Një tjetër vëllim i rrallë e befasues për jetën e Fan Nolit. Pas librit “Apostulli”, autori Ilir Ikonomi, ish-gazetar i Zërit të Amerikës, vjen në Tiranë me një tjetër vëllim shterrues për Fan Nolin, me titull “Rebeli”. Edhe kësaj here, Ikonomi nuk zhgënjen, duke na dhënë një tjetër rrëfim interesant dhe të freskët për jetën e Fan Nolit në “folenë e grerëzave”, siç e quan autori xhunglën e politikës shqiptare të fillimviteve 1920
“Një ndërthurje mjeshtërore e biografisë dhe historisë”, e quan këtë vëllim të ri Nicholas C. Pano, Profesor Emeritus në Universitetin Western Illinois të SHBA. Prof. Pano, i cili ka shkruar parathënien, e cilëson librin “Rebeli” “një rrëfim të shkruar e të dokumentuar mirë dhe me nuancat e duhura” në biografinë e Ikonomit për Nolin, që profesori e quan “autoritative”.
Libri sjell një mori detajesh të reja për Fan Nolin, që lexuesi i zbulon faqe pas faqeje, në këtë përshkrim të rrallë dhe befasues të njërës prej figurave më erudite dhe aktive shqiptare të shekullit të kaluar.
Edhe kësaj here, Ikonomi nuk zhgënjen, duke na dhënë një tjetër rrëfim interesant dhe të freskët për jetën e Fan Nolit në “folenë e grerëzave”, siç e quan autori xhunglën e politikës shqiptare të fillimviteve 1920.
“Rebeli” botohet pikërisht 100 vjet pas trazirave të bujshme të vitit 1924, ku Noli ishte ndër protagonistët kryesorë, në mos më kryesori. Si edhe në librat e tij të mëparshëm biografiko-historikë, Ikonomi ndjek një qasje të ftohtë e të paanshme, ku nuk ka “patriotë” apo “tradhtarë”, por vetëm personazhe që i ka prodhuar koha, me të mirat e të këqiat e tyre. Siç e thotë edhe vetë autori, ai i përshkruan këta personazhe si “aktorë të një teatri me kukulla në skenën e Shqipërisë së varfër”.
Autori fokusohet në jetën dhe veprimtarinë e Nolit gjatë viteve 1920-24. Arena kryesore e veprimtarisë së Nolit gjatë kësaj periudhe nuk është më komuniteti shqiptar në Shtetet e Bashkuara si tek “Apostulli”, por zhvendoset në Shqipëri dhe Evropë. Këto vite do të shënonin zenitin në atë që mund të quhet faza publike e jetës dhe karrierës së Nolit.
Ikonomi përshkruan zhgënjimet e para të Nolit në shtator 1920, kur ai arrin me anije në Durrës dhe qeveria e Sulejman Delvinës nuk e lejon të zbresë, por i kërkon të kthehet mbrapsht, pasi gjykon se prania e tij do të krijonte konflikt me Greqinë dhe do ta zhyste në ngatërresa qeverinë shqiptare. Përjashtim bënte ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, i cili e dëshironte ardhjen e Nolit. Për të mos prishur marrëdhëniet me “Vatrën” e Amerikës, qeveria e Delvinës e emëron Nolin përfaqësues në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Fan Nolit i duhet të luftojë shumë që Shqipëria të pranohet në Lidhjen e Kombeve, ekuivalente e OKB-së së sotme. Pas kësaj, në prill 1921, ai vjen në Shqipëri dhe bëhet deputet i parlamentit të parë shqiptar, ku përfaqëson “Vatrën” e Amerikës. Por qeverisë i duheshin aftësitë e tij si diplomat dhe orator, prandaj e dërgoi përsëri në Gjenevë, ku ai shërbeu deri në tetor 1921. Siç duket edhe nga libri, Ikonomi ka shfrytëzuar arkivin e gjerë të Lidhjes së Kombeve për të dokumentuar në mënyrë shterruese këtë periudhë të Nolit.
Rikthimi i Fan Nolit në Shqipëri pritet me triumf, pas famës që fiton në Gjenevë. Noli rebelohet kundër dominimit të kishës ortodokse greke, krijon një bazë kishtare në Korçë dhe lufton për autoqefalinë. Sipas rrëfimit të hollësishëm të Ikonomit, Noli përballet me kundërshtarë të fuqishëm që përpiqen t’ia lidhin duart.
Në fillim të vitit 1922, miqtë e tij, duke përfshirë Zogun, e bindin të hyjë në kabinet dhe, me shumë ngurrim, ai pranon postin e ministrit të Jashtëm në qeverinë e Xhafer Ypit. Por Noli nuk bashkëpunon dot me Kryeministrin Ypi, grindet me të dhe jep dorëheqjen pas një muaji, me arsyen se është i sëmurë dhe se mjekët i kanë këshilluar pushim. Sipas Ikonomit, këto janë shenjat e para se Noli e ka të vështirë të mësohet me politikën e komplikuar shqiptare.
Vitet 1920-24 janë ndër periudhat më komplekse dhe më të turbullta të historisë shqiptare. Gjatë kësaj periudhe u bënë dymbëdhjetë ndryshime qeverish me nëntë kryeministra të ndryshëm. Sipas prof. Panos, Ilir Ikonomi na sjell një rrëfim të besueshëm dhe të shkathët për të kuptuar politikën dhe personalitetet e asaj kohe të trazuar.
Duke filluar nga vjeshta e vitit 1922, Noli iu përkushtua punës për të rrëzuar qeverinë Ypi që, në thelb, drejtohej nga ministri i Brendshëm, Zogu, i cili do të bëhej kryeministër në dhjetor të atij viti. Në veprimet e tij, Noli yshtej sidomos nga kreu i “Vatrës” në Boston, Faik Konica, i cili përdorte gazetën ”Dielli” për të sulmuar qeverinë me një gjuhë të ashpër, deri në urrejtje. E armatosur me fondet e Vatrës, shkruan autori, opozita e Nolit besonte se do të arrinte sukses në zgjedhjet e dhjetorit 1923 për Asamblenë Kushtetuese. Noli bëri një fushatë intensive të stilit amerikan. Foli shumë për frymën liberale amerikane, për demokraci e zgjedhje të lira, për reformë agrare dhe çlirim të bujqve nga shtypja. Pak përpara zgjedhjeve, u krijuan rrethanat që ai të dorëzohej peshkop i rregullt në Korçë, një fitore jo e vogël për të. Kryeministri Zogu e lehtësoi konsakrimin e Nolit, me shpresën se rivali i tij do të largohej nga politika dhe do t’i përkushtohej kishës. Por kjo nuk ndodhi, shpjegon Ikonomi.
Më 20 prill 1924, në Tiranë u plagos Avni Rustemi, i cili ndërroi jetë dy ditë më vonë në spital. Vdekja e tij e elektrizoi gjendjen dhe forcat opozitare të Nolit fajësuan menjëherë Zogun. Opozita bojkotoi Asamblenë Kushtetuese për të krijuar një paralizë politike. Erdhi çasti që dy kampet nuk mund ta shmangnin dot përplasjen e armatosur. Filloi ai që, më vonë, do të njihej si “Revolucion i Qershorit”. Kabineti nuk e kishte vullnetin për të rezistuar dhe ministrat u larguan nga vendi. I fundit iku Zogu, i cili kaloi kufirin në Dibër dhe hyri në Jugosllavi.
Më 17 qershor, u krijua një qeveri e re me Fan Nolin kryeministër. Por qeveria e tij ishte e dënuar të dështonte për një mori arsyesh që autori i shtjellon në libër mbi bazën e një dokumentacioni të pasur arkivor. Ajo nuk u njoh nga ndërkombëtarët dhe e kishte të pamundur të merrte kredi aq të nevojshme nga jashtë. Mbi bazën e gjetjeve arkivore, Ikonomi flet gjerësisht në libër edhe për marrëdhëniet diplomatike që Noli vendosi me Bashkimin Sovjetik, tek i cili shihte shpresën për të përmirësuar gjendjen e qeverisjes së tij. Këtu dhe në shumë aspekte të tjera Noli shkeli në dërrasë të kalbur dhe qeverisja e tij dështoi. Në dhjetor 1924, kur Zogu hyri në Tiranë me ndihmën ushtarake jugosllave, Noli nuk u mbështet nga asnjëri prej përfaqësuesve të huaj diplomatikë në Shqipëri. Askush nuk u habit për shpejtësinë me të cilën ra qeveria e tij, thotë Ikonomi.
Noli iku nga Shqipëria më 26 dhjetor të atij viti, në fillim në Itali, pastaj shkoi të jetonte në Austri dhe Gjermani, ku do të lidhej me disa organizata të financuara nga Kominterni. Një numër ndjekësish të tij radikalë do të shkonin në Bashkimin Sovjetik, ku do të formonin Grupin Komunist Shqiptar dhe, pas stërvitjes e indoktrinimit, do të dërgoheshin në Shqipëri ose në komunitetet shqiptare të Evropës për të organizuar celula apo grupe komuniste.
Në analizat e tij të mëvonshme, shkruan Ikonomi, Noli e ka quajtur kryengritjen e vitit 1924 “një kthesë në historinë e Shqipërisë”, një revolucion që “shënoi epokë”. Ky revolucion, ka thënë Noli, “provoi se… çifligarët ishin mundur”. Por faktet që paraqet Ikonomi në libër japin një realitet tjetër. “Është tashmë e provuar, - shkruan autori, - se çifligarët nuk pësuan gjë nga kryengritja e qershorit. Përkundrazi, ngjarjet e vitit 1924 vërtetuan atë që thoshin ekspertët e Lidhjes së Kombeve, se Shqipëria kishte nevojë për reforma graduale dhe jo për revolucione”.
Ikonomi shkruan se Noli nuk bëri zgjedhje parlamentare dhe përgjithësisht, kishte një përbuzje për parlamentin, prandaj preferoi të qeveriste pa trup legjislativ. Me përshkrime dhe dëshmi të gjalla, autori na jep një tabllo plot ngjyra të Nolit në Shqipëri, të cilin ai ka zgjedhur ta quajë “rebel”. Libri prej 425 faqesh është i pajisur me shënime shterruese dhe me një aparat të mirë kërkimor që do t’u vlejë lexuesve dhe studiuesve të historisë. Ikonomi ka premtuar edhe një vëllim tjetër që mbyll ciklin e librave të tij biografikë për Fan Nolin. Ky vëllim i shtohet kolanës së botimeve biografike të Shtëpisë Botuese UET Press, me të cilën Ikonomi ka një marrëdhënie afatgjatë.
“Rebeli” del në qarkullim së shpejti dhe do të jetë në Panairin e Librit që hapet në Tiranë më 12 nëntor.