Vangjush Mio konsiderohet peizazhisti më i përkryer shqiptar i shekullit të XX-të. Me origjinë nga Korça, ai u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë, ku gjithashtu fitoi dy çmime për restaurimin dhe pikturën. Mio ishte admirues i madh i artit realist dhe impresionizmit italian të shekullit të XIX-të dhe fillimit të shekullit të XX-të.
Kur u kthye në Korçë, qyteti më i kulturuar dhe më i zhvilluar i asaj kohe në Shqipëri, ai krijoi shoqatën e arteve të bukura dhe në raste të ndryshme ekspozoi punimet e tij, duke u kthyer në një nga piktorët më të famshëm shqiptarë të asaj periudhe.
Nga viti 1934, ai ishte gjithashtu mësues vizatimi në liceun francez të qytetit. Ai kujtohet veçanërisht për peizazhet: vezullimin e plepave nën diellin vjeshtor me ujërat e liqenit të Ohrit dhe fushat e Korçës të mbuluara me borë nën dritën e diellit dimëror.
Puna e Vangjush Mio kontribuoi në edukimin e brezave të rinj të artistëve në kushtet e izolimit të egër kulturor, në të cilin gjendeshin, sepse ajo i përkiste një shkolle arti jashtë kornizave të realizmit socialist.
Piktori ka marrë pjesë në shumë ekspozita të arteve figurative të organizuara si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj. Mund të kujtojmë Italinë, Rumaninë, Kinën, në Bienalen e Aleksandrisë, Greqinë, Egjiptin, Turqinë, Rusinë dhe ish-Jugosllavinë.
Punimet e tij numërohen në 500 piktura, 200 vizatime dhe 80 bocete, të cilat ruhen në shtëpinë e tij Muzeu “Vangjush Mio” në Korçë.
Rreth 60 punime të tij u paraqitën në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e tjera, nën kujdesin e të bijës Rozeta, ekspozohen në shtëpinë e Vangjushit që tani njihet si Muzeu Vangjush Mio. Në vijim 27 piktura me një vlerë rreth 300,000 dollarë amerikanë u raportuan të zhdukura në korrik 2012.
Në 1965 u realizua dokumentari shqiptar "Vangjush Mio, piktor i popullit", i cili trajton jetën dhe veprën e piktorit.
Qendrës kulturore të Korçës iu vu emri i tij dhe që prej vitit 2007, çdo vit në fund të tetorit në qytetin e Korçës zhvillohet Festivali “Ditët e Mios”. Për katër ditë me radhë artdashësit mund të admirojnë piktura nga artistë shqiptarë dhe të huaj, në Qëndrën Kulturore Korçë ku zhvillohet kjo ekspozitë.