Letërsi

Botim i UET Press/ Blendi Fevziu: Si ia parashikoi gjyshja fatin Ilir Metës, i vendosi edhe emrin...

Shkruar nga Liberale

Botim i UET Press/ Blendi Fevziu: Si ia parashikoi gjyshja fatin Ilir

Gjatë 35 viteve karrierë kryesisht si gazetar televiziv me emisionin e suksesshëm “Opinion”, Fevziu ka mundur të jetë i suksesshëm edhe në publicistikë duke botuar të paktën 16 libra, pjesa kryesore e të cilëve janë botuar nga UET PRESS. Libri “Takimet e mia me...” sjell një lloj galerie kontekstualiteti historik të vendit, parë nga jeta e personaliteteve që kanë dominuar kohën, që nga Mbretëresha Geraldinë, duke pasuar te Nënë Tereza, Liri Belishova, At Zef Pllumbi, Jusuf Vrioni, Drita Kosturi, Ismail Kadare, Ibrahim Rugova, Pjetër Arbnori, Ilir Meta e shumë politikanë të tjerë. Përzgjedhja e portreteve është bërë nga puna e autorit, i cili i ka mundur t’i njohë ata nga afër dhe t’i intervistojë gjatë karrierës së tij 35-vjeçare.

Ishte dita e parë që nga meraku nuk mora rrugën e zakonshme të shkollës, atë që kalonte nga Ministria e Jashtme, Unaza dhe Lana, por atë të Pazarit të Ri, për t’iu qasur rrugës së Elbasanit nga një drejtim tjetër. E takova fare rastësisht në krye të rrugicës së shtëpisë së tij, i bërë gati për në shkollë dhe me një dyzim që shumë vite më vonë ma shpjegoi në një intervistë.

Ilir Meta kishte një moshë me mua, banonim në të njëjtën lagje, midis Shkollës së Kuqe dhe Pazarit të Ri, por qoftë arsimin tetëvjeçar, qoftë atë të mesëm e kishim bërë në shkolla të ndryshme. Unë tek e Kuqja, ai te Fan Noli, Unë te Partizani, ai te Sami Frashëri. Për këtë arsye, përveç një frekuentimi të rrallë në grupe shoqërore, nuk kishim ndonjë miqësi të veçantë. Nuk mbaj mend ekzaktësisht kur e kisha njohur, por e kujtoj shpesh pasditeve në këndin e jashtëm sportiv te Shkolla e Kuqe, ku Biu, më i palestruari i lagjes bënte ushtrimet e tij gjimnastikore magjepsëse. Ilir Meta ishte shpesh aty, duke ushtruar trupin që për hir të së vërtetës e kishte mjaft të formuar. Ndoshta edhe nga sporti që frekuentonte në gjimnaz, peshëngritja.

Ishte mëngjesi i datës 10 dhjetor 1990. Një ditë më parë qyteti ishte ndezur nga demonstrata e studentëve, ndërkohë që vetë Qyteti Studenti ishte prej 48 orësh një tokë e lirë. Tirana fliste vetëm për atë gjë. Meta nuk kishte qenë një ditë më parë në shkollë. Ishte e diel, ditë zëvendësimi dhe shumë studentë munguan. Të nesërmen po bëhej gati, mes ngurimit se mos i krijonte ndonjë problem babait të tij që punonte në Shkollën e Bashkuar dhe shtysës prej protagonisti, që realisht e kishte të fortë në jetë. E takova pikërisht atë moment.

- Ishe dje? - më pyeti.

- Po, - i thashë, - isha tek Liceu.

Më pyeti diçka që nuk e kujtoj tani. Ndoshta u interesua nëse

kishte shumë vetë aty. U nisëm bashkë. Gjarpëruam mespërmes Pazarit të Ri, rrugës së Ekonomikut, ish-shkollës Nëna Mbretëreshë, rrugës së Elbasanit dhe u ngjitëm në Qytetin Studenti. Fakulteti im dhe i tiji ishin pranë njëri-tjetrit, nën këmbët e Qytetit Studenti. Aty u ndamë secili në zonën ku qenë pozicionuar studentët e fakulteteve tona. Atë ditë çdo fakultet kishte zënë nga një pozicion, mundësisht ndonjë bordurë të lartë shpërndarë në Qytetin Studenti, duke debatuar për atë që do ndodhte nesër. Ishin diskutimet e para demokratike në një Shqipëri ende në diktaturë.

Nuk e kujtoj dot çfarë kemi folur atë ditë. Me siguri ka qenë një prej atyre bisedave të rëndomta të atij viti që kërkonin ndryshim dhe vetëm ndryshim. Në zallamahinë e protestës studentore e pashë sërish një ditë më pas, më 11 dhjetor 1990, kur fakulteti i tij e kishte zgjedhur në përfaqësinë që do takonte Ramiz Alinë. Përfaqësinë e drejtonte Azem Hajdari, Arben Imami dhe Shinasi Rama. Nuk ishte një lidership i zgjedhur, por këta qenë evidentuar më shumë. Bashkë me ta ishin edhe dy të rinj, më pak protagonistë, që më pas do të kalëronin pushtetin në Shqipëri: Ilir Meta, student i Ekonomikut dhe Pandeli Majko i Inxhinierisë.

U përshëndetëm sërish kur po hipte në autobusin që do t’i çonte në takimin me Alinë. Qyteti Studenti zjente tani nga mbi 100 mijë vetë. Ishte dita më entuziaste që kujtoj. Mes ankthit për të mos e humbur shansin që po trokiste në derë dhe ëndrrës për një Shqipëri të hapur, shumica ndiqnin nga pas me vrap autobusin duke dhënë këshilla me zë të lartë.

- Alia e pranoi pluralizmin, - i thashë. - U vendos para ca orësh. - E di, - më tha, - më thanë!

I ulur në rreshtin e fundit në takimin me Alinë, Meta nuk qe protagonist. Madje akoma më pak pas shpalljes së sistemit pluripartiak dhe krijimit të PD-së. Dyshoj nëse u afrua në selinë provizore të PD-së në godinën 15 të Qytetit Studenti. Në euforinë e atyre ditëve nuk kam ndonjë kujtim të veçantë, kur befas, thuajse një vit më pas, u bë themelues i FRESH-it, Forumit Rinor të Partisë Socialiste, ish-Partia e Punës. Këtu nisi edhe karriera e tij që vijon ende. Duke e bërë së bashku me Berishën, politikanin më jetëgjatë në Shqipëri, një ndër të paktët në historinë e shtetit që ka qenë kryetar Kuvendi, kryeministër dhe president. Berishës i mungon drejtimi i parlamentit. I vetmi që qëndron mbi të dy është Ahmet Zogu. Por ky i fundit, qëndroi në krye edhe si Mbret.

Ilir Meta është më i riu ndër personazhet e këtij libri. Lindi në Skrapar në mars 1969, një natë pas Sulltan Novruzit. Si një ditë e rëndësishme për bektashinjtë, gjyshja besoi se do ishte një njeri me fat dhe i vuri emrin Novruz. Por në Shqipërinë komuniste të atyre kohëve, nën ndikimin e revolucionit kulturor kinez, emrat e festave fetare ndaloheshin. Përveç kësaj, e ëma kundërshtoi gjatë dhe i gjeti një emër më modern. E quajtën Ilir. Nuk e di pse shumë e konsiderojnë një banor të Skraparit. Në fakt veç origjinës dhe vizitave të gjata tek gjyshërit, ai është rritur në Tiranë. Madje ka studiuar në shkollat më elitare të kohës. Babai i tij ishte pedagog në Shkollën Ushtarake Skënderbej dhe nëna mësuese. Ata u vendosën në Tiranë pak pas lindjes së Ilirit, në një lagje autoktone, por edhe shumë mikpritëse tiranase. Në fëmijëri frekuentonte shkollën ku i ati ishte pedagog. Siç rrëfen edhe vetë pasioni i parë ishte ai i ushtarakut, kërkonte të bëhej pilot. Por e ëma nuk ishte dakord dhe bëri çmos që t’ia largonte këtë dëshirë. Pasioni tjetër i madh ishte futbolli. Duke qenë se i ati ishte pedagog ushtarak, pushimet i kalonin në Kavalishencën e Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo i dha mundësinë që në verë të qëndronte afër me futbollistët e Partizanit dhe Dinamos, që ishin njëfarësoj heronjtë e shoqërisë së kohës, por edhe të lidhej më shumë me sportin.

