Letërsi

“Dy javë nën balonë”, romani fitues i Çmimit Letrar Kadare që u frymëzua nga një pikturë e vitit 1882

Shkruar nga Liberale

“Dy javë nën balonë”, romani fitues i Çmimit

Kopertina e librit të sapo botuar të autorit të ri Dionis Prifti, “Dy javë nën balonë”, i cili u shpall fitues i Çmimit Kadare 2024, përmban një pikturë të piktorit simbolist francez, Odilon Redon. “Syri si një balonë e çuditshme ngjitet drejt pafundësisë”, realizuar në vitin 1882, i dha indicien autorit për të shkruar romanin, që ashtu si piktura rrëfen një ngjarje surrealiste.

Në qytetin imagjinar Morpia ngrihet një balonë misterioze që ka pamjen e një syri njeriu. Në fillim të gjithë mendojnë se është një lojë, por më pas qepalla e syrit mbyllet e hapet, dhe kuptohet se është një sy i gjallë. Romani përshkruan përjetimin e banorëve të Morpias përgjatë dy javëve që vëzhgojnë ngritjen e balonës-sy.

Kjo nuk është piktura e vetme që ka inspiruar autorin. Në paragrafë të ndryshëm të librit ka pasazhe të frymëzuara nga veprat e pikorëve të njohur të surrealizmit, simbolizmit, apo impresionizmit.

Gjatë intervistës për emisionin “ArtKand” në Top Channel, Dionis Prifti rrëfen dëshirën e tij për të eksploruar me fusha të ndryshme të artit e për t’i vendosur pastaj në funksion të njërës, për të përcjellë në këtë formë mesazhe të caktuara.

Si është të ndërthurësh artin pamor me letërsinë, ose disa arte në një?

Unë këtë jam përpjekur ta bëj gjithmonë, pasi gjatë gjithë kohës marr inspirime jo vetëm nga letërsia, por nga piktura, nga muzika e të tjera me radhë. Kjo pikturë ishte idicia për të menduar se çfarë do të ndodhte nëse ky sy i çuditshëm, në formën e një balone do të ngrihej në një qytet imagjinar, si do ta përjetonin gjithë njerëzit dhe çfarë fenomenesh do ta ndiqnin ngjarjen.

Gjithashtu, diçka që më pëlqeu është piktura e Odilon Redon, një piktor francez që unë e kam shumë qejf, që ka luajtur me shumë rryma të ndryshme të pikturave, i cili ia kishte kushtuar si një homazh një shkrimtari amerikan Edgar Allan Poe. M’u duk interesante që t’i bëja një homazh kësaj pikture. Pastaj se çfarë vijon në brendësi të romanit, nuk ka shumë lidhje me pikturën, por mund të them se ka edhe piktura të tjera që gjenden si pasazhe të fshehura brenda paragrafeve që i kam të inspiruara nga pikturat, siç mund të jetë Giorgio de Chirico, një piktor italian, ose Magritte.

Cilët janë autorët e tu të preferuar në artin pamor?

Gjatë gjithë njohjes sime më çdo lloja arti, jo vetëm me atë pamor, kam filluar me modernistët, ose surrealistët. E njëjta gjë edhe për pikturën. Gjatë gjithë kohës më ka pëlqyer surrealizmi, Dali ishte kryesori. Më pas kam zbuluar shumë të tjerë, simbolistë apo impresionistë: Redon ndër ta, Arnold Bocklin që është një piktor zviceran shumë interesant, i cili ka një pikturë “Ishulli i të vdekurit”.

Një djalë me kulturë të gjerë, po aktualisht i je dedikuar letërsisë, është kjo kryefjala jote.

Letërsisë edhe filmit. Sapo kam mbaruar një master të dytë për film dhe regji. Përmes filmit bëj lidhjen e imazhit me të shkruarin, me letërsinë.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH