Piktura është realizuar nga Fatmir Haxhiu, 1974, dhe është vepër e realizmit socialist.
Ajo pasqyron një ditë historike, kur 76 vite më parë, më 11 janar të vitit 1946, rreth 14 muaj pas ardhjes së komunistëve në pushtet, Enver Hoxha dhe pasuesit e tij, me anë të një asambleje të përbërë nga 82 deputetë, të dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit të vitit 1945, të mbledhur në sallën e Shtëpisë së Arteve (aty ku sot është godina e Akademisë së Arteve në Tiranë), ndryshuan formën e regjimit, duke e shpallur Shqipërinë Republikë Popullore, nga Monarki që ishte që prej vitit 1928.
Siç edhe shfaqet në pikturë gjithçka nis të “rrotullohej” rreth udhëheqësit komunist, Enver Hoxha, në qendër të saj. Hoxha e udhëhoqi vendin me dorë të hekurt deri në ‘85 kur edhe ndërroi jetë.
Fatmir Haxhiu, një ndër piktorët më të shquar shqiptar të realizmit socialist, lindi në vitin 1927 në qytetin e Gjirokastrës. Më pas familja e tij u zhvendos në Tiranë, aty ku do të jetëoj deri në ditën e vdekjes, më 10 mars të vitit 2001.
Haxhiu kryen me sukses studimet në Zagreb për t’u kthyer në atdhe me pasion të madh për pikturën. Fatmir Haxhiu do të marrë pjesë në aktivitete artistike e festa kombëtare.
Vitet ’50 janë shumë të frytshme për të. Ai bëhet krijues i studios së parë ushtarake në Shqipëri, ku pasohet dhe nga artistë të tjerë, derisa në vitin 1959 merr pjesë në ekspozitën kombëtare
Veprat e tij, kryesisht të realizmit socialist, u bënë popullore pasi botoheshin nëpër shumë gazeta të kohës si “Drita”, “Puna”, “Zëri i popullit”, “Ylli” e të tjera.
“Piktor i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës, megjithëse karriera e tij artistike vëllimin më të madh të punës e ka në periudhën e realizmit socialist dhe tematikat në një pjesë të konsiderueshme ishin të imponuara, Fatmir Haxhiu diti të ishte një artist i dimensioneve të mëdha.