Me rastin e botimit të librit “Antikultura e ’68 në Shqipëri” antropologu dhe studiuesi Albert Nikolla organizoi një takim me përfaqësues lexues, miq e të njohur, duke u ndalur në një nga periudhat ku nisi të vihej re një fllad ndryshimi nën diktaturën komuniste, e cila kulmoi me festivalin e 11-të të këngës në RTSh dhe Revoltën e Spaçit për të kaluar më pas në darën edhe më të egër të regjimit. Në takim mori pjesë edhe Kryetarja e Autoritetit, për Informim mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula, e cila e vlerësoi librin e botuar nga UET Press si një analizë të thellë dhe të hollësishme të dinamikave kulturore, sociale dhe politike që karakterizuan periudhën e komunizmit në Shqipëri.
Vetë autori – i cili ka sjellë një tablo të gjerë e të hollësishme të lëvizjeve që u emërtuan si counterculture në ShBA, Francë, Britani, Gjermani e Çeki dhe sesi jehoi e u pasqyrua në Shqipërinë e izoluar – tha se liria është thelbësore për dinjitetin e njeriut, por është dramatikisht e dobët sepse është përherë në rrezik.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe Lekë Tasi, një nga dëshmitë e gjalla të persekutimit të diktaturës dhe simbol i rezistencës njerëzore, i cili prej vitesh kontribuon në dokumentimin e së shkuarës. Ai gjykoi se jo liria, por është vetëpërmbajtja ajo që mund të cilësohet si nëna e demokracisë, duke thënë se lirinë duhet ta shohim si një ide apo fuqi të rrezikshme.
****
Nga ajo që tha Alberti, që e sheh lirinë të rrezikuar m’u kujtua, dhe gjithmonë e kam menduar se në zakonet e mira, temperamentet e mira, shartohet diktatura, ose dhuna, ose skllavëria.
Në rastin tonë, tek ai masivitet i “i kam dhënë besën” bazohet diktatura, diktatori, i cili nuk e peshon fare këtë dhe e shfrytëzon.
Këtu ishte popullor proverbi “unë jam me atë që ka kalanë” , ndjenja më involutive për një shoqëri dhe ajo është baza e okupacioneve të huaja. Me t’u bërë me okupatorin, vendos këtë, e sinqertë ose false nuk ka rëndësi. Kjo ka qenë tulla kryesore e historisë sonë.
Historianët bazohen te kompleksiteti. Çfarë është kompleksiteti?
Ka gjëra shumë më të rëndësishme se kompleksiteti, është ajo që duket sheshit. Kur mbrojnë diktaturën ose komunizmin, të majtën, e cila dy shekujt e fundit e sidomos shekullin e fundit ka marrë tipare të dhunshme dhe nuk shikon më progresin e shoqërisë por sheh pushtetin personal dhe organizimin e konspiracionit që ta sigurojë këtë diktaturë, këtë pabesi që i është bërë parullave revolucionare. Mjaft të lexosh Solzhenitsyn-in në çfarë grade degjenerimi moral ka arritur rusi, që është gjithashtu strehuesi i virtyteve, i zakoneve, i natyrës idealiste dhe besimtare.
Liria është e rrezikuar, sepse me t’u bërë nga i shtypur në i lirë, ai beson në shthurjen e lirisë dhe thotë: “jam i lirë, pse të mos e shfrytëzoj këtë liri. Derisa jam i fortë, i pasur, në ide, në të mira materiale, në para, pse të mos e shfrytëzoj. Sepse unë jap tonin për progresin.” Dhe është e vërtetë, por ama i shartohet kjo liri, liberalizmë, libertalizëm dhe arrin që, me një skaf të vrasë një vajzë shtatë vjeçare , sepse është i lirë dhe qesh pastaj. Nuk e ka ndjeshmërinë të kuptojë që, e kundërta dhunës, e së keqes, është vetëpërmbajtja, jo liria.
Lirinë duhet ta kemi si një ide, si një fuqi, shumë të rrezikshme. Vetëpërmbajtja është nëna e demokracisë. Edhe demokracia ka defektet e saj, që kur siguron një stabilitet ekonomik dhe politik tjetri nuk voton. A nuk është kjo një mospërgjegjësi? Duhet të votojë njëqind për qind, njeriu i kulturuar, njeriu i këtyre shekujve që ka plot ide për ekonominë të cilat e hedhin poshtë marksizmin kur të duash, me çmime Nobel për ekonomi, antropologji, e sociologji. Atëherë duhet përgjegjësia, përgjegjshmëria.
Këtë desha të thosha....
****
*Fjala e Lekë Tasit, mbajtur në takimin për librin “Antikultura e ’68 në Shqipëri- Lëvizjet që u propaganduan si demokratizim i mëtejshëm i jetës së vendit”, UET PRESS, 2024.