Nikolla Dhales, apo Niko ashtu siç e njohin miqtë e tij në Tiranë, më 20 korrik 2022 u nderua me titullin e lartë: MJESHTËR I MADH nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Kjo dekoratë e lartë iu akordua artistit Nikolla Dhales “Për kontributin e madh dhënë përmes artit pamor në pasqyrimin e natyrës, ngjyrave të jetës, çështjeve me ndjeshmëri të lartë shoqërore, kulturës shqiptare dhe asaj europiane”.
Niko eksperimenton me akrilik. Të befason me kompozimin dhe kolorin. Një fantazi ekstreme dhe joshëse. “Sheh ëndrra në diell”.
Nikolla Dhales ka lindur në Tiranë, por origjina e familjes së tij është nga fshati Skore e Pogonit (Gjirokstër). Nga tri fëmijët që lindën nga martesa e tyre, Niko ishte fëmija i dytë dhe i vetmi që mori rrugën e artit pamor.
Artisti Niko Dhales ka qenë i pranishëm me veprat e tij në të gjitha ekspozitat lokale dhe kombëtare, duke filluar nga viti 1978 -1990. Peizazhet e tij të realizuara në teknikën e vajit, kishin si subjekt imazhet e qytetit të Tiranës, por dhe të qyteteve si: Berati, Gjirokastra, Pogradeci, Vlora dhe bregdeti i detit Jon, Saranda etj.
Artisti i realizonte këto punime me pasion dhe me synimin për të evidentuar bukurinë e natyrës dhe qyteteve të Shqipërisë. Veprat e tij ishin realiste dhe me dritë diellore.
Me talentin e tij, artisti Niko Dhales ka krijuar në sheshin e artistëve në Paris imazhin e piktorit shqiptar që ashtu si shumë figura të tjera shqiptarësh kudo në botë e nderon vendin e tij të origjinës – Shqipërinë.