Qyteti i Beratit është një nga qytetet më të lakmueshme ne Shqipëri për artistët e artit viziv, si në të kaluarën ashtu edhe sot, arkitektura e qytetit, natyra e tij, pozicioni etj kanë depërtuar në shumë vepra arti duke përfshirë ato religjoze dhe ato të artistëve europiane të shekullit XVIII.
Qyteti s’e humbi asnjëhere aftësinë e tij për të lindur artistët e brezit të parë që u takojne viteve 1946-1956, si Dhimitër Buda, Yzedin Shelegu, Hasan Nallbani, Sotir Capo.
Yzedin Shelegu lindi më 14 janar 1936 në lagjen “Çelepias” të qytetit të Beratit. Gjatë karrierës 50-vjeçare në fushën e artit Shelegu ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat e organizuara në Berat si dhe në shumë pjesëmarrje kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ka hapur disa ekspozita personale ku vlen të përmendim ekspozitën kushtuar qytetit të lindjes, Beratit, me 30 vepra më 28 nëntor 1983.
Është vlerësuar me medaljet “Naim Frashëri” dhe “Për Shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore” nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Vepra e Shelegut ka një gjeografi të gjerë, ajo gjendet në Berat, Shqipëri dhe në shumë vende të botës. Shtëpia e Shelegut është një galeri më vete ku ruhet i gjithë koleksioni i tij i paprekur.
Ka fituar çmimin e parë kombëtar për kukulla me dekorin e premierës “Lepuri mendjemadh”. Me vlerë të madhe për etnografinë e Beratit janë edhe kostumet e Beratit për të cilat punoi plot 15 vjet në të gjitha trevat e Beratit, të cilat u botuan në albumin e Institutit të Kulturës Popullore në Tiranë, vizatimet origjinale të kostumeve ruhen në familjen e tij.
Yzedin Shelegu u nda nga jeta më 7 gusht 2006 në Berat.