Në gjimnaz ra në sy të profesorit të fizkulturës, Ferit Berberi, i cili qëlloi që të ishte edhe një trajner i disa prej kampionëve të peshëngritjes. Ky i fundit e mori dhe e aktivizoi me ekipet e peshëngritjes në moshën 15-16 vjeçare. Stërvitej në palestrën e stadiumit Qemal Stafa. Aty ku çdo ditë performonte me krenari një peshëngritës me trup mahnitës, Aleksandër Kondo. Po aty u takua për herë të parë me një basketbollist të Dinamos, pak më të madh sesa ai, që bënte në palestër stërvitjen e forcës. Quhej Edi Rama. Peshëngritësi dhe basketbollisti nuk e dinin ato ditë të mes viteve ’80, se një dekadë më pas do bëheshin dy nga njerëzit më të rëndësishëm politikë në vend.

Arratisja e Aleksandër Kondos, kampionit shqiptar, aq e bujshme në shoqërinë shqiptare të kohës, në vitin 1985, duket se qe një goditje edhe për të. Një këmbanë për ta bërë të kuptonte se shumë gjëra nuk po ecnin më në vend. Këtë zë të brendshëm ia ushqyen edhe bisedat dhe shoqërimi me disa kampionë të tjerë të peshëngritjes, më kryesori prej të cilëve, Muharrem Berisha.

Gjithsesi krahas sportit, ai vijonte të regjistronte rezultate të mira në shkollë dhe zotëronte anglishten. Disi e rrallë për kohën. Pas gjimnazit fitoi të drejtën e studimit për ekonomi. Ndërkohë nisi të afrohej dhe të ndihmonte si telekronist futbolli Ahmet Shqarrin në emisionin e famshëm të kohës: “Nga një ndeshje në tjetrën”. “Ai qe një mik i babait”, më tha shumë vite më vonë në një intervistë“dhe më mori me kënaqësi në emisionin e tij që ndiqej shumë”.

Në shkollë u imponua midis shokëve dhe u zgjodh Sekretar Rinie. Sot kur e mendoj më duket se ai kishte më shumë energji se të tjerët dhe ishte i bindur të çante me çdo mënyrë.

Viti 1990 nisi me një vrull që s’e ka pasur asnjë vit tjetër në historinë tonë veç atij 1920. Në janar u regjistruan demonstratat e para në Shkodër e më pas në Kavajë. Ndërkohë Tirana po ziente. Më 2 korrik të atij viti, Ilir Meta humbi një nga shokët e tij më të afërt, i cili hyri në ambasadën gjermane dhe u largua me refugjatët. Ai vetë tentoi të largohet, por me sa duket meraku për prindërit dhe insistimi i babait e ndaluan.

“Nuk doja të ikja kot, doja të ikja të studioja”, më tha më vonë.

Më 1990, kur ndryshimet politike nisën të përzjejnë dhe trazojnë shumë faktorë, ai ishte aty. Të persekutuarit nisën të besojnë se ndryshimi do vinte brenda Partisë së Punës, liberalët e kuptuan se erdhi koha e revanshit me konservatorët. Të aftët menduan të heqin qafe injorantët që i pengonin të ecnin para. Kur në vjeshtën e vitit 1990, Gramoz Pashko dha një intervistë ku mbështeti Kadarenë që kishte kërkuar azil politik në Francë dhe kritikoi sistemin komunist, në Fakultetin Ekonomik nisi një trazim i instrumentalizuar. Për çudi, sekretari i rinisë i vitit të fundit, Ilir Meta i doli në mbrojtje. Mes pedagogut dhe studentit u vendos një raport i mirë që vijoi derisa Pashko ishte gjallë. Por qëndrimi në mbrojtje të Pashkos e bëri atë edhe një pikë referimi brenda fakultetit të tij, midis studentëve e pedagogëve.

Më dhjetor 1990 u përfshi në delegacionin e lëvizjës studentore, ndërsa në janar 1992, 13 muaj më pas u rreshtua në PS.

“PD u mbush me njerëz dhe të gjithë shtyheshin aty”, më tha në një intervistë të shumë viteve më vonë. “Dukej sikur në PS nuk do shkonte asnjë njeri normal. Dhe ajo kishte nevojë për njerëz”.

Më 22 mars 1992 u zgjodh deputet në moshën 23-vjeçare. E kishte pasur datëlindjen vetëm 6 ditë më parë. Ende pa mbushur pak muaj në parlament u bë deputeti i parë që iu hoq imuniteti. U akuzua se kishte mbështetur një protestë në Poliçan. Në fakt nuk ishte e vërtetë. Në Poliçan ku ai ishte deputet kishte nisur një protestë spontane dhe punonjësit e kombinatit të armëve kishin marrë peng një nga drejtuesit e lartë të policisë. Ilir Meta u nis të negocionte dhe e gjitha që bëri qe tentativa për të ulur tensionet. Natën përpara heqjes së imunitetit, presidenti Sali Berisha dhe Kryetari i PS, Fatos Nano, shkëmbyen telefonatën e fundit mes tyre. Ata do të riflisnin sërish 10 vjet më pas, më 2002.

Karriera e mëpasme e Ilir Metës është impresionuese. U zgjodh kryetar i Fresh dhe arriti të krijojë lidhje perfekte me socialistët danezë që e mbështetën për anëtarësim në Internacionalen socialiste rinore. Në këtë të fundit u zgjodh zv.president. Shumë për një djalë të ri që vinte nga një parti ish-komuniste, e cila nuk ishte vetë anëtare e partisë mëmë. Në moshën 25-vjeçare, pas arrestimit të Nanos, u zgjodh nënkryetar i PS-së.

Pak përpara këtij momenti, pati edhe një tjetër tundim për t’u larguar. Ëndrra e studimeve nuk ishte zbehur ende dhe pas një shëtitje në disa ambasada që e refuzonin me stil, mori një “Po” të vërtetë nga ambasadori rus, Viktor Nerubajllo. Po bëhej gati të nisej për studime në Moskë, mbështetur edhe nga Dritëro Agolli, kur zhvillimet politike e bindën të qëndrojë edhe pak kohë në vend. Në fakt nuk iku më kurrë.

Më 1996-n u largua nga nënkryetar i PS-së, pasi ishte rizgjedhur deputet i Skraparit në zgjedhjet e kontestuara të majit 1996. Vetëm 11 kandidatë të PS-së ia kishin arritur të dilnin fitues. Largimi si nënkryetar erdhi pas një beteje të fortë politike me Meidanin. Pas ngjarjeve të 1997-s, Ilir Meta do rikthehej sërish. Në fillim si kryetar i PS-së së Tiranës e më pas si Sekretar Shteti për Punët e Jashtme. Ai qe i vetmi që krijoi një grup të fortë brenda PS-së edhe pse ishte ende 29 vjeç. Në atë kohë bashkëjetonte ende pa u martuar me Monika Kryemadhin, një aktiviste socialiste që e kishte njohur gjatë protestave në fillim të viteve ’90, me të cilin kishte një gocë dhe më pas pati edhe dy fëmijë të tjerë, një djalë dhe një vajzë.

Pas ngjarjeve të 14 shtatorit dhe vrasjes së Azem Hajdarit, Nano e pati të pamundur të qëndronte në pushtet. Në qeveri u zëvendësua nga Pandeli Majko që e mori Ilir Metën zëvendës së tij. Ishte 29 vjeç. Një vit më pas, pas rikthimit të Nanos dhe një kompromisi me të u bë kryeministër i Shqipërisë. Ishte vetëm 30 vjeç.

Nuk ka asnjë dyshim që në kontekstin e kohës dhe me ato parime që ndiqeshin në atë kohë Ilir Meta ishte një kryeministër efikas. Ai rriti ndjeshëm ekonominë, zgjeroi e modernizoi infrastrukturën rrugore, por edhe krijoi një profil pak arrogant që e futi në konflikt më shumë vetë e së pari me kryetarin e Partisë, Fatos Nanon. Ky i fundit arriti ta bllokojë dhe ta rrëzojë pak kohë pasi Meta e kishte lënë minorancë brenda partisë që drejtonte vetë. Përplasja dhe marrëveshjet Nano-Meta vijuan edhe për disa vjet, derisa Meta u largua nga PS, duke marrë një pjesë të saj dhe duke e nxjerrë Nanon në opozitë. Ishte viti 2005. Meta kishte krijuar LSI-në dhe Nano e mbylli karrierën politike. Deri atë ditë, Meta kishte fituar betejat politike me pothuajse çdo konkurrentë të tij, por tashmë kishte një betejë tjetër. Të vetmen që e humbi në çdo fazë, atë me Edi Ramën, basketbollistin që kishte njohur në palestrën e errët të forcës në stadiumin Qemal Stafa në mes vitet ’80. Eshtë e pabesueshme, por Rama arriti të fitojë çdo betejë më të, edhe ato momente kur Meta ishte më i fortë se ai. Meta ka bërë shpesh gabime politike në karrierën e tij, por ato me Ramën kanë qenë spektakolare.

I dalë jashtë sistemit të partive të mëdha, Ilir Meta arriti të imponohet për thuajse dy dekada. Ai i rriti numrat e tij herë në opozitë e herë në pushtet, në koalicion me rivalin e tij të hershëm, Sali Berishën. Përmes imponimit, betejave, shifrave arriti të zgjidhet disa herë zv.kryeministër, kryetar Kuvendi e madje edhe president. Duke u bërë një nga shqiptarët e rrallë me kaq shumë poste në 111 vjet histori të Shtetit Shqiptar.

Ilir Meta është nga personat që e kam njohur më mirë. Përtej kësaj, konteksti në të cilin ai është rritur dhe ka milituar është identik me timin. Shumë vetë i kanë vënë në dyshim e diskutuar aftësitë e tij si lider. Por përtej këtij diskutimi që do mbetet gjithnjë, Ilir Meta kishte një stil ndryshe në raport me votuesit. Ai ishte nga ata njerëz që të gjente kudo; që të bëhej i pranishëm në momentet më të rëndësishme dhe e bënte këtë kaq lehtësisht sa shumë vetë i ndiheshin borxhli për gjithë jetën. Takonte çdo njeri, e respektonte, e ftonte për drekë, e dëgjonte duke e parë në sy dhe shpenzonte kohë, duke e bërë tjetrin komplet të befasuar me sjelljen e tij. Por ky lloj stili iu kthye në sistem dhe pak nga pak partia e tij u pa më shumë si një sekt. Ajo ishte e suksesshme për sa kohë sekti po ndante tavolinën e pushtetit. Kur një ditë Ilir Meta u largua prej saj, partia nisi të rrudhej. Ajo e humbi peshën kryesore edhe pse përpiqet ende të luajë një rol në opozitën shqiptare.

Analiza e aksionit politik të Metës, analiza nëse ai solli progres apo regres në politikën shqiptare, nuk është objekt i këtij portreti. Aq më shumë që Ilir Meta është një nga 6 personazhet që janë ende aktivë. Me siguri e vërteta finale për të mund të thuhet vetëm atëherë, kur ai vetë të jetë tërhequr në vetminë e tij, pas një karriere që i dha shumë. Deri atëherë nuk dihet sa kohë do kalojë, ndaj unë po ndal këtu.

Por unë mendoj se më shumë sesa pushteti apo opozita, Metën e dëmtoi shuarja e zjarrit të brendshëm që e motivonte në jetë. Sot duket më shumë i motivuar nga mëria sesa nga bindja, se ylli që i lindi ditën e Novruzit do ta ndriçojë në të tjera suksese në jetë...

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH