Piktura e realizuar nga Dashamir Gurabardhi në vitin 2022
Dashi, një artist i lindur në Shijak në vitin 1954, ka krijuar një rrugëtim të jashtëzakonshëm nga qyteti i tij i lindjes deri në galeritë prestigjioze të Shteteve të Bashkuara.
Pasi përfundoi shkollën e liceut artistik “Jordan Misja”, në Tiranë dhe studioi në Institutin e lartë të Arteve, ai do të angazhohej me vepra dinjitoze në ekspozita lokale dhe në ato kombëtare. Në vitin 1996 ai hapi ekpozitën personale në Galerinë kombëtare, që pati sukses të dukshëm. Gjithashtu ai është autor i emblemës për Bashkinë e qytetit Shijak.
Ky autor mbante lidhje të ngushtë më Muzeun historik të qytetit dhe pallatin e kulturës, ku janë ekspozuar mjaft nga punimet e tij me vlera të veçanta artistike. Në tematikën e punëve bien në sy sidomos pejzazhi i natyrës së mrekullueshme shqiptare, portretet e arrira si dhe grafikat dinjitoze, të një cilësie të lartë, të realizuara nga ky krijuesi i palodhur.
Në vitin 1998 u zhvendos ne Amerikë, ku jeton edhe sot si qytetar amerikan. Vite me rradhë ka punuar sia artist në kompaninë e njohur amerikane (e krijuar në Vitin 1900) “Stickley, Audi and company”. ky autor, tashmë i mirënjohur edhe në Amerikë, vazhdimisht e ka thelluar krijimtarinë e vet, tashmë plotësisht të arrirë. Ai rregullisht ka marrë pjesë në ekspozita të “Everson Museum” dhe së fundmi në “Nutley Historical Society” (në Maj 2023).
Veprat e tij me karakter të ndryshëm ndodhen në një numër galerish dhe koleksionesh private si në Florida, NeW York, North Carolina, New Jersey, Massachusetts etj. Tashmë Dashi është bërë i njohur dhe i dashur, jo vetëm për Komunitetin shqiptar të Njujorkut, por edhe për artdashësit amerikanë, që vlerësojnë lart talentin dhe fisnikërinë këtij krijuesi shqiptar.