Letërsi

10 vjetori i Çmimit Letrar Kadare kremtohet me albumin e një dekade dhe Çmimin Special për poetin Preç Zogaj

Shkruar nga Liberale

10 vjetori i Çmimit Letrar Kadare kremtohet me albumin e një dekade

Në një ceremoni të veçantë mes miqsh, bashkëpunëtorësh, autorësh, personalitetesh të letërsisë e muzikës, u kremtua 10 vjetori i Çmimit Letrar Kadare. Mbrëmja u nderua me praninë e znj. Helena Kadare, teksa u risollën në vëmendje e u kujtuan bisedat e para të themelimit të këtij çmimi që i shërben autorit dhe gjuhës shqipe. Ky takim-homazh për shkrimtarin, u kurorëzua me një Çmim Special Kadare që iu akordua poetit Preç Zogaj dhe përmbledhjes së tij poetike “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”.

“Kaluan 10 vjet... jemi këtu. Uroj që ky çmim të vazhdojë dhe të mos ndërpritet asnjëherë”. E emocionuan jo pak këto fjalë zonjën Helena Kadare gjatë ceremonisë së festimit të 10 vjetorit të Çmimit Letrar Kadare, përvjetor i cili vjen në mungesë të shkrimtarit.
Një ngjarje e gëzueshme dhe e rëndësishme për çmimin e cilësoi ajo më tej, duke u kthyer një dekadë pas dhe duke kujtuar pikërisht bisedën e fundit kur Kadare pranoi këtë çmim me emrin e tij, me fjalët: “Nëse kjo i vlen letërsisë, dakord jam”.

Pas këtij bekimi në pranverën e 2014 çmimi ka rrugëtuar gjatë, mes sprovash për të përmbushur qëllimin e tij të mbështetjes së autorëve të rinj të letërsisë shqipe dhe atyre që tashmë janë në këtë drejtim. Kjo dekadë e parë numëron 9 autorë fitues në prozë; emra të rinj dhe të njohur brenda Shqipërisë e jashtë saj, Kosovë, Maqedoni e Veriut apo diasporë; qindra dorëshkrime, një pjesë e të cilave të finalizuara me botime nga shtëpia botuese UET Press.

Për të festuar këtë ngjarje që më tepër se për çmimin shkon për letërsinë shqipe, u zhvillua një ceremoni me të pranishëm autorët fitues ndër vite, juritë, organizatorët, figura të politikës, medias e fushës publike. Si rrallë herë, u bënë bashkë pothuajse të gjithë autorët që tashmë mbajnë këtë çmim të rëndësishëm për karrierën e tyre, nga Rudolf Marku, te Virgjil Muçi, Loer Kume, Gani Mehmetaj, Vera Bekteshi e Dionis Prifti.

10 vjetori i Çmimit Letrar Kadare kremtohet me albumin e një dekade

Si i pari fitues, me romanin “Tre divorcet e zotit Viktor N” në 2015, duke u hapur rrugë autorëve të tjerë nga kudo ku flitet e shkruhet shqip, Rudolf Marku tha se ky çmimin është i përmasave të mëdha për emrin që mbart por edhe për nderimin që i bën letërsisë shqipe. “Fakti që ky çmim mban emrin e Kadaresë, krijon një detyrim të madh për autorët që shkrimet e tyre të jenë të një niveli me emrin që mbart.”

Pa u ndalur gjatë në historikun e çmimit dhe në bisedat me shkrimtarin, një nga bashkëpunëtorët e hershëm, editori i Gazetës “Mapo” Alfred Lela tha se ky nëntor nuk është i njëjtë pa Kadarenë dhe se largimi i tij nga jeta ka qenë një humbje për letërsinë dhe për gjithsecilin prej nesh. Ai uroi që Çmimi Kadare të ketë sadopak nga rezistenca, qëndrueshmëria e jetëgjatësia e asaj që ka mbetur dhe është vepra e Ismail Kadaresë.

Zv.ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit znj. Lira Pipa vlerësoi kontributin që Çmimi Kadare ka dhënë ndër vite në mbështetje të autorëve të rinj, duke i motivuar përmes botimit të veprave të tyre. “Dëshirojmë që kjo traditë kaq vjeçare të vijojë më tutje dhe synojmë të jemi një mbështetje për këto nisma”, u shpreh ajo.

10 vjetori i Çmimit Letrar Kadare kremtohet me albumin e një dekade

Dhjetë vjetori i çmimit solli gjithashtu botimin “Albumi i Çmimit Kadare” , një dëshmi e përpjekjeve dhe rrugëtimit ndër vite, që nuk i shërben vetëm nostalgjisë, kujtesës e dokumentimit, por vjen edhe si një pasqyrë e asaj se çfarë mund të rezonojë një ide vizionare dhe sesi me mbështetje letërsia mundet të çojë përpara misionin e saj.

“Ky album vjen si falënderim për të gjithë ata që besuan te ky çmim dhe si shembull i mirë që një iniciativë private - pa pasur në fokus aspak fitimin në terma financiare – ia del të çojë përpara atë që dikur ishte thjesht një parafytyrim: të kthente në traditë një çmim letrar, që mori emrin e një shkrimtari në të gjallë të tij”, u shpreh drejtuesja e shtëpisë botuese UET Press, Suadela Balliu.

10 vjetori i Çmimit Letrar Kadare kremtohet me albumin e një dekade


Çmimi Special Kadare shkon për poetin Preç Zogaj

Afro dy muaj pas botimit të përmbledhjes poetike “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, me punën, sprovën dhe krijimtarinë e 40 viteve, poeti Preç Zogaj u nderua me Çmimin Special Kadare. Në këtë formë poezia bëhet për herë të parë pjesë e Çmimit Kadare, duke e përfshirë edhe atë në basenin e vlerësimit të krijimtarisë letrare, siç ka ndodhur deri tani me prozën: tregimet, novelat dhe romanet.

Çmimi u dhurua nga gruaja e parë që ka fituar Çmimin Kadare, znj. Vera Bekteshi, me romanin “Pusulla të verdha” në vitin 2022. Teksa lexoi motivacionin, ajo tha se “poezia e Preç Zogajt personifikon bukurinë dhe elegancën e lirikës bashkëkohore të shkruar në gjuhën shqipe, densitetin emocional, kërkimin e vazhdueshëm të shprehjeve dhe intonacioneve të reja poetike, elegancën e verbit poetik, që vjen drejtpërdrejt nga sensibiliteti i ndjenjës. Preç Zogaj është mbi të gjitha një poet i ekskluzivitetit të madh në një shoqëri shqiptare shpesh herë të fragmentarizuar. Poezia e tij karakterizohet nga një inteligjencë ndjesore dhe integritet humanizmi. Preç Zogaj jep sigurinë e afirmimit të vlerave evolutive të poezisë shqipe, e cila qëndron në një tavolinë të rrumbullakët në arritjet më të mëdha të poezisë europiane dhe botërore të kohës që jetojmë.”

10 vjetori i Çmimit Letrar Kadare kremtohet me albumin e një dekade

Vetë autori u shpreh i nderuar nga ky vlerësim për vëllimin poetik “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, të cilin e cilësoi “librin tim të librave”. Duke folur për raportin e tij me Kadarenë, publicisti, shkrimtari e poeti Preç Zogaj rrëfeu se në mënyrë instiktive ka qenë i prirur për të qëndruar në një distancë adhurimi ndaj tij, edhe pse ka pas zhvilluar disa takime thelbësore me të.

“Ky raport imi me Kadarenë ka qenë një strehë nga e cila nuk jam larguar kurrë, i shtyrë nga një instikt i përzierë me arsyen për të shmangur si të thuash arsyen për të mos u lidhur me hijen e tij prej patriarku dhe duke fituar me kohë një vetëdije të re me poezinë, si dhe duke dashur që të shënoj një sukses timin, një sukses alternativ timin me poezinë”, theksoi Zogaj.

10 vjetori i Çmimit Letrar Kadare kremtohet me albumin e një dekade

Mbrëmja pati po ashtu disa momente speciale, ku vargjet e Kadaresë nën vijën melodike të Gjergj Lekës u kënduan nga studentet e talentuara të UET Band. Në një mbrëmje nostalgjie nuk mund të mungonte një këngë e tillë. Gjergj Leka dhe Liljana Kondakçi na kthyen pas në kohë duke risjellë duetin e famshëm “Të dua”, kënduar për herë të parë në programin “Koha në Pentagramin tim”, në vitin 1989.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH