Liria është vaksina më e fortë e shpirtit, do të shprehej studiuesi Albert Nikolla gjatë prezantimit me miqtë e të njohurit të librit të tij “Antikultura e '68-s në Shqipëri”, botim i UET Press. Nikolla vuri në dukje se gjatë viteve që ai i merr në studim pati një lloj flladi lirie që i bëri njerëzit të jetonin shkujdesur e ta shijonin ndryshe jetën. Madje kjo frymë liberalizimi nuk ishte vetëm në Tiranë, por kishte shkuar në qytete të tjera e deri nëpër fshatra.
Më pas ndodhën disa ngjarje njëra pas tjetrës që vulosën izolimin e rëndë të vendit dhe njerëzve, të cilët humbën lirin e bashkë me të dinjitetin.
“Duke qenë se liria ka të bëjë direkt me dinjitetin ajo duhet mbrojtur, pasi kërcënimi vjen përherë nga ajo që nuk e pret. Edukimi në liri është gjëja më e jashtëzakonshme. Kur edukohesh me lirinë edhe reagimi është tepër i fuqishëm. Liria është vaksina më e fortë e shpirtit”, theksoi autori.
Në një ftesë për studentët dhe studiuesit, Nikolla tha se për atë periudhë të historisë së Shqipërisë ka shumë elementë për t'u studiuar, për të parë dimensione të tjera, për të parë se si kanë ndikuar muzika, letërsia, marrëdhëniet që kishin me modën, me grupet rock, etj.
Fjala e plotë e autorit
Shumica që janë këtu janë miq dhe nuk ka gjë më të bukur se të jesh mes miqve. Zakonisht mblidhemi për teknologji ose Inteligjencë Artificiale, por sot jemi mbledhur për diçka primordiale, historike, që e ngre njeriun. Ky është libri. Dhe këtu me vërtet falënderoj znj. Bardhyli sepse libri është ai te i cili kthehemi gjithmonë. Do të shëtisim si djali plangprishës i Ungjillit dhe do të kthehemi prapë te libri, sepse aty është jeta, aty është burimi.
Falënderoj kryetaren e Autoritetit të Dosjeve, falënderoj Suadelën dhe shtëpinë botuese UET Press, Agim Baçin. Agronin e falënderoj veçantë, sepse më ka dhënë disa dëshmi interesante për burgun e Spaçit, se si përjetohej liria aty brenda. Është pak e rrezikshme të përmendësh emra këtu, por është e pamundur të mos rri pa falënderuar praninë e Lekë Tasit, që është një simbol i persekutimit, simbol i qëndresës dhe i faktit se bashkë thelbi i dinjitetit të njeriut është liria. Nëse nuk e do lirinë, nuk do dinjitetin tënd. Ka persona që e kanë dhuruar jetën e vet në sakrificë për lirinë. Nuk je person me dinjitet nëse nuk ke liri dhe kur e heq këtë liri heq edhe dinjitetin. Kjo ishte dëshmia më dramatike e atij regjimi.
Unë u mundova të gjej një element thelbësor për të kapur këtë dukuri, për të thënë që vërtet qenka një dukuri jo gjë e shkëputur.
Siç na mëson një antropolog i famshëm francez, Marcel Mauss, ajo dukuri është një fakt social i njehsuar, i përhapur kudo si me magji. Ishte liberalizmi.
Do ta shikoje vetëm në Tiranë, në Broduei siç e quanin të rinjtë e kryeqytetit të asaj kohe? Jo ishte e përhapur kudo. Kishte shkuar në Lezhë, në Shkodër, në Korçë, madje edhe nëpër fshatra. Ishte përhapur nëpër fshatra sensi i lirisë, liberalizmit, por nuk ishte përhapur vetëm këtu.
Ajo që është misteri më i madh, bash leksioni i parë i antropologjisë që kam mësuar në Itali, është se duhet t’i kesh veshët dhe mendjen e hapur, për të dëgjuar të pabesueshmen. Aty fillon antropologjia, kur ti nga ana kulturore kap të pabesueshmen. Kjo e pabesueshme më ndodhi në burgun e Spaçit, në dëshmitë që më gjeti z. Agron dhe me miqtë e tij që kishte në Korçë. Në vitin ’71-’72 në burgun famëkeq të Spaçit, dëgjoheshin këngë italiane me kitarë nga italianë të burgosur aty.
Kjo ishte diçka që me vërtet ndillte habi. Ishte diçka gati e pamundur. Miqtë e mi që janë këtu dhe e kanë lexuar librin. Agim Bufi e ka jetuar atë kohë dhe kur e lexoi librin më tha: “Na ke kthyer pas në kohë. Kur lexojmë faqet e librit po jetojmë në ato momente, në ’67, ’70, ’72”.
Ajo e tmerrshmja që më dëshmoi z. Argon, ishte se ndodhi revolta e Spaçit, pak më vonë Pleniumi i IV dhe si me magji fillon tmerri prapë kundër lirisë. Në burgun e Spaçit, po të lije një batanije jo të palosur mirë do të torturoheshe, do të futeshe në birucë dhe do të fillonte dhuna e tmerrshme.
Kjo më ka bërë që të jap këtë kontribut. E them edhe për studentët që liria është kaq thelbësore për dinjitetin e njeriut, por ka një pikë faktikisht të dobët. Është përherë në kërcënim. Duke qenë se liria ka të bëjë direkt me dinjitetin ajo duhet mbrojtur, pasi kërcënimi vjen përherë nga ajo që nuk e pret. PEdukimi në liri është gjëja më e jashtëzakonshme. Kur edukohesh me lirinë edhe reagimi është tepër i fuqishëm. Liria është vaksina më e fortë e shpirtit.
Ky nuk është një libër që e përmbyll krejt atë kohë. Mund të ketë studiues, studentë që mund të hapin dritareza të tjera brenda kësaj periudhe, për të parë dimensione të tjera, për të parë se si kanë ndikuar muzika, letërsia, marrëdhëniet që kishin me modën, grupet rock.
Këtu kemi arkitektin Artan Shkreli, që ka lindur në ato vite, por që shpesh herë në bisedat me të kemi kuptuar që se si me magji përhapej muzika në bodrumet e shtëpive, jo thjesht për imitimin por për ta parë rock-un si një shprehje të lirisë. Regjimi e kuptonte këtë fakt antropologjikisht, që kur njeriu është në dhunë, mezi pret një rreze shprese që është te liria.