Letërsi

Ilir Ikonomi sjell në një dokumentar ëndrrën e Fan Nolit, bazuar në librin biografik “Apostulli”

Shkruar nga Liberale

Ilir Ikonomi sjell në një dokumentar ëndrrën e Fan Nolit,

“'Apostulli' flet për një histori që është e lehtë të shndërrohet në një skenar filmi.” Kështu  shprehet studiuesi Ilir Ikonomi, realizuesi i dokumentarit “Ëndrra e Fan Nolit”, i cili do ta ketë premierën më 31 maj në Katedralen e Shën Gjergjit, gjatë Festivalit të Filmit “Noli”.

I bazuar në librin “Apostulli”, vëllimi i parë i biografisë së një prej figurave poliedrike të historisë sonë, botuar nga UET Press, Ikonomi ka përzgjedhur momentet kyçe të rrugëtimit të Fan Nolit në Amerikë.

“Për ata që nuk duan t'i hyjnë leximit të një libri voluminoz është gjithnjë më e lehtë të shohin një përmbledhje të treguar në formë dokumentari”, shprehet ai.

Dokumentari nis me mbërritjen e Nolit në New York mëngjesin e 31 majit të 1906, pas 16 ditësh udhëtim nga Aleksandria e Egjiptit, dhe shtrihet deri në vitin 1920, kur vendosi të vinte në Shqipëri për të luftuar në një kishë të pavarur dhe për të marrë pjesë në jetën politike.

Ilir Ikonomi sjell në një dokumentar ëndrrën e Fan Nolit,

Janë katërmbëdhjetë vite jetë të treguara në 18 minuta ekranizim, nëpërmjet zërit dhe dokumenteve që Ikonomi i ka gjetur në arkivat e ndryshme shqiptare dhe të huaja, të mbledhura gjatë shkrimit të librit.

Mund të perceptohet si periudhë e shkurtër kohore, por për Nolin ishin vite të vrullshme, vite të zhvillimeve të mëdha që i shtruan rrugën e së ardhmes, hodhën themelet e figurës së politikanit, kishtarit, përkthyesit dhe gdhendën inicialet e tij në historinë shqiptare.

Nga puna në sharrë, te gazeta “Kombi”, shoqëria “Besa-Besën”, dorëzimi si prift në moshën 26-vjeçare, dy vite pasi kishte mbërritur në SHBA, e deri te diplomimi në Harvard. Është një ngjitje e shpejtë e Nolit ambicioz, inteligjent dhe me mision të përcaktuar qartë nga atdhetarët e Egjiptit, të cilët donin që ai të bëhej drejtues i shqiptarëve të Amerikës, ashtu siç dhe ndodhi me shoqatën “Vatra”.

Kjo nuk është sprova e parë e Ikonomit në këtë zhanër. Më 2016 ka realizuar një dokumentar të gjatë për Shkodrën, i cili vijon të shfaqet në një nga platformat digjitale në Shqipëri. “Është një lloj pasioni i imi”, tregon autori i disa prej biografive më të vlerësuara nga kritika, për figura kyçe të historisë së Shqipërisë, si: Ismail Qemali, Esat Pashë Toptani, Faik Konica, të sjella nën dritën e fakteve dhe dokumenteve të pazbuluara më parë.

E tillë ishte edhe biografia e Fan Nolit, për të cilin iu deshën shumë vite punë në arkivat shqiptare, europiane dhe amerikane, duke shpërfaqur dimensione të panjohura të këtij veprimtari, përmes gjurmëve të mbetura nga historia.

Ilir Ikonomi sjell në një dokumentar ëndrrën e Fan Nolit,

Dokumentari “Ëndrra e Fan Nolit” do të shfaqet në nisje të festivalit të parë shqiptar që organizohet në SHBA, me producentë Erand Sojli dhe Bujar Alimani. Gjatë tri ditëve, 31-2 qershor, do të paraqiten 8 filma artistikë, 7 me metrazh të shkurtër, 5 dokumentarë dhe 3 vizatimorë. Më tej “Ëndrra e Fan Nolit” do të udhëtojë në Toronto, më 8 qershor, e më pas do të jetë i aksesueshëm për të gjithë dashamirësit e krijimtarisë së Ikonomit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH