Letërsi

“Antikultura e '68-s në Shqipëri” nga UET Press, dëshmia e të burgosurit në Spaç: Vuajta 15 vite burg dhe nuk e di arsyen

Shkruar nga Liberale

“Antikultura e '68-s në Shqipëri” nga UET Press,

Pati një dëshmi kyçe, intriguese, që e nxiti studiuesin Albert Nikolla të thellohej më tepër në ngjarjet e viteve 1968 dhe të shkruante librin “Antikultura e '68-s në Shqipëri”, botuar nga shtëpia botuese UET Press.

Ishte rrëfimi i ish-të burgosurit në Spaç, Agron Hoxha i cili kaloi 15 vite në ato qeli të ftohta vetëm pse i pëlqente të dëgjonte muzikë italiane dhe nuk njehsohëj me pjesën tjetër të rinisë. Kjo muzikë e shoqëroi edhe në burg, ku disa italianë të burgosur këndonin me kitarë. Me terrorin e frikshëm kudo në vend, izolimi dhe dhuna do të bëhen më të egra, sidomos nëpër burgje.

Hoxha thotë se si pasojë ë atij flladi lirie të ’68-s, vuajtën shumë njerëz për vite të tëra derisa regjimi u rrëzua. Sipas tij, libri i Nikollës duhet të studiohet nga të rinjtë, që të kuptojnë se ku ka rrugëtuar Shqipëria dhe që kohë të tilla të mos kthehen kurrë, pasi do të jenë pikërisht ata që do ta vuajnë në kurrizin e tyre.

Fjala e plotë e Agron Hoxhës

Jo se ne studiuam atë çfarë po ndodhte në botë, ne ishim shumë të rinj dhe të painformuar pasi mjetet e komunikimit ishin pothuajse të izoluara, por kishte dritare përmes të cilave hynte lajmi: televizionet, radiot. Thjesht e ndjemë atë flladin e lirisë. Filluam para vitit 1972, para festivalit, që njerëzit po jetonin pak të shkëputur nga politika e asaj kohe, duke u veshur në mënyrë krejt ndryshe, siç ishin kërkesat e kohës, gjë që tregoi se edhe ky popull dinte të jetonte.

Unë isha dëshmitar, edhe pse jetoja në provincë kam ardhur në Tiranë dhe kur shikoja studentët këtu në Tiranë vërtet më bënte shumë përshtypje. Ne ishim vërtet një komb i bukur. Atë çka bota e përjetonte, ne deri në atë momente e kishim të mohuar. Një pjesë e madhe e njerëzve duke qenë se e jetuan këtë, ishte e vështirë për ta harruar. Përfundoi pastaj me Festivalin e XI, kur drejtuesit e emisioneve, artistët, poetët, ditën ta organizonin në mënyrë të përkryer. U harrua kënga e traktorit, e mjelëses së dalluar, arritjeve të socializmit dhe ju këndua vërtet dashurisë së mirëfilltë, jetës që duhet të ishte. Nuk iu këndua më veprës së  lavdishme të partisë apo të diktatorit. Kjo siç duket ra vërtet në kundërshtim me atë se çka regjimi donte dhe u kthye në një masakër. Ata donin ta ndalonin patjetër pasi nuk mund të jetonin nëse njerëzit kishin mendime ndryshe dhe nuk do të mendonin siç thoshte partia.

Rinia e atëhershme jetonte me ato shpëlarjet e trurit që i bënin nëpër organizatat e rinisë. Dukej sikur ishin të gjithë njësoj, mendonin të gjithë njësoj, sikur hanin të gjithë një gjë. Nuk kishte mendim ndryshe. Pa pasur mendim ndryshe, nuk ka si të ketë zhvillim. Megjithatë, një pjesë e madhe e rinisë e pësuan këtë fllad të lirisë së atyre viteve, duke e paguar me izolim dhe burgosje.

Përmend këtu rastin e shokut tim Sherif Merdani, Fatos Lubonja, Ali Hoxha, një trompist që kishte mbaruar në Çeki dhe ra viktimë në kurthin që la sistemi i atëhershëm. Unë vuajta 15 vite burg dhe nuk e di arsyen. Vetëm e di që vuajta. Dëgjoja këngë italiane, nuk shkoja në mbledhje rinie. Madje kam pasur një rast që na kanë dhunuar në degë për pantallonat dhe flokët dhe pse këndonim këngë italiane. Çfarë mund t’i doje atij lloj sistemi? Si mund të rrija unë pastaj të jetoja, të ndërtoja jetën time në atë sistem? Besoja se edhe gruaja që do të merrja do të ishte anëtare partie dhe në darkë nuk e dija me kë do të flija.

Të them të drejtën, libri i z. Nikolla më ka bërë përshtypje. Ai ka vlera dhe duhet studiuar, e jo të lexohet thjesht si një roman.

Si pasojë atij flladi të lirisë vuajtën shumë njerëz deri në vitet ’90. Kjo ishte seriozisht një diktaturë që uroj të mos vijë kurrë. Brezat e tanishëm nuk e njohin, por me sensibilizimin që bëhet duhet të informohen se në çfarë rruge ka kaluar ky vend dhe nuk duhet të përsëritet, sepse do të bjerë në kurrizin e tyre.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH