Skënder Kamberi u afirmua si një nga piktorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX, si një piktor që po sillte risi në pikturën shqiptare edhe pse i kufizuar dhe brenda rregullave të rrepta të “realizmit socialist”.
Piktori Skënder Kamberi, talentin e gjeti brenda vetes si një dhunti që ja fali natyra e Vlorës me bujari, për ta shoqëruar si bashkudhëtar në tërë jetën e tij krijuese. Këtë pasuri të lindur, e të frymëzuar nga natyra shumëngjyrëshe e qytetit bregdetar, mbushur me ullinj e portokall dhe me reliefin det, fushë, kodër mal, Skënderi e konceptoi dhe e shfaqi qysh në fëmijëri.
Ai lindi më 2 Shkurt 1939 në Lagjen e Re të qytetit bregdetar të Vlorës, ku mori edhe mësimet e para në Shkollën 7 Vjeçare “Naim Frashëri”.
Gjatë viteve 1955-1960 kreu Liceun Artistik ”Jordan Misja”. Mësuesit e ti të parë të tij ishin piktorët me të shquar të kohës: Nexhmedin Zajmi, Sadik Kaceli, Kel Kodheli dhe Guri Madhi, etj.
Gjatë viteve 1960-1965 në vazhdim kreu studimet në Institutin e Arteve, në Tiranë. Në vitin e dytë të studimeve në kursin e tyre ju bashkëngjitën dhe studentët që i kishin ndërprerë studimet në Leningrad (ish BRSS) dhe Pragë (ish Çekosllovaki): Llambi Blido, Kujtim Buza, Andon Lakuriqi e Bajram Mata, dhe Llazar Myzeqari.
Ai u personalizuar qysh gjatë periudhës studimore, por u dallua sidomos, sa filloi punën si piktor në qytetin e tij të lindjes, duke inspiruar dhe tërhequr pas vetes edhe të tjerë piktorë vlonjat të talentuar, deri aty sa u formua dhe u shpall ai institucion popullor, ajo që u quajt “Shkolla e Piktorëve Vlonjatë” e nisur më herët nga piktori Vasil Talo.
Personaliteti, talenti dhe karakteri i tij ekspresiv e i drejtpërdrejtë, u bë qendër e artit dhe e kulturës për Vlorën dhe në njëjtën kohë, duke u mbështetur fort te shokët e tij të talentuar, e çau rrethimin e ngurtësimin kohor.
Piktori Skënder Kamberi e sheh me sy kritik ecurinë artistike e kulturore ne vend dhe asnjëherë nuk ri indiferent, përkundrazi kurdoherë dhe kudo ndihet zëri i fuqishëm i tij. Ai godet qëndrimin e pakujdesshëm, shpesh indiferent të Ministrisë së Kulturës për lënien në harresë të veprave të autorëve shqiptarë.