Letërsi

Botim i UET-Press, “Apostulli” nga Ilir Ikonomi: Zbulohet prifti që akuzoi Nolin për ryshfet me qëllimin për...

Shkruar nga Liberale
Botim i UET-Press, “Apostulli” nga Ilir Ikonomi: Zbulohet prifti

Redaksia e Liberale.al sot ka shkëputur disa detaje interesante dhe me shumë interes nga libri biografik “Apostulli”, një botim ky i shtëpisë botuese UET-Press, i cili i kushtohet klerikut, shkrimtarit dhe politikanit Theofan Stilian Noli, një personalitet i shquar i Shqipërisë dhe i komunitetit shqiptaro-amerikan nga fillimi i shekullit të kaluar. Në pjesën e shkëputur ka detaje të panjohura më parë nga jeta e Nolit në SHBA, lidhjet me Konicën dhe deri nga akuzat ndaj tij për ryshfet.

___________________________________________

Gjatë gjithë vitit të parë në Harvard, Noli i kalonte të dielat ose duke dhënë mesha ose në takime me shqiptarët e kolonive. Nga fundi i vitit 1909, urata u përfshi në një incident. Një shqiptar i Sauthbrixhit, i cili punonte në fabrikën American Optical, ose shkurt AO, akuzoi disa prej kryepunëtorëve se i detyronin të huajt t’u jepnin një përqindje të rrogës, përndryshe do të humbisnin vendet e punës. Kompania kërkoi ndihmën e Fan Nolit për të biseduar me punëtorët shqiptarë dhe për të nxjerrë në shesh të vërtetën.

Noli shkoi disa herë në Sauthbrixh, por një prift grek, me anë të një përkthyesi i tha gazetës Worcester Telegram se Fan Noli kishte marrë një ryshfet prej 100 dollarësh (rreth 3,200 dollarë sot), për të fshehur faktet që kishte mbledhur kundër disa prej kryepunëtorëve. Prifti ishte Amvrosios Paraskaqis, një emër i njohur për Nolin. Prifti grek thoshte se këtë e kishte mësuar nga një informator greqishtfolës me emrin Tommy, por ky mohonte se kishte bërë ndonjë bisedë të tillë.

Mbrëmjen e 21 dhjetorit, punëtorët shqiptarë të kompanisë bënë një mbledhje, ku të gjithë ranë dakord se drejtësia duhej vënë në vend. Nolit iu kërkua që të nisej menjëherë për në Sauthbrixh dhe të hidhte poshtë akuzat. Kur mësoi për deklaratën e priftit grek, Noli ndodhej në Harvard. I zemëruar, ai i hipi trenit për në Sauthbrixh dhe deklaroi se do të merrte avokat për të vënë në vend nderin.

Noli i tha gazetës lokale se deklarata e At Amvrosios qe bërë për shkak të mosmarrëveshjeve që ekzistonin mes dy priftërinjve për çështje fetare dhe se i kishte rrënjët te problemet e vjetra kombëtare. Ai tha: “Po të përpiqem t’ju shpjegoj shkaqet e një deklarate të tillë kundër karakterit tim, kjo do të ishte e mërzitshme dhe do të më duhej të kthehesha te koha kur përktheva liturgjinë e kishës nga greqishtja në shqip.

Mjafton t’ju them se kjo deklaratë është një prej shumë mjeteve që kanë përdorur këta njerëz për të prishur imazhin tim të mirë mes shqiptarëve të Amerikës”.163 Noli e tregon kështu ngjarjen: “Në fillim erdha në Sauthbrixh me kërkesë të kompanisë American Optical Co., që të hetoja aludimet se një numër punëtorësh të huaj në repartin e lenteve u jepnin para disa kryepunëtorëve. Pasi m’u bë propozimi nga dikush në zyrën përkatëse, pranova ta merrja përsipër çështjen dhe i hyra punës menjëherë.

Mblodha prova të shumta që tregonin se kryepunëtorët vërtet kishin marrë para nga emigrantët për vende pune të caktuara dhe më vonë kishin marrë përsëri të holla dhe dhurata nga këta njerëz për t’i mbajtur në punë. Gjithsej arrita të gjej shtatë a tetë vetë që u kishin bërë pagesa të tilla kryepunëtorëve dhe, me këtë informacion shkova në zyrën e kompanisë për t’u treguar se çfarë kisha zbuluar. Pasi dhashë këtë informacion, lashë edhe një takim tjetër me zyrën e kompanisë American Optical Co. pas ndonja një jave, për të dorëzuar prova të tjera dhe për të biseduar përsëri mbi gjendjen. Pastaj u ktheva në Boston.

Nuk kaloi shumë dhe më vjen një burrë që më tha se ishte nga Sauthbrixhi dhe përfaqësonte kryepunëtorët e repartit të lenteve. Më tha se e kishin dërguar që të më lutej të mos paraqitesha në takimin që kisha lënë me zyrën e kompanisë. Më ofroi 200 dollarë, nëse nuk shkoja në Sauthbrixh dhe nuk paraqitesha në zyrën e kompanisë, por unë nuk pranova.

 Kur m’u bë oferta, me mua ishte edhe një person tjetër, i cili e dëgjoi burrin nga Sauthbrixhi të thoshte se do të më jepej një shumë e majme nëse nuk shkoja në takim. Pasi e refuzova ofertën, burri iku dhe kjo ishte hera e fundit që e shihja. Shkova në Sauthbrixh për takimin e planifikuar dhe u shpreha mendimin tim lidhur me çështjen e pagesave për kryepunëtorët. Fakti që shkova në takim më duket se është provë e pakundërshtueshme që nuk mora rryshfet, përndryshe nuk do të isha paraqitur fare. Unë e di emrin e atij që më ofroi para. Di edhe emrin e kryepunëtorit që e dërgoi atë të më ofronte paratë, siç pohoi ai vetë. Tani për tani nuk do t’i nxjerr këta emra, por kur çështja të dalë në gjyq, do t’i jap rast At Paraskaqisit të provojë se unë paskam marrë rryshfet, siç pretendon. Mes dëshmitarëve të mi do të jetë edhe njeriu që më ofroi paratë. Do t’i jap At Paraskaqisit rastin t’i tërheqë deklaratat e tij në të njëjtën gazetë ku i bëri”.

Noli vazhdoi: “E gjitha kjo është një skemë e këtyre njerëzve për t’i kthyer kundër meje bashkatdhetarët e mi në Amerikë, duke provuar se gjoja unë po përpiqem t’i lë ata në baltë. Siç e thashë, çështjen le ta çkoqisin gjykatat, nëse At Paraskaqis nuk e tërheq deklaratën”. Në Boston, Konica shkruante kështu në gazetën Dielli: “Grekët e Sauthbrixhit, të mësuar me vende ku mund të shpifin pa rrezik, thirrën nga qyteti Pibodi një Papa Amvros Paraskaqis dhe bashkë nxuarrnë fjalë se i Përndershmi At Fan Noli mori 100 dollarë rryshfet nga bosi që ta shpëtojë. At Noli nuk është nga ata që zemërohen.

Ka një equanimitet (zemërbutësi) të rrallë. Po këtë radhë, kuximi i shpifarakëve e ndezi dhe me të drejtë, sado që s’kish fare nge, i la të gjitha punët dhe u hodh te i pari expres për Sauthbrixh, që të vejë t’i shtypë çpifarakët… Grekët kanë për të parë se ky vend ka kanune… Si duket, Papa Amvros e kuptoi rrezikun e tij, se Worcester Daily Telegram-i boton me germa të mëdha që çpifaraku bashkë me dëshmonjësit gënjeshtarë iknë fshehtazi nga Sauthbrixhi. Po le ta dinë që krahu i kanunit është i gjatë”.164 Në shkurt 1910, Dielli botoi një letër që At Paraskaqis i dërgonte avokatit të Nolit, Peter Maher, ku mohonte se kishte përhapur thashetheme në shtypin e Usterit. Prifti grek shkruante: “Kurrë nuk kam patur ndonjë bisedë me një reporter të gazetës Worcester Daily Telegram, sepse nuk flas anglisht.

Mohoj të kem bërë ndonjë akuzë kundër të Përndershmit At Noli. Me respekt i juaji, Amvrosios Paraskaqis”.165 Pavarësisht nëse akuza ishte bërë ose jo, incidenti mes dy priftërinjve tregonte se kisha shqipe kishte krijuar një situatë të re dhe Noli ishte tani një konkurrent që nuk mund të mos përfillej nga klerikët grekë në rrethet e Bostonit. Konica e komentoi letrën e priftit grek si provë që Noli ishte pa faj.166 Jo vetëm kaq, por botoi një kryeartikull me lavdërime për mikun e tij: “At Noli do të mbetet në histori të Shqipërisë si burri që arriu i pari, me hirë të vullnetit dhe të hollësisë së tij, të kllasë zyrtarisht gjuhën shqip në meshë. Dita që meshoi për të parën herë është një gur i bardhë në udhë të përparimit tonë.

Dhe, as harrojmë dot, as mund të lëmë të tjerët të harrojnë. Lesh-zi, me sy të mprehta, një fizionomi të qeshur, gati të presë një shaka dhe ta kthejë me uzurë, mendjehapur, i zoti të bisedojë një çështje, i letruar, njohës i gjuhëve romane dhe skandinave, At Noli nga kultura, nga mendësia, dhe nga karakteri i tij më kujton shpesh kishëtarët e Përlindjes italiane. Në vijë kishëtare, Shqipëria pret edhe (ende) shumë nga At Noli. Po jemi shigur që letrëtyra jonë do të shohë prej tij vepra edhe më të dobishme.

Penda e këtij shkronjësi ka një origjinalitet të rrallë, dhe pa dyshim është një nga ata të zgjedhurit që do të marrin vendet e para në Pleiadë të letrave shqiptare”.167 Nuk ka dyshim se marrëdhëniet mes dy burrave ishin të shkëlqyera dhe me një respekt të ndërsjellë. Pak javë përpara se të ndodhte incidenti, Noli dhe Konica kishin qenë bashkë në Sauthbrixh, ku kishin ndenjur disa ditë për të mbajtur ligjërata dhe për të vizituar familjet shqiptare. Noli kishte sjellë me vete gazeta dhe kishte shpërndarë libra të kishës.168 Edhe gazeta Worcester Telegram shkruante mirë për Nolin, duke e quajtur “njeri me inteligjencë të konsiderueshme”. Përveç që flet rrjedhshëm greqishten dhe shqipen, ai është një folës i aftë i gjuhës angleze, shkruante gazeta.

“At Noli ishte i pari njeri në botë, siç thonë disa shqipfolës në Sauthbrixh, që përktheu ungjillin grek në gjuhën shqipe dhe pikërisht për shkak të kësaj vepre të realizuar prej tij, priftërinjtë greqishtfolës janë kundër tij”.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH