Nga Yllka Proda (Kënaçi)*
E ndjej veten të nderuar dhe të përfshirë në një përgjegjësi të veçantë të jem pjesë e promovimit të librit të autorit Preç Zogaj, për faktin se autori është një figurë me kontribut, integritet dhe angazhim të vazhduar dhe në shumë fusha të kulturës shqiptare, në politikë, publicistikë, eseistikë, letërsi etj. Ai ka zgjedhur të flasë për realitetin shqiptar, por edhe për dukuri universale e ekzistenciale përmes gjuhës së letërsisë ndër vite me anë të novelave “Hedhja”, “Bija e vjetër e nënës së re”, “Kompleksi”, romani “Nata’, “Anjeza nuk u zgjua”, “Gjyshi i tmerrshëm”, etj. Kontributin më të madh në fushën e letërsisë autori e ka në lëvrimin e poezisë, krijimtari e cila fillon që në vitet 1985-1986 dhe vazhdon ende.
Vëllimi me poezi “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” është një antologji në të cilën ribotohen poezi të zgjedhura të autorit të shkëputura nga 11 vëllimet e tij poetike, të renditura sipas kohës së krijimit të tyre duke dëshmuar kështu edhe evoluimin artistik dhe estetik të metodës krijuese të autorit. Krijimtaria në poezi e Preç Zogajt shtrihet në një periudhë kohore 40 vjeçare, kohë gjatë të cilës çdo ndjesi, shndërrim, e përjetim vetjak a kolektiv është shprehur përmes vargjeve.
Motivi bazë i pjesës më të madhe të poezive është dashuria me të gjitha format e ekzistencës dhe shfaqjes së saj, dashuria si marrëdhënie e mashkullit me femrën, e njeriut me jetën, e njeriut me vetveten, e njeriut me qëllimin, misionin, dashuria si forca që e shpëton njeriun nga kriza ekzistenciale, dashuria si ëndërr e përhershme dhe e përsëritshme e njeriut, si vetja brenda vetes, etj. Në poezinë “Më dhemb dashuria”, poeti e identifikon këtë ndjenjë me fëmijën, sepse ajo është ndjenja më naive, më e lirë dhe forca që ruan dhe zhvillon thelbin njerëzor të patjetërsueshëm.
Jeta ime është rrugë e pakthyeshme.
Edhe pa çadër ecet përmes shiut
Gjithmonë ka një portë përtej errësirës…
Por u bënë ca kohë,
Këmba këmbës më ndjek,
Shpirtin ma djeg,
Dashuria ime në formën e fëmijës.
Shumë poezi, kryesisht ato të vëllimit “Nuk ndodh asgjë veç dashurisë”, janë ndërtuar mbi temën e vdekjes, disa prej të cilave përmbajnë nota elegjie për të dashurit e humbur, disa të tjera përsiatje filozofike mbi fundin fatal të jetës së njeriut. Vdekja është një ngjarje që e ndërgjegjëson unin poetik për absurditetin e jetës, vetminë, harresën, fatalitetin e pashmangshëm, por mbi të gjitha për rëndësinë e ruajtjes, vlerësimit e rikonceptimit të marrëdhënieve njerëzore. Në poezitë që tematizojnë vdekjen del dhe raporti i njeriut me kohën. Koha nuk mjafton, koha është vështirë të marrë vlerën e duhur, koha është shpesh jeta jonë që rrëshqet pa e jetuar, ikën e boshatisur dhe le shenja në kujtesën dhe shpirtin e njeriut.
Është kaq e pakët koha
Dhe vonë është për të gjitha
Sidomos të rrimë përballë mallit tonë
Bërë qelqe akulli në dritare të mbyllura.
Ose
Tani ajo ka ikur
Dhe koha ime e zbrazur
Drithërohet prej vjeshtës
Që rrokullis ngjyra
Gjethe dhe të qeshura.
Raporti me atdheun, Shqipërinë, është një nga motivet/temat që del në disa nga poezitë e autorit. Ai e emërton me vargun “Shqipëria e dashur e dashurisë dhe vajit/kush e di ç’do të dalë pasi të jetë rikrijuar”. Në poezinë “Gjithë këto kohë vendi im është Shqipëria” pasi thotë se këtu gjithkush goditet “nga mungesa e turpit dhe e keqardhjes”, peizazhi që pason janë vargjet “…nuk mbetet më asgjë, veç tokë, veç thirrje, të folura me zë të lartë, grimasa,/spirale pluhuri, shtjella tymi”. Nëse ndjeshmëria ndaj atdheut del në formën e pengut “për fatin e keq të të voglit”, pranueshmëria për atë çfarë po ndodh, jo gjithmonë është e mundur të realizohet. I tillë del raporti i Shqipërisë me të kaluarën, në vargjet:
E shkuara mblidhet e mbetet një “Dje”
dje ka qenë dje
dje ka qenë gjithmonë
koha jonë s’del dot prej së djeshmes.
…………………………………
…………………………………
Vëllezër, unë e kam të vështirë.
Jam një poet.
Nganjëherë nuk dua të jem. Por jam.
Më fal, o gjuhë që s’i shijoj triumfet.
Për autorin atdheu është ai vend nga i cili sado që të mund të largohesh, do ta shfaqë gjithmonë një forcë gravitacionale për të të kthyer pas, për të të marrë sërish brenda vetes së tij. Në poezi të tjera ai vuan mungesën e një ekuilibri të qëndrueshëm mes individit dhe vendit të tij e shprehur me vargjet:
Ku je? Ku jam? Kjo është çështja
Në moshën 40 vjeç s’jam i sigurt
A ka një tokë intime, një atdhe
për fëmijët e mi dhe të tutë.
Pjesa tjetër e poezive të vëllimit “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” të vendos para vështirësisë për të përcaktuar një temë të vetme, pasi autori priret për nga abstragimi kuptimor, shtresëzimi tematik, përsiatjet filozofike, meditimi, formulat mendimtare etj. Disa nga poezitë janë peizazhe ndjesish dhe gjendjesh shpirtërore. Autori shpreh më së shumti raportin e unit vetjak me gjithçka njerëzore, shoqërore, religjioze, politike, kulturore dhe, në mënyrë specifike, raportin e tij me poezinë. Pothuajse në të gjitha poezitë është dukshëm prezent uni poetik/uni vetjak, i cili izolohet brenda botës së poezisë në të cilën hyn duke lënë jashtë çdo ego, krenari dhe përkatësi.
Ky un lirik zotëron ndjeshmëri të holla dhe fine, një lloj melankolie dhe paqeje të trishtuar e vetmitare, por asnjëherë anshmëri, moralizim, revoltë, provokim, mëri, anatemim, keqinterpretim apo sarkazëm. Tjetri, fati, dashuria, kundërshtarët janë diku përballë, por të pa portretizuar. Ndërsa vetja, më së shumti, paraqitet në tri dimensione kohore, e shkuar, e tashme, e ardhme. Ai është njëkohësisht djali i vogël brenda burrit qe ëndërron ende të ketë një dashuri, është burri që përjeton dilemat ekzistenciale, është dhe plaku i poezisë “Pashë në ëndërr vitin 2043”/ “Pashë në ëndërr vitin 2060”
Shumë poezi, e gjejnë motivin brenda fushës së gjerë të letërsisë. Autori, hapur, citon personazhe-ide, emra shkrimtarësh të cilët kur përdoren si mjet gjuhësor për ndërtimin e vargut, strofës a poezisë shndërrohen në çelësa kuptimorë, në nëntekst, në mesazhe, fjalë me të cilat ndërtohet konceptimi filozofik e meditative i poezive si Borhes, Wajld, Bajroni, Balzaku, personazhe të “Komedisë njerëzore”, personazhe realë si Adelë Hygo dhe Zhuliet, Otello, Helena, etj. Përmes tyre kjo poezi bëhet poezi e zbulimit të mendjes dhe sjelljeve njerëzore përmes arketipave universalë.
Poezia e Preç Zogajt ndërtohet me një ligjërim të veçantë artistik, të përpunuar në mënyrë përveçuese ku spikat prirja për t’i dhënë fjalës forcë shprehëse, ndikuese, grishëse dhe për të qenë shteruese. Ai është i sigurt se sikurse nuk ka asnjë të re nën këtë diell, nuk ka dhe asgjë të pathënë në letërsi, por ka shumë mënyra sesi duhen thënë. Këtë parim e përmban më së shumti poezia me titull “Poezinë më të bukur ende nuk e kam shkruar”.
Ai përdor një sintaksë të veçantë poetike, në të cilën vargjet janë të bardha, me thyerje të shumta përmes pikësimit, me përdorimin e figurave të sintaksës poetike që nuk i hasim te poetë të tjerë si polisident, bartje, epanalepsë, epanastrofe, epiforë, paradoks, etj. Përveçuese është metafora tipike e autorit që ndërtohet duke bashkuar fjalë nga fusha leksikore të largëta me njëra-tjetrën, p.sh. u mërzit lumturia këndej enigmave; shpirtin tim/ endacakun që mbledh andej-këndej figura/ në mikrobotën dhe makrobotën e hallit tone; përjetësi e ujërave vrapuese, etj.
Preç Zogaj përgjatë gjithë krijimtarisë së tij poetike ka krijuar një fond neologjizmash shumë të pasur ku spikatin ndërtime si: rrënjëshkulur, vetëburgosje, shpirtrrethim, i paikshëm, etj.
Si poet që i thyen rregullat metrike për t’i lënë vend risisë dhe modelit hermetik të poezisë në të cilin me një minimum vargjesh e fjalësh-çelësa, synohet të përkufizohen, titullohen, emërtohen gjendje e situata. E ndërtuar kështu poezia e Preç Zogajt mbetet një tekst i hapur për interpretime e nëntekste të shumta, kryesisht ndaj një lexuesi të zgjedhur dhe me një kërshëri intelektuale dhe estetike të lartë.
Përmes këtij ligjërimi interpretues për vëllimin “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” u përpoqa të realizoj në mënyrë modeste detyrën që ka çdo profesionist i fushës së letërsisë për të qenë një ndërlidhës dashamirës mes veprës letrare dhe lexuesit.
I uroj autorit suksese dhe librit sa më shumë lexues dhe studiues!
*Analiza e Yllka Proda (Kënaçi), pedagoge në Universitetin "Eqrem Çabej" gjatë promovimit “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” të poetit Preç Zogaj.