Arte

PROTAGONISTI- Si sot 30 vjet më parë u vetëvra Kurt Cobain, njeriu që revolucionarizoi epokën e tij

Shkruar nga Liberale

PROTAGONISTI- Si sot 30 vjet më parë u vetëvra Kurt Cobain,

Kur Kurt Cobain vdiq më 5 prill, tridhjetë vjet më parë, “grunge” (një zhanër i muzikës rock që u shfaq gjatë mesit të viteve 1980 në shtetin amerikan të Uashingtonit, veçanërisht në Seattle dhe qytetet përreth tij dhe që bashkon elemente nga punk rock dhe heavy metal) ishte shndërruar në një fenomen social-kulturor, saqë binte në kundërshtim me vetë parimet mbi të cilat ishte krijuar. Kjo muzikë kishte filluar të përhapej në mesin e viteve tetëdhjetë rreth Seattle, qyteti me numrin më të madh të banorëve në shtetin e Uashingtonit, falë edhe hapësirës që krijuan grupet eksperimentalë si C/Z dhe Sub Pop Records.

Ideja themelore e “grunge” ishte të shkatërronte tendencat komerciale dhe hedoniste që karakterizonin grupet e rock-ut që ishin të njohura në ato vite, duke iu kthyer filozofisë tipike të punk-ut, e bazuar në konceptin e vetëprodhimit, duke përbuzur faktin se kushdo mund të hapë një grup dhe pastaj mund të fillojë të luajë.

Për të gjitha këto arsye, në vitet e para të tij “grunge”, dukej i destinuar për të mbetur një zhanër muzikor “underground”, pasi dëgjohej edhe në një zonë gjeografike mjaft të kufizuar (pikërisht në Seattle dhe rrethinat e tij), këngët qarkulluan në kaseta të regjistruara në mënyrë krejt të dobët, ku muzika ndërtohej në pak akorde dhe teksti ishte më shumë i bazuar në temat e dëshpërimit, ku në të shumtën e rasteve, të krijonte përshtypjen se ishte i papërshtatshëm për publikun e gjerë.

Perceptimi i muzikës “grunge” ndryshoi falë kontributit themelor që dha Cobain, i cili në fillim të viteve nëntëdhjetë u bë një nga muzikantët më të famshëm dhe më të vlerësuar në botë. Fama e tij u rrit veçanërisht duke filluar nga viti 1991, kur u publikua albumi i dytë nga Nirvana, grupi që ai kishte themeluar në vitin 1987, së bashku me basistin Krist Noveselic dhe që titullohej “Nevermind”, arriti menjëherë një sukses të jashtëzakonshëm.

Me publikimin e albumit të tyre të dytë, statusi i Nirvana-ve ndryshoi rrënjësisht, duke u bërë një grup muzikor me një numër shumë të madh ndjekësish, krahasur me atë të yjeve të pop-it që ishin të njohur në atë kohë. Fillimisht “Nevermind” u rendit në krye të listës së albumeve më të shitura, falë edhe “Smells Like Teen Spirit”, këngës së parë të këtij albumi, e cila u shndërrua në hit edhe për shkak të videoklipit të saj zyrtar, transmetuar disaherë në MTV dhe që realisht mbahet mend edhe sot si një nga këngët përfaqësuese të viteve nëntëdhjetë.  

“Smells Like Teen Spirit” ishte vetëm një nga faktorët që kontribuan në famën ndërkombëtare të albumit muzikor “Nevermind”, pavarësisht faktit se ky album përmban të paktën edhe tre këngë të tjera shumë të njohuara “Come as You Are”, “Lithium” dhe “In Bloom”, gjithashtu albumi hyri në imagjinatën kolektive edhe falë një prej kopertinave më ikonike në historinë e muzikës rock; ajo që portretizon një foshnje të porsalindur, e zhytur në një pishinë, përballë një kartëmonedhe të varur në një grep.

Arsyeja tjetër e suksesit të Nirvana ishte mitologjia që publiku dhe shtypi ndërtuan rreth Cobain: pamja e tij e bukur, mënyra e turpshme dhe e rezervuar për t’u shfaqur në publik, padëshira për t’u intervistuar nga gazetarët, marrëdhënia e tij romantike por edhe e trazuar me këngëtaren dhe aktoren Courtney Love, një lidhje që u bë publike disa muaj pas publikimit të Nevermind, duke e bërë atë një personazh mjaft interesant për të folur edhe jashtë hapësirës së revistave të specializuara.

