Arte

PIKTURA E DITËS: “Ndërruan kohërat”, vepra e mjeshtrit Agron Dine dedikuar Çlirimit të Shqipërisë!

Shkruar nga Liberale

PIKTURA E DITËS: “Ndërruan kohërat”, vepra e

Sot shënohet  80-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë. “Ndërruan kohërat”, vepër e realizuar nga mjeshtri Agron Dine, në vitin 1976, i dedikohet pikërisht kësaj dite të veçantë në historinë tonë: Çlirimit të vendit nga pushtuesit gjermanë.

Më 29 Nëntor 1944, pavarësisht çlirimit, në Shqipëri u instalua diktatura komuniste, që për më shumë se 40 vite iu mohoi qytetarëve lirinë dhe të drejtat themelore.

Ndaj sot është edhe një ditë për të reflektuar. Një ditë për të nderuar ata që u sakrifikuan për një Shqipëri të lirë, çka nuk duhet të ngatërrohet me ata të cilët për pushtetin e tyre mohuan me dhunë lirinë e të tjerëve. 

Gjithsesi, piktura e cila i përket realizmit socialist tregon momentin kur partizanët futen në Tiranë dhe lajmërojnë banorët nëpër rrugët e kryeqytetit që të mos kenë më frikë nga pushtuesit e huaj.

Pak nga jeta e autorit

Agron Dine lindi në vitin 1948 në Vlorë dhe i diplomuar në Akademinë e Arteve të Tiranës. Jeton dhe punon në Vlorë, ku prej vitit 2001 drejton galerinë e tij private.

Gjatë karrierës, për rreth 23 vjet ka shërbyer si profesor në liceun artistik të Vlorës, ndërkohë që është bashkëthemelues i një kolonie artistësh si dhe anëtar i Akademisë Europiane të Artit. 

Që prej vitit 1981, ai ka përfaqësuar Shqipërinë në disa ekspozita ndërkombëtare në vende si Algjer, Stamboll, Beograd, Prishtinë, Berlin, Athinë, Prizren, Maqedoni, Vjenë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në vitin 2008, Dine u nderua me titullin “Mirënjohja e qytetit të Vlorës,” si një shenjë vlerësimi për kontributin e tij artistik në këtë qytet. Në vitin 2011, ai u bë anëtar i Akademisë Europiane të Artit, ndërsa në vitin 2012 iu akordua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë titulli prestigjioz “Mjeshtër i Madh.”

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH