Arte

PIKTURA E DITËS/ Nga mjeshtri Bukurosh Sejdini: Agimi i 17 Nëntorit 1944 - Sot 80 vite nga Çlirimi i Tiranës

Shkruar nga Liberale

PIKTURA E DITËS/ Nga mjeshtri Bukurosh Sejdini: Agimi i 17 Nëntorit

Piktura simbol kushtuar çlirimit të Tiranës! ''Agimi i 17 nëntorit 1944'', vepër e vitit 1957 e "Piktorit të Merituar", Bukurosh Sejdini (1916-1991). Piktura gjendet në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë.

Si sot 80 vite më parë Tirana u çlirua nga pushtuesit nazifashistë.
Ky moment historik është përshkruar përmes pikturës nga mjeshtri i madh, Bukurosh Sejdini, i cili ishte edhe dëshmitar i ngjarjes së çlirimit, ndërsa ishte burgosur asokohe nga fashistët.

Më 17 nëntor 1944 Tirana u çlirua dhe disa ditë më vonë do të çlirohej e gjithë Shqipëria. Rol të veçantë për suksesin e operacionit dhe çlirimin e kryeqytetit luajti beteja e Mushqetasë.
Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë. Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij.

''Artisti i Merituar'' Bukurosh Sejdini u lind në qytetin e Elbasanit, më 28 Korrik 1916 në një familje të mesme qytetare.
Mësimet e shkollës fillore i kreu më 1929 në qytetin e lindjes, në shkollën “Naim Frashëri”, pastaj vazhdoi mësimet në shkollën Normale, deri në klasën e tretë. Më vonë, teksa spikati talenti dhe dëshira e madhe për pikturë u regjistrua në shkollën e mesme të vizatimit në Tiranë.
Pasi përfundoi studimet e shkollës së mesme, me përpjekje të mëdha, mundi të sigurojë një bursë për të studiuar në Rumani ku mësoi vetëm 2 vjet. Pushtimi fashist i vendit dhe për kushtet politike të krijuara në atë kohë u detyrua të ndjekë studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Firence të Itali. U kthye në atdhe në vitin 1942.
Që në Itali u lidh me shokë komunistë që studionin atje si Qemal Stafa, Sami Baholli, etj dhe me tu kthyer në atdhe u lidh me lëvizjet e grupet komuniste, mori pjesë në demostratën që u zhvillua në vitin 1942 ku ra në sy dhe u burgos nga fashistët italianë.
Në fund të viti 1942 u emërua në shkollën Normale, ku punoi si mësues afër një vit sepse u arrestua nga fashistët për veprimtarinë e tij antifashiste dhe u dërgua në kampin e Porto Romanos.
Menjëherë pas daljes nga burgu, meqënëse qëndrimi i tij ishte bërë i vështirë në qytet, doli partizan ku qëndroi deri në çlirimin e plotë të vendit.
Pas çlirimit, u emërua në disa detyra, si drejtor i shkollës së mesme teknike (sot politeknikumi “7 Nëntori” në Tiranë), drejtor në gjimnazin e Durrësit, me kërkesën e tij u kthye në Elbasan dhe punoi si mësues vizatimi në shkollën 7-vjeçare “Naim Frashëri”.
Në vitin 1949 u emërua si shef i arteve figurative në Komitetin e Arteve dhe të Kulturës. Me kërkesën e tij, për kushtet familjare, u kthye në Elbasan dhe punoi në shkollën e mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi” për mbi 20 vjet deri sa doli në pension.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH