- Fjala në promovimin e vëllimit poetik “Shi me baltë” të Mero Bazes, botim i UET Press-
Pata rastin ta lexoj para se të shkonte në shtyp këtë vëllim me poezi dhe ta shijoj si një prurje cilësore të një shkolle poetike që më ka qenë bërë e dashur që në moshë të re kur me poetin dhe mikun tim Ilirian Zhupa shkëmbenim si “kredeciale” poetike poezitë e “markës” së dy lumenjve, të Vjosës ai dhe të Drinit unë, duke përfshirë në këtë shkëmbim jo vetëm poezitë tona, po edhe të poetëve të tjerë të trevave përkatëse. Për rrjedhim duke dhënë e marrë nga njëri- tjetri, aq sa Ilriani të ndihej edhe i shkollës së Lezhës, unë edhe i Tepelenës.
Fjala “shkollë” përmendet këtu për të adresuar një vendndodhje, një mënyre të shkruari, por siç e thotë Borhes “vargu i mirë e humbet shkollën”. Nga kjo pikëpamje, në pjesën më të madhe të poezive, vëllimi “Shi me baltë” i Mero Mazes, një titull poetik domethënës, sintetizues i një epoke, i përket mbi të gjitha e parasëgjithash shkollës së poezisë.
Poezitë e këtij vëllimi e meritojnë leximin, e shpërblejnë kohën që u jepet, e kënaqin shijen me stofin estetik, me figuracionin e pasur, me gjetjet e shpeshta, shpeshherë e befasuese, me tastierën e pasur të ndjesive të holla në lidhje të ngushtë me përjetimet jetësore të autorit.
Tematika dhe mënyra e trajtimit të tyre të kujton një thënie të poetit amerikan R. Prost, sipas të cilit poezia në thelbin e vet është një mënyrë për të mbajtur mend ato sende, ngjarje, imazhe dhe tinguj, harresa e të cilave do të na varfëronte pa masë. Thënie së cilës i përgjigjet pohimi i Ilirianit në parathënien e bukur për “ Shi me baltë”, kur nënvizon se poezia, kjo gjë “e vogël” dhe naive, e brishta, e buta, e lehta, kur është e njëmendtë si në këtë libër, na çon të prekim e të ndiejmë thelbin e qënies njerëzore.
Falë leximeve, i çliruar nga padurimi i një poeti që lufton me kohën për afirmim, autori Mero Baze ka krijuar një regjistër dhe filtër esetik që seleksionon e lë mënjanë gjithë çfarë mund të ishte banale.
Duke shkuar larg në publicistikë, autori-poet, në këtë pikëpjekje, i kthen si borxh poezisë nga është nisur mençurinë e kalitur në arenë. Ai shkruan me një zemër inteligjente, sipas shprehjes së njohur të eseistit të shquar franko-gjerman Alen Finkielkraut.
Nëse dikush në këtë sallë na njeh si poetë Rudolf Markun, Ilirian Zhupën dhe mua, kam kënaqësinë që edhe në emrin e tyre t'i them Meros “Mirë se erdhe në klub”.