Qyteti i gurtë i Gjirokastrës ishte ndalesa e parë e poetit Preç Zogaj në turin e promovimit të përmbledhjes së tij poetike “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”.
Aktiviteti në ambientet e Universitetit “Eqrem Çabej”, më 9 janar, bëri bashkë pedagogë, studiues, shkrimtarë, poetë, gazetarë, miq e dashamirës të poezisë. Pedagoget Lori Konomi e Yllka Kënaçi, studiuesi Gëzim Basha dhe shkrimtarët Odise Kote e Thanas Dino, zhvilluan një analizë gjithëpërfshirëse të estetikës së poezisë së Zogajt që shpërfaqet më së miri në përmbledhjen e krijimtarisë 40 vjeçare të poetit.
“Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” u botua në shtator të 2024 si libri i parë që nisi kolanën e botimeve poetike “Plejad” të iniciuar nga shtëpia botuese UET Press. Poezitë e 12 vëllimeve poetike të Zogajt, të shkruara nga 1984 deri në vitin 2024, u përzgjodhën me kujdes nga studiuesi Gëzim Basha, i cili përmes një parathënie të gjatë dhe shteruese evidentoi elementët krijues dhe veçantitë stilistike e gjuhësore të poetit.
Për mediat lokale, Basha e cilësoi Zogajn një poet kanonik që ka hyrë për të mbetur përgjithmonë në letërsiën shqipe.
“Është për mua poeti më i rëndësishëm shqiptar. Përmbledhja “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” është një kontribut i jashtëzakonshëm në letrat shqipe, është një libër që do të bashkojë gjithë komunitetin e lexuesve të poezisë lirike.”
Shkrimtari Odise Kote, njëkohësisht prefekt i qarkut të Gjirokastrës, e cilësoi poetin Zogaj një fenomen poetik shqiptar me rrezatim kombëtar.
“Zogaj shumë shpejt e kapërceu harkun kulturor lokal dhe u bë një poet që në poezinë e tij kishte universalen çka i dha atij përmasën kombëtare. Krahasuar me letërsitë e vendeve të tjera, është një letërsi dinjitoze, është një poezi që i shërben të gjithë brezave dhe që lexohet me shumë mendje.”
Librin më të rëndësishëm të jetës në krijimtarinë poetike e quajti poeti përmbledhjen “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, duke shtuar se është zakon i poetëve që në një stacion në karrierë së tyre të sjellin vëllime të tilla për të qenë sa më afër lexuesit.
Promovimi u shoqërua me recitimin e disa poezive të përzgjedhura e aktorit Vasil Çuklla.
Në bashkëpunim me shtëpinë botuese UET Press dhe Institutin Liberal Pashko, Zogaj do të rrugëtojë bashkë me poezinë e tij në këtë fillim viti në disa qytete, universitete e biblioteka të Shqipërisë. Pas Gjirokastrës, “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” do të promovohet në Vlorë, Fier dhe Lezhë.