Letërsi

Fituesi i Çmimit Kadare për 2018 në short list për Çmimin Letrar Giuseppe Acerbi

Shkruar nga Liberale

Fituesi i Çmimit Kadare për 2018 në short list për

Romani “Piramida e Shpirtrave” me të cilin shkrimtari Virgjil Muçi fitoi Çmimin Kadare për vitin 2018 është në short list për Çmimin Letrar Letterario Giuseppe Acerbi.

I përkthyer në gjuhën italiane si “La Piramide degli Spiriti” nga Adriana Prizreni dhe botuar nga Beca Muci Editore, ky roman i autorit të njohur shqiptar është pretendent në këtë edicion të 32-të të Çmimit Giuseppe Acerbi, i themeluar në shpirtin e Europës së re dhe shembjes së kufijve.

Shqipëria është protagoniste e plotë në këtë edicion, treshja finaliste përbëhet nga shkrimtarë shqiptarë. Bashkë me romanin e Virgjil Muçit është “Flama” e autorit Tom Kuka – emri i penës së Enkel Demit- botuar po nga Besa Muci Editore dhe autores Anilda Ibrahimi me “Volevo essere Madame Bovary”, botuar nga Einaudi.

Juria pritet të shpallë fituesin më 17 korrik.
Romani “Piramida e Shpirtrave”, që prej botimit në Itali më 2019, ka pasur jehonë te lexuesi i vendit fqinj, i cili njihet me Shqipërinë përmes rrëfimit ironik të autorit.
Romani rrëfen historinë e Mark Marës, një menaxheri shqiptaro-amerikan i cili mbasi ka kryer një sërë veprash të paligjshme në Amerikë, për të cilat i është dashur edhe të kryejë dënimin me burg, vendos të kthehet në Shqipëri, vendin e origjinës, me synimin për të vazhduar jetën i shpenguar.

Me nota ironike autori paraqet problematikat që lidhen me një komb i cili ka qenë në qendër të vëmendjes për kompleksitetin e kushteve ekonomike, sociale dhe politike që e kanë karakterizuar në kohë dhe që edhe sot e kësaj dite, në disa aspekte, janë burim i konsiderueshëm shqetësimi.

Më 2022-shin Muçi vendosi t’i vijë lexuesit me një tjetër roman BU- Si nuk u bëra anëtar i Bibliotekës Universale” - një alegori politike mbi zvarritjen e gjatë të proceseve integruese në Bashkimin Europian – ndërsa këtë vit, po me UET PRESS sjell një libër të ri publicistik.

Si fitues i edicionit të tretë, Muçi është shprehur se Çmimi Kadare është një institucion në Republikën e letrave shqipe, ndërsa ky konkurs i prozës mbarë shqiptare, në të gjitha trojet por edhe në diasporë, po merr jehonë edhe në Europë, ndërsa Muçi është i përzgjedhur në treshen finale për Çmimin Acerbi. Pak ditë më parë, Instituti Liberal Pashko shpalli fitues të Çmimit Kadare 2024 autorin e ri Dionis Prifti me romanin “Dy javë nën balonë".

Fituesi i Çmimit Kadare për 2018 në short list për

Çmimi Letrar Giuseppe Acerbi, në frymën e Europës së re dhe shembjes së kufijve, synon të propozojë në mënyrë ideale rrugëtimin e dijes dhe takimin me popujt e tjerë nëpërmjet instrumentit të letërsisë.Prandaj, institucioni i Çmimit nuk synon vetëm të kujtojë bashkëqytetarin e shquar, por mbi të gjitha “të zbatojë nisma për të nxitur integrimin dhe njohjen e popujve”.

Bashkia e Castel Goffredo ka deleguar, me një marrëveshje specifike të miratuar nga Këshilli Bashkiak, menaxhimin e Çmimit Shoqatës Giuseppe Acerbi, e krijuar në vitin 2001.
Statuti i Shoqatës Giuseppe Acerbi në fakt përfshin frymën, objektivat dhe vlerat e tolerancës, njohurive dhe kureshtjes shkencore, të cilat u shprehën aq mirë në shkrimet e Acerbit dhe janë shumë aktuale edhe sot.
Në vitin 2024, Çmimi do të vizitojë Shqipërinë, jo vetëm përmes letërsisë, por edhe përmes konferencave të ndryshme historike dhe me një udhëtim që do të zhvillohet menjëherë pas verës.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH