Letërsi

Botim i UET Press/ Promovohet në Kryeministri libri “Kadare në studio” i Eni Vasilit, dëshmi i 20 viteve

Shkruar nga Liberale

Botim i UET Press/ Promovohet në Kryeministri libri “Kadare në

Për shkrimtarin Ismail Kadare qarkullojnë më shumë se 100 libra me intervista e bashkëbisedime, nga autorë të njohur shqiptarë e të huaj. Sa herë që del nga shtypshkronja nje botim, gjithmonë vjen me diçka të re që na e sjell në dimensione të ndryshme figurën e tij. I tillë është edhe libri me intervista i gazetares Eni Vasili, “Kadare në Studio”, botim i UET Press, i cili u promovua të premten në Qendrën për Hapje dhe Dialog, në Kryeministri.

Libri përmban 4 intervista të realizuara në harkun kohor të 20 viteve, duke e sjellë autorin në momente të ndryshme të jetës së tij personale e profesionale. Në intervistën e parë  të zhvilluar në 2008, fill pas nxjerrjes së librit “Darka e gabuar”, Kadare nuk flet vetëm për letërsinë, flet për dashurinë, për vdekjen, për frymëzimin, për pasionet. Flet për çmimet, vlerën që kanë për të, mungesën e një Nobeli, kritikat dhe akuzat.

Si një shkrimtar i të dyja kohëve politike të Shqipërisë, gjithmonë figura e tij ka ngritur pikëpyetje për marrëdhënien me sistemin dhe drejtuesit e komunizmit. Prandaj edhe gazetarjaVasili nuk iu është shmangur këtyre pyetjeve, por as shkrimtari nuk ka refuzuar të përgjigjet, duke rrëfyer takimin me Enver Hoxhën, letrat drejtuar atij, pse ishte ‘i preferuari’ i asaj kohe, çfarë mendon për hapjen e dosjeve, denoncimet nga kolegët e deri te nacionalizmi, diskutimi i figurave dhe çështjeve të mëdha kombëtare.

Botim i UET Press/ Promovohet në Kryeministri libri “Kadare në

Gazetarja Eni Vasili tregoi se ky libër vjen në kuadër të 20 vjetorit të emisionit të saj “Open”, të cilin do ta kremtojë me zbardhjen dhe publikimin e arkivave të tjera audio e vizive, si një trashëgimi e vyer për të ardhmen.

Sa i përket intervistave me Kadarenë, ajo foli për frikërat e saj të fillimit, si një gazetare e re përballë një figure të konsoliduar, të njohur ndërkombëtarisht. “Në 2008 kemi bërë intervistën e parë me z. Kadare. Nuk mund të them që isha e ndrojtur. Në fakt prisja që ai edhe ta refuzonte. Me shumë përzemërsi pranoi dhe iu përgjigj të gjitha pyetjeve të mia. Ishte një stres i vërtet por kaloi me sukses. Kadare ishte shumë sportiv në përgjigjet që dha.”

Shkrimtarja Helena Kadare tha se bashkëshorti i saj shumë rrallë ka refuzuar gazetarët dhe gjithmonë ka folur për temat që kishin të bënin me trojet shqiptare. E tillë ishte edhe koha e luftës në Kosovë, kur apartamenti i tyre në Paris u kthye në zyrë shtypi, ndërsa për herë të parë dhe të vetme ai la punën e tij si shkrimtar.

“E kam thënë në parathënien e librit që ai se ka lënë kurrë punën e librit. Dy orë në ditë ishin të shenjta, shkonte në kafe pavarësisht nëse ishin pushim. I vetmi përjashtim ka qenë  rasti i Kosovës.”

Për intervistat e sjella në këtë libër, zonja Kadare tha se ka qenë edhe merita e gazetares që ai nuk ka refuzuar, sepse ajo i është qasur me kulturë, me pyetje plot elegancë e mençuri.

Botim i UET Press/ Promovohet në Kryeministri libri “Kadare në

Profesorja e UET, ish-drejtuesja e Arkivit Qendror të Shtetit, Nevila Nika kujtoi takimin e parë me Kadarenë, kur ai shkoi pranë institucionit për të dorëzuar dorëshkrimin e “Qyteti pa reklama”. 

Nika tha se dokumentet janë një monument kulture dhe libri merr një vlerë të jashtëzakonshme pasi bëhet dëshmi e kohës. “Njëzet vjet intervista janë një mrekulli. Sepse në këtë hark kohor në të shohim ty që ke ndryshuar, shohim shkrimtarin, por edhe fjalët që ka thënë 20 vjet më parë dhe ato së fundi, duke përcjellë kështu edhe rrugëtimin e shoqërisë. Sepse një njeri i madh di ta rrëfejë ku ka vajtur shoqëria shqiptare.”

Për studiuesin e letërsisë, Ermir Nika, këto janë intervistat më të mira të shkrimtarit, më të vlefshme për publikun e gjerë, e veçanërisht për studiuesit që kanë në epiqendër të kërkimit të tyre veprën e Kadaresë, që sipas tij ka vlerë humane. Ai vlerësoi punën e gazetares, që ka ditur të marrë esencën e mendimit.

“Kjo është një vepër që ka dy autorë, ka Kadarenë dhe Vasilin, sepse bashkëbisedojnë, shkëmbejnë mendime e normalisht optika zgjerohet dhe komunikimi bëhet i hapur dhe krijohen efekte kuptimore të plota.”

“Kadare në studio” përfshin parathënien e librit tjetër të gazetares “Unë kam vrarë”, realizuar nga Kadare, që siç rrëfeu Vasili, ishte pikërisht ai që e kërkoi ngritjen e kauzës dhe ndërmarrjen e nismës për faljen e Nazmie Vishës. Gazetarja tregoi se gjatë kësaj çështjeje u përball me një luftë maskiliste, maçiste, nga politikanët shqiptarë, nga policia, shoqëria.

“Nuk isha përballur asnjëherë drejtpërdrejtë me maskilizmin e shoqërisë shqiptare. Për herë të parë kam parë se çdo të thotë të jesh grua që kërkon të drejtat e një gruaje tjetër”, theksoi ajo.

Vasili u shpreh më tej se libri është i paplotë, pasi kishte planifikuar të përfshinte një intervistë të pestë përmbyllëse me autorin, me shpresën se do të realizohet së shpejti.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH