Letërsi

Botim i UET Press/ “Libri i arkitektit”, manuali bazë për studentët dhe profesionistët e rinj nga dy arkitektë shqiptarë

Shkruar nga Liberale

 

Botim i UET Press/ “Libri i arkitektit”, manuali bazë për

“Libri i arkitektit” është botimi më i fundit që i shtohet listës së gjatë të librave universitarë nga shtëpia botuese UET Press. Një libër në shqip për studentët, për arkitekturën shqiptare dhe çështjet më të rëndësishme të vizatimit teknik, vjen nën autorësinë e dy profesionistëve, pedagogë e arkitektë, Teuta Kodra dhe Kreshnik Merxhani

I frymëzuar nga studentët dhe për studentët. Pas një rrugëtimi të gjatë në mësimdhënie dhe në profesionin e arkitektit, Teuta Kodra dhe Kreshnik Merxhani sjellin pasionin dhe përkushtimin në një libër që më shumë se të gjithëve do t’iu vlejë të rinjve që janë ende në auditorë.

“Ata na e bëjnë punën më të lehtë, na e kthejnë pasionin në profesion dhe na ndihmojnë për të realizuar gjëra të bukura”, u shpreh arkitektja Teuta Kodra gjatë promovimit të librit në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës.

Jo pa qëllim e titullojnë “Libri i arkitektit”, pasi iu dedikohet arkitektëve që po sendërtohen në këtë drejtim, por edhe atyre që çajnë në tregun shqiptar, të cilët tashmë gjejnë një manual apo udhëzues të plotë për vizatimin arkitektonik, i munguar prej shumë vitesh në literaturën shqipe.

“Libri i fundit që flet për vizatimet e ndërtesave është i ’81-it. Unë jam i ’82-it si ditëlindje. U bënë kaq vite që nuk botohen më libra në mënyrë specifike rregullat e vizatimit arkitektonik dhe teknik”, theksoi autori tjetër Kreshnik Merxhani.

Sipas tij, si njohës i mirë i terrenit shqiptar dhe mënyrës se si procedohet, shumë zyra dhe shumë projektues kanë rënë në një amulli të madhe të mënyrës  si prezantohen apo si vizatojnë.

Botim i UET Press/ “Libri i arkitektit”, manuali bazë për

“Çdo zyrë ka tiparet e veta, pra ka një jotrajtshmëri, e cila në Europë garantohet me kodet, eurokodet, ndërkohë që në Shqipëri para ’90 garantohej me rregulloret që nxirrte Ministria e Ndërtimit, që ishin në formën e një ligji”, shtoi më tej Merxhani.

Për këtë arsye, libri erdhi edhe si një nevojë për të sjellë në një gjuhë të qartë rregullat e vizatimit teknik, që të kuptohet nga të gjithë arkitektët, pavarësisht formimit, origjinës, kombësisë etj. Vetë puna e arkitektit kërkon që ai të lundorojnë në disa terrene: duhet të jetë artist, të kuptojë etnografinë, të kuptojë monumentet e kulturës, vizatimin teknik, çështjet teknike të ndërtimit apo antrpopolgjinë.

“Është një profesion që i çon në shumë fusha e brenda kësaj duhet të gjejnë mjetet e tyre si të shprehen. Vizatimi ka funksionin kryesor komunikimin, pra është një gjuhë universale”, u shpreh Merxhani.

Libri fillon me një historik të shkurtër përmes vizatimeve të lëna nga arkitektët më me famë shqiptare, në mënyrë që studentët të njihen me paraardhësit dhe me ata që kanë lënë gjurmë në arkitekturën e këtij vendi. Ai sjell më tej edhe çështjet e programeve të përdorura në vizatim arkitektonik. Arkitektja Kodra, pedagoge e lëndëve digjitale, tha se ka parë të nevojshme sjelljen e këtij botimi për të njohur studentët me gjenezën e vizatimeve arkitektonike dhe për të vijuar me një projekt të detajuar që i bashkëngjitet librit.

Botim i UET Press/ “Libri i arkitektit”, manuali bazë për

“Në të paraqiten të gjitha fasadat, prerjet, planet, në mënyrë që studenti ta ketë të materializuar në formën e një shembulli konkret të gjithaçkaje që shpjegojmë ndër kapituj. Libri është i shkruar thjeshtë, i kuptueshëm, që të jetë sa më afër studentit”, theksoi ajo.

Dekania e Fakultetit të Informatikës, Inxhinierisë dhe Arkitekturës, prof. asoc. dr. Teuta Xhindi falënderoi autorët, por edhe shtëpinë botuese UET Pres për sjelljen e këtij teksti bazë, më se të mungur dhe që plotëson kështu silabuset e programit të Arkitekturës, të cilat rishikohen e përditësohen çdo vit. “Është një shërbim i jashtëzakonshëm për t’i pajisur studentët me literaturën dhe të dhënat e fundit.”

Sugjerimi i përgjegjëses së Departamentit të Inxhinierisë dhe Arkitekturës, prof. asoc. dr. Otjela Lubonja ishte që ky libër, i ndërlidhur me epokën digjitale, të mos mungojë në bibliotekën e çdo studenti, përveç faktit që do të jetë mëse i nevojshëm në auditor.

“E sugjeroj për lëndët e Arkitekturës, kryesisht për Bazat e Projektimit Arkitektonik, një lëndë që zhvillohet në semestrin e dytë të vitit të parë. Është më se i duhur për këtë lëndë, por edhe për lëndë të tjera duke integruar pjesë të tij.”

Duke folur mbi rëndësinë e sjelljes së botimeve universitare, të cilët janë në gjenezë të shtëpisë botuese UET Press, drejtuesja Suadela Balliu theksoi se libri i shkruar nga dy arkitektë që e njohin më së miri fushën, por edhe studentin, duke qenë pedagog, përveçse i pajis me parimet bazë të arkitekturës, është edhe një rrugëtim në arkitekturën shqiptare.

Botim i UET Press/ “Libri i arkitektit”, manuali bazë për

Libri do të jetë prej të mërkurës në stendën e shtëpisë botuese UET Press në Panairin e Librit, që tashmë si një event i përvitshëm, më i rëndësishmi dhe domethënësi për librin, zhvillohet në Pallatin e Kongreseve.

“Libri i arkitektit” iu bashkohet librave universitarë të autorëve shqiptarë, përkthimeve të botimeve akademike nga shtëpitë botuese prestigjioze të huaja, studimeve, por edhe librave të letërsisë, psikologjisë etj./Luiza Pinderi

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH