Arte

PIKTURA E DITËS: Portreti i Sali Shijakut- Realizuar me mjeshtëri nga kolegu i tij, Hysen Devolli

Shkruar nga Liberale

PIKTURA E DITËS:  Portreti i  Sali Shijakut- Realizuar me mjeshtëri

Piktura e realizuar për mjeshtrin e madh Sali Shijaku më 1982 nga kolegu i tij, Hysen Devolli (Aktualisht ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve).

Hysen Devolli është një nga skenografët e parë shqiptarë, “Piktor i Merituar” dhe "Kostumograf i talentuar". Emri i tij është përfshirë në Enciklopedinë Botërore të Skenografisë.

Një krijimtari tejet të pasur realizoi Hysen Devolli edhe në pikturë. Firmën e tij e mbajnë shumë vepra të fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Me këtë krijimtari ai është përfaqësuar denjësisht thuajse në të gjitha ekspozitat kombëtare, por edhe të vendeve të tjera, si në Bienalen e Egjiptit etj. 

Hysen Devolli i ndarë nga jeta në vitin 2013 portretizoi mjeshtrin e madh, Sali Shijakun, në pikturën që gjendet në Galerinë e Arteve.

Figura e artistit Sali Shijaku (12 mars 1933 - 24 shtator 2022) është një nga figurat madhore të arteve pamore shqiptare

Ai krijoi vlera artistike që ndikuan në modernizimin e pikturës shqiptare të viteve 1965 -1980. Shijaku ishte piktor kolorist, dekorativ dhe krijuesi i kompozimeve, një figurë shembull në artin piktorik shqiptar të çerekut të fundit të shekullit XX.

Piktori i popullit Sali Shijaku hyri në art me dëshirën për të përshkruar dhe tejkaluar atë akademizëm perëndimor dhe ja doli me sukses kur jetoi dhe tejkaloi edhe një akademizëm të ndryshëm, atë lindor. 

Shteti shqiptar e ka vlerësuar dhe nderuar kontributin e artistit me mjaft çmime dhe i ka akorduar disa Çmime Republike. Në vitin 1969 ai mori titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1979 “Piktor i Popullit”.

Më 2004-ën Sali Shijaku u nderua me titullin “Nderi i Qarkut të Tiranës”. Në fondin e GKA-së ruhen 92 vepra të artistit. Një pjesë e koleksionit të veprave të Shijakut janë të ekspozuara në sallat kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Veprat e Sali Shijakut ndodhen në shumë vende të botës dhe sot janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Mjeshtri i madh i pikturës shqiptare Sali Shijaku u nda nga jeta në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit 2022, në moshën 89-vjeçare.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH