Letërsi

Botim i UET PRESS, RECENCË: “Lufta e pengjeve”, histori të trishta të tragjedive individuale dhe kombëtare

Shkruar nga Liberale

Botim i UET PRESS, RECENCË: “Lufta e pengjeve”, histori të

Mehmetaj ka zgjedhur të portretizojë fatet e popujve që luftuan për liri, nëpërmjet jetës në ushtri, aty ku takoheshin detyrimisht të gjitha nacionalitetet, shqiptarë, sllovenë, kroat, boshnjakë, serbë, malazezë, sllavo-maqedonas dhe hungarezë, si tetë nacionalitetet që gëzonin edhe organizime të veçanta, republika, përveç shqiptarëve dhe hungarezëve, që njiheshin me atribute më të pakta shtetërore...

Nga Idriz Morina

Një tjetër roman, që vjen me një rrëfim epik, është “Lufta e pengjeve”  i Gani Mehmetajt.

Si e thotë edhe vetë kryepersonazhi rrëfimtari i këtij romani, udhëtimi i tij i ngjet, atij të Odisesë. Duket sikur autori ka zgjedhur, që koha në roman – ngjarje të zgjatë rreth 10 vite. Edhe epika homeriane në Odise zgjatë dhjetë vjet.

Por, në rrëfimin epik homerian Odiseu ishte një nga kryeheronjtë, bile strategu vendimtar, që e përcaktoi rrjedhën e luftës së Trojës, duke ia dhënë fitoren koalicionit të krijuar nga mbreti mikenas Agamemnoni, dhe i prirë prej tij.

Por, në vend që të gëzonte fitoret, Odiseu, zgjodhi të shijonte udhëtimet, por, që ato u kthyen gati në fatalitet për të, pasi mezi u mbijetoi peripecive. Ai ia del që të kthehet në familjen e tij, dhe ta gjejë gruan e dashur, dhe ta rivendosë nderin, pasi kishte filluar cenimi i nderit familjar.

Por, nuk ngjet kështu me Ilirian Nikajn, i cili ndonëse kryepersonazh, nuk i pëlqen ta luajë rolin e heroit, dhe në pamundësi të gjetjes së zgjidhjeve, detyrohet të luftojë radhazi. Herë në njërin kamp ushtarak, herë në tjetrin, të palëve ndërluftuese.

Motivimi i titullit

Titulli “Lufta e pengjeve” është motivuar nga fati i personazheve kryesore, dhe këtë e kthen shkrimtari në ide qendrore, e cila karakterizohet si proces i pakthyeshëm (fatum) shkatërrimi i një krijese artificiale shtetërore, si imanencë për çlirimin e popujve të kapur peng, e të cilët do ta paguanin rishtas çmimin e lirisë, të caktuar nga pengmarrësi, Serbia, e cila sundonte me Jugosllavinë.

Për të përshkruar gjendjen psikologjike dhe sociale të etnive të shtypura në Jugosllavi, autori zgjedh momentet e fundit të ekzistencës së ushtrisë jugosllave, në të cilën shërbenin me detyrim të gjithë meshkujt mbi moshën 18-vjeçare, në fundin e saj - 12 muaj, e më parë 15 e më herët deri në 24 muaj. Shërbimi ushtarak nuk kryhej në republikën apo vendin autonom, të cilit i përkisnin ushtarët. Ata shpërndaheshin në të katër anët e Jugosllavisë komuniste, e veçmas kjo ndodhte me shqiptarët, madje duke u kujdesur, që shumicën prej tyre t’i dërgonin në vendet dhe kazermat ku mund të ushtrohej sa më shumë dhunë psikike ndaj tyre, por edhe fizike, e në vitet e fundit edhe ekzekutimi i planifikuar i tyre.

Numri i shqiptarëve ishte rritur jashtëzakonisht shumë, sa që, siç e nxjerrë edhe romani, ishin mbi 30% të të gjithë ushtarëve.

Heroin e romanit, Ilirianin e gjen lufta e parë në ushtrinë sllovene, kur edhe nis shembja me luftë e ngrehinës komuniste serbe, Jugosllavisë.

Mehmetaj ka zgjedhur të portretizojë fatet e popujve që luftuan për liri, nëpërmjet jetës në ushtri, aty ku takoheshin detyrimisht të gjitha nacionalitetet, shqiptarë, sllovenë, kroat, boshnjakë, serbë, malazezë, sllavo-maqedonas dhe hungarezë, si tetë (8) nacionalitetet që gëzonin edhe organizime të veçanta, republika, përveç shqiptarëve dhe hungarezëve, që njiheshin me atribute më të pakta shtetërore – nën organizimin krahina autonome me elementin konstituiv federativ.

Që të gjitha etnitetet që luftonin për pavarësi shtypeshin nga serbët dhe servilët e tyre, që ishin si etni, malazezët, dhe sllavomaqedonasit. Kuptohet se brenda ushtrisë kishte edhe eprorë e ushtarë të etnive të tjera, që i nënshtroheshin sistemit të dhunshëm serbë në tërësi.

Filozofi kjo politike, e ndërtuar edhe me programe kundër shqiptarëve që me ideologjinë-programore serbe të krijuar nga Ilia Garashaninin (1844), e në vazhdimësi me dhjetëra programe e traktate, deri në luftën me Kosovën.

Në fund ranë pre e këtyre programeve, që i kishin miratuar me pëlqim apo me heshtje edhe popujt tjerë, e kryesisht boshnjakët, të cilët do të kthehen në kurbanin e shkatërrimit të Jugosllavisë, me masakrën më të madhe të këtyre luftërave, të rrëfyera nga personazhi Ilirian Nikaj, në Srebrenicë.

Nikaj përshkruan me qartësi krimet e tmerrshme, që kryen serbët, jo vetëm ndaj ushtarëve, por edhe ndaj civilëve, po ashtu të kryera jo vetëm nga grupe paramilitare, por edhe nga ushtria e rregullt!

Perspektiva e rrëfimit

Rrëfimi zhvillohet nga narratori homodiegjetik nga perspektiva e dhënë nga personazhi. Por, kjo nuk është instanca e vetme narrative. Ajo këmbehet edhe në veta, nga e para në të tretën.

Narratori identifikohet plotësisht me personazhin, Ilirianin, duke folur në vetën e parë në të pakryerën, nga perspektiva e dëshmisë, dhe e identifikimit të tij, me Odisenë, që autori ka zgjedhur ta quajë Uliks: “Më në fund isha Uliksi, që kthehej në Itakë...” (“Lufta e pengjeve”, fq, 249).

Ndërsa, në “Epilog”, ndryshon edhe instanca në tërësi, duke e mbyllur romanin nga një narrator heterodiegjetik, në vetën e tretë, nga perspektiva “asnjanëse”!

Temporaliteti

Si e kemi përmendur në fillim, rrjedha e ngjarjeve të brendshme, pra temporaliteti në rrëfim zgjat, për rreth 10 vjet, nga rrëfimi i ditëve në ushtri, kur fillojnë luftimet në Slloveni, për ta fituar pavarësinë sllovenët ndaj Jugosllavisë komuniste, dhe mbyllet me daljen në qershorin e vitit 1999, nga burgu D. (i Dubravës), ku e kishin katandisur autoritetet serbe, vetëm pse ishte shqiptar. Duke arritur t’i mbijetojë masakrës që e kryen forcat serbe.

Ndërsa, efektivisht romani mbaron me epilogun, ku narratori, “i distancuar” nga personazhi, rrëfen për dëshminë e kryepersonazhit, Ilirianit, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, rreth viteve 2000, për krimet serbe të kryera në Kroaci!

Rrëfimi dominohet nga ngjarjet tragjike në Kroaci, dhe pjesërisht në Bosnje. Luftë, e cila u mbyllë me “Marrëveshjen e Dejtonit” të vitit 1995. Ndërsa, vitet tjera plotësohen me rrëfimet e jetës së kaluar në robëri - burgje, teksa Iliriani kishte vendosur të kthehej në atdheun e tij të okupuar nga serbët!

Ndërsa, temporaliteti i jashtëm, sipas shënjimit të bërë nga autori pas mbarimit të romanit, shkrimin e tij e filloi në vitin 2021 dhe e përfundoi për rreth dy vite, në vitin 2023.

Metadiegjeza

Edhe në këtë roman, zë vend metashkrimi. Në fakt, duket se autori kishte në mendje, prej kohësh, krijimin e një personazhi që përngjason me heronjtë e lashtësisë në letërsi, njërin nga më të njohurit Odisenë (Udhësin apo udhëtonjësin).

Po ashtu kjo mund të burojë edhe nga një vullnet psikologjik i ndrydhur nga rrethanat, pasi shqiptarët nuk po ia arrinin dot ta krijonin shtetin e tyre të pavarur, andaj Itaka – Kosova si shtet, ishte e munguar.

Kjo situatë identifikimi e Ilirian Nikajt me Odisenë, do të kthehet në modelin kohor të zgjatjes së rrëfimit. Nga momenti i fillimit të luftës deri në kthimin në atdhe janë rreth 10 vjet. Ndërsa, vetëm udhëtimi i Odisesë nga mbarimi i luftës së Trojës, deri në kthimin në atdhe, në Itakën e tij kishte zgjatur për rreth 10 vjet. Por, derisa Odiseu nga lufta po kthehej në udhëtimin e tij të famshëm, e përplot peripeci me qindra ushtarë, e mbase edhe robër e robinja, Ilirian Nikaj, udhëton i vetëm. Ashtu siç edhe në luftë ishte thuaja i vetëm, përfundon “udhëtimin” dhe arrin lirinë, vetëm nga fitimi i lirisë kolektive të shqiptarëve, ndërsa ishte ende duke vuajtur burgun, nga një proces i pafajshëm, por i dënuar vetëm pse ishte shqiptar.

Derisa Odiseu është një hero kryesor thuaja në çdo situatë në udhëtimin e tij, nga më të vështirat përfshirë luftën me Katalanin, Iliriani, është vetëm sinonim i pafuqisë së veprimit, është simbol i njeriut të zënë rob, e të mbajtur peng. Por, ai tregohet i brishtë edhe i pafuqishëm, edhe kur i jepet mundësia e arritjes së lirisë. Me pak detyrim, ai nga një luftëtar i Jugosllavisë, kthehet në luftëtar të Kroacisë kundër Jugosllavisë. Edhe pse i detyruar ai është më i vullnetshëm, dhe zbulon së bashku me luftëtarët tjerë shqiptarë në ushtrinë e Kroacisë, gatishmërinë heroike të tyre për ta mundur Serbinë-Jugosllavinë, të paktën në një front larg Kosovës, meqë lufta këtu ende nuk kishte filluar, ndërsa kur do të fillonte, ai do të ndodhej në burg!

Lufta kundër sistemit serbo-jugosllavë ishte luftë kundër të keqes, dhe luftë për lirinë, ndërsa, ajo e Serbisë ishte kundër lirisë, por edhe e ndytë dhe antihumane, për shkak të kryerjes së krimeve të rënda dhe gjenocidit nga ta, ndaj kroatëve, boshnjakëve dhe më vonë edhe ndaj shqiptarëve. Ndaj, shqiptarëve bota perëndimore vendosi ta ndëshkojë shtetin serb, duke angazhuar NATO-në, t’i jep fund brutalitetit serb, dhe të ndihmojë në ruajtjen e ekzistencës së shqiptarëve, gjë që çon edhe në “lirinë” e Ilirianit!

Po ashtu edhe në këtë roman, si në disa raste të tjera nuk mungon, as citati i drejtpërdrejt, sikurse i disa vargjeve - mesazheve të pretenduara biblike!

Emrat, ADN-ja dhe tjetërsimi!

Mehmetaj ka zgjedhur simbolikisht emrin e kryepersonazhit, Ilir (-ian), emri eponim i popullit pararendës të shqiptarëve që jetonte në Iliri, territor, që e përfaqësojnë në roman tashmë tetë nacione të ndryshme, dhe shtrihej së paku nga Sllovenia, e deri në fund të Maqedonisë (gjeografike, jo vetëm të Republikës Veriore Maqedone). Po ashtu, ky emër shërben për të treguar, se po në ato shtete të ardhshme, vazhdon të jetojë në ADN-në e tyre, gjaku ilir!

Po ashtu, si një nëntemë e këtij romani, del, edhe çështja e shprishjes së gjakut, ndryshimi i identitetit të shqiptarëve, veçmas në Sanxhak. Kjo e sjellë shkëlqyeshëm, nëpërmjet gojës së personazheve, që po e bënin po ashtu detyrën e luftës, për një shtet tjetër të ardhshëm, të cilit nuk do ti përkisnin, Bosnjës. Por, siç e thonë personazhet, ishin lidhjet familjare, nëna, motra etj., që jetonin në Bosnje, që i kishin shtyrë të rrezikonin e flijonin jetët e tyre, për atë motiv.

Por, me shkathtësi të sekuencave narrative dhe nëpërmjet dialogut, edhe shqiptarët e Sanxhakut të tjetërsuar në boshnjak apo si “mysliman”, pranojnë të rikujtojnë se janë apo rrjedhin nga shqiptarët.

Por, nuk është vetëm kjo dallueshmëri. Mehmetaj, ka zgjedhur, që të gjitha personazhet shqiptare, të kenë emra tipik etnik, si Ilir, Agron, Liridon, Lekaj, Afrimi, Shpëtimi, Betimi, Agim etj., ndërsa për ata të asimiluar si në Sanxhak, i jep sipas ngjyrimit fetar, me të cilin pjesa më e madhe e tyre e identifikojnë veten.

Ngjarja dhe identitetet

Fillon në ushtri në një kazermë ushtarake në Slloveni. Sllovenët fillojnë rebelimin kundër përpjekjeve shtypëse të Serbisë, dhe lojërave juridike kushtetuese e administrative. Sllovenia fillon një kryengritje të beftë dhe thuaja pa luftë, i marrin kazermat, por ushtari shqiptar Ilirian Nikaj, nuk e ka fatin të mbetet në Slloveni dhe ta ftojë lirinë. I pamundësohet ikja nga ushtria, dhe vazhdon të jetë pjesë e aparatit më të dhunshëm serb shtypës ndaj të tjerëve, kundër vullnetit të tij.

Titulli i zgjedhur nga Mehmetaj, “Lufta e pengjeve”, shënjon rrethanat psikologjike, në të cilat edhe padashtas ndodheshin, që të gjithë ushtarët, e zgjedhur në mënyrë simbolike, nga tetë njësitë federative republikat (6) dhe krahinat (2) autonome.

Personazhet e projektuar, janë zgjedhur t’ju takojnë rrethanave të imponuara. P.sh., një slloveni, që nuk dëshironte luftë, pavarësisht se kush mund ta shkaktonte, por, që të qenit ushtarë, ia impononte përfshirjen në të. Duke qenë se ndodhej, në luftë, më mirë, të merrte anën e atdheut, dhe të ikte njëherë e mirë nga ekspozimi ndaj rreziqeve, duke qenë një ushtar i Jugosllavisë.

Por, duke qenë pjesë e një ushtrie të dominuar në hierarkinë e saj nga serbët, oficerët shtypës, që po e çonin vendin drejt luftërave të pambarimta, të gjithë jo serbët, që donin ruajtjen e identitetit të tyre, ishin të detyruar të silleshin, sikur nuk dinin asgjë, për të shmangur dhunën, por edhe vrasjet pa gjyq apo të kurdisura nga serbët në ushtri.

Vetëm serbët nuk ishin të rrezikuar, por edhe ushtari Zoran, sipas rrëfimit, ishte peng, jo i ideologjisë serbe, por i ideologjisë komuniste, që besonte në pashkatërrueshmërinë e Jugosllavisë. Duke e dhënë edhe një karakter të tillë për serbët, romani jep një pamje më të gjerë të psikologjisë serbe, se jo të gjithë ishin të motivuar nga ndjenja fashiste e kriminale. Sidoqoftë, ai ia shpëton jetën Ilirianit, në një moment ekzekutimi nga skuadrat vrastare serbe, që kryenin krime të shëmtuara, antinjerëzore, dhe gjithherë pa gjykim. Por, edhe Iliriani ia rikthen në një moment këtë sjellje humane. Kur Zorani kishte shkelur në një minë antinjerëzore dhe të gjithë serbët e kishin braktisur, Iliriani në stilin e tij shqiptar, duke e rrezikuar edhe jetën e vet, shfrytëzon njohuritë ushtarake dhe ia arrin ta shpëtojë pa asnjë pasojë.

Edhe figura sensibile e infermieres Sllavicës, e cila nga urrejtja për shqiptarët kthehet në të dashur të Ilirianit, kur e kupton realitetin, është portretizuar me mjeshtëri.

Situata është më e lehtë vetëm për popujt, përkatësisht vendet që i kontrollonte thuaja vullnetshëm Serbia, në Mal të Zi dhe në Maqedoni. Të gjithë të tjerët jetonin në ankth dhe pasiguri! Rreziku i parë nga lufta, dhe rreziku i dytë nga ekzekutimi, pas akuzave që mund të sajoheshin!

Andaj duke qenë të rrezikuar më shumë se të tjerët, dhe me prirje më të fuqishme kundërvënëse ndaj serbëve, dhe të kushtëzuar edhe nga një afri tradicionale, Iliriani miqësohet vetëm me kroatin Stipe, me të cilin krijojnë besim të ndërsjellë, si për t’ia besuar planin e braktisjes së ushtrisë tashmë, serbe, që pas dështimit në Slloveni, me luftën e nisur në Kroaci, ajo nuk mund të konsiderohej ushtri jugosllave, por e udhëhequr dhe mbisunduar nga serbët.

Si në shumicën e rrëfimeve të Mehmetajt, shquhet ekspresiviteti i shprehjes gjuhësore, dhe sekuencimi i tregimit duke e kthyer në një numër thuaja të pafundmë lëvizjesh të kamerës, për të përcjellë imazhet në mënyrën thuaja më besnike tek lexuesi!

Ushtari Ilirian, do të bëhet rob i pamundësisë së arritjes së lirisë së ëndërruar, i traumatizuar nga dhuna e përsëritur dhe e gjatë, e torturuesve serbë!

 

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH