Letërsi

DORËSHKRIM/ Botim i UET-Press/ Rrëfimi i pazakontë i Spartak Ngjelës: Ramiz Alia e krijoi PD-në që të neutralizonte revolucionin

Shkruar nga Liberale

DORËSHKRIM/ Botim i UET-Press/ Rrëfimi i pazakontë i Spartak

Në 11 shkurt 1991, Spartak Ngjela do të takohej me jetën e tij, në ditën e parë në liri. “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, një botim i shtëpisë botuese “UET Press” është një dëshmi e kësaj lirie në të tre volumet e saj. Kjo vepër nuk është thjesht rrëfimi i kujtimeve, por është një analizë e thellë politike, sociale dhe filozofike e shoqërisë shqiptare në momentet e saj më të rëndësishme historike. Në një meditim të gjatë ekzistencialist, filli i jetës së një individi arrin t’i japë një shpjegim dhe shoqërisë së tij, të cilën e ka parë nga lart, nga brenda burgut dhe si pjesë përbërëse normale e saj.

Njëmbëdhjetë shkurti i vitit 1991 ishte një ditë e ftohtë dhe e gjitha në ngjyrën e plumbit; ishte tamam një ditë dimri shqiptar që të kujtonte të gjithë jetën e konsumuar në vendin tënd por, siç e kam vënë në dukje, ajo i takoi të ishte dita e lirimit tim nga burgu. Po lija mbrapa një jetë që nuk dihej sesi kishte ecur, mes trishtimit dhe vuajtjes, ose drejt një pjekurie mendore të një lloji tjetër? Nuk dihej gjithashtu se çfarë kishte sjellë brenda meje ajo jetë, pjekurinë e një njeriu që e di se jeta kërkon gjithmonë një ekuilibër humanist, apo të një individi që kërkon hakmarrje për ato të këqija që ia kanë shkaktuar të tjerët? Dhe më në fund, si do të jetoja dhe ku do të përqendrohesha për të rimarrë rrjedhën normale të jetës sime, e cila kishte ecur përpara, duke më lënë pas në kohë? Larg nga tradita e një jete familjare, larg vendit tënd dhe gjithmonë në një komunitet që edhe ai ka qenë i izoluar dhe i mbyllur brenda hekurave me forcën e të tjerëve për të bërë një jetë të izoluar sepse nuk e kish dashur një regjim politik: ti mund të jetosh me mendimet e tua, mund të mos jesh poshtëruar se ke ruajtur deri në ekstrem dinjitetin tënd në vetminë tënde, por gjithsesi koha prapëseprapë ka rrjedhur duke ecur përpara. Këtu fillonte në fakt vetë mendimi për jetën, për pushtetin dhe për fatin e njeriut që shpesh futet në rrjedha kohore, që nuk i përkasin as hapësirës reale dhe as kohës reale, e cila, megjithatë nuk kishte ndaluar, por zgjatej e zgjatej, ashtu siç më ishte zgjatur mua për 15 vjet, gjithë duke mbajtur brenda vetes përjetimin e asaj që në histori i ishte thënë tragjedi ose torturë, persekucion apo terror, frikë ose skamje; gjithçka mund t’i thoshe, por një gjë ishte fare e pamundur që ta mendoje si një përcaktim - që ti kishe jetuar ose jo në të vërtetë jetën tënde. Ja, ky ishte thelbi i kësaj kohe që e kisha lënë mbrapa e po e mendoja si një memorie të mbetur në mendje, por që nuk ishte më aspak e gjallë. Vetëm në dy orë, qysh se isha ndarë nga telat që rrethonin burgun e lënë pas shpatullave, e ndjeva vërtetësish se e gjithë ajo kohë po më ngjante si të ishte e pandodhur, a thua se e tëra ajo ishte një ngjarje që nuk më pat takuar mua, por që për vite e vite të tëra e kisha lexuar e lexuar vetëm nëpër romane me jetë burgu dhe e kisha parë po ashtu nëpër filma e filma po me një jetë burgu, e tani, të gjitha këto ngjarje të lexuara, qenë futur për t’u strehuar në kujtesën time si ndodhi që nuk më përkisnin mua, por që, megjithatë, më kishin sjellë tronditje dhe vuajtje shpirtërore. Kurse përpara më dukej se po shihja një kohë të ndryshuar, që nuk e kisha lënë kur kisha ikur, që do të ishte e re, por që do të fillonte në fakt bashkë me mua, pa më lënë asnjë hap mbrapa. Që në ato çaste po më dukej se, më në fund, do të mund ta kapja kohën time, gjithë duke rendur njëlloj si marathonomaku, që rendte e rendte për të njoftuar rënien e tiranisë. Ishte vendosur pluralizmi politik, ishte krijuar edhe një ose dy parti opozitare, dhe, në të njëjtën kohë, kishte nisur edhe kritika normale kundër një regjimi tiranik, që kishte sunduar shqiptarët për dyzetë e pesë vjet. Gjithçka kishte ndryshuar në formë dhe unë, dukë iu ngjitur të përpjetave të kodrave të Selenicës së Vlorës, gjithë në një rrugë të gjatë, për t’u takuar me nënën time që po më priste aty, mendoja se “të paktën kishte ndryshuar forma”, dhe, pa dyshim, që kjo të jepte shpresë se do të ndryshonte edhe sistemi. Nuk isha ende në gjendje që të mendoja ndonjë gjë të saktë, por, për faktin që po liroheshin të burgosurit politikë dhe, në të njëjtën kohë ishte lejuar edhe pluralizmi politik, kuptohej se të paktën individualisht e kishe të fituar të drejtën për të folur. Në ato çaste ende nuk mund ta dija saktësisht se përse kishte ndodhur ajo kthesë aq drastike dhe e menjëhershme e regjimit tiranik në Shqipëri, përse Ramiz Alia ishte tërhequr befas nga e gjithë retorika e tij dhe kishte treguar se nuk kishte më forcë për të drejtuar vendin. Por që natyrisht, brenda analizave të mia, e dija se ishte pikërisht ekonomia që e kishte thyer regjimin më dysh. Autarkia e Enver Hoxhës kishte rezultuar një hiçasgjë, që kishte rroposur brenda vetes të gjithë atë gamë të madhe injorantësh, të cilëve Enver Hoxha iu kishte lënë pushtetin që të vijonin legacinë e tij, që të ndërtonin deri në fund autarkinë ekonomike të nisur prej tij, dhe ta mbanin Shqipërinë të izoluar nga bota, sidomos nga Perëndimi. Ishte në thelb një marrëzi dhe asgjë më shumë, por që tani, e gjithë ajo marrëzi, që kishte krijuar vrasje dhe burgje, internime dhe persekucion, kishte rënë për të vijuar një tjetër jetë politike me pluralizëm dhe me barazi shoqërore. Pyetja që ngrihej prej meje në ato çaste tek shihja nga dritarja e makinës kodrat e 13 Frika dhe gënjeshtra, të tremburit dhe të gënjyerit ishin hedhur në revoltë zhveshura të Selenicës, ishte ajo që kisha bërë gjithmonë: përse duhej krijuar gjithë ai persekucion, ai krim dhe ajo gjendje shterpësie që urrente dijen dhe mendimin e pavarur, kur askush nuk ia kishte arritur që ta mbante një shoqëri të shtypur në ato parametra? Por e dija në fakt se gjithçka kishte ndodhur se kjo Shqipëri e vogël e socialiste nuk ishte një krijim sui generis dhe një rast krejt i izoluar, sepse në fakt ishte pjesë e tërë një bote të tillë që e kishte ndërtuar sistemin e vet mbi shtypjen dhe persekucionin, mbi antiintelektualizmin dhe kundër rrjedhës së qytetërimit perëndimor. Ishte krejt një botë, që kishte krijuar ndërkaq një pol force e që përplasej me dijen dhe zhvillimin, me drejtësinë shoqërore dhe lirinë e individit, dhe që kërcënonte me një luftë botërore, e cila mund ta çonte njerëzimin në shfarosjen e tij. Këtu e kishte gjetur mbështetjen e vet Enver Hoxha, që kishte nxjerrë jashtë vetes të gjithë atë mllef patologjik për t’u bashkuar me krimin, por, po këtu po e gjenin pasardhësit e tij dobësinë e tyre teksa ishin të përgatitur dhe po e dorëzonin pushtetin e tyre politik. Askush nuk mund ta dinte mirë së jashtmi se çfarë po luante realisht në gjendjen e re që ishte krijuar, dhe dyshimi im nuk ishte një pyetje bizantine e mosbesimit se gjithçka që do të mund të ndodhte në një sistem të gënjeshtër do të ishte sërish një gënjeshtër, por ishte pikëpamja ime, e formuar shtrënguar pas mendimit tim se, pas gjithë asaj shtrëngate kundër lirisë, kundër jetës dhe vetë intelektit, ngjarjet nuk do të mund të drejtoheshin dot qetë, sepse njerëzit që do t’i merrnin për t’i drejtuar ishin pa dyshim rrjedhojë e kohës së tyre; rrjedhojë e izolimit, frikës dhe dyshimit. Kush mund t’i qëndronte tensionit të gjatë psikik të izolimit, të frikës dhe dyshimit? Në fakt kjo ishte e vërteta: shqiptarët kishin rënë në një humnerë e cila nuk se ishte e re, por ishte aq e vjetër sa dhe vetë historia e shekujve të fundit. Si do të dilej nga një qytetërim dhe nga një kulturë orientale? Kjo ishte pyetja që vijonte pastaj me një varg të panjohurash të tjera që lidheshin ngushte me të. Dhe këtu niste pesimizmi: koha kishte mbetur në vend, dhe tendencat e shoqërisë europiane në këtë kohë ishin të një moderniteti të lartë. Ku do shkoje dhe si do shkoje? Pse ishe i pambrojtur dhe përse duhej të shpresoje? A ishim në gjendje që egërsinë shoqërore, që vinte nga varfëria ekstreme, të mund ta zbusje me mendimin e pjekur të burrave të shtetit që kishin marrë në dorë ndryshimin e gjendjes? Asgjë; kjo ishte përgjigjja ime, në një kohë që e njihja gjendjen, përçarjen shoqërore dhe intrigën e komunistëve shqiptarë që nuk mund të pranonin Perëndimin. Dhe kush do të fitonte: dija apo injoranca? Kjo ishte enigma, dhe ky ishte edhe krijimi i vijueshëm i historisë sonë në shekujt e fundit: errësirë dhe injorancë mesjetare që nuk e kishin lejuar shoqërinë të formonte simbolin e identitetit të vet historik si një shoqëri me kulturë europiane. Por kjo në fakt do të ishte arsyeja e çdo vuajtje të mëvonshme, edhe pse komunizmi ose punizmi kishte falimentuar në Shqipëri. E gjithë dita e atij lirimi nga burgu ishte po 11 shkurti i vitit 1991, një ditë e ftohtë dhe e errët në të plumbtë, që po më mbante brenda vetes si një të çliruar nga hekurat, por edhe si të futur ligsht në një enigmë, që qarkonte rreth e rreth një jetë të re, që duhej nisur nga e para. Jeta gjithmonë duket se ka pasur një nisje reale biologjike, por kjo sigurisht kurrë nuk do të ketë lidhje me nismën e jetës së mendimit tënd. Mendimi është në fakt epiqendra e asaj që ne i themi jetë, dhe ky mendim gjithmonë na detyron që ta shohim jetën në aspekte të ndryshme. Pikërisht për këtë, tani sikur e kemi bërë si modë a zakon që të themi se “po e nis jetën nga e para”, sa herë që mendimi të detyron të mendosh ndryshe në funksion të qenies që je gjallë. Në fakt, në këto çaste, e kisha plotësisht të ditur në vetvete si mendim se kisha dalë nga një gjendje jetësore tërësisht e izoluar, që realisht kishte qenë një jetë burgu, dhe po filloja të mendoja për një tjetër jetë, atë që kisha lënë dikur para 15 vjetësh, me të njëjtën familje dhe me të njëjta predispozita, por, në fakt, sigurisht që me të tjera qëllime. Qëllimi i menduar i një jetë që ka ndryshuar, gjithmonë lidhet me situatën ekzistenciale që të ofron shoqëria ku jeton, dhe me dëshirën tënde për të krijuar unin tënd të pavarur dhe që ka mundësi të jetojë në një jetë vetefiçente, që është e krijuar si e tillë nga vënia në funksionim e mendjes tënde. Kjo ishte në të vërtetë edhe gjendja ime mendore dhe emocionale në një udhëtim që e kisha nisur për të përfunduar odisenë time të gjatë, që, në fakt, pati filluar në nëntor të vitit 1975 e kishte vijuar pa e ditur asnjëherë sesa do të vazhdonte, sepse assesi nuk mund të dihej sa gjatë do të vijonte, veçse tani ajo kishte përfunduar, por gjithsesi jo e gjitha: që në ato çaste të para e ndjeva se po ajo odise do të vijonte pavarësisht nga lloji ose forma që do të merrte përshtatja ekzistenciale, dhe menjëherë e mendova sërish mitin e Sizifit dhe idenë kamysiane se Sizifi ishte i lirë vetëm atëherë kur zbriste teposhtë kodrës për të rimarrë gurin që duhej të ngrinte deri në majë të kodrës, por që perënditë do t’ia rrëzonin sërish teposhtë. Sepse vetëm në këtë segment kohor kishte mundësi të mendonte jashtë peshës së rëndë të gurit dhe vuajtjes fizike që i duhej të përjetonte tek e shtynte atë gur të rëndë në të përpjetën e kodrës. Mos ndoshta edhe unë, tani, që sapo isha liruar nga burgu, ndihesha i lirë se nuk e kisha më gurin që më duhej ta shtyja në ngjitje drejt majës nëpërmjet të përpjetës së kodrës? Mos ndoshta guri ishte burgu që kisha bërë, dhe tani e kisha lënë njëherë e mirë pas atë gur lodhës që më kishte hequr lirinë? Thellë - thellë nuk e ndieja kështu, prandaj sikur më prekte së brendshmi një ngërç i thellë që diçka donte të më thoshte, por që unë e dija se, edhe pse isha liruar nga burgu, ishte e pamundur që të shpëtoja nga absurdi dhe nga kotësia e një jete, që do të bëhej gjithsesi në një kohë të tejkaluar, por assesi të kapur nga ndjesitë shqisore që duhej të kuptonin të vërtetën. Po udhëtoja për tri katër orë që të mbërrija në Selenicë të Vlorës, e të shihja aty shtëpinë e vetme të familjes sime, të takoja nënën dhe motrën që po më prisnin, dhe që e dinin dhe e dija që kishim shumë gjëra për t’i thënë njëri - tjetrit. M’u kujtua befas poezia e Gabriele D’Anunzio-s, Consolazione , dhe e recitova me mend vargun rrëqethës të saj, që më kishte mbetur në mend tamam si një send e që kurrë nuk më ishte larguar… ti diró come sia dolce il mistero/ che vela certe cose del pasato. Një bashkëbisedim me nënën ishte edhe ky, por i shkruar në vargje nga poeti italian i viteve njëzetë e tridhjetë të shekullit që kaloi. Dhe nuk e di pse sikur nuk po ndieja ndonjë gjë të veçantë me përjashtim të asaj që kisha dalë në një tjetër pozicion të jetës sime, atje ku filli më ishte ndërprerë që në nëntor të vitit 1975. Koha kishte bërë përpara dhe tek ngjitesha me makinë në të përpjetën e fundit për të mbërritur në Selenicë, isha i sigurt se regjimi i Tiranës kishte rënë dhe po kërkonte fijen e fundit të barit ku mund të mbahej. Në Shqipëri kishin filluar të flisnin ndryshe; kishte dalë në pah konferenca e shtypit dhe kishte marrë fund arroganca e regjimit. Nuk kishte pasur gjë më të pështirë sesa ajo arrogancë prej barbari, që kisha përjetuar që prej shumë vjetësh nga qeveritarët e vendi tim, dhe ndërkohë po mendoja se të gjitha ato vite kishin qenë vite të shkuara kot në funksion individual, pa dashur që të hyja e të mendoja në një sens historik, sepse e dija që nuk do t’ia dilja dot për të sjellë nëpër mend një tablo të qartë të asaj që unë i thosha mendim modern ose racional për zhvillimin në përgjithësi. Njeriu kurrë nuk e ka në dorë të mendojë krejtësisht i pavarur në një jetë e cila gjithmonë e ka privuar nga të drejtat elementare që atij i janë dukur të domosdoshme për të vijuar jetën; dhe sërish e prapë e prapë e mendon veten të tërhequr deri në cakun e futjes në vetvete. Unë, pra, kisha qenë për shumë vjet me radhë një njeri i futur i gjithi në veten e tij, edhe pse së jashtmi me një revoltë të pandërprerë kundër atyre që më mbanin në atë gjendje; por që prapë nuk kishte mjaftuar sepse sërish e ndieje që ishe vetëm ti dhe askush tjetër që mund të të ndihmonte në një ecje e cila nuk mund të bëhet kurrë në vetmi. Po kush të ka thënë se je vetëm dhe se më në fund je edhe pa asnjë mbështetje, përveçse zëri yt i brendshëm që në të vërtetë është mendimi yt; dhe, kusht tjetër të ka thënë se je duke shkuar drejt humbjes, përveçse sërish zëri yt i mendjes që prapë është mendimi yt? Por të gjitha këto kishin sjellë ndërkaq një tjetër ndërtim, një tjetër motiv për të jetuar dhe një tjetër qëllim për të arritur. Kush ka vënë ndonjëherë një bast me kohën për jetën, në mënyrë që ajo duhet ta lejojë që të arrijë atë që do të shohë, dhe këtë e ka fituar, gjithmonë ka ndierë një si triumf të brendshëm që e ka lartësuar deri aty sa të harrojë të gjitha vuajtjet që ka përjetuar. Dhe unë kisha qenë njëri prej tyre dhe që tani kisha dalë për të parë nga afër atë që kisha mbërritur për ta vijuar si një jetë që e kisha pritur, sepse realisht e kisha fituar bastin me kohën. Njeriu nuk është një qenie perfekte, po në fakt është një qenie që mendon, dhe unë nuk po bëja gjë tjetër veçse mendoja gjithçka që kishte kaluar me një shpejtësi të habitshme; i kujtoja që të gjitha, që nga rinia ime e hershme, gjithçka që kisha kaluar nëpër burgje dhe ato që kisha përjetuar së brendshmi; në shoqërinë dhe qytetin tim, Tiranën, që do të më duhej ta shihja pas një dite, miqtë dhe familjen, persekucionin dhe të gjithë jetën që kishte bërë Shqipëria nën persekucion, i kisha të gjitha në mendje dhe e shihja se ato do të më duheshin të gjitha, ashtu si më vinin, si kalonin para syve të mi dhe si ishin përjetuar, me gëzime rinore dhe me jetë qelish, me rock and rroll, dhe me kërcitje të llozeve të qelive, me filma të Hollivudit, dhe me tregime të atyre që kishin tharë kënetat deri në brez në ujë; me festivalet e Sanremos dhe me ato shfaqje të trishta të varganëve të gjatë të të burgosurve që ngjiteshin në minierë, që xhironin nëpër oborrin e burgut të Ballshit, ose që diskutonin në mes të të ftohtit në një nga dhomat e Burgut të Burelit, të gjitha përpara meje që më në fund i kam shkruar po ashtu në dy vëllime libër, nëpër kapituj e kapituj që qerthullojnë nëpër kohën komuniste që kishte pushtuar me tmerr botën dhe që tani po largohej pa fare zhurmë, a thua se nuk kishte qenë kurrë. Çfarë duhej të bëja tani përveçse të shihja edhe njëherë nga afër familjen time, gjithë duke u kujtuar se për afër pesë vjet kisha ndenjur në një dhomë burgu me tim atë, dhe sërish jeta më ishte dukur po e njëllojtë, sikur isha sërish vetëm me veten time, edhe pse në fakt afërsia fizike me babanë tënd në një dhomë burgu ishte prapë një përjetim i veçantë, që shumë pak njerëz e kanë përjetuar, por sërish nuk ishte ndonjë gjë e veçantë në lidhje me mendimin dhe me atë që ti prisje në çdo çast të ditës. Të gjitha këto po më dukeshin si një e shkuar, si një e tashme dhe si një e ardhme, sepse ndërkohë isha i bindur se nuk ka një ndarje të tillë kur është fjala për mendjen dhe se ne kemi pasur dhe kemi frikë që t’ia pohojmë vetes se gjithçka që zhvillohet, ty të duket se zhvillohet jashtë teje, kurse, në fakt, ajo zhvillohet vetëm në mendjen tënde. Asnjë kafshë nuk di të shohë realisht se çfarë ndodh me të në botën ku jeton, sepse nuk mendon dot. E pra, kishte ardhur koha e një mendimi tjetër, e një lloj tjetër pritjeje dhe, në të njëjtën kohë, kishte ardhur çasti ku kishte filluar vetë konkurrenca, lufta për të bërë diçka dhe për të treguar unin tënd. Por e ndieja së brendshmi se kishte mbaruar një luftë, që kishte lënë shumë të vrarë pas saj, të vrarë dhe të gjymtuar, të humbur dhe të çmendur, të shurdhër dhe të verbër, dhe një urrejtje e cila kurrë nuk mund të dihej sesa do të qëndronte në Shqipëri. Dhe këtu ngecja gjithmonë: Enver Hoxha kishte ngritur urrejtjen njerëzore në sistem dhe e kishte bërë gjenerim të brendshëm të vetë politikës dhe pushtetit; por, a do të vijonte të gjeneronte sërish forcë kjo ndjenjë e vjetër primitive që vjen si pasojë e përzierjes së instinktit me mendimin? Nuk kisha shumë fuqi ta mendoja, se thellë së brendshmi e ndieja se ajo do të vijonte dhe se ende nuk dihej se kush do ta sundonte kohën që do të vinte pas tërheqjes së Ramiz Alisë dhe të grupit të tij të zvjerdhur ndërkaq e të rrëzuar më shumë nga koha, nga prapambetja dhe nga paaftësia e tyre, sesa nga presioni i popullit.  

 Tek po hyja në qytetin e vogël të Selenicës në atë ditë të ftohte shkurti, aty rreth orës 16, e ndieja se diçka e thellë ishte ajo që të shtynte drejt një dyshimi të madh, por ishte ndërkaq ndryshimi i gjendjes dhe të fituarit e lirisë individuale, që ta zbuste dyshimin për t’u kujtuar se tani e më tej, gjithçka do të varej nga ty vetë, dhe jo nga regjimi politik, dhe se, të gjitha kishin rënë, dhe koha mund dhe duhej që të merrte për së mbari edhe në shoqërinë tënde. Fillova të këndoja diçka, një këngë të vjetër që më vinte së brendshmi e më melodiohej në mendje; O sole Mio! në fillim, pastaj sërish një Surrender e Elvis Presley-t dhe një xhaz i Duke Ellingtonit që sikur më rrinte në sfond për të më kujtuar ndërkaq se muzika ishte universale, dhe se ti duhej ta dëgjojë edhe njëherë atë që të ishte privuar prej 15 vjetësh, do të këndoje ashtu siç dëshiroje dhe nuk do t’i kishe më fare nëpër këmbë porkeritë e këngëve të Enver Hoxhës, që luheshin me vegla popullore ose këndoheshin në mënyrë polifonike: të gjitha kishin rënë, dhe ajo që kishte mbetur ende e gjallë brenda meje, ishte pa dyshim një muzikë e paqme, harmonike që shkonte nga Beethoveni te Stravinsky, që triumfonte me Gershwinin dhe ndalonte te xhazi i Duke Ellingtonit. Nuk e kuptoja dot se përse po gjendesha i gjithi i futur në këtë gjendje thellësie që i qe drejtuar kujtesës dhe përjetimeve të vjetra, por gjithsesi menjëherë u kujtova se të gjitha këto po më vinin në mendje e po dilnin si një thirrmë që po i bëhej kujtesës sime, sepse, thellë-thellë, ndihej pa e ndierë një ndjenjë tjetër lirie individuale të cilën nuk mund ta shuante ose ta zbehte dot asnjë nga ato dyshimet që kisha përcjellë në mendje pak më parë, sepse asgjë nuk do të ndryshonte më për të të lejuar që të jesh vetvetja, dhe asnjë forcë nuk do të më ndalonte më që të tregohesha përpara shoqërisë sime ai që isha. “E kam arritur vallë këtë?”, pyeta vetmevete, dhe pashë ndërkaq se makina Fiat 133 kishte ndaluar përpara një pallati të vogël dykatësh, mu përpara shkallëve, dhe, ashtu siç isha, thuajse në një gjendje transi, këtë herë, duke notuar në metafizikën time, e pashë që në fundin e saj nuk ishte më një polic ose një gardian ai që më kishte dalë përpara për të më pritur, por vetëm dy gra që unë i njihja shumë mirë: nëna dhe motra ime; që të dyja të gëzuara, dhe të transformuara që nuk i ngjanin më atyre të dyjave që kisha parë tek më vinin për të më parë te porta e shëmtuar e burgut: ishin të qeshura, sepse kuptohej se i kishte pushtuar gëzimi. Pas gjithë këtyre vjetëve, ishin më në fund të gëzuara. Kjo qe e reja e prekshme që kisha hasur, dhe që më në fund më dha mundësinë që ndryshimin ta besoja përfundimisht si një gjë që kishte ndodhur. I takova me mall që të dyja, dhe pastaj të tre filluam të ngjisnim shkallët. Kishte ardhur pas nesh edhe një grup jo i vogël të afërmish, katër kushërinj të mi, dy prej të cilëve i kisha lënë shumë të vegjël, por edhe ai që kishte qenë në fakt edhe një nga miqtë e mi më të afërt, konfident dhe i besuar për të gjitha bisedat që kishim bërë kundër regjimit me njëri-tjetrin: Vladimir Rusi, ose më mirë Lad Rusi, sikundër që ishte mësuar për t’i thënë një pjesë shumë e mirë e rinisë kundërshtare të regjimit përgjatë viteve 60-të dhe 70-të. Që të gjithë hymë brenda në shtëpi, ndenjëm pak aty, dhe pastaj shkuam dhe u ulëm në një nga kafenetë e Selenicës. Ishte një vend i varfër dhe i prapambetur, por kjo tani mua nuk më bënte më përshtypje, sepse isha mësuar shumë mirë me vobektësinë dhe me mjediset e errëta dhe primitive të burgjeve ku kisha kaluar. Befas sikur ndjeva një lidhje të menjëhershme me mendimin e dyshimtë, sepse sikur po më dukej që kisha ndenjur në provincë për një kohë, e jo se sapo kisha dalë nga burgu. Ishte një gjendje e çuditshme, a thua se nuk kishte më ndërprerje esenciale të vijimit normal të jetës, por sikur kisha ardhur në një lokal të Selenicës, jo nga burgu, por nga Tirana. Ishte e çuditshme, por kjo po më ndodhte: nuk po më ngjante aspak se duhej të krahasoja mjediset e burgut që sapo kisha lënë, me këtë lokal, por ato që kisha lënë në Tiranë para 15 vjetëve, me këtë lokal. Një transformim i thellë dhe ndjeva se kishte lidhje me kohën: ajo paskësh qëndruar për të ndenjur në Tiranë, dhe jo për të shkuar në burg. Ishte hera e parë që e kuptova së brendshmi, se pastaj u binda plotësisht, që unë si koshiencë, si mendim dhe si ndjenjë përjetuese nuk paskësha qenë fare në burg. E mendova për disa minuta këtë teksa bisedoja me Lad Rusin, dhe në të vërtetë fillova të ndihesha shumë më i lehtë. Ndenjëm aty, në atë kafene, rehat ndonjë orë, ku folëm me Ladin e folëm për shumë gjëra të së kaluarës, për atë që kishin përjetuar thuajse të gjithë miqtë e mi dhe shokët tanë të përbashkët, dhe që të dy ndjemë një si çiltërsi të brendshme, që prej vitesh na ishte dukur si e domosdoshme që ta kishim, por që pati qenë krejt e pamundur që ta kishim pasur. Ishte agresioni i tjetrit që nuk na i kishte lënë që ta përjetonim. Por, pikërisht për këtë, që të dy sikur thamë në një kohë, bashkë e me të njëjtin zë: “barbarët kanë vdekur, nuk janë më”, - më tha Ladi dhe më shpjegoi i pari dobësinë e regjimit që ishte dukë rënë. “Po bien nga një mal i lartë, - më tha ngadalë -, por ende nuk jam i sigurt nëse do t’u dalë. Dhe kjo ishte e vërteta që ndieja edhe unë, e cila në çast m’u duk se ishte ndoshta një frikë e kotë, sepse ata që po rrëzoheshin nga mali, që e kishin ngritur vetë me mundin e shqiptarëve të pafajshëm, nuk do të kishte më asnjë forcë që t’i priste për t’i shpëtuar. Por kjo gjendje kuptohej se ishte kaotike dhe nuk kishte aspak qartësi në ato që thuhej. Para disa ditësh nga televizioni i burgut kisha dëgjuar intervistat e disa prej opozitarëve, dhe i vetmi që më mbushte mendjen ishte vetëm koncepti i Gramoz Pashkos; të tjerët flisnin broçkulla dhe nuk kuptonin dot asgjë, as se çfarë kishte ndodhur, dhe as se çfarë duhej të bënin. Konferencat e shtypit që jepte Preç Zogaj më ishin dukur elegante, por kur pashë që aty, një i quajturi atëherë Sali Berisha, u ngrit nga salla dhe desh ta merrte ai fjalën sikur e jepte apo e drejtonte ai konferencën e shtypit, kjo më kishte lënë një shije të keqe, gjë që, që në atë fillim m’u duk si preokupim politik komunist. Gjithsesi, edhe të gazeta “Rilindja Demokratike” nuk kishte forcë të vërtetë opozitare, me përjashtim të një goditje që i ishte bërë indirekt Enver Hoxhës kur Gramoz Pashkoja kishte deklaruar se “ne nuk mund të ecim me devizën e Enver Hoxhës se ‘do hamë bar dhe parimet ideologjike nuk i shkelim’ ”. Në fakt kjo ishte kuindesenca e barbarisë të sistemit Hoxha, por që nuk mjaftonte për të qenë një verb opozitar. Të tjerët kuptohej se notonin si një apendiks i Ramiz Alisë, por që unë gjithsesi e kisha parë si progres, sepse, sido që ishte një opozitë deri diku e kontrolluar, prapëseprapë ajo ishte një zë opozitar i cili, në funksion të pushtetit e kishte të pamundur që të qëndronte gjatë si apendiks i Ramiz Alisë. Këtë pikëpamje më tha pak a shumë edhe Lad Rusi në atë një orë që ndenjëm bashkë në atë kafene të provincës së strukur të Shqipërisë; dhe njëherësh më sugjeroi se, përderisa nesër do të shkoja në Tiranë për t’u takuar me Pashkon, duhej të isha disi i matur “sepse ata nuk do të të pranojnë, - më tha, - ngaqë e dinë qëndrimin tënd nëpër burgje dhe në gjyqet që ke kaluar”. Sidoqoftë, këto për mua ishin krejt gjëra normale dhe, duke e njohur realisht spazmën politike të çdo demokracie të re, isha i përgatitur që ta vendosja unin tim sipas verbit dhe programit tim që e kisha marrë me vete, dhe do ta bëja publik. Kaq ishte edhe takimi me një nga shokët e mi më të afërt që nga vegjëlia, dhe që njëherësh ishim edhe të afërt si kushërinj, sepse i kishim nënat motra, dhe ishim rritur thuajse bashkë. Kurse në shtëpi ishte një tjetër atmosferë. Vera ishte optimiste dhe kështu ndihej dhe motra; madje kjo sikur ishte edhe më e shpenguar, sepse e ndiente se më në fund ishte çliruar nga skllavëria. Ç’ishte kjo kohë e re që po vinte e cila sikur i kishte shokuar të gjithë njerëzit me të papriturën e saj? Ishte vërtet një kohë që ndihej së brendshmi se shqiptarët më në fund do të ndaheshin me “Partinë e Punës”; apo ishte një manovër komuniste për të kaluar një kohë të ashpër kundër vetes derisa të vinte një kohë tjetër force për ta? Ajo Parti kishte qenë në fakt një demon që pat mpirë të gjithë mendjen dhe shpirtin e shqiptarëve dhe që ishte dukur sikur nuk do të ikte kurrë nga ky vend. Kishte pushtuar gjithçka dhe qe shtrirë në të gjitha hapësirat e jetës private, me kontroll dhe me presion, me tension dhe frikë për çdokënd, dhe gjithmonë me njerëz që i kishte bashkuar me njeri-tjetrin ligësia, që punonin bashkë për një ndërmarrje të fëlligësht kundër të gjithë shoqërisë, por që ishin të liq edhe kundrejt njëri - tjetrit. Ishin krijesa jashtë qytetërimit, urbanizmit dhe humanizmit, të cilët jetën shoqërore e shihnin si pjesë të barbarisë, si shtypje dhe objekt kontrolli e survejimi. Kjo ishte arsyeja që, në atë kohë që kishte ndryshuar befas, duhet të mendoje gjithmonë: ku kishin shkuar të gjithë ata njerëz të liq që ligësinë e kishin mjetin e jetesës së tyre? Nuk kishin ku të ishin tjetër veçse sërish në të njëjtin vend, këtu, bashkë të gjithë, të persekutuar dhe persekutues, që tani askush nuk e dinte sesi do të shkonte vetë jeta e përbashkët e tyre. Aty ishin, në të njëjtin vend, dhe tani “të lirë nga tensioni shtrëngues i shtetit”, të gjithë bashkë, sigurimsa e spiunë, pushtetarë dhe të internuar, ish të burgosur politikë dhe ish-anëtarë të Komitetit Qendror të “Partisë së Punës”, partizanë dhe ballistë, të gjithë bashkë, për të jetuar mevetësisht dhe larg nga presioni i shtetit. Por a do të mund të ndodhte realisht ky bashkim? A kishte mundësi që jeta të vijonte normalisht sikur nuk pat ndodhur asgjë? Jo, kjo ishte e pamundur që të ndodhte e të vijonte kështu, me një paqe për të gjithë. Por, pyetja ishte: si? Dhe vërtet, këtë pyetje përcillja në mendje, edhe tek rrija në shtëpi me nënën dhe njerëzit e mi të afërt. Por, ndërkohë, në dhomën tonë kishte filluar festa, dhe unë bashkë me tre kushërinj të tjerë, që kishin ardhur aty për të ndenjur bashkë atë natë, nisëm të dëgjonim muzikën korrente amerikane, të cilin unë kisha 15 vjet pa e dëgjuar. Iliri, një nga kushërinjtë, kishte marrë me vete një kasetë magnetofoni me këngët e Ray Charles-it dhe me atë ndenjëm gjatë atë natë, thuajse deri nga ora dy, duke dëgjuar muzikë nga shumë këngëtare dhe duke biseduar. Unë tregoja e ata dëgjonin, dëgjonte edhe nëna e cila dukej se së brendshmi ishte e mbushur me konflikte të ashpra që më në fund kishte ardhur koha për t’i treguar. Rrija afër me të, dhe më fliste e i flisja, më tregonte për të gjitha ato që kishin hequr, por dhe për rezistencën e tyre e cila në fakt më kishte dhënë gjithmonë një ndjenjë të brendshme mbështetëse për të gjitha bindjet e mia. Dhe ora po kalonte, derisa vonë afër mëngjesit ramë për të fjetur, sepse unë të nesërmen do të nisesha për në Tiranë. Isha krejt sikur ndodhesha në të njëjtën gjendje, sikur do të rrija në të njëjtin vend, sepse gjithçka që kishte kaluar deri në një ditë më parë, tani sikur ishte shtyrë në harresë e thuajse nuk kishte ndodhur fare. Para sesa të më zinte gjumi, i mendova të gjitha, dhe e ndieja se gjithçka kishte ishin hedhur në revoltë rrjedhur në një absurd, në një jetë që kishte dëmtuar gjithkënd nga sëmundja e një njeriu, që kishte vrarë, kishte eliminuar të gjithë bashkëpunëtorët e tij dhe të gjithë kundërshtarët, vetëm për një gjë: që të kishte pushtet. “Përse e kishte dashur kaq shumë kur nuk dinte të bënte asgjë për veten?”, pyeta dikur sepse po mendoja faktin që tani gjithçka po shkonte drejt një fundi i cili, po vinte me vrull nga të gjitha anët, kundrejt një grupi njerëzish që kishin vrarë në absurd, dhe do të iknin si viktima edhe ata nga absurdi që e krijoi për vete ai që i kishte marrë nga hiçi dhe iu kishte lënë familjen e vet në amanet. “Në amanet, pse?”, thashë dikur, dhe u kujtova se ishte krimi që pat kërkuar një amanet, dhe frika e ndëshkimit që kishte sjellë këtë gjendje e cila po i çonte shqiptarët drejt urisë. Domethënë gjithçka që po ndodhte e po hapej si histori ose si ngjarje normale për të normalizuar një jetë të trishtë e të vrazhdë nga persekucioni, s’ishte gjë tjetër veçse një frikë që persekutorët kishin filluar të ndienin nga të persekutuarit e tyre. Vera më mirëkuptoi, por kur u ngrita në mëngjes, para se të ndaheshim, në dhomën që kisha fjetur unë, erdhi dhe ndenji gjatë, e për dy orë rresht filloi rrëfimin e saj të gjatë, të cilin e nisi, aty, në Selenicë, më 12 shkurt të vitit 1991, dhe e vijoji pastaj edhe në Tiranë për seanca e seanca të tjera, duke më shpjeguar gjithçka, çdo gjë që kishte pasur si peng së brendshmi në 15 vjetët e një zhgënjimi të madh që kishte ndierë, gjithë duke më analizuar sesi bindja, motivi dhe parimet që të kanë udhëhequr në një jetë besimi dhe përkushtimi, mund të ktheheshin në skllavërinë tënde, në një moment makabër, por edhe shumë të rëndë, sepse mund të të çojnë deri në zgrip të asgjësimit tënd dhe të familjes sate. Është vullneti i sëmurë i një njeriu që mund të shpërdorojë deri në fund besim tënd parimor, po më thoshte ajo atë mëngjes, dhe t’i mund të ecësh në qorr pa e ditur se nuk je duke i shërbyer një parimi ose një idealit tënd, por je duke e fundosur veten përditë e më keq, sepse nuk ke pasur mundësi që të dyshoje. Mua dhe Kiços, thosh ajo si në një ëndërr, na kish qenë mpirë nervi i dyshimit dhe nuk kishim më ndjesi që të shihnin se nën hundën tonë po luhej një tragjedi që po shpërhapej në Shqipëri si një pellg i madh uji, që do të mbyste e do të mbyste njerëz të thjeshtë, të përmbysur në luftë si kundërshtarë, dhe vetë revolucionarë që kishin dalë në luftë për të çliruar vendin dhe kishin marrë pjesë në një përmbysje që duhej të sillte në shoqëri humanizmin dhe barazinë, dashurinë midis njerëzve dhe ta nxirrte Shqipërinë nga një prapambetje shekullore që e kishte pllakosur në 500 vjet. Ajo ishte nacionaliste e vendosur në bindjet e saj, dhe në funksion të kësaj kishte besuar gjithçka që kishte të bënte me barazinë dhe luftën kundër varfërisë. “Kurrë nuk e kam pas pranuar në bindjet e mia qëkurse kam qenë e re, -thoshte ajo ngadalë, - varfërinë dhe pabarazinë që shihja në vendin dhe në shoqërinë time. Ishim të pasur sa nuk ka ku të shkojë më, pronarë të mëdhenj tokash, por kjo nuk mjaftonte për të më bindur se e ardhmja e shoqërisë sime ishte e sigurt. Më torturonte së brendshmi kjo ndjenjë, dhe këtë për së pari e ndava me vëllanë tim, Bardhylin, i cili edhe ai ishte bërë komunist që kurse kishte qenë në vitin e fundit të gjimnazit të Gjirokastrës. Me kast im atë e kishte dërguar në Gjirokastër, sepse kishte pasur gjithmonë respekt të veçantë për gjirokastritët dhe e shihte më të udhës që, para se të nisej për në Bolonjë për të studiuar mjekësi, të njihte nga afër edhe një qytet të famshëm shqiptar”. Ajo fliste qetë dhe nga brenda e kuptoja se ndihej tepër e çliruar, sepse disa herë më tha se gjithçka ishte përmbysur, dhe se kjo, do të ishte përmbysja e dytë shoqërore në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore, po që e ndieja së brendshmi që kishte një dyshim se, forcat që po kërkonin demokraci nuk ishin ende në përvojën e forcës dhe të mospranimit të hileve të kundërshtarit. E shihja se gjatë rrëfimit të saj fliste për ligësinë njerëzore, paçka se nuk e artikulonte ashtu siç e kam artikuluar unë në këtë libër, por gjithsesi e konsideronte fatkeqësinë shqiptare si një gjendje të prejardhur nga një ndjenjë urrejtjeje që individë të caktuar e kishin me vete pa e ditur se përse iu ishte krijuar. Kishte kaluar një jetë e gjithë në një regjim politik që nuk kishte menduar aspak realisht për progresin, përderisa nuk kishte sjellë ndonjë gjë të madhe në lidhje me mirëqenien e shoqërisë. “Shqiptarët kanë kryer një punë ropatëse”, më tha dikur mendueshëm e duke parë nga dritarja e dhomës së vogël ku po rrinim të dy bashkë, dhe unë e kuptoja se ky ishte një konkluzion që e kishte nxjerrë realisht vetë nga konkretja, nga ajo që kishte prekur në këta pesëmbëdhjetë vjet. Ishte diçka e trishtë që, herë - herë ia mbulonte tisin e gëzimit që i kishte dhënë mendimi se tani do të bashkoheshim sërish të gjithë bashkë, ashtu siç kishim qenë dhe në një gjendje të lirë. Pastaj fliste për disa gjëra që nuk i takonin të ardhmes, por asaj të një kohe të kaluar; sepse siç duket nuk mund t’ia pranonte vetes tradhtinë që i kishin bërë. “Na kanë tradhtuar, Spartak, ata me të cilët kishim luftuar për një ideal të përbashkët”. Kjo ishte esenca e mendimit që po më shprehte, dhe unë e ndieja se kishte pasur të drejtë. E kishin tradhtuar, por ajo siç duket ende nuk e kuptonte dot se, ajo që po quante “tradhti’, nuk ishte gjë tjetër veçse vjedhje e madhe që një bandit me bandën e tij kishte grabitur në tërë vendin, dhe, që dihet pastaj se, bandat kriminale nuk kursejnë askënd përpara grabitjes. Kishte qenë një bandë, dhe këtë nuk kishte kuptuar ajo, dhe kjo më lehtësonte së brendshmi në mendimet e mia, sepse kjo më jepte të kuptuar se as ajo dhe as im atë nuk kishin marrë pjesë në këtë bandë. Ky ishte thelbi i së paditurës që ajo e quante tradhti, sepse nuk kishte marrë pjesë dhe prandaj nuk kishte sesi ta dinte e ta kishte njohur fëlligështinë e kohës së atij pushteti, pse kishte qenë aq afër me të. “Nuk kanë qenë pjesëtarë të bandës”, mendoja ndërkaq për të dy, por nuk kisha sesi t’ia shprehja e prandaj e lija që të fliste, për të më treguar atë që ajo e quante të vërtetë. Pastaj qëndroi pak e, duke më parë në sy, më tha: “Jam krenare për ty, sepse ke qëndruar si burrë përpara poshtërsisë njerëzore”. Sikur i dolën nga thellësia e zemrës këto fjalë, dhe unë e ndieja se brenda asaj gruaje kishte jetuar gjithmonë dhe kishte mbetur e fortë heroikja. Kjo siç duket e kishte bërë që të qëndronte thjesht e fortë dhe e papërkulur në një jetë që e kishte goditur rëndë në një segment kohor që kishte kaluar nga fashizmi në komunizëm. I kishte njohur dhe ishte dëmtuar rëndë nga të dyja sistemet shoqërore që kishin kaluar në Shqipëri, dhe unë e shihja se brenda saj kishte ende forcë për të shpërthyer sërish kundër padrejtësisë. Dhe pikërisht këtu, a thua se që të dy po mendonim të njëjtën gjë, ajo u shpreh me një tjetër ton: “Kurrë mos u bashko me padrejtësinë, dhe kurrë mos u mundo të kërkosh falje nëse do të jesh i gënjyer dhe do t’i kesh shërbyer padrejtësisë shoqërore. Unë kurrë nuk do t’ia fal vetes që kam qenë e gënjyer dhe i kam shërbyer, qoftë edhe për së largu një padrejtësie kaq të madhe shoqërore si kjo që kam parë me sytë e mi në këtë vend prej këtij regjimi që duhet të jetë i urryer nga e gjithë shoqëria “. “Historikisht i urryer”, tha pas pak, dhe u ngrit nga vendi duke më kujtuar se në ora 11.00 duhej të isha në Vlorë për të marrë trenin e parë që përshkonte rrugën Vlorë-Tiranë. IV Aty rreth orës 9.00 të mëngjesit, së bashku me ata që kishim festuar lirimin tim atë natë, u nisëm për në Tiranë. Kishim folur gjithë natën me njëri-tjetrin, por tani të gjithë të heshtur, me një lloj gëzimi, që sigurisht vinte nga koha që po shkon drejt një liberalizmi shoqëror, po shkonim në kryeqytet, atje ku në fakt kishin nisur lëvizjet dhe mendohej se do të zhvillohej beteja përfundimtare me një regjim të diskredituar politik, që, në fakt, ndonëse kishte vdekur, nuk po kryhej procesioni i varrimit të tij. Po kuptohej ndërkaq se kishte lindur një shpresë e re dhe po ndihej gjithashtu nga të gjithë se kishin qenë ose të trembur, ose të gënjyer. Në fakt këto ishin të dyja grupet që kishin lejuar jetëgjatësinë dyzetepesëvjeçare të tiranisë Hoxha në Shqipëri, por këto grupe realisht ishin përbërësit kryesorë të të gjithë shoqërisë shqiptare. Frika dhe gënjeshtra, të tremburit dhe të gënjyerit kishin sjellë prej dekadash kompozimin shoqëror të antilirisë dhe këtu brenda këtyre elementëve ishte zhvilluar gjithçka: shkenca, arti, shkolla, dija, botëkuptimi dhe marrëdhëniet shoqërore, në të gjitha aspektet e jetës sociale. Kishte qenë një gjëmë, të cilën unë tani e kam përshkruar, por që ndërkohë, duke ecur për të mbërritur në Tiranë, e shikoja se nuk mund të ishte shumë e lehtë që të katërta këto elemente të mund të largoheshin njëherë e përgjithmonë nga Shqipëria; prandaj, duke kaluar nëpër qytetet që më duhej të përshkruaja, plazmoja me mend të katër elementët duke i marrë një e nga një: Frika. A do të largohej përfundimisht frika ndaj një pushteti politik në Shqipëri, sepse ai mund të të bënte gjëmën në çdo çast? Por këtu, brenda saj ishin edhe të tremburit, që kishin pasur të drejtë të ishin të atillë, sepse iu ishte imponuar një jetë që iu kishte kujtuar skëterrën në çdo çast. Asgjë më shumë sesa një vdekje, që mendohej si gjëja më e lehtë, që mund të të vinte nga shteti shqiptar. Të tremburit dukej sikur po dilnin nga guacka e tyre për t’u bashkuar me rrjedhat e reja të zhvillimit shqiptar, sepse ndërkohë kishin filluar mitingjet që përkrahnin opozitën dhe sheshet e qyteteve gjatë një muaji po mbusheshin me njerëz të cilëve iu kishte dalë frika. Frika është e vetmja e keqe e madhe që ka pllakosur gjithmonë shoqëritë e pazhvilluara, dhe këtu kanë qenë të përqendruara të gjitha pushtetet tiranike. Gënjeshtra. A do ta ndienin zhgënjimin ata që ishin gënjyer dhe e kishin përkrahur tiraninë hoxhiane gjatë gjithë kësaj periudhe, duke menduar se përkrahnin të vërtetën dhe zhvillimin shqiptar? Por më kryesorja në këto çaste ishte pyetja tjetër: a do të kishte nevojë serish politika e re shqiptare që të përdorte gënjeshtrën në mbajtjen e gjatë të pushtetit? Kjo pyetje lidhej pa dyshim me faktin se çfarë do të bëhej me sistemin politik në Shqipëri, dhe sidomos në lidhje me votën e lirë dhe me qarkullimin e elitave. Nuk dihej ende, dhe kjo ishte më kryesorja nëse do të triumfonte dot intelektualizmi në Shqipërinë postkomuniste. Pikërisht këtu më vinte prore e më përcillej nëpër mendje gënjeshtra e madhe që iu ishte imponuar shqiptarëve me të gjitha mjetet e propagandës; në shkollë e në gazeta, në radio e në televizion, dhe sidomos në të gjithë jetën e përditshme, kudo që ata ndodheshin, në punë ose në kafene. Kudo, në letërsi e në kinematografi, në histori dhe në të gjitha lajmet që jepeshin nëpërmjet radios ose televizionit. Por tek shkova nëpër Kavajë, dhe kur pashë se në një mur që dukej nga dritarja e vagonit që ecte ngadalë e ku shkruhej me germa të mëdha “EnverHitler”, të them të drejtën menjëherë e ndjeva se më duhej që ta ndërroja rrjedhën e të menduarit tim për frikën, sepse e pashë me sytë e mi që ajo tani ishte në tërheqje tërësore në Shqipëri. Kurrë s’e kisha menduar dot këtë në burg, dhe prandaj e ndjeva se në Shqipëri kishte filluar më në fund një epokë e re e cila do të plazmohej me anë vlerash të tjera dhe me anë të një tjetër mendimi shoqëror në lidhje me pushtetin politik. Kishte ardhur një kohë e re, dhe ishte mbërritur më në fund në pragun e madh të një përmbysjeje. Gjithçka që kisha 25 Frika dhe gënjeshtra, të tremburit dhe të gënjyerit ishin hedhur në revoltë kundërshtuar politikisht nëpër burgjet ku kisha kaluar; gjithçka e përbuzur hapur prej meje qysh kur kisha qenë student e më pas deri në vitin 1975, më dukej si një vjetërsirë që më në fund koha po e mbulonte për t’i ndaluar erën e keqe. U habita, por në fakt ndjeva edhe një gëzim të brendshëm që më erdhi e më pushtoi për të më thënë se nuk do të kishte më kthim mbrapa. Të them të drejtën, gjatë 24 orëve e kisha menduar realisht një kthim mbrapa të regjimit me lojën e tij pseudoliberaliste si provokim për të krijuar një terror të ri, por tani po e ndieja realisht dhe me bindje se kurrë nuk mund të kishte më një kthim mbrapa dhe se historia jonë sikur realisht ishte futur në një tjetër rrjedhë.

Kapitulli 2

Kisha bërë pesë orë rrugë për të mbërritur nga Vlora në Tiranë, dhe, kur po zbrisja nga treni në Tiranë, ora kishe kaluar nga 17:00. Ishte pothuaj një muzg. Binte shi, dhe sigurisht që me çadër në dorë duhej të përshkruaja rrugën deri në shtëpinë e xhaxhait tim, Anastas Ngjela, e cila ishte në unazën e vogël të Tiranës, mu përballë me Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, dhe të pallatit të vogël të lojërave me dorë. Shiu ishte disi i rrëmbyeshëm, por mua s’po më bënte aspak përshtypje. Ecja bashkë me vëllanë dhe me motrën, si dhe me kushërinjtë, dhe ndërkaq po ndieja se kisha shkelur në qytetin tim të lindjes dhe të ëndrrave rinore, atje ku kisha marrë kulturën time, dijen dhe kisha formuar botëkuptimin tim. E kisha pritur me vite këtë përjetim, dhe ndërkaq, menjëherë posa kisha bërë daljen nga stacioni i trenit, te bulevardi i madh që e pason atë, e kuptova se njerëzit janë të lidhur me vendin e tyre jo nga bukuria, por nga përjetimi i jetës së parë që kanë bërë atje. E kapa saktë në mendje nëpërmjet përjetimit se paskësh gjithmonë një jetë të parë që shlyen gjithçka tjetër. Kurrë nuk më kishte pëlqyer ai bulevard, por tani e ndieja se ajo që po përjetoja në atë shkelje të parë pas 15 vjetësh kishte lidhje me jetën e parë si kohë, me segmentin e parë kohor të jetës tënde i cili paska qenë gjithçka që ka krijuar gravitacionin i cili të mban peshën e të gjithë jetës që ke kryer më pas. Dhe isha i bindur në ato çaste se, përsëri të njëjtin përjetim do të kisha pasur edhe atëherë kur, në vend që të vija nga një burg i shëmtuar për të shkelur aty pas pesëmbëdhjetë vjetësh, do të isha kthyer aty nga Manhattani ose nga Parisi; po njëlloj do të ishte, sepse e ndieja së brendshmi që kjo lloj ndjesie shpirtërore nuk paskësh lidhje fare me një jetë të vështirë e cila të është imponuar për ta kryer, por vetëm me një distancë hapësinore që të ka ndërprerë vijimësinë e të jetuarit aty ku ke kryer jetën tënde të parë, apo atë segment të parë kohor që nis të gjallojë me lindjen tënde, atëherë kur nuk kishe ditur asnjë fjalë. E vjen e vijon pastaj derisa me fjalën të kesh mundësi që të shprehësh gjithçka që mendon, sipas kuptimit ose botëkuptimit tënd. Kjo pra ishte e gjitha, unë kisha hyrë sërish në segmentin e parë të jetës sime, në kohën e fillimsisë jetësore, në vërtitjen mendore të regjistrimit të fjalëve të para, të lidhjes së tyre me idetë, ëndrrat dhe kujtimet e tua që vijnë dhe si pa e kuptuar bëjnë më në fund atë lidhjen e fortë me qytetin tënd. Kështu duhet të jetë për të gjithë. Kuptimi i jetës nuk është vetëm mendimi, sepse ai më shumë ka të bëjë me përjetimet e forta që të janë dhënë si kujtime. Nëse i ke këto kujtime, sigurisht që ato të mbushin të gjithë atë kolonë që qëndron midis shpirtit dhe mendjes, midis jetës dhe vdekjes, dhe ndërrimit të roleve që ato të dyja bëjnë shpesh me njëra - tjetrën, derisa më në fund, ka një substrat, ai i fëmijërisë së hershme dhe i rinisë, që patjetër krijon të gjithë lëndën e mëvonshme, kudo që të formohet ajo: në vendin më të bukur të botës, ose në atë më të shëmtuarin. Po njëlloj është, sepse gravitacionin që mban lidhur këtë fenomen shpirtëror e krijon vetëm ajo e para. Prandaj edhe unë, duke ecur nëpër Tiranë në ato çaste të para të mbërritjes sime atje, e kuptova saktë më në fund atë që kishte thënë Salvador Dali në fillim të viteve shtatëdhjetë kur ishte shprehur: “Asgjë nuk më bën më përshtypje, as fama, as pasuria, gjithçka që kam arritur, sepse e vetmja gjë që më shqetëson është fakti nëse, moshatarët e mi pleq, që mblidhen darkave në filan qytezë të Spanjës e në iks kafene, a më kujtojnë ndonjëherë apo jo”. Ja, kjo ishte e gjitha ajo që po përjetoja realisht në ato çaste, dhe që erdhi më pas e u formua brenda meje si një e vërtetë që duhej treguar diku, i duhej thënë shpesh e më shpesh vetvetes sime, ose duhej hedhur në një libër, sepse, në fakt, ajo ishte vetë një libër i vërtetë që ndoshta, si të gjitha librat e tjerë, ishte shkruar më përpara brenda meje duke formuar aty mendimin tim. Ecja nëpër bulevard, dhe po e ndieja se nuk kishte bërë asnjë lloj ndryshimi në pesëmbëdhjetë vjet; dhe po e shihja gjithashtu se njerëzit ishin disi të shtensionuar po pa ndonjë mendim se çfarë do të bëhej me ta në të ardhmen. Megjithatë e kuptoja se duhej të ishin bisedat ato që do të më sqaronin tërësisht situatën në të cilën ndodheshim, dhe që do të më jepnin arsyen e saktë të gjërave që po priteshin të ndodhnin. E kisha pas lexuar nëpër romane ose dhe në tregime reale kthimin e dikujt nga një mërgim, apo nga një largim për të jetuar më mirë sesa në qytetin ku kishte lindur, por kurrë deri më atëherë nuk kisha lexuar si kujtim apo si roman a tregim të dikujt, për kthimin në qytetin e tij nga një burg i gjatë. Ishte një gjë që duhej ta përjetoja nga e para si të pamenduar ndonjëherë, dhe prandaj ecja nëpër bulevardin që shkon nga stacioni i trenit për në Sheshin Skënderbe, gjithë duke menduar se duhej të mësohesha ndoshta me një jetë të re e të tjetërsojtë, sepse ndërkaq kisha formuar një tjetër mendim për jetën, për njeriun dhe për historinë tonë. Po mbyllej tragjedia, e cila ishte nisur nga ata që po dorëzoheshin, por protagonistët e vërtetë kishin vdekur, kurse njerëzit kishin nevojë të jetonin, të shpëtonin sado jetë kudo që të mundeshin, sepse e kishin ndierë që nuk kishin jetuar. Ishte kohë që mund të krijonte një tajfun, i cili mund të përlante gjithçka në syrin e tij, por mund të ishte edhe një tërmet që mund të të zinte brenda. Mund të ishte një kohë liberale, e cila mund të ecte realisht drejt një jete normale e të lirë, por mund të ishte edhe një “a pres moi le delyge” e Ramiz Alisë dhe e së vesë të diktatorit. Veçse njëherësh së brendshmi e ndieja se kjo gjë nuk mund të ndodhte, sepse ai që mund ta bënte këtë e të thoshte si Luigji IV: “pas meje kiameti”, kishte vdekur, dhe koha nuk e pranonte më si një gjasë ndodhjeje. Ecja, dhe nga të dyja anët e bulevardit shihja se gjithçka ishte ajo që kisha lënë, po e njëjta, pa asnjë ndryshim, dhe po më dukej se ishte me po të njëjtët njerëz, edhe pse në fakt nga fytyrat që më kaluan nuk njoha asnjërën. Ishte ftohtë disi dhe shiu bëhej edhe më i bezdisshëm; por ecja ishte e tjetërllojtë, sepse kurrë nuk e kisha ndierë të kishte qenë më përpara ashtu. Të hysh në një vend, që të është ndaluar për ta parë për 15 vjet, dhe që ai është qyteti yt i lindjes, nga i cili, deri në moshën 28 vjeç, kurrë nuk je larguar, duhet të jesh i përgatitur për të përjetuar ndjenjën e një afrimi të ri, ose ndjenjën që të kaplon kur takohesh me një njeri të dashur që nuk e ke parë për 15 vjet. Kështu ndihesha, a thua se isha në një takim me një gjë të dashur që më kishte munguar, por që më në fund, ishte hera e parë që, duke parë pandryshueshmërinë e asaj rrugë-bulevard, u kujtova saktë se jeta jote është në fakt një segment kohor që ikën shumë shpejt, kurse ngrehina e një qyteti është një gjë e qëndrueshme që mund ta tejkalojë pesë dhe dhjetë herë gjatësinë e jetës tënde. Atëherë realisht u kujtova se ishte një gjë shumë e madhe për mua që isha gjallë, sepse edhe mund të kisha vdekur, dhe asgjë nuk do të ndryshonte rrjedhën e jetës së një qyteti. Ai do të qëndronte ashtu, gjithmonë ashtu, ndoshta për shekuj. Por ajo që del në këtë rast për t’u kujtuar si mendim është pyetja: ti, je një i harruar, apo je një i panjohur? Po, isha krejt një i panjohur për atë qytet tani, dhe prandaj e ndieja se ishte një gjë shumë e madhe që isha ende gjallë. Kurrë nuk e kisha menduar kaq konkretisht dhe me ndjesinë e një të vërtete të prekshme faktin që isha gjallë. Tani e kuptoja se, më në fund, kisha shpëtuar nga një vdekje e cila do të më linte anonim, dhe pa asnjë vlerë, sepse, ajo që po mendoja me ndjenjën e vërtetë se isha gjallë, ishte përgjigjja e fundme që po i jepja i sigurt pyetjes së ngritur prej meje që në çastet kur më kishin arrestuar në Rubik të Mirditës, më 15 nëntor të vitit 1975: a do të bëja ndonjë gjë në këtë jetë? Por, pikërisht kjo, kjo po më vërtitej normalisht në mendje, dhe, jo më si pyetje, por si një qëllim: “duhej patjetër që të bëja diçka”, sepse tani koha më kishte privilegjuar, sepse më kishte dhënë të drejtën që të shihja përmbysjen ose të merrja vetë pjesë në një përmbysje të madhe shoqërore që duhej të ndodhte në Shqipëri. Ishte basti im i madh që kisha vënë me kohën time: kush do të vdiste më përpara, unë apo regjimi politik hoxhist në Shqipëri? Fakti që kisha dalë normal nga një burg i gjatë, dhe që e kisha fituar bastin, më jepte të drejtën që të mendoja me bindje se do të krijoja diçka për vete dhe për kohën time. Dhe do të më jepej mundësia për të parë realisht sesa vleja në vendin tim. U kujtova ndërkaq dhe mendova se, e vetmja gjë që na mbetet në këtë jetë, është që të jesh dinjitoz në vendin tënd. E kisha kaluar një provë të madhe, e kisha mposhtur agresionin shpërbërës të tjetrit; kisha kaluar izolime dhe hetuesira, jetë burgu dhe privacione të përditshme, kurse tani më duhej që të jepja kundrejt vetes sime pasqyrën e asaj që dija e që mund të bëja, për të krijuar unin tim real, atë që jeton në vendin e tij dhe ka të drejtë të krijojë i lirë, për të formuar jetën e tij me një vlerë të re. II I shim duke ecur të tre, me vëllanë dhe me motrën për të shkuar në shtëpinë që shpjegova më lart, kur u kthyem në rrugën lidhëse midis atij bulevardi dhe Rrugës së Durrësit. Në atë rrugë, në një vilë private ishte selia e Partisë Demokratike, të porsaformuar, dhe Linzi do të shkonte për të lajmëruar Gramoz Pashkon se kisha ardhur në Tiranë. E kisha pasur mik, dhe e pata mbajtur pranë për dy vjet rresht në Bibliotekën Kombëtare; kishim kaluar shumë situata me të dhe, ndërkohë e kisha ndjekur prej burgu se kishte ecur. E dija që atëherë, pra qëkurse ai kishte qenë student, se ai ishte një kundërshtar i regjimit, dhe madje, pikërisht për këtë, më kishin ardhur e më kishin pyetur edhe në burg për të. E dija që kishte bindje liberale, dhe sigurisht që prisja që ta takoja për të më sqaruar së paku atë që po ndodhte në partinë e tyre që posa kishin formuar. E dija ndërkaq që e kishin mësyrë spiunët e Sigurimit, sepse ndërkohë në Burgun e Kosovës kishim parë me bezdi që dega e partisë së tyre në Durrës po drejtohej nga Minush Jeroja. Që në atë kohë e kapa që nëpër degët e partisë së tyre do të drejtonte Sigurimi i Shtetit, por ndërkohë doja që të takoja Pashkon, sepse, kjo ka qenë gjithmonë historia e përmbysjeve diktatoriale, dhe prandaj Shqipëria nuk mund të bënte përjashtim nga ky rregull. Binte shi, dhe unë po e prisja që Pashkoja të dilte nga vila bashkë me Linzin. Dhe ashtu ndodhi; ai doli me vrap nën një çadër, dhe bashkë u takuam për disa minuta, dhe e lamë që të takoheshim sërish të nesërmen për të folur gjerësisht në lidhje me këtë çështje. M’u duk disi i qetë dhe pa ndonjë shqetësim për ecurinë e politikës që sapo kishin hapur. Ishte pikërisht ajo ditë kur për lidershipin e tyre po kërkohej që të bëhej ndërrimi i kryetarit; gjë të cilën e mora vesh më vonë; por gjithsesi e ndieja se nuk kishin krijuar ende ndonjë formacion politik me program solid dhe me një qëndrim realist kundrejt asaj që përbënte në atë kohë ekonominë e shkallmuar shqiptare. Nuk pata rast që të flisja gjatë me Pashkon, por ndërkohë e kisha formuar bindjen se ata nuk kishin njerëz. Ato që flisnin nuk kishin sens modern dhe ata dy ose tre persona që kishin dalë në media, veç Pashkos, më kishin lënë një shije të keqe. “janë krejt aguridhe”, - më kishte thënë Kiçoja duke përmendur faktin që flasin gjëra të përgjithshme, sepse nuk e njohin fare sistemin që duan të ndërtojnë. “Kështu sikurse ishte Enver Hoxha në fillimet e tij, që fliste me terma të përgjithshme”, - më kishte thënë Kiçoja në burg që përpara një muaji. Dhe Kiçoja kishte pasur të drejtë, sepse këtë, me kohë, e vura re edhe unë, që ata ishin më shumë brenda poezisë sesa ndërtimit të një sistemi. Prandaj kur u ndava me Pashkon, më shkoi edhe njëherë mendja te “poezitë vulgare”, që kishte thurur nëpër vitet e para Enver Hoxha, dhe gjithmonë për të krijuar imoralitetin e vrasjes masive që po ndërmerrte në likuidimin e intelektualëve shqiptarë; dhe mendova me njëfarë shqetësimi se këta që të gjithë ishin lehtësisht të përmbysur nga Ramizi, kur të donte ai. Megjithatë ecja për të mbërritur të shtëpia e xhaxhait dhe me vete thosha që, mjafton që është bërë thyerja e regjimit, sepse gjërat do të vihen mirë në vendin e tyre. Pikërisht për këtë, po prisja takimin e nesërm me Pashkon, sepse nga ai takim do të kuptoja gjithçka. Sepse do të kuptoja drejt sesa lidhje kishin të gjithë këta opozitarë me demokracinë, dhe a do të mundeshin që ta përmbysnin realisht tiraninë shqiptare, e cila ndonëse ishte përthyer që në vitin 1957, ende s’kishte rënë, por qëndronte gjithmonë e futur në një inerci hoxhiste për të cilën ende nuk isha i bindur se vërtet do të binte këtë herë. Dhe kështu me këtë lloj mendimi hyra në shtëpinë e xhaxhait tim të cilën e njihja shumë mirë; sepse ishte pikërisht ajo që kisha lënë, njëlloj si 15 vjet përpara, por sërish që e ndjeva se kisha njëfarë nostalgjie që e shihja, njëlloj si edhe për qytetin, sepse kisha shkuar shpesh në atë vend; dhe ndihesha njëlloj si në shtëpinë time. U takova me xhaxhanë, Anastas Ngjelën, dhe me vajzën e tij të vogël, Mirelën, e cila ndërkohë sapo ishte lauruar për matematikë në Universitetin e Tiranës. E kisha lënë rreth 9 vjeç, dhe ajo tani ishte 22-23 vjeçe. Por ishte errur ndërkaq dhe tek bisedonim të gjithë bashkë po e ndieja se kjo ishte nata e parë që po përjetoja jetën e ndërprerë në Tiranë pas afër 15 vjetëve. Dola në ballkonin e apartamentit; ndjeva tamam atë lloj arome që nuk e kisha harruar. “Njëlloj si qeni”, thashë me vete duke ndenjur gjatë në ballkon, teksa Mirela po përgatiste darkën, kurse unë ndieja aromën e veçantë të Tiranës që kisha lënë që nga viti 1975. “Prandaj nuk e harrojmë dot”, - thashë me vete, sepse këtë rastin e aromës së veçantë që ka Tirana, nuk e kisha menduar ndonjëherë, ngaqë, në fakt, kurrë nuk e dija se e kisha të regjistruar brenda vetes. Ndonëse e dalloja menjëherë kur kthehesha nga pushimet e verës aty, por gjithsesi, asnjëherë nuk e pata rastin që ta mendoja kështu sikurse po e mendoja atë natë aq të çuditshme, e cila sikur po më hapte disa kanale të reja në mendjen time, që po preknin disa gjëra që, ndonëse kishin qenë të përjetuara, por kurrë, asnjëherë nuk ishin menduar kështu. Por, megjithatë, duke dashur që të mos shtyhesha edhe më tej në sentimentalizëm, hyra në kuzhinë ku qe shtruar darka dhe gjatë gjithë darkës kujtuam atë që na kishte ndodhur si familje. Por, gjithsesi, kishim shpëtuar dhe ishim të plotë. Kiçoja ishte ende në burg, por gjithkush nga ne e kuptonte tani dhe ishte i bindur se nuk kishte më asnjë mundësi që të zgjaste më tej edhe burgu i tij.  

Gramoz Pashkoja erdhi të nesërmen që në ora 8 të mëngjesit, dhe, të mbyllur në dhomën e pritjes së shtëpisë ku kisha fjetur një natë më parë, biseduam së bashku për më se dy orë rresht. Ai më shpjegoi gjithçka për Partinë Demokratike, për programin dhe statutin e saj. Në fakt programin ekonomik e kishte bërë ai vetë, kurse programi institucional ishte thuajse krejt i paprekur. “Ju nuk flisni për përmbysje të sistemit”, i thashë unë ndërkaq, dhe ai, pasi ma pranoi, më sqaroi se asnjë nga ata që ishin atje nuk e dinte se ç’donte të thoshte fjala institucion si një koncept për shtetin. Nuk dinin fare se çfarë ishte një parlament; dhe më shpjegoi gjatë se afrimi me të huajt do t’i kthjellonte që të gjithë. Atëherë unë i thashë se kam me vete një kushtetutë që e kam shkruar për vite të tëra në burg, dhe mendoj t’ua jap që ta fusni në program. Ia shpjegova në një linjë logjike kushtetutën time, e cila s’kishte ndonjë gjë më shumë ose më pak se kushtetutat perëndimore, dhe ai ndjeu një optimizëm të brendshëm. Ishte i djathtë në bindje, dhe e dinte se kishte një ngërç institucional në ecurinë e mëtejshme të politikës shqiptare. Ndërkohë më foli për konfliktin që kishte brenda partisë së tij, dhe veçanërisht më shpjegoi një tendencë retrograde që paraqiste aty Sali Berisha, i cili ishte thuajse në konflikt me të gjithë grupin e tij, që atëherë spikaste që ishte grupi më intelektual i asaj partie. “Jemi bashkuar 33 Populli po bërtet për mua. Ai më do shumë. Gabohesh! Sepse, po të të shihte të varur, do të kish bërtitur edhe më shumë nga rasti’, më tha Pashkoja dhe më shpjegoi se gjithçka është bërë me ngut, dhe gjithçka është e pakontrolluar. Ndërkaq unë e pyeta sesa komunistë ka në elitën politikë të asaj partie, dhe ai më tha se ishin shumë. Atëherë, - i thashë unë, - ju nuk mund të jeni një parti e qendrës së djathtë, por një parti e qendrës së majtë”. “Po unë vetë nuk jam socialdemokrat”, më ndërhyri Pashkoja, duke më kujtuar se, nëse ajo parti do të shpallej si socialdemokrate, ai nuk mund të kishte vend më aty. Ata që të gjithë të majtë janë më shpjegonte ai, por për faktin që nuk kanë aspak kulturë për shtetin, “unë bëj si të dua me ta”, më tha, dhe vijoi të më tregonte se po i mposhte me anë të shtypit të huaj, gazetarëve perëndimorë, që hynin e dilnin në Shqipëri, dhe sidomos me politikën e atëhershme europiane e cila, si konfigurim, drejtohej djathtas: edhe në Londër, edhe në Bon, edhe në Romë. Vetëm Parisi me Mitterrand-in nuk mund të jetë i mjaftë për t’i mbajtur këta të mitë, më tha disa herë Pashkoja atë ditë, duke e theksuar këtë fakt, pasi që para gjashtëmbëdhjetë vjetësh e dinte pikëpamjen time për tregun e lirë, kapitalizmin si liri dhe demokracinë si sistem. Më pëlqeu mendimi i tij se m’u duk racional, dhe i thashë se, duhej që të përgatiste terrenin për një qendër të djathtë, pa qenë vetë në krye, sepse ashtu do ta kishte të vështirë, sepse jam i bindur që komunistët e Partisë Demokratike të porsaformuar, janë që të gjithë me Ramiz Alinë. “Me Ramizin janë”, më tha, dhe e ndjeva se pati njëfarë prerje në fytyrë. E ndjeva se donte një shtysë në këtë çast dhe i thashë që, do të jetë mirë për ty që të shkëputesh ti i pari nga Ramiz Alia, madje fillo të artikulosh ndarjen e tij në program, domethënë në sistem; sepse ashtu do ta dominosh gjendjen. Pastaj ai më shpjegoi qartë se Ramizi nëpërmjet Sali Berishës dhe disa të tjerëve, “nuk na lë që të hapim dyert e partisë për të djathtën klasike; dhe unë nuk kam forcë që të veproj i vetëm”, po më thoshte ndërkaq disa herë gjatë asaj bisede, dhe unë e kuptova qartë se gjithçka drejtohej nga Ramiz Alia edhe në partinë e tyre. Drejtimi i partisë nga Azem Hajdari më tha, ka qenë spontan dhe disi diletant, por unë nuk kam qenë për rrëzimin e tij, sepse ai është më i manipulueshëm djathtas sesa ata të tjerët. Saliu ka frikë nga klasa e përmbysur sepse do të kërkojë ndërrimin e sistemit në funksion të pronës, gjë të cilën ai e koncepton si një përfundim historik. “Unë ende nuk kam folur për këtë çështje”, më tha dikur gjithë duke më argumentuar se mund ta tejkalojë privatizimi këtë çështje. “E ke gabim”, - i thashë unë, - pse privatizimi nuk mund të privatizojë privaten, ajo që ka qenë private do të kthehet sërish private, prandaj privatizim do të thotë vetëm shndërrimi i pronës shtetërore të krijuar nga komunizmi në pronë private, sepse, pasi të vendoset demokracia si sistem, me legjislacionin e saj, çdo individ e fiton në gjykatë restituimin e pronës së vet të shtetëzuar; mjafton që të këtë nisur procesi i privatizimit”. Po më shihte me një ndjenjë të plotë pranimi, por unë e ndieja se kishte një ngërç të brendshëm që e mundonte. Isha i bindur se i dukej ende si e parakohshme që të flitej për restituimin ose kthimin e pronës te pronarët e vjetër, prandaj i thashë ndërkaq se do të ishte mirë për të që të niste menjëherë studimin e çështjes së restituimit të pronës që nga e drejta romake e deri në të drejtën moderne europiane. “Shko në Bibliotekën Kombëtare, se i ke atje të gjitha, shqip dhe italisht, edhe në frëngjisht”, i thashë dikur, por ai po më shikonte disi mendueshëm, sepse siç duket nuk e kishte menduar thellë këtë çështje si një proces që duhej kryer domosdoshmërisht. Në fakt ai mendonte për atë që po ndodhte në Shqipërinë e atëhershme: drejtimin e partisë së tij nga fryma e Ramiz Alisë. Pastaj folëm gjatë për atë që do të ndodhte, por e shihja se nuk kishte shumë informacion, dhe prandaj nuk e mora të plotë informacionin që më duhej. E kuptova ndërkaq se nuk e kishte fare në konsideratën e tij politikën amerikane në Ballkan, por nuk desha që t’i hapesha që në ditën e parë, sepse më duhej edhe për vete një informacion më i gjerë, sidomos me atë që po ndodhte në Jugosllavi. E pashë që nuk kishte mundësi që ta shihte politikën si një politikë ballkanike, dhe ndërkaq e ndjeva se gjithçka në atë fluks politikanësh kishte nisur si spontane dhe po ecte si spontane. Në fakt asnjëri prej tyre nuk kishte një backgraund për përmbysje të sistemit apo të regjimit, dhe ky i krijonte një pengesë të brendshme e cila po të vijonte kështu kishte mundësi që t’i hidhte sërish te Ramiz Alia. Kisha një bindje sikur Ramizi e kishte krijuar këtë parti për ta pasur si vegël, gjë për të cilën u binda dalëngadalë më pas. Por gjithsesi e dija ndërkaq që politika mund të jetë spontane vetëm në muajt e parë, kur të gjithë janë të trembur nga tirania e pranishme, por më pas, kur të konsolidohej pluralizmi politik, gjithçka do të shkonte sipas rrjedhës së interesit, dhe nuk ishte aspak çudi që vetë Ramiz Alia të ishte armiku më i madh krijesës së vet. Gjithsesi, duke e dëgjuar Pashkon për perspektivën e ardhshme të qeverisë së tyre të mundshme, e pashë se ishte jashtë një sensi normal të të parit të gjërave. “Ju nuk keni backgraund për të krijuar një histori të re në Shqipëri”, i thashë unë. Por e vura re që ai sërish u pre në fytyrë, dhe nuk po më shihte në sy, aq sa menjëherë e kuptova se këtë e kishte përjetuar së brendshmi si një pretendim timin drejt majës së tyre. Më erdhi për të qeshur, por e mbajta veten, sepse aty për aty i thashë: “Nuk duhet të më keqkuptosh për punën e backgraund-it, por unë mendoj se Shqipëria e ka ndërkohë kryeministrin me backgraund, sipas asaj që po pretendoj unë”. “Kush mund të jetë ky”?, më pyeti Pashkoja, dhe unë i thashë qetë: “Isuf Vrioni”. Ishte hera e parë që më pa në sy. Ai e dinte se unë Isufin e kisha njohur që në rininë time, madje shumë mirë. Unë e kisha njohur edhe atë vetë me Isufin, por siç duket e kishte harruar fare, se ai ishte i vetmi njeri që kishte një formim realisht perëndimor, shtresë e lartë e shoqërisë shqiptare klasike, një familje me jehonë reale në historinë e Shqipërisë, që kishte dhënë edhe një kryeministër pas pavarësisë. Po më shihte në heshtje, por unë e dija mirë se çfarë po mendonte, sepse e kisha njohur qëkurse ishte fare fëmijë. E dija shumë mirë se po thoshte me vete se ky, po ma heq nga dora karrierën e kryeministrit që në këto çaste të para, por nuk donte të shprehej. Nuk po fliste; dhe kështu ndenjëm në heshtje të dy për një segment të gjatë kohor në bisedë; por, pas pak, më tha: “Nuk besoj se mund ta ketë këtë mendim lidershipi i Partisë Demokratike”. Mua më erdhi vërtet për të qeshur, gjë të cilën ai e kuptoi menjëherë. “Ti këtë mendim ke pasur gjithmonë për Vrionin”, më tha mendueshëm, dhe nisi të më kujtonte të gjitha ato që kishim thënë të dy për Isuf Vrionin në vitet shtatëdhjetë. Prandaj, idenë time nuk ma kundërshtoi me zë, pavarësisht nga ajo që po mendonte, sepse nuk e kishte bërë ndonjëherë kundërshtimin kundrejt meje. Pastaj shtoi se bashkohej me mendimin tim, por më tha gjithashtu, se, po ta marrë vesh Saliu këtë propozim, do të të bëhet keq. Kurse unë menjëherë e ndjeva që këta ishin ca individë të rreshtuar në politikë nga forca ose shtysa që nuk ishin të barabarta për të gjithë. Nuk dinte se çfarë të më thoshte, por e kuptonte që unë kisha të drejtë. Ndërkohë që regjimi kishte falimentuar, për këtë dukej se kishin dalë, më shumë për të fituar për vete diçka të vogël, sesa të bënin ndonjë gjë të madhe për vendin. Historia nuk mund të zhvillohej dot thjesht si një kapriçio e disa individëve që iu ishte dhënë rasti të bënin politikë me pasojën e disa rrethanave të veçanta e të krijuar befas, dhe që, më së shumti ishin krijuar nga nevoja e pushtetit që po ikte dhe që kishte bërë krime në Shqipëri, sesa nga programi ose nga doktrina e disa individëve që duan të shpëtojnë shoqërinë nga një gjëmë. Në anën tjetër, nga biseda me të e kuptoja se në këtë situatë Shqipëria po kalonte në një periudhë të papërcaktuar, e cila edhe mund ta fundoste përfundimisht. Që të gjithë liderët që kishin dalë si opozitarë ishin njerëz të varfër që nuk kishin pasur në xhep asnjëherë më shumë se një mijë lek. E kuptoja këtë sepse e dija mirë se çfarë ndienin, por ndërkohë dija edhe atë tjetrën që, pikërisht kjo do t’i bënte qesharakë në sy të të huajve, por edhe mund t’i bënte të manipulueshëm nga fqinjët, të cilët kishin pasur gjithmonë një politikë të konsoliduar në lidhje me interesat e tyre kombëtare. Isha i sigurt që në këtë ditë të parë të takimit me ta, por konkretisht e pashë vetë pas disa ditësh, kur i gjeta të shtyrë ligsht drejt dhe 100 dollarëve që mund t’iu jepte një gazetar i huaj; dhe e ndjeva se perspektiva do të ishte disi e zymtë, e papërcaktuar për të vijuar sikundër që kishte vijuar prej shekujsh në një shtet borgjez. Shqiptarët ishin që të gjithë të varfër, duke u kujtuar ndërkaq se të tillë ishin edhe skllevërit, por edhe skllavopronarët, sepse i atillë kishte qenë regjimi që po dorëzohej. Enver Hoxha krijoi sistemin e varfërisë për të gjithë, sepse vetëm ashtu e siguronte pushtetin e tij. Por tani, kjo varfëri ekstreme, që kishte mbajtur në këmbë një pushtet absolut, mund të bëhej shkak për një shpërbërje kombëtare. Kjo ishte arsyeja që nuk po formoja dot një mendim të qartë në atë ditë se çfarë po përfaqësonte kjo parti e re dhe këta individë të cilët, nga sa po dëgjoja nga një lider i tyre kryesor, po më dukej se në Shqipëri kishin ardhur sërish gjimnazistët apo të rinjtë që nisën Luftën Nacionalçlirimtare. Dëshira perëndimore e Pashkos ishte e padiskutueshme dhe isha i bindur se i gjithë fluksi i tij e kishte këtë përmbajtje, por e ndieja se ishte e pamjaftueshme. Zhvillimi demokratik i një shoqërie është më shumë moment racional për të sjellë një menaxhim sistematik të jetës shoqërore, sesa një dëshirë për humanizëm apo për liri. Kur nis një proces i ri për një përmbysje shoqërore, do të thotë se motivi është gjithmonë denoncimi i amoralitetit që ka pas treguar regjimi që do të përmbyset. Partia e Punës dhe Enver Hoxha kishin bërë krime në Shqipëri, dhe partia e posa dalë po tregohej si pa vullnet për të folur në mënyrë protestuese për këtë fakt. E ndjeva menjëherë se ata individë po përjetonin në psikikën e tyre një frikë të dyfishtë: në funksion të karrierës politikë kishin frikë nga backgraund-i i tyre i lidhur me komunistët e Partisë së Punës, dhe, në funksion të së vërtetës, kishin frikë nga pushteti aktual, domethënë nga Ramiz Alia dhe grupi i tij. Kjo ishte situata politike që kuptova se po ndodhte në Shqipëri, në atë mëngjes të 12 shkurtit të vitit 1991, kur po bisedoja sinqerisht me Gramoz Pashkon, tek i cili konstatova realisht se kishte një program ekonomik modern në kokë, por brenda vetes një frikë që nuk do të mund ta realizonte dot, sepse partinë e tyre e drejtonte partia e vjetër. Nuk di pse mendova ndërkaq se edhe ky kishe njëfarë lidhje me partinë e vjetër, por e mbante vetëm si një rezervë, sepse unë, në fakt, e dija që ai e përbuzte Partinë e Punës. Prandaj, kur dolëm të dy jashtë apartamentit ku qemë, për t’u endur bashkë nëpër qytet, e kuptova menjëherë se ai kishte brenda vetes edhe njëfarë deliri, sepse ishte hedhur në aksion kundër Partisë së Punës, por kishte marrë për këtë një përkrahje të madhe popullore. Dhe ndiente gëzim tek më tregonte përkrahjen e tij që kishte pasur nëpër mitingjet e shumta që kishin bërë e po bënin nëpër Shqipëri. Po e shihja me njëfarë dyshimi se e mendoja si të futur në një delir të papërcaktuar mirë, kur befas, pasi dëgjova që më foli për entuziazmin, që shkaktonte fjala e tij para turmave, befas m’u kujtua Cromwell-i në Angli. Ndjeva së brendshmi një ndjenjë keqardhjeje, sepse e shihja se deliri i Pashkos ishte një naivitet i kapërcyer në politikën moderne; prandaj, si me njëfarë sarkazme apo me një lloj humori që më duhej ta bëja i thashë: “Grami, Cromwell-i ka qenë i vetmi udhëheqës ushtarak dhe prijës politik që ka nënshtruar Irlandën. Anglezët prej shumë kohësh e kishin pasur një gangrenë politike e shoqërore Irlandën, por Cromwell-i ishte i pari që, me dorë të hekurt, e nënshtroi plotësisht atë. Veçse 37 Populli po bërtet për mua. Ai më do shumë. Gabohesh! Sepse, po të të shihte të varur, do të kish bërtitur edhe më shumë PËRKULJA DHE RËNIA E TIRANISË SHQIPTARE/ 3 (1991-1996) kjo ishte, ama, hera e parë që, pas këtij akti, Londra e priti Cromwell-in si hero. Ajo ndezi dritat e gazit dhe doli e gjitha jashtë nëpër rrugë për të pritur natën triumfalisht Cromwell-in, i cili përshkonte me kalë rrugët e Londrës, të mbushura plotpërplot me njerëz që brohorisnin për të. “Shiko sesa shumë të duan njerëzit Sir”, i tha ndërkaq ndihmësi i tij, duke menduar se po i bënte qejfin shefit të vet. “Po të më kishin parë të varur, do të kishin brohoritur edhe më shumë”, iu përgjigj Cromwell-i, aty për aty. Grami e dëgjoi me vëmendje dhe, menjëherë pashë se u pre në fytyrë. Ishim duke pirë kafe ndërkaq të kafeneja moderne që ishte hapur dhe funksiononte në hangarin e madh të ekspozitës Shqipëria Sot, kur ai diçka ndjeu së brendshmi, dhe me kast e largoi bisedën edhe nga mitingjet edhe nga brohoritjet. E kishte aftësinë për ta kuptuar nëntekstin e asaj historie që sapo ia tregova, prandaj edhe në bisedë kuptohej që nuk ndihej mirë. Duke e parë kështu, i thashë: “Shqiptarët nuk kanë nevojë për liderë, por për politikanë; sepse nuk kanë nevojë për vizionarë që të krijojnë ideologji bajate, por për pragmatistë që dinë të krijojnë sistem”. Ma pranoi këtë, dhe më tha se duhej të vija e të bisedoja edhe me liderët e tjerë të Partisë Demokratike, sepse në ato ditë ishin duke zgjidhur krizën e Kryetarit. Prandaj e lamë që në darkë që unë të takohesha me Eduard Selamin, një profesor të ri të estetikës në Universitetin e Tiranës, që Pashkoja e mbante afër, duke më thënë se atë e kishte më të aftin dhe që kishte më shumë besim se diçka dinte nga moderniteti dhe shoqëritë demokratikë të kohës.

Bashkë me Gramozin shkuam më pas që të takonim vëllanë e tij, Fatos Pashkon, të cilin unë e kisha pasur një shok të veçantë, madje mund të thuash si një vëlla sepse ishim rritur bashkë. Të dyja familjet tona kanë pasur një miqësi shumë të veçantë në regjimin e kaluar, sepse edhe baballarët tanë kishin qenë shumë shokë me njëri-tjetrin, por edhe nënat tona gjithashtu. Kishin qenë në të njëjtat shkolla, dhe pas luftës, familjet tona kishin jetuar pothuajse bashkë me njëra-tjetrën. E takova Fatosin bashkë me Gramozin tek Instituti i Ndërtimit ku ai punonte si drejtor i tij; Instituti ndodhej në unazën e vogël të Tiranës, afër fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, dhe pastaj, që të tre dolëm nëpër Tiranë. Por Gramozi u largua shpejt, sepse i duhej të shkonte në zyrat e Partisë Demokratike, kurse ne të dy ndenjëm bashkë. “Ç’janë këta, o Tos?- i thashë për opozitarët e rinj të Shqipërisë duke e thirrur me emrin e vegjëlisë, “çfarë përfaqësojnë këta?” “Janë hajvanë, - m’u përgjigj ai - nuk thonë asgjë vetëm thonë ca fjalë pa lidhje, por njerëzit po i përkrahin, se siç duket kanë mllef kundër regjimit aktual. Po këta bërtasin kot nëpër sheshe dhe unë mendoj se nuk dinë të bëjnë asgjë”. Pastaj më shpjegoi disa nga fjalimet e mitingjeve të tyre, ku bërtisnin vetëm fjalë të tilla: “Se ne, do t’i bëjmë të gjitha…se ne do të ndërtojmë një shtet të drejtë…se ne do t’iu lidhim me Europën…” Kështu flisnin ata opozitarë, sipas Fatos Pashkos, i cili i kishte shoqëruar me makinën e tij, të drejtorit të Institutit ku punonte, dhe që ndihej shumë i zhgënjyer prej tyre. E dëgjova me vëmendje Fatosin tek më shpjegonte këtë situatë të re opozitare në Shqipëri, dhe së brendshmi fillova të ndieja një si ngërç, sepse edhe nga ato që më kishte thënë Gramozi në atë mëngjes, e kisha kuptuar disi që ata ishin si ata partizanët që kishin dalë në luftë, por që nuk e dinin se çfarë do të bënin me pushtetin nëse do ta merrnin atë. Në fakt kjo kishte qenë gjithmonë historia jonë, një histori që ngaherë sikur kishte ecur në spontanitet. Nuk kishim pasur asnjëherë një botë të përbashkët që të na mbante brenda si të barabartë, por vetëm nëpër perandori si të pushtuar në fillim, e me problem më pas. Nuk besoj se mund të ketë një popull të dytë që të ketë këtë histori, por ne ende nuk po dimë ta tregojmë ose ta shkruajmë vërtetësisht historinë tonë. Një trysni e jashtme, e bërë me kast, për të na lënë pa program dhe pa sistem gjithmonë, në të gjitha kohët. Ishim duke dalë nga kllapa Hoxha, një kllapë hermetike dhe shumë e vrazhdë, që na kishte lënë në injorancë dhe jashtë një rrjedhe të sistemuar historike, dhe tani kuptohej se ende nuk e dinim se çfarë do të bënim. Kishte dalë një parti opozitare, por njerëzit në Tiranë ishin ende skeptikë, sepse kështu më thanë të gjithë ata të njohur që takova në atë 13 shkurt të vitit 1991, tek e shihja Tiranën pas 15 vjetësh. Ishin skeptikë, sepse ende nuk ndiheshin të sigurt nëse do të ikte ose jo Ramiz Alia. Kishte shumë dyshime për të, dhe njerëzit ishin ende të pasigurt. Por kishte edhe frikë, ende frikë që vinte si pasojë e asaj që njerëzit kishin përjetuar në dekada të tëra. Në fakt kishte edhe një ndarje të shoqërisë, ajo të cilën e kam analizuar tani, sepse ndërkohë në Tiranë po ktheheshin të internuarit dhe po dilnin nga burgjet edhe të burgosurit politikë. E shihja gjendjen në atë mëngjes dhe e analizoja si një rrjedhë të re, që po merrte me vete një histori tjetër pushteti, por që kishe ndërkaq edhe një amulli që krijonte një tjetër lloj frike. Ishin të shumtë ata intelektualë të cilët e shihnin gjendjen me frikë për të ardhmen e familjeve të tyre. Ishin të trembur për fëmijët, sepse iu shkonte në mendje dhe iu qëndronte vazhdimisht i ngritur mendimi se shoqëria mund të shkonte në përjetimin e urive të gjata, sepse e dinin që regjimi i Tiranës kishte falimentuar. “Kush do të na ndihmojë”, -më tha Budion Pojani po atë ditë kur e takova, dhe më shpjegoi se kishte përgjegjësi për fëmijët, dhe mos ishte më mirë për të që të largohej nga Shqipëria për në Perëndim. Nuk i dhashë ndonjë mendim, 39 Populli po bërtet për mua. Ai më do shumë. Gabohesh! Sepse, po të të shihte të varur, do të kish bërtitur edhe më shumë sepse nuk e dija sesi ishte realisht gjendja; por gjithsesi, sipas parashikimit tim i thashë se, “tani që po tërhiqet regjimi, nuk ka problem më për të ngrënë, por për zhvillimin e ardhshëm, nuk di se çfarë të them”. Pastaj folëm me Budionin për burgun dhe ai më tregoi edhe për presionin që i kishin bërë në lidhje me dëshminë që para 15 vjetësh; i pati kërkuar hetuesia e Sigurimit të Shtetit të fliste kundër meje. E kishin thirrur disa herë në hetuesi, por ky nuk kishte pranuar asgjë dhe u ishte shmangur me shumë inteligjencë të gjitha pyetjeve të tyre hetuesore. Sidoqoftë, tani kishte përfunduar gjithçka, dhe sigurisht që të dy po flisnim për të ardhmen. Edhe ai i shihte me pak dyshim liderët e rinj të opozitës dhe të dy ishim në të njëjtën mendje se do të ketë situata të papritura në Shqipëri. Por, gjithsesi e përgjithshmja dukej se ishte optimiste, sepse edhe ne kishim dalë më në fund nga një gjendje mjerimi shoqëror ku edhe nuk kishe asgjë tënden, por edhe nuk kishe mundësi të mendoje për të ardhmen tënde. Të gjithë që takova këtë shqetësim kishin, por brenda tyre e kuptoja se iu ishte ndezur një ndjenjë e cila sikur i shtynte për të lënë Shqipërinë. Ishte pikërisht ai gjykimi i saktë i Konfucit para më se dymijë vjetësh, të cilin e kam cituar tani. Mendimi se një qeveri e urryer, që shtyp dhe poshtëron popullin e nxit këtë për të lënë vendin e vet. Kjo kishte ndodhur edhe në Shqipëri. Por njerëzit sigurisht që nuk e mendonin kështu; sepse ata operonin me ndjenjën e rrezikut dhe me atë përvojë që kishin përjetuar. Kurrë nuk mendonin më intelektualët shqiptarë, që takova në ato ditë të para, se mund të bëhej ndonjë gjë e mirë nga shqiptarët që do ta drejtonin vendin e tyre. Shumë prej tyre nuk e besonin se Ramiz Alia dhe e veja e diktatorit Hoxha mund të largoheshin qetësisht nga pushteti i tyre. Prandaj të gjithë sikur prisnin luftë dhe më pas një reprezalje të re kundër shqiptarëve. I dëgjoja dhe nuk hyja në bisedë, sepse nuk e mendoja ashtu. Por nuk kisha se çfarë të bëja. Janë të lodhur, mendoja, por tërhiqesha kur kujtoja në çast se nga vija unë. Ishte i njëjti mentalitet që kisha lënë, por që tani kishte marrë një tjetër shfaqe, sepse shqiptarëve ndërkohë iu ishte dhënë e drejta që të flisnin hapur për atë që mendonin. Mendova, gjithashtu, thellë dy diktaturat e rënda që kisha parë të rrëzoheshin në vitet 70-të: atë portugezen dhe greken, Gaetanon dhe Papallopullin. Që të dy ishin treguar të mençur dhe nuk kishin krijuar gjakderdhje. Por asnjëri prej tyre nuk ishte larguar nga pushteti me anë të opozitës. Kurse diktatura shqiptare po kërkonte të largohej me anë të opozitës! Ishte e pamundur. Prandaj ndihesha i sigurt në mendjen time se Ramiz Alia e kishte formuar opozitën shqiptare që të neutralizonte revolucionin. E obsedonte realisht figura e përmbysur dhe e ekzekutuar e Nicolae Ceausescu-t. E torturonte së brendshmi mendimi se mund të ishte edhe pa pushtet, madje që edhe mund të përgjigjej për të gjitha krimet e Enver Hoxhës, të cilat tani sikur kishte ca ditë që kishin nisur të denoncoheshin me anë të gazetës “Rilindja demokratike”. Kjo në fakt ishte e para gazetë opozitare, dhe njerëzit si të etur e blinin me shpresën që aty do të gjenin të pasqyruar mllefin e tyre. Kishin qenë të trembur, të akuzuar dhe me njerëz nëpër burgje apo nëpër internime. Kishin qenë gjithashtu të privuar nga çdo e drejtë; dhe tani po prisnin që të ndodhte ngjarja e madhe: rrëzimi i pushtetit hoxhian në Tiranë. Në fakt kishte filluar mendimi ndryshe dhe pasioni drejt pushtetit. Kjo ishte fillimi i një loje politike e cila po të vijonte normalisht do të krijonte fansat e partive dhe pasionin e pushtetit. Hoxhizmi dhe komunizmi në Shqipëri e kishte shtypur krejtësisht ndjenjën që vinte nga pasioni politik i pushtetit, prandaj të gjithë shqiptarët e kishin fjetur mendjen se ajo ishte dhe do të ishte gjithmonë një lojë e kontrolluar dhe gjithmonë nga po të njëjtët njerëz; sepse ata që ishin në pushtet, e sidomos Enver Hoxha, të vrisnin për mendimin e kundërt; kështu e kishte nisur edhe Ramiz Alia, sepse nuk kishte sesi të ishte ndryshe; ai duhej të vriste, të shtypte çdo mendim të kundërt, por gjithmonë për llogari të të vdekurit. Shqiptarët kishin pritur prej tij shumë, sepse që të gjithë e dinin se Enver Hoxha ishte krejtësisht i papranueshëm, por të gjithë ishin zhgënjyer, dhe tani po derdheshin nëpër sheshe jo për të përkrahur liderët e rinj të opozitës, që sapo kishte dalë, por për t’u hakmarrë te Ramiz Alia. Aq sa unë në ato ditë, e dëgjova me veshët e mi, thirrmën e tyre: “O Ramiz o legen, ke pesë vjet që na gënjen!” Në fakt ky ishte një postulat historik, sepse ishte i vërtetë. Njerëzit kishin pritur dhe ai i kishte gënjyer. Por a do ta ndëshkonin këta të zhgënjyer njeriun që i kishte gënjyer për pesë vjet rresht?

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH