Letërsi

DORËSHKRIM/ Botim i UET-Press- Mustafa Nano: Ju tregoj gazetarin pa shkollë të lartë që bëri zap kryeministrin e vendit

Shkruar nga Liberale
DORËSHKRIM/ Botim i UET-Press- Mustafa Nano: Ju tregoj gazetarin pa

Në librin e tij me profile, me titull “Si e kam njohur...”, gazetari Mustafa Nano shkruan Enrico Mentana duket nga ata që mund të tërhiqen prej hunde. Thjesht duket amá. Sepse në të vërtetë është nga ata që nuk të hap rrugë kollaj. Më kujtohet Berlusconi kur ishte njëherë në programin e tij, Matrix. Kishte shkuar atje me mendjen që të bënte si zot shtëpie (programi ishte në televizionin e tij, Canale Cinque), por në fund kuptoi se hesapet i kishte bërë pa hanxhiun. Mentana ia vuri kufirin te thana. Dhe atij i iku zari.

_________________________________________

Enrico Mentana ka ardhur në Tiranë përpara Bruno Vespa-s. E ftoi Sokol Balla, që atëmot ishte gazetari më i rëndësishëm i televizionit Top Channel: Ishte drejtor i informacionit dhe moderonte programin e tij Top Story. Me fjalë të tjera, ishte Enrico Mentana i Shqipërisë. Ashtu si Top Channel ishte Canale Cinque i Shqipërisë. Televizioni Top Channel kishte hyrë në tregun televiziv shqiptar plot bujë, dhe “shpikësit” të tij, Dritan Hoxhës, ia kishte qejfi ta krahasonte me Mediaset-in e Berlusconi-t. Kjo ishte edhe një mënyrë për ta barabitur veten me manjatin e famshëm italian. Ky i fundit bëri një revolucion të madh në televizionin e përtej Adriatikut, dhe Tani i Topit, një italofil i çakërdisur, donte të bënte të njëjtin revolucion në botën televizive shqiptare. Dhe e bëri.

Projekti ishte i njëjti: bazohu tek teknologjitë e reja, te moshat e reja, tek një model i ri informacioni e argëtimi, etj, etj.; shkurt krijo një televizion alternativ. Tani i Top-it donte të krijonte nga hiçi në Tiranë një Maurizio Costanzo, një Gerry Scotti, një Ambra Angiolini, një Giorgio Mastrota, një Enrico Papi, e kështu me radhë. Dhe në një farë mënyre i krijoi. Të vetmin që e mori të bërë ishte Sokol Balla. Si për ta shtrirë ngjashmërinë deri në fund, edhe Enrico Mentana ishte një i ardhur në Canale Cinque. Nuk është se thjesht ishte formuar gjetkë. Punët ishin “më keq” sesa kaq. Ishte formuar në RAI, që ishte e kundërta e çdo gjëje që Mediaset-i përfaqësonte. RAI ishte the nemesis. E megjithatë, Enrico Mentana nuk gjeti vështirësi për t’u aklimatizuar. U duk menjëherë sikur të ishte në shtëpinë e vet. Sikur të ishte prerë për Mediaset-in. Si shpjegohet kjo? Besoj se lidhet me duktilitetin e tij, apo për ta thënë me fjalë shqipe, me aftësinë apo gatishmërinë e tij për të marrë formën e enës ku e hedhin. Ai është personazh për të gjitha stinët, për të gjitha vendet. Mantenendo la schiena dritta, però. Është e rëndësishme kjo që sapo thashë. Ai ishte gazetar që kishte respekt për veten. Nga RAI UNO u largua për shkak të një konflikti me Bettino Craxi-n, i cili i kërkoi Mentana-s fytyrën për një spot zgjedhor. Në fakt, konflikti ishte me drejtuesit e televizionit, të cilët Craxi i kishte kanakarët e vet. I kishte emëruar në pozicione kyçe që t’i shërbenin. Mentana, ndonëse ishte i majtë, ashtu si dhe Craxi, iu tha atyre: “Jo, fytyrën time nuk ia jap asnjë partie.” Gjë e guximshme, s’ke ç’i thua. Kush e njeh Italinë e vitit 1987, kur Bettino Craxi-t i priste shpata nga të gjitha anët (ishte ende kryeministër), e di mirë sesa e vështirë ishte të punoje në kanalin më të rëndësishëm të RAI-t e të mos plotësoje një tekë të pushtetit. Ishte si të luaje me zjarrin. Por Mentana e bëri. Dhe nuk ishte hera e fundit. Ishte thjesht hera e parë. Kur Berlusconi iu fut politikës, i madhi Indro Montanelli, që drejtonte një gazetë të financuar nga ai (Il Giornale), nuk pranoi të ndryshonte linjën editoriale e ta vinte gazetën në shërbim të partisë së re të “pronarit të vet”. I ndodhur nën presion, e la drejtimin e gazetës. I pari që e dha lajmin, madje edhe duke e intervistuar gazetarin e famshëm në ditarin e lajmeve në Canale Cinque, ishte Enrico Mentana. Si të donte ta pickonte ca më shumë shefin e tij, nuk u mjaftua me kaq. Dha edhe një qëndrim të tijin në atë edicion lajmesh. “Presioni që u ushtrua mbi Montanelli-n është krejt i padrejtë,” tha, duke ia cingërisur nervat të gjithë konservatorëve. Edhe Giuliano Ferrara-s. Ky i fundit i kërkoi Mentana-s të largohej prej televizionit Canale Cinque. I kërkoi edhe Berlusconi-t ta pushonte. Por ndodhi e kundërta. Berlusconi, ndonëse e kishte halë në sy, e konfirmoi në detyrë. Arsyeja kuptohet. Donte të dilte në dritë si një botues zemërmadh që vinte në plan të parë dinjitetin e e lirinë e gazetarëve, e jo interesin e tij. Ai ishte dhelpër. Dinte të përfitonte edhe në situata të disfavorshme. Në këtë kuptim, Mentana i bëri një nder. Unë ia njihja këto bëma Mentana-s. Dhe e çmoja për këtë. Mbaj mend që, gjatë vizitës së tij në Tiranë, pas regjistrimit të intervistës në studion e Ballës, u organizua një darkë. Isha i ftuar edhe unë që, në atë kohë, isha bashkëpunëtor i Top-it. Kam bërë me të, në atë rast, një bisedë mbi lirinë gazetareske. Dhe ai nuk është se luajti rolin e gazetarit që është absolutisht i lirë, e që nuk varet nga askush. Nuk përmendi, gjithashtu, me mburrje trimëritë e veta. Tha pak a shumë se diskutimi mbi lirinë e gazetarëve është shumë kompleks, se presionet janë aty, rrotull nesh, pranë nesh, dhe ne, gazetarët, duhet të përballemi me to. “Ti Muç je më i lirë se Mentana,” më tha në bisedë e sipër Kel Joti, që ishte drejtori i Top Channel-it, dhe me këtë shprehu një si maraz mbi një konflikt që kishim pasur. Ata të Top-it nuk kishin dashur që unë të ftoja në Déjà Vu një person të caktuar, dhe unë, në stilin e Mentana-s, ua kisha prerë shkurt: “Se kush hyn në studion time, këtë e vendos unë.” Mentana e mori literalisht ndërhyrjen e Jotit, dhe u bë kureshtar. Por pata kohë e mundësi ta sqaroja (pa i përmendur “trimërinë” time, kuptohet), duke i thënë se të bësh gazetarin në Shqipëri është një sfidë e përhershme, dhe se presionet në Tiranë janë ku e ku më të mëdha, dhe se prandaj, kur vjen puna te liria, as që mund të krahasohet një gazetar në Shqipëri me një gazetar në Itali. Liria e shtypit në Itali është një gjendje, ndërsa në Shqipëri është një gjë që duhet kërkuar. Në Itali, liria duhet mbrojtur. Në Shqipëri, ajo duhet fituar. Kështu është edhe sot e kësaj dite. Madje, meqë ra fjala, gjendja në Shqipërinë e sotme është edhe më keq sesa ka qenë. Dhe prandaj, një bisedë me të mbi lirinë e shtypit apo të gazetarit do të bëhej ndryshe sot. Në Itali nuk duket se ka ndodhur ndonjë ndryshim i madh në këtë drejtim (nëse përjashtojmë efektin që mbi gazetarinë kanë ushtruar mediat sociale). Por këtu te ne gjërat kanë shkuar për dreq. Më ka shijuar shumë ajo darkë. Mentana ishte një rob i kollajtë. Ishte si dikush që ishte rritur me ne, si dikush që ishte rritur në Laprakë, tok me çunat që drejtonin Topin, apo në lagjen “2 Dhjetori” të Skraparit ku isha rritur unë. Madje, me pamjen e vet, me kaçurrelat që kishin zënë t’i lëshonin terren tullës së tij, nuk di pse më sillej si personazhet pozitivë të filmave artistikë socrealistë: një komisar batalioni, një sekretar partie, një ilegal, një militant rinie trushpëlarë. U mata disa herë për t’ia thënë këtë gjë, por në fund nuk e bëra. Kisha frikë se, pasi të ishte shkrirë gazit, do të më pyeste: Di të më thuash pse? Dhe unë isha i shqetësuar se mos më keqkuptonte. E vërteta është që ai ka diçka prej personazhi pozitiv. Unë në mendje kisha filmat tanë socrealistë, por mund të kisha fare mirë, po njësoj, edhe filma të Hollyëood-it. Ai të ngjan gjithnjë me një good guy. E dini më të bukurën? Enrico Mentana nuk ka përfunduar asnjë shkollë të lartë. Nuk ka një diplomë universitare. Nisi të studionte për Shkenca Politike, por e la shkollën në mes të rrugës. Dhe iu fut gazetarisë, të cilën e kishte pasion. Askush, në asnjë rast, nuk i kërkoi një diplomë. Por edhe nëse dikush ia ka kërkuar, është e sigurt që nuk ia ka bërë fare për të madhe kur ka marrë vesh se ai nuk e kishte një të tillë. Nuk e di nëse do ta kishte po aq të lehtë në Shqipëri. Ne jemi mësuar ta sublimojmë një diplomë universitare. Edhe sot e kësaj dite, një CV pa këtë diplomë merret si provë e faktit që ti nuk vlen për asgjë. Mirëpo, afërmendsh nuk është kështu. Nuk ka pse të jetë kështu. Nuk ka nevojë të gjejmë ngushëllim te njerëz si Enrico për këtë gjë. Unë jam bindur prej kohësh se, nëse gjejmë njerëz të diplomuar që vlejnë, kjo nuk ndodh për shkak të diplomës. Kjo ndodh për shkak të faktit që ata kanë pasur pasionin për të nxënë, mësuar, studiuar. Dhe ky pasion nuk është e thënë të lidhet me aulat universitare. Me këtë nuk dua të përcjell mesazhin se të shkosh në universitet nuk ka rëndësi. Jo, aspak. Dua të përcjell mesazhin tjetër: “Universiteti u bën mirë atyre që e kanë pasionin e dijes, por këta të fundit bëjnë edhe pa të. Njeriu, nëse do, mund të mësojë kudo.”

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH