Nga prof. asoc. Panajot Barka*
Besoj se për Universitetin “Eqrem Çabej” dita e sotme, përveçse sinjifikative, d.m.th. ogur i mirë për punët e tij në këtë vit të ri, është edhe e rëndësishme për nga përmasat e personalitetit që i kushtohet.
Me argument promovimin e një prej veprave të shumta letrare të Preç Zogajt, ose të një përmbledhjeje të tij poetike, na u dha mundësia të kemi mes nesh dhe vet atë, si një nga figurat me të spikatura të intelektualizmit modern shqiptar.
Në këtë kuptim, ne duam të falënderojmë zotin Zogaj dhe miqtë e tij në qytetin e ngurtë që zgjodhën universitetin tonë për këtë veprimtari, ashtu si edhe autoritetet e universitetit, FESHSH dhe Departamentin e Gjuhës Shqipe dhe të Letërsisë, që me aq gatishmëri e ngrohtësi, e morën përsipër organizimin dhe zhvillimin e veprimtarisë.
Roli i moderatorit të privon në përgjithësi nga e drejta për të marrë pjesë në diskursin e veprimtarisë. Unë, ndoshta edhe duke ju kërkuar ndjesë, ndjehem i detyruar nga një motivim i brendshëm, ta shkel këtë rregull të pashkruar.
Preç Zogaj ne arealin e kulturës, shoqërisë civile dhe të politikës së vendit mund të konsiderohet pa frikë një personalitet, ose me saktë, një institucion intelektual që mishëron humanizmin, tolerancën, përparimin dhe vokacionin e së ardhmes së aspiruar. Përbën një pikë referimi me rendësi të asaj elite, fatkeqësisht të munguar, që i duhet vendit për një shoqëri të kulturuar, një demokraci të zhvilluar, të përparuar e të konsoliduar.
Por, në një aspekt më të gjerë, historik e filozofik, Preç Zogaj përjeton fatin e njeriut të tepërt në shoqëri, me ndryshimin se shoqëria, sidomos sfera e saj politike që e asfikson lirinë shoqërore, përpiqet të abuzojë me tolerancën dhe kompromiset e veta ndaj të tretëve në favor të misionit të tij intelektual, me qëllim komprometimin e tij dhe kthimin, si e të gjitha vlerave të tjera intelektuale dhe shoqërore në vend, në pronë të pushtetarëve dhe shtetarëve, në një ingranazh të dekadencës në rënie të lirë të kësaj shoqërie.
Zoti Zogaj, si rrallë kush, i kundërvihet këtij realiteti marrëdhëniesh me prodhimin e vlerave të reja të pakompromentueshme, por që, fatkeqësisht, e bëjnë atë të përjetojë këtë proces si një dramë të pafund, të vetin dhe të gjithë shoqërisë.
Jeta intelektuale e Preç Zogaj lëviz në dy kolona shumëdamarshe. Njëra është ajo e prodhimit shpirtëror, letrar. Në 40 vjet krijimtari ka botuar 11 vëllime me poezi, tri vëllime me tregime dhe po aq me novela, dhe gjashtë romane. Disa nga vepra e tij patën sukses dhe në gjuhët e huaja ku janë përkthyer.
Kolona e dytë përbëhet prej kontributesh politike, shoqërore, publicistike, gazetareske, aktivist kalibri me pjesëmarrje të gjerë në jetën shoqërore e civile të vendit. Dy herë deputet dhe po aq ministër, këshilltar politik i Presidentit të Republikës, themelues i dy partive politike dhe nismëtar dhe drejtues i disa prej gazetave dhe mediave më në zë në vendin tonë, autor i disa librave publicistikë, eseistikë e politikë, drejtues institutesh politike e civile, eksponent i dëshiruar dhe i spikatur e paneleve në emisionet opinionbërëse më në zë në vend.
Në pamjen e parë duket sikur këto dy kolona janë të mëvetësishme. Po! Kjo është e vërtetë kur veprën intelektuale të Preç Zogaj e trajton si qëllim në vetvete, ose në mënyrë sipërfaqësore. Është gjithashtu e vërtetë se ai vetë nuk ngatërron qëllimshëm përmbajtësinë e tyre. Por, ajo që ndodh vijueshëm dhe në mënyrë dialektike e evolutive me vlerat në veprimtarinë krijuese të Preç Zogajt, shpirti lirik, dashuria për njeriun, për jetën, miqësia, dhembshuria, sensibiliteti etj., përshkojnë gjithë spektrin përmbajtësor dhe të kolonës së dytë.
Kjo ngjizje mishëron tiparet dhe vlerat intelektuale të Preçit, humanizmin, iluminizmin, tolerancën, aspiratën demokratike, dashurinë, miqësinë, bashkëjetesën, bashkëpunimin, përparimin, angazhimin kundër së keqes që helmon individin, familjen, shoqërinë, kundër veseve që zvetënojnë horizontin dhe të ardhmen, kundër korrupsionit që gërryen demokracinë. Dhe Preçi mbetet i pakompromentueshëm me tolerancë zero në lejimin e cenimit të tyre nga prozaizmi banal, makiavelizmi dhe interesi makut i sferës politike.
Argumenti që na mblodhi sot këtu, përmbledhja poetike 40 vjeçare e Preç Zogajt, përbën gjithashtu një impenjim moral e intelektual për të qenë pjesë e diskutimit, qoftë dhe në mënyrë skematike.
Për mua, nuk mjafton konstatimi se është rasti i rrallë për një përmbledhje të tillë 40 vjet krijimtari të një autori, me 11 vëllime poetike, me 500 poezi, por është i rëndësishëm fakti se pas këtij volumi krijues në kohë evidentohet graviteti në rritje poetike dhe estetike të poetit. Përvijohet udhëtimi i një konfirmimi të plotë i vendit të nderit që Preçi zë në letrat moderne shqiptare. Në një takim të hershëm me Kadarenë pyetjes se përse pas vëllimit poetik “Koha”, ai nuk solli një vëllim tjetër, Kadare iu përgjigj se në poezi është vështirë kapërcimi i një niveli të arritur. Kjo nuk ndodh me poetin Preç Zogaj. Ai kapërcen çdo stekë sado të lartë krijimi në një proces përsosjeje të vetës dhe në një ballafaqim cilësor me poezinë e kohës.
Dhe kjo ndodh. Mendoj se poeti ynë është një qenie intelektuale, gatuar me ide, vizione, imazhe, meditime të një kozmosi të jashtëzakonshëm, mbështjellë në thjeshtësi deri në dhimbje, që di të presë momentin mbresëlënës për t i kthyer ato në materie poetike dhe jetësore. Ajo që për një sy të zakonshëm është e zakonshme, për poetin është detaji viziv dhe shpirtëror që shndërrohen në kumt estetik e poetik me përmbajtje filozofike. Befasohesh dhe ndërgjegjësohesh për diferencën që krijon realizmi lirik i poetit në konceptimin e natyrës, të jetës, të marrëdhënieve njerëzore dhe nga përmasat shumëdimensionale që ky realizëm u jep atyre.
Kjo qasje në lirikat e Preçit shpalosin dhe misionin e poezisë së tij në gjithëkohësinë dhe mbikohësinë e saj, në plazmimin shpirtëror të bashkëkohësit dhe të pasardhësit. Shpalosin njëkohësisht nevojën e përbashkët për katharsisis, devizë që Preçi e zgjodhi si kryetitull të këtij vëllimi, “NË ÇDO PASEYRË NA SHEH MËKATI”.
Kështu, ato nuk të çojnë thjesht në qoshen e menditimit pasiv, por të yshtin për reagim e veprim, zgjojnë ambicie pozitive që për një arsye apo një tjetër, ti i mbaje të margjinalizuara në tisin e ndërgjegjes apo akoma më thellë në nënndërgjegjen.
Gjuha thjeshtësisht e kuptueshme fiton sqimë estetike në saj të krijimit me të të metaforave, metonimive e sinekdokave befasuese. Në dukje ato shfaqen si dëshirë formaliste apo manieriste, por që sjellin butësisht qasje surrealiste, interprete të kërkesave për të provuar ekzistencën, jo vetëm të unit poetik por dhe të lexuesit. Në mënyrë shumë të natyrshme poeti aplikon suksesshëm në lirikat e tij boshtet strukturaliste në krijim. Eufoninë tingullore të fjalëve në boshtin vertikal dhe të sintaksit poetik në atë horizontal.
Lirikat e Preçit janë shkruar në dy kohë, diametralisht të kundërta politike. Kur lexon ato të para viteve ’90-të, harron se u shkruan në epikën e hekurt të realizimit socialist.
Bie në sy gjithashtu që në vitet e fundit para rënies së komunizmit ka një denduri të shtuar krijimesh, të cilat përveç lirizmit të njohur, evidentohet dukshëm atë që Gëzim Basha e cilëson si tension poetik, që në fakt shprehin tensionet e padukshme të real politikës së kohës. Por, më shumë evidentohen elementë të fenomeneve shoqërore të së ardhmes së afërt që do të gërryejnë familjen dhe shoqërinë shqiptare si veçori dalluese.
Me që përmenden e emrin e zotit Basha, dua ta mbyll duke thënë se, një vlerë e shtuar për këtë botim të UETPRSS-it me poezi të zgjedhura nga krijimtaria poetike 40-vjeçare e Preç Zogajt, përbën dhe parathënia e librit. Bëhet fjalë për një angazhim intelektual të profesorit të shkrimit akademik, Gezim Basha, e cila përbën një model të cilësuar vlerësimi të një vepre letrare, që i krijoi mundësi integruese veprës me procese kritike e krijuese ndërkombëtare. Faleminderit zoti Basha!
Faleminderit edhe ju që kishit mirësinë për të më dëgjuar.
*Fjala e plotë e profesor Panajot Barkas në Universitetin "Eqrem Çabej" gjatç promovimit të përmbledhjes "Në çdo pasqyrë na sheh mëkati" të poetit Preç Zogaj, botim i UET Press