Letërsi

DORËSHKRIM/ Botim i UET-Press- A do plotësohet profecia e Nanos: Erion Veliaj do jetë kryetari i PS-së, nëse nuk do nxitojë!

Shkruar nga Liberale

DORËSHKRIM/ Botim i UET-Press- A do plotësohet profecia e Nanos: Erion

Në librin e tij, “Si e kam njohur...”, botim i shtwpisw botuese UET-Press, Mustafa Nano shkruan se “Mjaft-i e ka mbaruar misionin e vet,” më tha Erion Veliaj, teksa po bisedonim te Qendra Stefan andej nga viti 2007. “Ose duhet të shndërrohet në një parti, ose duhet t’i bashkohet PS-së.” Unë i këshillova të parën. Ai bëri të dytën. Dhe sot është një nga njerëzit më me ndikim të vendit.

___________________________

Para se të krijonte lëvizjen Mjaft, Erion Veliaj ftoi në një takim një numër gazetarësh, intelektualësh e veprimtarësh të shoqërisë civile. Mes këtyre të fundit isha edhe unë. Nuk di kush më ftoi, por di që shkova si me zor. Madje, sikur të mos ndodhesha rastësisht në momentin e takimit në zonën e ish-Bllokut, ku mbahej takimi, isha i sigurt që nuk do të shkoja. Sepse nuk kishte asgjë që të më ngacmonte kureshtjen e të më frymëzonte. Erionin nuk e njihja. As për fytyrë nuk e dija se kush ishte.

Dhe kur i dhashë dorën, me të hyrë në një si zyrë të vogël, u shkurajova edhe ca më shumë. Ai ishte një njomëzak. Duhej të ishte rreth 23-24 vjeç atëmot, por mua m’u duk më i vogël sesa 20 vjeç. Bashkë me mua, mbaj mend që në atë takim ishte Milva Ekonomi e Hervin Çuli. Kishte edhe të tjerë (ne të ftuarit ishim rreth një dyzinë), por unë, kushedi se për ç’arsye të paarsyeshme që fshihen në nënndërgjegjen time, mbaj mend veç këta të dy. Erioni filloi të shpjegonte projektin e tij. Rrinte më këmbë. Dhe nuk kishte ndonjë emocion prej faktit që ndodhej përballë njerëzish që kishin një emër e një rol në jetën publike të Shqipërisë. Sapo ishte kthyer prej studimeve në Amerikë, dhe - siç më tha më pas – ideja për Mjaft-in i kishte lindur para se të kthehej në Tiranë. Madje, ishte kthyer pikërisht ngaqë i kishte lindur kjo ide. Fillimisht, kishte krijuar një skuadër të vetën, mes të cilëve kujtoj Arbër Maznikun dhe 3-4 vajza, njëra prej të cilave do të bëhej më vonë bashkëshortja e Maznikut, dhe pas kësaj kishte menduar të merrte kontakt me njerëz që kishin ndikim në Tiranë, të cilëve do t’u kërkonte mirëkuptim, mbështetje, ndihmë. Më duhet të them se më la shenjë menjëherë. Ishte një djalë ndryshe. Unë kisha kontakte me gjeneratën e tij (masa e madhe e gazetarëve që kishin pushtuar redaksitë e të përditshmeve kishin të njëjtën moshë, dhe unë isha në marrëdhënie të vazhdueshme me një pjesë syresh: në atë kohë punoja për Shekullin), por tek asnjëri prej tyre nuk kisha pikasur ndonjë nerv civik kushedi se çfarë. Aq më pak kisha pikasur tek ata ndonjë ambicie për të ndryshuar gjërat në shoqërinë shqiptare. Nuk u shkonte mendja. U dukej vetja të vegjël. Jetonin ca si shumë me limitet e tyre, që nuk ishin thjesht anagrafike.

Ndërsa Erioni m’u duk ndryshe. Nuk është se nuk kishte limite. Përkundrazi, kishte limite sa të duash. Mua, sikur të më kërkonin të flisja mbi të rinjtë atëbotë (dhe këtëbotë, në daçi), karakteristika më e parë që do të më vinte në mendje do ishin limitet e tyre. Gjithnjë kam menduar se nuk ka qënie më të limituar se sa një vajzë apo djalë rreth të njëzetave. Dhe Erioni ishte një i tillë. Por ai kishte, në ndryshim nga të shumtit e së njëjtës moshë, një cilësi shumë të rëndësishme: Vetëbesimin. E kishte të tepruar, madje. Siç e ka 16-vjeçarja Greta Thunberg, për të cilën sot po flitet kudo. Dua të them se i kishte mbushur mendjen vetes se i duhej edhe atij të mbante përgjegjësi për vendin e vet. Dukej se nga Amerika ishte kthyer me vetëm dy gjëra: Një diplomë e një leksion. Dhe leksioni ishte ky: “Nëse ka qeveri të keqe, kjo do të thotë se ka qytetarë të këqij. Zgjidhja? Duhen zgjuar qytetarët nga gjumi, duhen mësuar ata se kanë të drejtë t’u kërkojnë llogari të zgjedhurve, se në demokraci përgjegjësia/meritat ishin të tyret për çdo dështim/arritje, dhe se ata ‘mund t’ia dilnin’.” Madje, mbaj mend se atëherë veprimtarët e Mjaft-it e kishin si slogan të tyrin shprehjen “Ne mund t’ia dalim”. Apo diçka të ngjashme me këtë. Këto ishin gjërat që Erioni thoshte në atë periudhë. Dhe duhet pranuar që ishin gjëra interesante, nëse mbajmë parasysh që bëhej fjalë për vitin 2003 a 2004. Unë i premtova se do t’i qëndroja pranë. Dhe më pas, e kam shoqëruar Mjaft-in gjatë periudhës së rritjes së vet. Kam bërë çmos që atij e krerëve të tjerë të kësaj lëvizjeje të mos u prishej mendja prej melodive e këngëve të sirenave që dëgjoheshin nga të gjitha anët. Ishte koha kur Fatos Nano e të vetët ishin konsumuar shumë në pushtet, dhe ishte e nevojshme që tehu i kritikës të binte edhe mbi të majtën, sido që vetë anëtarët e Mjaft-it ishin në thelb të majtë.

Ishin të majtë jo vetëm për shkak të historisë së tyre familjare, por edhe për shkak të një orientimi progresist që kishin marrë në rrugë e sipër gjatë jetës së tyre rinore, në rrethana që unë nuk i njoh. Por edhe sikur të mos ishin të majtë, ata ishin gjithsesi njerëz me një fibër të fortë urbane, e për rrjedhojë nuk i lidhte asgjë me botën berishiane, e cila përfaqësonte kulturalisht (dhe duhet thënë se përfaqëson edhe sot e kësaj dite) pjesën më të prapambetur të kombit: ishte më tribale, më fanatike, më mujshare, më kanunore. Ky mendim që kishin për Berishën e Co. nuk iu bë pengesë që të ngriheshin kundër të majtës “së tyre”. Erdhi një moment kur problemi kryesor i Fatos Nanos ishte jo Berisha apo PD-ja, por Mjaft-i i Erion Veliajt. Kam përshtypjen që në këtë kohë duhet të ketë filluar një lloj loje prapa perdes midis Veliajt e Ramës, të cilën unë nuk ia kam këshilluar të parit e nuk ia kam mirëkuptuar të dytit. Të dy ata, në mënyra të dukshme apo të padukshme, mund të kenë dhënë një dorë në rrëzimin e Nanos. Por në këtë mes, befasia do të kishte lidhje me Ramën. Ai kishte hyrë në shtëpinë e të majtëve si një kanakar i Fatos Nanos, dhe shumë njerëz nuk do të duhej t’ia falnin këtë tradhti ndaj njeriut që e zbuloi dhe e promovoi politikisht. Sa për Erionin, këtij as që i bëhej vonë për Nanon. Asnjë emocion nuk kishte lidhur me të. As me PS-në nuk e lidhte ndonjë gjë, ç’është e vërteta, sido që, siç thashë, ishte i majtë. Dhe u bë edhe më i majtë kur u shfaq në skenën e politikës botërore Barack Obama. Erioni e donte shumë senatorin me ngjyrë nga Illinois-i, që u bë President në vitin 2009. Kur fliste për të, gati e kapnin të dridhurat, si të bëhej fjalë për të dashurën e tij, që e sapo e kishte braktisur krejt papritur. Për ca kohë nuk kishte qëllim tjetër veçse t’i ngjante sadopak atij, ta imitonte atë. Ma thotë mendja se duhet ta ketë lexuar disa herë librin “Audacity of Hope”. Por po kthehem te lidhja e tij me Ramën, e cila ato kohë dukej se ishte thjesht për qëllime praktike, siç ishin me qindra marrëdhënie të tjera ndërpersonale në skenën politike shqiptare.

Askush nuk do ta kishte menduar se ajo lidhje, prej së cilës të dy rrekeshin të nxirrnin përfitime të vogla, do të shndërrohej vite më vonë në një dyshe që do merrte nën kontroll vendin. Ramës në ato kohë – për këtë jam i sigurt - as që ia ka marrë mendja se në vitin 2019, Erioni do të ishte krahu i tij i djathtë. Madje, edhe më shumë sesa kaq: I pari në radhë për t’u ngjitur në “fron”. Ndonjëri e bën edhe më të madhe fuqinë e Erionit, duke menduar se ky i fundit, nëse ia vë vetes si qëllim, edhe mund t’i bëjë gropën Ramës. Po unë këtë s’e besoj. As Erioni vetë nuk ka gjasa ta besojë. Sidomos sot, kur Rama ka në dorë shumëçka. Apo gjithçka? Andej nga viti 2014, kur socialistët e Ramës sapo kishin ardhur në pushtet e kur Rama sapo ishte bërë kryeministër, shtypi shqiptar shpiku një garë midis Veliajt e Tahirit për postin e kryetarit të PS-së pasi Rama të largohej. Nuk e di se sa gisht kishin dy “shemërit” në këtë lojë mediatike, por mua m’u duk gara më budallaqe që mund të mendohej, në fakt, pasi Rama sapo kishte hyrë në zyrë, dhe dukej se kishte në plan të rrinte gjatë atje. Në këtë kuptim, ishte si të garoje për një post që nuk ekzistonte. Më kuptim do kishte të garonin për të marrë frenat e drejtimit të vendeve imagjinare, si Ruritania apo Wonderland-i i Lizës apo Utopia e Thomas More-it. Por vetë Rama nuk u duk kurrë i bezdisur në publik nga kjo gjë. Dhe unë çuditesha se pse. Madje, të jepte përshtypjen se kjo gjë e argëtonte. Mbaj mend se në një takim që kam pasur në atë periudhë, unë ia hapa bisedën mbi garën në fjalë (doja të merrja vesh se mos ishte një lojë treshe), dhe ai më la të kuptoja se nuk e kishte idenë se si kishte nisur e gjitha kjo.

“Me shumë gjasë, është lojë gazetarësh,” më tha atëherë. Sot do ta quante lojë Kadrinjsh. Këto rreshta po i shkruaj në një kohë kur Erion Veliaj po bëhet gati të rinovojë mandatin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës (qershor 2019). Bojkotimi i zgjedhjeve lokale nga ana e opozitës ia ka bërë fitoren 100% të sigurt, por duhet thënë se, edhe sikur opozita të merrte pjesë në zgjedhje, fitorja e tij do të ishte po njësoj e sigurt. Këtë herë edhe unë do të votoj për të. (Katër vjet më parë votova për Gjergj Bojaxhiun, në fakt, por jo se kisha ndonjë gjë kundër Erionit. Thjesht doja të krijohej bërthama e një lëvizjeje të re politike.) Erioni ka krijuar imazhin e një politikani punëmadh. Kurrë më parë Tirana nuk ka ndryshuar kaq shumë sa ka ndryshuar nën drejtimin e tij. Mund të mos bihet dakord me ndryshimet e ndërhyrjet që janë bërë, mund të mendohet se janë ndryshime për keq, por që ndryshimet janë të shumta e të dukshme, kjo nuk ha diskutim. Mund ta kesh inat Erionin, por nuk mund të mos pranosh se Tirana e tij ka qenë një kantier i madh pune. Ky ka qenë një investim që ai e ka bërë edhe në funksion të ambicies më të madhe që ka: të bëhet kryetar i partisë që sundon skenën politike shqiptare, dhe më pas kryeministër i vendit. Nuk duket se ka pengesa në këtë rrugë. Nëse nuk ka ngut. Dhe nëse nuk llogarisim Edi Ramën, fundi i karrierës së të cilit, për dreq, dukej më i afërt atëherë kur Veliaj e Tahiri garonin për t’i zënë vendin sesa sot. Në këtë kuptim, hë për hë, Erioni është ende në garë për të marrë frenat e drejtimit të Wonderland-it, apo të Utopisë, apo të Ruritanisë.  Post Scriptum: Veliaj ka një ves. E tepron me PR-in. I është mbushur mendja se sa më i pranishëm të jesh në publik, aq më mirë është.

Të gjithë politikanëve shqiptarë u është mbushur mendja. Shikoni Berishën e Ramën, të cilët janë teprimi vetë në këtë drejtim. U duket sikur një gjë e bërë, apo një arritje, kalon pa u vënë re, nëse nuk raportohet nga media dhe nëse nuk janë ata në qendër të raportimit. Mirëpo, kjo është e pavërtetë. Një gjë që bëhet, u bie në sy të gjithëve. Erion Veliaj duhet të jetë i sigurt se njerëzit vlerësojnë çfarë Bashkia ka bërë. Asnjë punë e bërë prej Bashkisë së drejtuar prej tij nuk i shpëton syve të publikut. E prandaj, përballë zellit për të propaganduar atë punë, edhe më budallai fillon e mendon: “Për ç’dreqin është nevoja të më tregojë një gjë që duket? Pse më trajton si syplasur?”

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH