. Unë do të thosha se ata janë armiqtë e vetvetes, duke qenë se kanë elita të papërgjegjshme që mendojnë e punojnë më fort për vete sesa për interesat e qytetarëve. Kështu që ka për t’u dashur durim historik për të kultivuar një brez të ri udhëheqësish, të cilët të jenë të përkushtuar e në shërbim të qytetarëve dhe jo anasjelltas.
V.M. - A thoni kultura në të gjitha format e shfaqjes së saj mund të jetë një antidot i së keqes?
S.B. - Kultura mund të luajë një rol jetik në mobilizimin e shoqërisë për të kryer reforma radikale. Për fat të keq në vendet tona pak vëmendje i kushtohet kulturës, ndërkohë që nouveaux riches s’kanë ndër mend të investojnë në të. Ajo çka mbështetet te ne është kultura folklorike. Dhe për këtë arsye kultura ende nuk është shndërruar në një fuqi lëvizëse të zhvillimit shoqëror.
Dhjetor 2015