Një faktor tjetër që shpesh e vendoste Cobain në qendër të vëmendjes së medias ishte varësia e tij ndaj heroinës. Megjithatë, “Nevermind” konsiderohet nga disa kritikë të muzikës si albumi i fundit që ndryshoi vërtet diçka në historinë e rock-ut, edhe pse Cobain në fund e urrej atë. Në vitet e fundit të jetës së tij, ai e kritikoi shumë shpesh, duke u ankuar veçanërisht për punën e Butch Vig, producentit të albumit, i cili sipas tij, mund ta kishte orientuar atë drejt tingujve të muzikës pop.

Gjithashtu, Cobain u tregua ngurrues kur iu kërkua të thoshte diçka për “Smells Like Teen Spirit”, kënga e tij më e famshme, ku ndaloi së luajturi live, menjëherë pas publikimit të albumit. I intervistuar nga Rolling Stone në janar të vitit 1994, tre muaj para vdekjes së tij, ai tha se “Smells Like Teen Spirit” kishte arritur sukses vetëm sepse “njerëzit e panë videon një milion herë në MTV”, deri në atë pikë sa u “ngulit në tru”. Ai tha gjithashtu se “Smells Like Teen Spirit”, la në hije disa këngë në albumin “Nevermind”, që i konsideronte shumë më të vlefshme dhe më kuptimplotë, si, p.sh, kënga “Drain You”.

Për të shmangur lidhjen me një lloj muzike që ai e konsideronte joserioze dhe komerciale, Cobain vendosi që albumi i tretë i Nirvana-s duhet t’i përshtatet shijeve dhe pritshmërive të publikut sa më pak të jetë e mundur. Ai e konceptoi atë si një album jashtëzakonisht personal, ku mund të tregonte një pjesë të jetës së tij private, duke i kushtuar vëmendje martesës me Courtney Love dhe marrëdhënien e vështirë që pati me të atin.

Regjistrimet e albumit të ri, të cilin Cobain e quajti “In Utero” (si për të nënvizuar një rikthim në tingullin e origjinës, të simbolizuar nga metafora e barkut të nënës) përfunduan brenda dy javësh, mes 12 dhe 26 shkurtit të vitit 1993. Ashtu si albumi “Nevermind” edhe albumi “In Utero”, gjithashtu konfirmoi se Cobain ishte një kompozitor i mrekullueshëm, pavarësisht se disa kritikë e quanin atë një amator, të cilit i mungon baza teorike e nevojshme për t’u marrë me muzikë. Në realitet, edhe pse ai përvetësoi një qasje mjaft të vjetër në shkrimin e këngëve, sot, puna e tij si kompozitor, vlerësohet shumë.

Sot “In Utero” është një album përgjithësisht shumë i vlerësuar dhe shpesh përshkruhet si një lloj testamenti artistik i Cobain, i cili vdiq disa muaj pas publikimit të albumit. Trupi i tij u gjet më 8 prill 1994 në shtëpinë e tij pranë Liqenit Uashington, afër Seattle. Policia konstatoi se ai kishte kryer vetëvrasje tre ditë më parë, duke qëlluar veten me një pushkë. Ai ishte 27 vjeç.

Vdekja e Cobain shkaktoi emocione të forta dhe jo vetëm në botën e muzikës. Në vitin 2013, i intervistuar nga Neë Yorker , Alan Rusbridger, në atë kohë redaktor i The Guardian, tregoi se si dhe për çfarë arsye gazeta e tij i kushtoi një rëndësi të veçantë ngjarjes së ndodhur në atë periudhë. Në atë kohë, Rusbridger ishte vendosur në krye të një seksioni të ri të gazetës dhe së shpejti do të bëhej edhe redaktor i saj. “Kolegët më të vjetër – tha Rusbridger – erdhën tek unë për të më pyetur “po pse po merremi me këtë ngjarje?”, dhe unë u përgjigja: “sepse vajzat tona po qajnë, prandaj”./ Përgatiti Liberale.al (R.D)/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH