Arte

PIKTURA E DITËS: E panjohura e Sadik Kacelit

Shkruar nga Liberale

PIKTURA E DITËS: E panjohura e Sadik Kacelit

Sadik Kaceli, autor i kartëmonedhës se parë shqiptare të stampuar në vitet e para të çlirimit, i stemës së Republikës së Shqipërisë (1946), i dizajnit të flamurit kombëtar shqiptar dhe i Galerisë së Arteve

Njëmbëdhjetë vjet përpara se të vinte komunizmi në Shqipëri, qeveria e asaj kohe dhe intelektualët shqiptarë përpiqeshin me një entuziazëm të theksuar që të hidhnin themelet e një Akademie të Lartë Arteve të Bukura. Nga Gazeta “Minevra” (shkencore dhe letrare), Nr.12-13, korrik -gusht 1933, në faqet 18 e 19 të saj, zbulohen disa të dhëna interesante sesi janë hedhur themelet e arteve pamore në Shqipëri.

Idetë vinin të frymëzuara nga talentet e rrallë të kohës, që po shfaqeshin në vendin tonë, por edhe që ishin të vlerësuara nga akademitë më të mira italiane dhe mjeshtrit e artit italian. Një nga këta ishte edhe Odhise Paskali, i cili zihet në gojë si skulptori “fin” i kohës dhe si mjeshtër i skulpturave të bronzit.

Sadik Kaceli, një piktor që bëri emër në artin shqiptar, jo vetëm në vitet ’30, por edhe gjatë periudhës së komunizmit, në moshë shumë të re shfaqet befasues me një vepër të mrekullueshme në faqet e kësaj reviste. Në kopertinën e faqes “Minerva” është botuar një pikturë e një malësori me autor Sadik Kacelin, kur ishte nxënës në Shkollën e Vizatimit të Tiranës, që drejtohej nga piktori italian Mario Ridola. Piktura shquhet për përsosmërinë e kompozimit dhe përpunimin e veçantë të ngjyrave, që edhe pse me tone të ndezura krijojnë harmoni e elegancë në portretin e këtij malësori të ri. I veshur me kostum kombëtar, pozon me një pamje paqësore e të dashur, edhe pse mban përbri vetes një pushkë.

Të gjitha punimet e nxënësve të Shkollës së Vizatimit të Tiranës, të botuara në gazetën “Minerva” flasin për talente që shfaqen fuqishëm në atë kohë, dhe dihet që më pas këta autorë të përmendur lanë gjurmë si themeltar të një arti të ndritur shqiptar.

Sadik Kaceli (1914-2000) u lind në Tiranë në një familje të madhe pranë zonës së Dajtit. Nga viti 1929 ndoqi Shkollën Teknike Amerikane, ku u specializua në vizatim. Njohuritë e para nga bota e artit i mori nga librat dhe revistat e artit, të cilat i zbuloi në bibliotekën e re Herbert, biblioteka e parë publike në Shqipëri e themeluar nga Lady Carnarvon. Nga dëshira për të studiuar për art në Francë, ai i shkroi një letër piktorit francez Henri Matisse (1869-1954), i cili iu përgjigj më 12 prill 1936, duke i rekomanduar që të kontaktonte kritikun e artit André Lhote (1885-1962) dhe të studionte në Ecole Nationale Supérieure des Beaux Arts, në Paris.

Në shtator 1936, i mbështetur financiarisht nga vëllezërit, Kaceli u nis për në Paris ku vazhdoi arsimimin deri në vitin 1941.

U kthye në Tiranë ku u emërua mësues vizatimi në një shkollë të mesme, dhe më pas, nga viti 1946 deri kur doli në pension në vitin 1973, në shkollën e mesme artistike Jordan Misja.

Sadik Kaceli ishte piktor realist, ndonëse ai asnjëherë nuk dëshironte ose nuk ishte në gjendje që ta përshtaste tërësisht stilin e tij me realizmin socialist. Për këtë arsye gjatë diktaturës u la në harresë për shumë vite. Kujtohet si për portrete, po ashtu edhe peizazhe.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH